KULTURË

XHEVAHIR SPAHIU/ Poezitë e ndaluara e liria e mohuar

10:54 - 03.03.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Më kujtohet silueta e tij në vitet 2000, i veshur me pardesynë e bardhë në kafen e ish- Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Atëherë unë isha vetëm një studente letërsie në kërkim të shkrimtarëve të zemrës, kur humbja në bisedat e gjata mbi konceptin e poezisë. Për të poezia ishte gjysma e tij, e gjysma tjetër nuk kishte rëndësi. Ajo mund të kishte çfarëdo emri”. Alda Bardhyli, drejtoresha e Qendrës Kombëtare te Librit dhe Leximit, tha se e mban mend kështu poetin Xhevahir Spahiu. Dje teksa Akademia e Shkencave i festoi 75-vjetorin e lindjes, Bardhyli përmendi se ditëlindjet e poetëve janë një ngjarje për kulturat që ata përfaqësojnë, ndaj 1 marsi do jetë një ditë që do na lidhi gjithnjë me poezinë, e me një nga zërat më përfaqësues të poezisë shqipe pas viteve 70-të Xhevahir Spahiun.




Më tej, ajo veçoi një libër të studiuesit Nuri Dragoj mbi poetin, ku përshkruhet mes të tjerash, një vizitë të Spahiut më vitin 1976 në minierën e Memaliajt. Teksa shihte me sytë e tij mjerimin dantesk të njerëzve të gjallë të nëntokës ndërkohë që drejtori i fliste për arritjet e mëdha poeti shkruan një poezi më parë se reportazhin. “Ti je gazetar apo poet? E pyet drejtori. “Gazetar është vetëm gjysma ime, ia kthen Spahiu, madje gjysma ime më e parëndësishme, sepse në thelb unë jam poet”, do shprehej ai.

Bardhyli tha se poetët jetojnë gjithnjë më shumë për botën dhe për botën sesa për vete. “Ai është sot përfaqësuesi më i mirë i botës e gjuhës sonë. Duke dashur që të ketë më shumë studime mbi atë çfarë poezia e Spahiut i ka sjellë historisë së letërsisë shqipe, duke u ndalur dhe në mënyrën sesi shtrati i poezisë së tij është shtjelluar vitet e fundit, do doja ta mbyllja këtë përshëndetje me disa vargje që më pëlqejnë më shumë, duke besuar se me ngritjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit autori shqiptar do të jetë më i përfaqësuar”- theksoi ajo.

I NDALUAR, I LARTËSUAR
Akademiku Shaban Sinani, në veprimtarinë shkencore dhe jubilare në 75-vjetorin e poetit Xhevahir Spahiu, u ndal te kontributi i gazetës “Rilindja” që qe shpëtimtare e librit të tij të kthyer në karton “Zgjimi i thellësive”. Për Sinanin, jetëshkrimin më vlerësues për Xhevahir Spahiun e ka në Poetry International Archive të Roterdamit, shkruar nga Roel Schuyt. “Fillon kështu: Pas shumë e shumë mundimesh e kufizimesh në një shoqëri totalitare poeti mendon me përulësi e vetëqortim se nuk ia ka dalë ta realizojë misionin e vet: u ka shumë borxhe të gjallëve e të vdekurve. Por një gjë e di mirë: tani është koha që shoqëria të shlyejë detyrimet ndaj atij vetë. Në këtë portret simptomatik të Poetry International of Roterdam vlerësohet veçmas poezia ‘Fjala’, për zhgënjimet e autorit për lirinë e vonuar, lirinë që atij nuk i vlen më; vëllimi ‘Zgjimi i thellësive’, që cilësohet klithmë tronditëse e poetit të inatosur; motivet mitologjike të ringjalljes e të përtej-jetës; vjersha ‘Nata e shiut të tmerrshëm’, që metaforikisht shenjon natën e brendshme të poetit; për të mbërritur tek poezia kushtuar kometës Halley dhe vjersha ‘Përmbysje’, në të cilat autori e sheh veten krejt të braktisur, madje edhe nga vetë Universi. Një poet pesimist deri në vuajtje, që u shfaq në letërsinë shqipe në një periudhë që e quante veten epokë dhe optimizmin mënyrë jetese. Zëri shoqërohet me poezinë ‘Udhëtimet e mia”, citoi Sinani.
Për të, Xhevahir Spahiu është poet i sprovave të mëdha. Krijoi dhe imponoi individualitetin e tij në një kohë kur un-i ishte i rrezikshëm. Nuk bëri lëshime me fjalën për të lehtësuar fatin vetjak. “Priti goditjet e fatit pa iu ankuar askujt, duke i shtuar dukurisë së prometeizmit në letërsinë shqipe, për të cilën flasin studiuesit, përmasë të re. Duroi indiferencën dhe komplotin e heshtjes, duroi sprapsjen dhe burgun e fjalës. Protestoi kundër lirisë së gënjeshtërt dhe iu përgjigj me një cikël poezish egërsisë kriminale të vitit 1997, kur shkrimtarët dhe akademikët thirrën me dhimbje: Goditën Lorkën e Shqipërisë! Qëndroi vertikalisht në të gjitha kohërat. Akademiku Ante Popovski kishte të drejtë kur shkruante: Me Xhevahir Spahiun edhe vetë poezia europiane fiton në origjinalitet dhe modernizëm”, u shpreh akademiku Shaban Sinani.

