KULTURË

Libri i ri i Gëzim Qendros “Aura kripto-teologjike e trupit politik”

12:13 - 02.03.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Gëzim Qendro – Janë disa momente në jetën e njeriut, të pashlyeshme. Janë momente të vështira, tronditëse, sikurse ndarjet. Kanë një peshë të rëndë e ti nuk do të doje ta mbaje. Por nuk e shkarkon dot. Të duhet ta mbash. Nuk e ke në shpinë. E ke brenda vetes. Kështu është, për mua, 27 shkurti… Në fakt, gjithnjë kam menduar që, për një lloj takimi me Gëzimin, t’i referohesha një date tjetër – 22 dhjetorit që është ditëlindje e që më pëlqen. Por 27-a sikur më tërheq për flokësh me shkëlqimin e saj të zi. Me t’u afruar ndjej një tronditje të brendshme që mund të fashitet vetëm me një lloj takimi me Gëzimin. Katarsisi ndodh vetëm në këtë mënyrë.




Dhe e bëra. Takim nëpërmjet një libri. Siç do ta kishte dashur ai. Nëpërmjet librit “Aura kripto-teologjike e trupit politik” (botimet ONUFRI), një studim i nxitur nga piktura e Enkelejd Zonjës “Vizitë në plagë”. Është interpretimi i një gjuhe shenjash që gjithsesi shkon përtej pikturës… EUREKA E RADHËS.
Arta Marku e prezantoi me fjalët e mësipërme librin e bashkëshortit të saj “Aura kripto-teologjike e trupit politik”,- botuar pas vdekjes së autorit.
Ajo tha se dy vjet të shkuara, apo diçka më shumë, i pat bërë vetes një premtim. E pat bërë me zë të lartë, e pat bërë atë premtim publikisht, por edhe sikur ta kishte thënë thjesht me vete, edhe sikur ta kisha pëshpëritur, Gëzimi kishte për ta dëgjuar, me siguri. “Se ai ka mënyrat e tij për të dëgjuar. Ndaj do të më duhej të isha e kujdesshme për premtimin tim. Premtimi ishte për librat e tij: thashë që do të kujdesesha për t’i botuar.
Por, si do t’i kisha botuar?”, theksoi Arta. Sipas saj, të përpiqesh të kuptosh karakterin e vërtetë të një regjimi totalitar përmes “gjurmëve” që ka lënë pas, është “rruga mbretërore” për të rivizituar dhe kuptuar të shkuarën përmes dialogut pa paragjykime, por pa harruar që: një dialog është diçka në të cilin ndodhesh, përfshihesh, është diçka në të cilën nuk mund ta dish më parë se çfarë do të të shfaqet, diçka që ndërpritet jo pa dhunë, pasi gjithmonë ka ende shumë për të thënë… Sipas Artës, çdo fjalë dëshiron tjetrën; edhe e ashtuquajtura fjalë e fundit, e cila, në të vërtetë, nuk ekziston.” Në fakt kështu mbyllet KINOSTUDIOJA SHQIPËRIA E VJETËR, por fjalët janë përtej një libri a një titulli. Qartësojnë mënyrën e perceptimit të Gëzimit për punën e tij krijuese. GURORJA e radhës, është AURA KRIPTO-TEOLOGJIKE E TRUPIT POLITIK…

Një vepër e hapur – thotë Umberto Eco
– është [një fushë mundësish], nëse
do të përdornim një koncept veçanërisht zbulues të kulturës bashkëkohore: konceptin e “fushës” […] i cili përmban një vegim të ripërtërirë të marrëdhënieve klasike (njëkuptimshe dhe të pakthyeshme) të shkakut dhe pasojës, i cili zëvendësohet nga një sistem forcash ndërsjellëse, një konstelacion ngjarjesh, një dinamizëm strukturash[…].1
Një fushë të tillë mundësish duket se e gjejmë në tablonë Vizitë në plagë të
Enkelejd Zonjës (fig. 1), e cila të befason pikërisht me shtresëzimet e shumëfishta kuptimore të subjektit dhe dinamizmin e strukturave që shoqërohen nga loja metagjuhësore tipike postmoderne, ironia dhe paradoksi. Në historinë e pikturës shqiptare janë të pakta tablo të tilla të ngarkuara cit me simbole dhe idhuj, paradigma dhe fantazma të historisë.


