Speciale

Mjekë, farmacistë, kura dhe barna. Urtësi në kohën e pandemisë

21:18 - 22.03.20 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga At’ Flavio Cavallini




I ashtuquajturi libri biblik i “Siracidit” quhet kështu për arsye të emrit të greqizuar të autorit të tij, një judeas i përndritur i Aleksandrisë së Egjiptit, që quhej Jeshua Ben Sira (= Jezusi Biri i Sira-s), i cili e shkroi në hebraisht rreth vitit 190-180 p. K.. Vepra, pastaj, qe përkthyer në greqisht nga nipi i autorit në vitin 132 p. K., e në këtë gjuhë është përcjellë në Biblën e quajtur e LXX-tëve. Është, kështu, libri më i vonë i Besëlidhjes së Vjetër i cili qe përjashtuar nga kanuni biblik hebraik në 72-shin mb. K. për shkak të gjuhës. Për shkak të këtij fati jo të mirë nuk do ta gjeni as në Biblat protestante.

Në antikitet dhe përgjatë gjithë mesjetës, mjekët hebrenj, së bashku me ato arab, gëzuan, me meritë, vlerësimin më të madh, duke përfaqësuar më të mirën e artit mjekësor … ndryshe prej kolegëve evropianë … kasapë të vërtetë!
Nuk na befason, prandaj, që një judeas, banor i Aleksandrisë, kryeqytet kulturor dhe shkencor i botës së lashtë, t’i dedikojë një kapitull të veprës së tij mjekëve dhe farmacistëve.

Në këtë kohë në të cilën pandemia e Corona-Virusit ngjall frikë dhe ankth, dëshiroj t’ua vë përpara këtë perlë të urtësisë biblike për të ngritur shpirtin e të gjithë neve që të marrim zemër, duke çmuar se, së bashku me provat, na vijnë edhe ndihmat dhe barnat. Në veçanti dëshiroj t’ia përkushtoj këtë koment të shkurtër të gjithë personelit shëndetësor që, në Shqipëri, ashtu si në pjesën tjetër të botës, është duke dëshmuar, me një përkushtim të jashtëzakonshëm, më të mirën e njerëzimit tonë. Mes këtyre edhe dy nipërit e mi të vetëm, Damiani, mjek i sëmundjeve infektive dhe Kjara, farmaciste.

SIRACIDI, KAP. 38

1 Nderoje mjekun siç i takon,
sepse edhe atë e ka krijuar i Tejetlarti.

Perspektiva e Ben Sirës është gjithmonë e natyrës teologjike. Ai nuk e ndan assesi veprën e krijesave nga ajo e Krijuesit të tyre, nëse e do puna, kërkon pikat e përbashkëta dhe arsyet e harmonizimit. Krijesat, me ose pa shpirt, janë dëftim i hyjnores e, të paktën, pjesërisht, janë pjesëmarrëse në cilësitë e mira të tij. Mirëpo, Ben Sira, është gjithashtu edhe një njeri shumë konkret, prandaj, fillon duke përnxitur që të nderohet mjeku duke mos e lënë pas dore që t’i jepet nderimi (d.m.th. tarifa) për shërbimet e tij.

2 Prej të Tejetlartit ai e ka dijen
edhe prej mbretit ai merr dhurata.
3 Dija e mjekut ia lartëson kokën
dhe lavdërohet para të mëdhenjve.

Sigurisht një prej cilësive më të çmuara, e së cilës mjeku është pjesë, është urtësia e kuptuar si dije e jetës, d.m.th. dija për të organizuar ekzistencën në dritën e dijes dhe të përvojës.
Një marrëdhënie e tillë me hyjnoren, i jep mjekut një dinjitet, për nga cilësia, mjaft më i lartë se ai i të mëdhenjve të tokës.

4 I Tejetlarti nga toka i krijoi ilaçet
e njeriu i mençur nuk i ka inat.
5 A nuk u ëmbëlsua nga druri uji i hidhur,
6 që njerëzit ta pranonin fuqinë shëruese të saj?

Vlerësimi që i takon personit të mjekut të urtë shtrihet edhe ndaj barnave që ai i porosit. Edhe ato janë dhurata të Krijuesit i cili nganjëherë është bërë mësues në zbulimin e sekreteve shëruese. Referimi është ndaj Moisiut i cili, ujin e hidhur të shkretëtirës, e bën të pijshëm me anë të një druri të veçantë (Dal 15,23-25).

