Nga Dr. Ermir Hoxha – Popujt e shumtë të Ballkanit, të konsoliduar nga feja dhe një kompaktësi etnike relative, për t’u ringritur mbi rrënojat e perandorisë osmane, i bënë thirrje edhe të kaluarës së tyre mesjetare. Nacionalizmi shqiptar, në mungesë të saj, zgjodhi një platformë ndërtuar mbi disa teza. E para ishte ajo e çertifikimit të së drejtës së tyre si banorë autoktonë, duke ngritur e propaganduar të dhëna mbi origjinën e lashtë të shqiptarëve, nisur nga ato pellazgjiko–ilire. Prejardhja e përbashkët tentonte të ngrihej përmbi ndarjet religjoze, si një platformë e re, njohur si “shqiptarizma”, për të cilën Mithat Frashëri theksonte se filloi të bëhet si njëfarë feje, një besim, jo individual, por një fe e përbashkët, e vetme, ose më mir akoma, feja. Njerëz që s’kishin parë kurrë shoku shokun, të panjohur dhe të padëgjuar gjer dje, në këtë fe dhe besimi të ri duhet të gjenin një lidhje dhe një vëllazërim. Një platformë tjetër ishte dhe ajo e evokimit të figurave historike, ku padyshim ajo e Skënderbeut, do të zinte vendin kryesor, si më e përshtatshmja e njëkohësisht më frymëzuesja.
Figura e heroit mesjetar Gjergj Kastroti Skënderbeu, pas shekujsh sundimi osman ishte pothuaj e fshirë nga kujtesa kolektive. Emri i tij u përmend rrallë në balada, apo eposin e kreshnikëve, ndërsa miti i tij jetoi më konkret ndër komunitetin arbëresh në jug të Italisë. Në fundin e shekullit të XIX, figura e tij u gjet në nevojën e ngritjes së një miti, i cili nga rilindasit do të përkufizohej si heroi i shqiptarëve dhe simbol i qëndresës kundër pushtuesit. Atributet dhe fitoret e tij të shumta ushtarake pikërisht kundër osmanëve e propozonin figurën e tij tejet të përshtatshme për këtë platformë. Bashkë me to figurën e tij e ndihmonte dhe përkatësia e paqartë fetare, pasi ai ishte lindur në një familje e besimit ortodoks, më pas ishte rritur në një ambjent mysliman, e më pas ishte shpalluar “Atlet i Krishtit” nga Vatikani. Edhe vetë emri i tij ishte gjysëm kristian e gjysëm osman. Një aspekt tjetër ishte pozicionimi i tij si përkrahës i luftës që Perëndimi ndërmori kundër Perandorisë Osmane, çka u përligj nga rilindasit si teza e përkatësisë europiane të shqiptarëve. Ky element u evidentua në mënyrë që t’i ktheheshin sa më shpejt krahët të kaluarës osmane, për një identitet të ri europian e përparimtar. Në këtë moment delikat, identiteti europian i shqiptarëve ishte edhe shprehje e qartë e nevojës që kishin rilindasit për përkrahje nga vetë kancelaritë europiane.
Fillimisht portreti i heroit u realizua nga artistë evropianë, për të ilustruar librat e shumtë të shkruar mbi këtë personazh. Edhe pse shpesh me ndryshime rrënjësore mes tyre, në to imazhi i heroit paraqitet kryesisht në profil me mjekrën e gjatë dhe hundën akuiline, shpesh pa përkrenaren me kokën e dhisë. Në raste të tjera atij i atribuohen veshje të ndryshme të urdhrave kalorsiak, apo veladon aristokrat mveshur personazheve me tipare gjithnjë e më të ndryshme.
Me intensifikimin e lëvizjeve për pavarsi, si simbol i kërkimit dhe ndërgjegjësimit kombëtar, për ideologët rilindas, ishte i rëndësishëm dhe materializimi i figurës së tij, detyrë që iu delegohej artistëve të kohës. Duket sikur pikërisht në këtë periudhë (fundi i shek. XIX) nisin të dalin në dritë dhe realizimet e para me figurën e heroit. Fillimisht ato u komisionuan brenda rretheve patriotike shqiptare që vepronin në kryeqytetet evropiane, ndërsa pas viteve të pavarësisë, figura e tij, dalëngadalë u kthye në temë të përbashkët për gati të gjithë artistët lokalë.