Sipas tij, sprova më e madhe e Xhevahir Spahiut është se nuk heshti, kur i kërkuan heshtjen dhe nuk e braktisi poezinë, kur shumica e lanë për vokacione të tjera.
Ai tha se ne që jemi rritur me poezinë e Xhevahir Spahiut, sa herë diskutojmë për udhën historike të saj, e kemi të pashmangshme të mos ndalojmë tek poezia ‘Jetë’, e cila me gjasë paracaktoi të gjitha ndërlikimet dhe pësimet e mëvonshme të tij. “Kjo poezi u botua për herë të parë në vitin 1972, në numrin e dhjetorit të revistës letrare ‘Nëntori’. Për më shumë se dy dekada ishte e ndaluar. Më vonë edhe vetë autori pati një sjellje të shkujdesur ndaj saj. Kështu ndodh gjithnjë kur autorit ia vdesin brenda vetes privilegjin e autorësisë. Poezia ‘Jetë’ ishte kritikuar për ndikime dekadente nga filozofia ekzistencialiste e Sartrit në raportin politik të kreut të shtetit ideokratik. Nëse poezia nuk u botua më, kjo kritikë u ribotua tri herë, në tri kohë të ndryshme, në të tri rastet me redaktime të vogla, por me ngjyresa të qarta (një ditë pas fjalimit, në të përditshmen e partisë, ‘Zëri i popullit’; në E. Hoxha, ‘Raporte e fjalime 1974-1975’ dhe në Veprën e plotë)”, tha dje akademiku Sinani. Ai vërejti se redaktimet gjejnë shpjegim me momentin e botimit: rasti model për ndëshkim a për pak tolerancë ishte gjetur. “Nëse duhej lënë ndonjë shenjë e vogël zbutjeje në komunikimin me botën, apo duhej paralajmëruar e kundërta, mjaftonte të prekej një fjalë”, tha ai.

shtoi se për paradoks, daktiloshkrimi që ruhet në AQSH nuk është i njëjtë me asnjërin nga redaktimet. “U qortua për dy vargjet refren: Jam ai që s’kam qenë / Do jem ai që nuk jam; duke i pandehur si perifrazime të njërës prej premisave të filozofisë së Sartrit për raportet mes qenies dhe mosqenies, apo qenies dhe hiçit, ndonëse në të vërtetë distihu ishte thjesht një perifrazë poetike në invers e asaj që quhet autobiografia më e shkurtër në historinë e Njerëzimit: Unë jam ai që kam qenë, që jam e që do të jem, siç thuhet në Testamentin e Vjetër në gojën e Perëndisë-At”, u shpreh Shaban Sinani.

Kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, duke iu drejtuar Spahiut, tha se mbeti i veçantë e jokonformist, në çdo rrethanë e sistem. “Duke rrëmuar në poezitë e tua, duke shkruar këtë tipar tëndin, më shqetësuan dy vargje të tuat: ‘Unë dal në rrugë me tufa mimozash në duar, ti me shkopinj e me plumba’. Thashë, kur Xhevahiri u bë pjesë e organizimit të protestës me mimoza, kur ‘Poeti i popullit’ u bë edhe i politikës?!, por shpejt kuptova se ato qenë shkruar vite më parë, por tingëllonin si sot, sepse krijimtaria e lirë e një poeti të lirë, tingëllon njëlloj si në të shkuarën, e në të sotmen, e në të ardhmen, kjo është fuqia e vërtetë e poetëve, si ti, që ndryshe nga poetët e ‘oborrit mbretëror’, siç i quan ti ‘nuk këndojnë për ‘mustaqet e sovranit mbret’, por për të drejtat e popullit, sovranit të vërtetë”, tha Gjinushi.

Takimi i djeshëm u organizua nga Komisioni i Artit dhe Trashëgimisë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Qendrën Kombëtare të Leximit. Në të morën pjesë edhe Bardhyl Londo, Arian Leka, Ali Aliu, zëvendësministrja e Kulturës Meri Kumbe etj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.