Edhe nëse nuk e njeh veprën e

Caravaggios “Shën Thomai mosbesues” (fig. 2) mjafton vetëm shenja në brinjën
e Enverit e lënë nga shtiza e ndonjë
Longinusi2 modern, për të kuptuar se
ai po sillet sikur të ishte ringjallur vërtet pas ndonjë kryqëzimi hipotetik. Ai u është shfaqur papritur, si njëfarë shajnie befasuese, tre shqiptarëve gati tridhjetë vjet pas vdekjes, duke u kërkuar (ashtu si Krishti shën Thomait) “të mos jenë mosbesues, por besues”3 se është ringjallur vërtet.
Pastaj, përpara tablosë së varur në
mur zbulojmë me çudi praninë e një
burri të ulur me shpinë nga tabloja, që
rri krejt shpërfillës ndaj vizitorëve që
sillen rrotull tij dhe shpejt vërejmë se nga pamja dhe veshja ngjan krejt me “Shën
Thomain” që shihet në tablo duke vënë
gishtin tregues në plagën e Enverit. Cili
është dhe ç’kuptim ka paraqitja e tij e
njëkohshme në tablo dhe ulur para saj?
Po ai djali mospërfillës me flokët punk që mban një Coca-Cola në dorë mos është
vetë autori? Ç’lidhje ka me subjektin
biblik ai burri i thinjur që kalamendet si i
përhënur aty në fund pa marrë vesh ç’po
ndodh? Ç’domethënie ka prania e tyre
në tablo? Këto dhe plot pyetje të tjera
na gëlojnë në kokë ndërsa qëndrojmë
përpara kësaj tabloje befasuese. Përballja e detyruar me historinë dhe imperativi për të dhënë doemos një gjykim, na ndërgjegjëson se ndodhemi përpara një vepre politikisht provokuese dhe ideologjikisht (të paktën në fillim) të pakuptimtë.
Pastaj habisë së fillimit ia lë vendin një dell shpotitës: hëm, edhe këtë kishim mangët, të shihnim në vendin e Krishtit, Enver Hoxhën, Zotmohuesin më të famshëm të historisë së shqiptarëve, hartuesin e kushtetutës së parë ateiste! Ndërkohë që shumica e shqiptarëve e mendojnë në Ferr, ai u shfaqet si i zgjedhuri i Parajsës ku, pas kësaj epifanie të fundit, do të ngjitet përgjithmonë atje lart, mes të lumnuemve, vend që meritohet pas një jete të panjollë, të shënjuar nga mirësia dhe mëshira e krishterë. Nuk janë të paktë ata që përpara kësaj tabloje mund të mendojnë se liria artistike duhet ta ketë një cak, pasi kjo pikturë acaron shumëkënd. Besimtarët, për shembull.
Kush e pa hapësirën e bulevardit Dëshmorët e Kombit të mbushur me portretet e klerikëve të pushkatuar nga regjimi i tij ateist, pa përmendur të burgosurit, të internuarit që vuajtën asokohe dënime të ndryshme për shkak të besimit, e kupton se kjo tablo nuk duhet shfaqur në publik pasi është një pakujdesi. Piktori duhej ta kish menduar dy herë përpara se ta tregonte Enverin në një rol që historia nuk ia njeh aspak.
Të pezmatuar ndihen me siguri edhe adhuruesit fanatikë të Komandantit. Ç’punë ka idhulli i tyre, kampion i njohur i ateizmit, me subjektin e një rrëfenje biblike, të cilën ata, si komunistë të bindur, e shohin si trillim të shkruar bukur dhe aq, ku mbase tek – tuk gjen ndonjë shkëndijë urtësie, por të vërteta, asnjë. Ndërsa fenë, mbështetur në besimin e patundur, në vërtetësinë e marksizëm-leninizmit fitimtar dhe mësimeve të Partisë dhe shokut Enver, e shohin si përçuese të obskurantizmit mesjetar dhe përligjëse të shfrytëzimit shekullor klasor. Për ta, institucionet fetare ishin rrjeti që shpërndante haptas “opium për popullin” dhe si të tilla meritonin të mbylleshin.
Të tjerët, shumica mospërfillëse,
ateistë apo agnostikë, pjesë e traditës
liberale që e shohin njohjen e Biblës si
pjesë të formimit të tyre kulturor, në
përballje me tablonë, fillimisht zbaviten:
Pa shih ku i ka vajtur mendja, Enveri i
ringjallur pas kryqëzimit! E megjithatë,
ndërsa kundrojmë tablonë na shoqëron
njëfarë sikleti. Në rastin më të mirë na
duket një trill, një shaka, madje pa kripë
që ideatori i ciklonit antifetar të 1967-
ës, përndjekësi i klerit dhe shkatërruesi i institucioneve fetare të luajë role të cilat sa ishte gjallë nuk i luajti kurrë. Por pasi ndërmendim të gjitha këto ndjejmë se tabloja kokëfortësisht refuzon luksin e shpjegimeve të thjeshta. Ajo na sfidon haptas ose të përballemi me paradoksin dhe lojën e saj metagjuhësore, ose të largohemi. A thua subjekti i pazakontë i tablosë të ketë ndonjë arsye më të thellë?
Kureshtar e pyeta Enkelejdin se si
mbërriti te ky subjekt kaq i pazakontë.
(Për të njëjtën arsye Sokrati dymijë e
pesëqind vjet më parë u drejtoi piktorëve
athinas të njëjtën pyetje). Edhe Enkelejdi, ndonëse nuk ngriti supet si kolegët e tij
të lashtë, s’arriti të japë ndonjë përgjigje bindëse. Vendndodhja paradokohe e studios së tij pranë vilës së Enverit apo dhurimi nga dikush i një katalogu me
vepra të Caravaggio-s vështirë se mund
të pranohen si arsye të qenësishme. Në
fund u binda se i kisha kërkuar diçka të
pamundur. Problemi nuk qëndronte te
piktori, por te kureshtja ime e pavend.
Tek e fundit, përse duhej ta dinte, madje,
si mund ta dinte autori nga ç’thellësi të
errëta të nënvetëdijes së tij ish ngjitur deri në sipërfaqen e vetëdijes subjekti i asaj tabloje? (Pjesë nga libri)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.