Vet i Tejetlarti u dha dije njerëzve
që të lavdërohej me mrekullitë e veta.
7 Me to bëhen shërime e zbuten dhimbjet,
barnatari bën përzirje barnash
e kështu s’ka mbarim për veprat e tija:
8 kështu hapet shëndeti mbi fytyrën e tokës.

Ideja që nuk resht është se Hyji, megjithëse në transhendencën e tij, nuk është xheloz ndaj dijes së vet, por, sipas nevojës, dëshiron që ta përçojë atë, duke e bashkëndar me njeriun për motivin e thjeshtë se dëshiron mirëqenien e tij.

9 Bir, në sëmundjen tënde mos ji i prishur,
por lutju Zotit e ai do të shërojë.
10 Largohu së keqes, pastër ruaji duart,
nga çdo mëkat pastroje zemrën tënde.

Ben Sira, njeri i urtë i moçëm, e di mirë se shërimi lehtësohet edhe në rivendosjen e ekuilibrit të krejt njeriut, psiko-soma (shpirt e trup). Sipas vështrimit të tij, është vendimtare parapërgatitja, me anë të kurës (pastrimit) së brendshme, e shërimit të plotë fizik. Në perspektivën e praktikave kultuale judaike, të kesh duart e pastra do të thotë t’i kesh larë ato mirë me ujë, për t’i ndarë nga gjërat profane, por edhe të heqësh prej jetës personale veprat e këqija. Në kontekstin tonë aktual epidemik, ngulmojmë mbi kuptimin e parë, duke ngelur të habitur nga fakti që, deri edhe në shek. XXI, maja e shkencëtarëve dhe e klinicistëve, duhet ende të na porosisin që ta bëjmë si masë të parë e themelore për mbrojtjen nga ngjitja e virusit.

11 Kushto fli të erëndshme, kusht ende
dhe dhuratë të majme sipas pasurisë sate.
Por jepi vend edhe mjekut, 12 sepse edhe atë Zoti e krijoi,
mos lejo të të largohet, sepse edhe vepra e tij është e domosdoshme.

Ben Sira përballon me vendosmëri skrupujt e më të devotshmëve të cilët, gjithmonë, bëjnë pyetjen: “Të kërkosh ndihmën e mjekut, t’u japësh të drejtë gjitha normave parandaluese të lëshuara nga qeveria, të marrësh barnat e dhëna nga mjeku, a nuk është, vallë, të vesh njeriun para Hyjit? A nuk do të jetë kjo mënyrë e të vepruarit, një mungesë lajkatuese e besimit në Provaninë Hyjnore?”
Në pragmatizmin e tij të qetë, Ben Sira shmang radikalizimet: o priftin o mjekun. Sepse është gjithnjë aut aut! A nuk është më e arsyeshme et et, çdonjëri në fushën e vet specifike dhe të dy të angazhuar në të mirën më të madhe të qenies njerëzore në tërësinë e tij?

13 Ka raste kur shërimi është në dorën e tyre.
14 Po, edhe ata i luten Zotit
që t’i drejtojë në njohjen e vërtetë
e ta shpejtojë shërimin.

Padyshim, çdo mjek i mirë, ashtu si edhe çdo shkencëtar i ndershëm, është gjithnjë mjaft i vetëdijshëm për kufijtë e tij personal dhe për ato të shkencës – madje të artit nëse flitet për mjekët – të paktën aq sa është e domosdoshme për të mos menduar se janë të gjithëpushtetshëm apo për të mos rënë pre e titanizmit të tyre. Nëse është besimtar, mbase, do t’ia dalë më mirë. Nëse nuk është, do duhej t’i mjaftonte një gjykim i shëndoshë dhe praktika klinike.
Shërimi është një fakt i koklavitur dhe shpëtimi i plotë ende më shumë. Kjo duhet të jetë e qartë për mjekun … por edhe për priftin!

15 Kush mëkaton para Krijuesit të vet,
rëntë në duar të mjekut!

E marrë kjo fjalë për fjalë, ngjan si një proverb popullor me ngjyrim të keq: pika i rëntë! Por mbase është vetëm një përkthim i keq i nipit. Atëherë t’i drejtohemi origjinalit të gjyshit Jeshua e Ben Sira-s, që në mënyrë të mrekullueshme ka mbërritur në pjesë të vogla papiri, ku lexohet kështu:

Mëkaton para Krijuesit
kush hiqet si i fortë përpara mjekut!

Si të thuash: askush mos t’ia tregojë mjekut zanatin e tij. E kështu qoftë!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.