BLUETOOTH

Artela Brahimi: Si i kam thyer me talent paragjykimet që kanë për shqiptarët

11:48 - 10.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Ajo është këngëtare që të befason me zërin e saj. Performancat live e mbajnë aktive vokalisht. Është mësuar ta zotërojë skenën me të gjithë qenien e saj. E ëmbël, çapkëne dhe me një prezencë të fortë në skenë Artela Brahimi vjen në këtë intervistë me një rrëfim të këndshëm dhe me dëshirën, që 2020 të jetë vit i bukur dhe i suksesshëm për të gjithë.
Artelë, po e fillojmë me aktualitetin. Ç’gjë të re ka në botën tënde artistike dhe private?
Këto muaj kam pushuar sa i përket prurjes së klipeve, por sigurisht, nuk kam ndenjur, i kam kushtuar më shumë rëndësi të kënduarit live. Besoj se pas pak kohësh do të shihni nga unë diçka mjaft interesante! Sa i përket jetës private, s’kemi asgjë të re, ishallah na sjell diçka të re 2020.(qesh)




Sa dorë ke ti dhe sa produksioni në përzgjedhjen e tematikës, në klip dhe në çdo përbërës të këngës tënde?
Atëherë, dua t’ju them se jam njeriu më i vështirë në studio dhe në xhirime, marr pjesë në tekste dhe i shkruaj, ka raste që një ide transformon një punë komplet.

Në rastin tënd Artela, suksesi ka të bëjë më shumë me punën apo talentin?
Mund të them, të dyja nga pak.
Ti ke krijuar imazhin e një vajze shumë çapkëne. E tillë ke qenë gjithmonë?
E them me plot kuptimin e fjalës që kam qenë fëmijë mjaft çapkën, imituese e jashtëzakonshme, rrëmujaxhie e madhe.(qesh)

Të është dashur shumë mund për të thyer kufijtë dhe paragjykimet që kanë mbretëruar dhe vazhdojnë të mbretërojnë për ne jashtë?
Sigurisht që ka qenë mjaft e vështirë të thyej kufijtë e paragjykimeve, të cilat ende mbretërojnë te ne, por falë këmbënguljes sime, vullnetit të madh dhe moskokëçarjes, kam arritur ato që i kam dashur dhe s’më kanë bërë ndonjëherë përshtypje fjalët e njerëzve. Unë kam vazhduar me punën time. Pak a shumë një tip Adeline Ismaili që ka qenë edhe këngëtarja që më ka frymëzuar gjithmonë. (qesh)

Po të kishe mundësi, do t’ia ndaloje ndokujt të këndonte?
Skena muzikore shqiptare ka mjaft hapësirë për çdokënd. Nuk ia kisha ndaluar asnjërës këndimin. Secila ka talentin dhe ndjekësit e saj, por kjo nuk do të thotë se më pëlqejnë të gjitha. Ka disa që s’mund t’i shoh, por prapë iu uroj suksese.

A mund të thuhet se e ke arritur lumturinë, apo më mirë të themi, e ke prekur kulmin e saj?
Unë besoj se e kam arritur lumturinë me kaq sa kam bërë, por lumturia s’ka fund. Njeriu punon që të jetë i kënaqur me jetën dhe familjen. Po i pati në rregull të gjitha, sigurisht, një njeri është i lumtur.

Çfarë do të na rrëfejë shpirti yt në këto momente?
Shpirti im këto momente dhe gjithmonë është plot me dashuri nga nëna ime dhe fëmijët e mi një zinxhir dashurie dhe mbështetjeje që nuk këputet kurrë. Nënë-vajzë është dashuri e përjetshme.

Ndodh shpesh ta kthesh kokën pas?
Ndodh vetëm në aspektin që nuk harroj kurrë nga rrjedh, domethënë vetëm për familjen dhe prejardhjen time, për asgjë tjetër nuk e kthej kokën pas!

Gjatë këtyre momenteve, je e kënaqur me Artelën që është sot?
Mjaftueshëm sepse çdo arritje të madhe apo të vogël e kam arritur me forcat e mia, nuk jam bërë urë askujt dhe as nuk i bëhem.

Cila këngë të rrëmben, cilën e dëgjon më me dëshirë dhe a ka ndonjë këngë që të bën të qash?
Çdo këngë e mirë më rrëmben. Ka edhe këngë që më sjellin kujtime të mira, por është një këngë që m’i nxjerr lotët direkt…

Sikur të kishe mundësi, çfarë do të korrigjoje nga jeta jote dhe çfarë do ta fshije tërësisht?
Ka edhe gjëra që do të kisha dashur t’i ndryshoja në jetë, por nuk kam mundësi. Njeri pa gabime nuk ka; mundohemi të mësojmë nga gabimet e të tjerëve dhe ato personale. Falënderoj Zotin për mirësitë që më ka sjellë në jetë, për dy vajzat e mia që janë dhurata më e bukur në jetë dhe që me to harroj çdo problem në jetë!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.