KULTURË

Mbishkrimi përkujtimor, i pabotuar i kishës së Balldrenit

10:55 - 29.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Studiuesit Andi Rembeci dhe Sokol Çunga kanë kryer një studim paraprak mbi pllakë guri të gjetur në tetor të 2019-ës në kishën e Shën Prendës në Balldren të Lezhës. Ajo u gjet gjatë restaurimit që erdhi nën kujdesin e Dom Nikë Ukgjinit, donacioneve private dhe një projekti të Ministrisë së Kulturës. Kisha e Balldrenit është objekt i shek XII-XIII, monument kulture me murale të mahnitshme e ku thuhet se “Darka e fundit” e mureve të Shën Premtes së Balldrenit është më e vjetër se e Da Vinçit.
Ndërsa gjetja në të gjatë restaurimit, është një pllakë guri, e cila mbante të gdhendur një mbishkrim në greqisht, i panjohur dhe i pa botuar më parë. Pas këqyrjes nga afër të pllakës dhe pas përpjekjeve të para që ndërmorën Rembeci e Çunga për të lexuar mbishkrimin dhe identifikuar informacionin që buron prej tij, ata paraqesin një formë të parë të rezultateve të deritanishme të këtij vëzhgimi.




Kisha e Balldrenit Pllaka e gurit e gjetur në Balldren Frederik Stamati dhe Dom Nikë Ukgjini gjatë vrojtimit të pllakës
<
>
Frederik Stamati dhe Dom Nikë Ukgjini gjatë vrojtimit të pllakës

Përmasat e pllakës janë maksimale 30 cm lartësi, 53 cm gjerësi dhe 10 cm trashësi. Në anën e saj të rrafshët pllaka është latuar dhe sheshuar. Në një panel më të thelluar prej 2-3 mm, rrethuar nga një kornizë e çrregullt paraqitet një mbishkrim në gjuhë greke, shkruar me germa kapitale. “Germat janë gdhendur cekët në sipërfaqen kristalore të gurit, me lartësi që luhatet mes 2-3 cm. Pllaka paraqitet e dëmtuar, me një pjesë të thyer në anën e poshtme dhe një krisje që përshkon vertikalisht pllakën në pjesën qendrore të saj, restauruar së fundmi nga Prof. Frederik Stamati. Po ashtu, sipërfaqja e pllakës që përkon me shtrirjen e rreshtit të tretë të mbishkrimit, paraqitet e konsumuar dhe e dëmtuar. Të gjitha këto dëmtime kanë prekur edhe mbishkrimin, duke e vështirësuar mjaft leximin dhe transkriptimin e përmbajtjes”, thotë studimi i Rembecit dhe Çungës. Mbishkrimi, të cilin kanë mundur ta lexojnë pjesërisht deri tani, është:
Në shqip:
+ KUJTO O ZOT SHPIRTRAT
E SHËRBËTORËVE TË TU
MATEO, JAKOB + DHE
HELENËS + STEFANIT
Në fund të tekstit, në rreshtin e poshtëm, është gdhendur një monogramë e brendashkruar në një rreth. Për transkriptimin, zbërthimin dhe interpretimin e kësaj monograme, autorët janë ende duke punuar.
”Brenda mbishkrimit paraqiten dy simbole të krishtera. I pari, i vendosur në fund të rreshtit të tretë dhe përpara lidhëzës KE, paraqet një kryq me përmasa 35 x 45 mm, i shoqëruar me shkurtesat IC – XC – [NI – KA], ku dy të parat janë vendosur mbi vijën horizontale të kryqit dhe shquhen relativisht qartë, ndërsa dy të tjerat, nën këtë vijë, thuajse janë zhdukur nga konsumimi i sipërfaqes së pllakës”,-vërejnë studiuesit Rembeci e Çunga. Elementi kryesor i simbolit është kryqi, domethënia e të cilit, sipas kontekstit të tij, është dhënë më saktë nga prania e shkurtesave. Sipas tyre, vendosja e kryqit në një pllakë përkujtimore simbolizon pikërisht triumfin ndaj vdekjes dhe përjetësimin e shpirtrave të atyre që kanë kontribuuar në njëfarë mënyre në historinë e kësaj kishe dhe emrat e të cilëve përmenden në mbishkrim. “Kryqi i dytë, është i përmasave të vogla dhe i thjeshtë, i vendosur në rreshtin e katërt, ndërmjet antroponimeve Elena dhe Stefani. Kjo gjë që na shtyn të mendojmë se kemi të bëjmë me dy persona të ndryshëm edhe pse nuk mund ta përjashtojmë ende plotësisht mundësinë e një personi të vetëm të përmendur në mbishkrim me emër dhe mbiemër: Elena Stefani. Gdhendësi ka punuar duke përdorur parimet kryesore bazë të gjuhës greke”,-thotë studimi.
Sipas Rembecit e Çungës, studimi i tyre nuk është shterues dhe mbeten te informacioni që jep vetë pllaka: “kemi të bëjmë me një mbishkrim përkujtimor të personave të parë fjetur, prej të cilëve mund të shquajmë deri tani emrat e Mateut, Jakobit, Elenës dhe Stefanit (ose Elena Stefanin), të cilët, përmes kushtimit të një të treti ndaj kishës së Shën Prendës, kujtohen me emër, në ndihmë të shpirtrave të tyre, dukuri kjo e zakontë në rastin e tempujve të krishterë”.
Për ta, fakti i qartë që shërben ky mbishkrim është bashkekzistenca e dy kulturave në këtë zonë, asaj Perëndimore dhe Lindore, pra, latine dhe bizantine, duke u përputhur me amalgamën kulturore dhe fetare që na diktojnë edhe pikturat murale të këtij tempulli të hirshëm.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.