Ndër shembujt më të hershëm të portretit të heroit është ai i piktorit ikonograf Jorgji Panariti, realizuar në vitin 1883, (sot e humbur) realizimi i së cilës është një kopje e gravurave të shumta europiane që risillnin shpesh portretin e heroit shqiptar, ndërsa një version ekuestër i heroit realizohet nga artisti tjetër ikonograf, Anastas Ballamaçi, në vitin 1898, frymëzuar dukshëm nga një figurë romantike, “Oficeri i rojës perandorake” e realizuar nga piktori francez Theodore Géricault në vitin 1812. Figura e oficerit, e hedhur me vrull e furi në betejë, nën pozicionin e një figure udhëheqëse e inspiruese, duket sikur mvesh në mënyrë të përkryer idealin në mendjen e artistit shqiptar se si do të prezantohej figura e heroit. Skënderbeu i Ballamaçit gjithsesi paraqet ndryshime të theksuara duke nisur nga veshja e tij orientale, trajtimi kromatik, skematizmi i figurës në tërësi dhe frymën e përgjithshme ikonografike. Në pamundësi të shkëputjes tërësisht nga ndërtimi i tij ikonografik, Ballamaçi më shumë se një kalorës në betejë, ndërton një figurë të idealizuar, e cila shkëputet nga dimensioni tokësor, duke tentuar të shndërrohet në përfytyrimin absolut të një personazhi ikonë.
Në realizimet e shumta midis viteve 1890-1920 e më tej, ajo që bie në sy në mënyrë të qartë është që kjo figurë vazhdimisht ripropozohet si një klishe në të njëjtën formë. Ngjashmëritë fillojnë që nga kompozimi: portreti në profil e gjysmë bust, shikimi nga e majta në të djathtë, apo burimi i dritës që e godet figurën në qendër. Përveç kompozimit ato ripropozojnë gjithmonë elementët e sipërpërmendura me tiparet karakteristike, veshjen dinjitoze me dekorimet në kraharor, gjestikulimin e munguar, karakterin vizionar apo mendimtar, si dhe përkrenaren karakteristike me kokë dhie. Vetë përkrenarja, dhuruar Skënderbeut nga Papa Pali i II, ditën e Krishtlindjeve në vitin 1466, gjatë qëndrimit të tij në Romë do të kthehej në simbolin e tij dhe vetë Shtetit shqiptar. Me ndryshime të vogla, këto tablo duket sikur janë ri-interpretime të njëra-tjetrës, ose sikur të gjitha kanë kopjuar të njëjtin model. Ky shumëfishim “kokëfortë” imazhi duket se vinte si nevojë për realizmin e një imazhi lehtësisht të identifikueshëm, i pranuar gjerësisht, i cili si një portret zyrtar duhej të mbartte karakteristikat e duhura.
Por realizimet e shumta të portretit të heroit, jo gjithnjë duhet kuptuar si një “detyrë patriotike” e artistëve, pasi kërkesa e madhe e kohës për portretin e tij, e shtyn shpesh realizimin e saj drejt një kërkese thjesht komerciale. Në fillim shekullin XX, portreti i tij (shpesh i realizuar në shumë kopje nga i njëjti artist) shitej shpesh si suvenir mes patriotëve shqiptarë, sidomos atyre në mërgim, aq sa portrete apo buste të tij prej allçie, reklamoheshin në gazeta si çdo produkt tjetër.
Portrete në profil të heroit në vaj apo me laps, realizuan artistë të shumtë si Vangjel Zengo, Spiro Xega, Andrea Kushi, Theohar Gjini, Nikolla Lako e Spiro Xega. Gjthashtu të dhëna flasin dhe për një portret të realizuar nga piktori Kolë Idromenon, ekspozuar në Vjenë rreth vitit 1912. Vepra e konsideruar deri vonë e humbur, u bë publike së fundmi si pjesë e koleksionit Shehaj, edhe pse cilësia e saj lë hapsira për dyshim mbi autorsinë e saj. Informacione ka dhe për një portret të realizuar në vitin 1921 nga Ndoc Martini, për të cilën duket se patën shkruar të gjitha fletoret me rëndësi të kohës por që mjerisht u dogj në një ekspozitë në Stamboll në vitin 1913.
Në vitet ’20 të shekullit XX, figura e Skëndërbeut, përbënte ende epiqendrën e frymës patriotike të kohës. Prezent gati në studion e çdo artisti, sa si detyrë patriotike aq dhe si përzgjedhje komerçiale, në fillimin e shekullit ajo shumfishohet në versione ekuestër e skena beteje, si për ti rritur edhe më impaktin heroik. Ndër to mund të përmendet ajo e Simon Rrotës, “Beteja e Skënderbeut”, e vitit 1923, ku kompozimi dinamik në trajtë “X”, formohet në qendër nga përplasja e heroi me kundërshtarin. Kjo zgjidhje kompozicionale, edhe pse i jep dinamizëm gjithë tablosë, vuan paraqitjen e ngurtë dhe statike të personazhit kryesor. Dëshira për t’u përballur me realizime të mëdha, bie në sy dhe tek artisti i ri, Zef Kolombi, i cili ende student në vitin 1927, realizon “Skënderbeu në luftim me dy vëllezërit persë”, skenë kompozicionale e ngjashme me tablonë e Rrotës.
Një tjetër artist që një pjesë të rëndësishme të krijimtarisë së tij, do ja dedikonte figurës së heroit, ishte piktori autodidakt e tregtari Spiro Xega, i cili duke nisur që nga viti 1913, realizoi plot tetë versione të ndryshme mbi heroin. Teksa i reklamonte në katin e dytë të dyqanit të tij, për realizmin e tyre, në këmbë a në kalë, ai nuk hezitonte të shfrytëzonte vepra të artistëve të tjerë vendas a të huaj. I tillë është rasti i versionit të vitit 1931, ku kompozimi i heroit mbi kalë, është huazuar dukshëm nga vepra e mëparshme e A. Ballamaçit, i cili më parë ishtë bazuar në një figurë ekuestër të piktorit francez Géricault. Ndër elementët e shtuar të Xegës është përkrenarja, veshja, dhe interesi i tij për të krijuar një sfond sa më të vërtetë, me elementë nga fusha e betejës dhe kalaja e Krujës e ndriçuar në sfond. Me gjithë përpjekjet e Xegës, për t’i dhënë heroit një trajtim sa më të denjë, piktura në vetvete paraqet nota të theksuara ilustrative., aq sa më shumë se një luftëtar mesjetar në fushën e betejës, ai vjen si një imazh të idealizuar kartolinash. Shtypi i kohës dëshmon se Xega përgjatë viteve ’30 do të realizonte dhe tablo si “Skënderbeu në malet e Kosovës” dhe “Të dërguarit e sulltan Muratit i kërkojnë paqe Skënderbeut”. Pamundësia e heqjes së një kufiri të qartë mes realizimit të figurës së heroit për qëllime patriotike, apo thjesht për qëllime komerciale, i atribuohet deri diku dhe viteve që jetoheshin, pasi vetë figura e heroit, pasi përshkruhej dendësisht nga artikuj të shumtë në shtyp, po kthehej dalëngadalë në një trend të vërtetë. Risjellja e bëmave dhe e jetës së tij, apo dhe e personazheve që e rrethuan në vitet e betejave kundër osmanëve, e kishin kthyer prej kohësh atë si një simbol të unitetit të kombit shqiptar, gjë të cilën do të trashëgohej dhe në monarkinë e mbretit Zog.
…
Ndërkaq figura e Heroit do të trajtohej dhe në gjininë e skulpturës, kur në realitetin e turbullt të lëvizjeve për pavarësi, “del në skenë” Murat Toptani, një artist autodidakt, i cili afrohej me artin në shumë forma, pasi ushtrohet njëkohësisht në vizatim, pikturë, poezi e prozë. Me artin e skulpturës ai njihet në Itali e Belgjikë, ndërsa në korrik të vitit 1898, ndodhet mes arbëreshëve të Italisë, ku përfundon me sukses një bust të Skënderbeut. Toptani kujton se ishte frymëzuar nga një imazh i vjetër i heroit, të cilin e kish modifikuar si në moshë ashtu dhe në trajtim duke e mveshur me hekur, sikur shikon armikun me sy të egërsuar. Realizimi i kësaj skulpture, që deri më sot njihet si e para në Historinë e Artit Shqiptar, u përshëndet edhe nga shtypi i kohës. Ajo karakterizohet nga një trajtim realist me nota të theksuara romantike, ku vëmendja e vëzhguesit përqendrohet tek vështrimi i heroit, ndërsa veshja e heroit transmeton ndjesinë se kemi të bëjmë me një hero epik gati hyjnor. Gazeta na informon se skulptura për lexuesit e saj do të ofrohen kopje në terrakotë, që asnjë prej tyre të mos humbasë mundësinë e admirimit të figurës së heroit të tyre kombëtar. Në vitin 1917, Toptani realizon një tjetër bust të Skënderbeut në baltë të pjekur. Ndryshe nga përfigurimi hyjnor i vitit 1898, heroi në një trajtim më naiv prezantohet i vrazhdë, me përkrenaren tipike e veshjen me motive shqiptare, ndërsa elementët e rrjetës që del nga përkrenarja, sytë e vegjël dhe mjekra e ashpër, e shtojnë karakterin e tij luftarak.
Deri në fillimin e viteve ‘20, gjinia e skulpturës në panoramën e artit shqiptar, ishte tkurrur vetëm në ato pak ekzemplarë të vegjël realizuar nga M. Toptani. Punimet e këtij artisti mundën të ekspozoheshin vetëm për pak vjet, në shtëpinë e tij në Tiranë, para se ajo të digjej. Gjatë kësaj kohe, ajo vizitohej rregullisht nga artistët lokalë të qytetit, por impakti i tij artistik, më shumë se orientues duhet të ketë qenë frymëzues, për skulptorët aspirantë. Kjo gjendje vazhdoi deri në mesin e viteve ‘20, kur në skenën e artit shqiptar shfaqet skulptori i ri Odhise Paskali, i cili edhe pse kishte studiuar për teori në Itali, do të kryesonte shkollën e skulptorëve të fillim-shekullit, duke u përcaktuar qartë si skulptori i parë, që e ngriti skulpturën në nivel profesional.
Pas një sërë monumentesh të ngritura në sheshet e qyteteve shqiptar, Paskali në vitin 1939, do të realizojë një portret epik, të Heroit Kombëtar me tipare e fuqi titanike. I ngjashëm me trajtimin sublim e monumental të “Moisiut” të Mikelanxhelos, “Skënderbeu” i Paskalit, ruan të njëjtën karakteristikë të njohur si “terribilità”. Ndryshe nga “Moisiu”, vepra e Paskalit është një gjysmë bust, e si e tillë, paraqet më pak vështirësi kompozicionale, por, ai dallohet, nga gjithë përfytyrimet figurative të heroit, për tiparet e ashpra prej kolosi të paepur ushtarak. Duket qartë që tek “Skënderbeu” i Paskalit ka humbur ai emocion urtësie, që përcillnin portretet e shumtë të Skënderbeut të pikturuara në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit; ai këtu është më luftarak se kurrë. Veshja e tij e hekurt, sytë e tiparet e mprehta, vështrimi i paepur e i vëngërt, mjekra e gjatë dhe e valëzuar, të japin idenë e një kalorësi e strategu gati për t’u sulur në fushën e betejës. Ai na vjen në këtë mënyrë si një imazh i idealizuar e legjendar, duke u evidentuar si figurë e paepur e identitetit kombëtar shqiptar.
…
Si përfundim figura e Skënderbeut përbën sintezën e kërkimeve të rilindasve për një figurë evokuese në kauzën e tyre. Ajo, qëllimisht, u propozua si figura më e përshtatshme për evokimin e shpirtit të bashkimit të të gjithë shqiptarëve pa dallim krahine, feje a pikëpamjesh politike. Si e tillë ajo shërbeu si pikënisje drejt një zgjimi të identitetit kombëtar, duke shoqëruar krijimtarinë e mjaft artistëve dhe në dekadat në vazhdim përgjatë gjithë shekullit të XX, duke u kthyer në personazhin më të trajtuar të artit shqiptar.
Arte pamore
Argument
Figura e heroit mesjetar Gjergj Kastroti Skënderbeu, pas shekujsh sundimi osman ishte pothuaj e fshirë nga kujtesa kolektive. Emri i tij u përmend rrallë në balada, apo eposin e kreshnikëve, ndërsa miti i tij jetoi më konkret ndër komunitetin arbëresh në jug të Italisë. Në fundin e shekullit të XIX, figura e tij u gjet në nevojën e ngritjes së një miti, i cili nga rilindasit do të përkufizohej si heroi i shqiptarëve dhe simbol i qëndresës kundër pushtuesit. Atributet dhe fitoret e tij të shumta ushtarake pikërisht kundër osmanëve e propozonin figurën e tij tejet të përshtatshme për këtë platformë.
Portreti i heroit u realizua nga artistë evropianë, për të ilustruar
Fillimisht portreti i heroit u realizua nga artistë evropianë, për të ilustruar librat e shumtë të shkruar mbi këtë personazh. Edhe pse shpesh me ndryshime rrënjësore mes tyre, në to imazhi i heroit paraqitet kryesisht në profil me mjekrën e gjatë dhe hundën akuiline, shpesh pa përkrenaren me kokën e dhisë. Në raste të tjera atij i atribuohen veshje të ndryshme të urdhrave kalorsiak, apo veladon aristokrat mveshur personazheve me tipare gjithnjë e më të ndryshme.
Shqiptarët për figurën e tij
Portrete në profil të heroit në vaj apo me laps, realizuan artistë të shumtë si Vangjel Zengo, Spiro Xega, Andrea Kushi, Theohar Gjini, Nikolla Lako e Spiro Xega. Gjthashtu të dhëna flasin dhe për një portret të realizuar nga piktori Kolë Idromenon, ekspozuar në Vjenë rreth vitit 1912. Vepra e konsideruar deri vonë e humbur, u bë publike së fundmi si pjesë e koleksionit Shehaj, edhe pse cilësia e saj lë hapsira për dyshim mbi autorësinë e saj. Informacione ka dhe për një portret të realizuar në vitin 1921 nga Ndoc Martini, për të cilën duket se patën shkruar të gjitha fletoret me rëndësi të kohës por që mjerisht u dogj në një ekspozitë në Stamboll në vitin 1913
***