Homo Albanicus

Triumfi i të këqijve dhe tollovia e politikës

19:55 - 10.04.20 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Lajmi më i prekshëm në çdo fundvit është zakonisht se cilët janë më të pasurit dhe më të suksesshmit, por pa vend nuk mbesin dhe më fatkeqët. Për kategorinë e këtyre të fundit me shumë gjasë do ketë shumë vend në këtë vit. Tek e fundit, të gjithë ne, qytetarët e thjeshtë jemi humbës. Dhe, jo vetëm ne, por mbase lista do jetë nga e gjithë bota mbarë. Mu ajo pjesa, që kalon pa u parë shumë. Por, listat nuk duan t’ia dinë për ne. Kryesore janë zerot pas numrave dhe cili ka mbledhur më shumë zero. Cili nga politikanët ka zenë më shumë vend dhe publik para tv! Rama, me gjithë potencialin e tij mediatik dhe zotësinë para ekranit po e bën mirë me Luftën ndaj koronavirusit, para liderit të Opozitës, që veç gabimeve të tij të vazhdueshme ka edhe fatin kundër të kufizimit total. Në analogji, Trump pothuaj e ka filluar fushatën në SHBA, teksa kundërshtari i tij Biden bën një opozitë të dobët nga ekrani. A do të mundi Covid-19 të uli zerot për të pasurit dhe për audiencat e politikanëve? Me shumë gjasë edhe për të pasurit kanë ardhur kohë të këqija por një gjë dihet mirë, zerot shtohen sërish. Ashtu si kreditet e politikanëve të sotëm, në vendet ku demokracia po bjerret, e që njohin vetëm shtesa.




Në listat e huaja, rezultatet dihen: të pasurit thjesht ndërrojnë vendet, por janë për vite e vite aty, zotër të fateve politike, të ekonomive, e deri të jetëve tona. Ai që fiton miliarda dhe pasurohet shpejt është i pasur dhe zot, ai tjetri, që i humbet konsiderohet thjesht një “looser”. Populistët shtojnë audiencat me koronavirusin, që ua fali fati dhe po e kthejnë në favor. I humbur është idealisti i thjeshtë, njerëz në botë si Olof Palme dhe Malcolm X, që sot nuk i kujton kurrkush, ose që i quajnë thjeshtë fatkeq. Sa të tillë të harruar ka sot bota, mu ata që mbajtën kauza të mëdha?!

Po nga politikanët cilët do quhen humbës dhe cilët fitues? A do mundet kryeministri Rama në momentin kur do të largohet COVID-19 pas disa javësh (nëse do të ikë aq shpejt), të vendoset te politikanët e mirë dhe largpamës? A do t’i quhet problem sistemi problematik shëndetësor dhe tollovia e pamundësisë, për të cilën mbase edhe mund të shfajsohet? Po Lulzim Basha, kreu i opozitës që anatemon gjithçka? A do mund të vlerësohet për apelet e vazhdueshme dhe vëzhgimet e shumta jo pak herë të mira, por me mungesën totale të taktit për t’u përfshirë realisht? Po gjithologët e zakonshëm të politikës, do futen te humbësit apo tek fituesit?

Nëse do flisnim pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021, kjo padyshim do të ishte e lehtë. Ai që fitonte zgjedhjet, ai do meritonte në sajë të rezultateve të votave të popullit edhe gjykimin. Veçse në kohën kur jetojmë kjo nuk ka rëndësi: Tashmë politikanët e suksesshëm janë populistët, ata që manipulojnë rrjetet sociale, ata që na imponojnë forcën, tmerrin, marrëzinë dhe pompozitetin e tyre. Historia i ka stereotipet e tyre, që nga Antikiteti dhe duke ardhur në shekullin e shkuar me mostrat që bënë Luftërat e Mëdha dhe e mbajtën botën të ngërthyer në tensione artificiale.

Por, a kanë një emër të përbashkët, emrat e të këqinjve dhe njerëzve të tollovisë?!

Ata, që e njohin historinë e kanë të lehtë. Diktatorët e dikurshëm, që bënë luftrat dhe që mbetën në histori se ndryshuan fate, ata mbetën. Po njerëzit e tollovisë? I kemi sot përballë syve, që nga presidenti amerikan Trump me konfuzitetin e tij; Putini me ftohtësinë dhe kirurgjinë e frikshme të operacioneve të veta të përbotshme; Kina me fuqinë e madhe dhe të paparashikueshme (ndoshta me Covid-19 i vendosi vulën); pastaj liderët e vegjël të Ballkanit, në rastin tonë, që po na mbajnë peng dhe që na gënjejnë duke na parë madje drejt e në sy. Një gjë e di dhe njeriu më i thjeshtë: E keqja dhe e mira e qytetarëve të thjeshtë, kurrsesi nuk mund të jetë si ajo e politikanëve. Dhe, këtë po e shikojmë në lajmet që po na zbulohen prej kohësh. A do jetë më Evropa kështu e përbashkët dhe të ndajë vlera të përbashkëta? A do të ishte Shqipëria evropiane? A do të ishte Kosova e pavarur dhe në kushte të tjera? A do të kishim Covid-19 në të gjithë botën?! A do të ishte bota më e drejtë?

Për të gjithë politikanët, këta që na ndryshuan fatet dhe tashmë i shohim në sy prej llahtarit të pandemisë, do të flitet sido që të ndodhë. Militantët dhe nostalgjikët do t’i ngrenë në qiell, duke kujtuar kohët e tyre, bash të këtyre politikanëve, që na falën shumë kokëdhimbje dhe vuajtje, kurse, ata të humburit si Olof Palme (ish-kryeministri i Suedisë) e Malcolm X, jashtë, por edhe shumë idealistë në vend do të harrohen sepse historia është e tillë, u jep peshë të këqijve dhe i gëzohet dhe kërkon tollovinë e politikës, në vend të qetësisë dhe paqësisë, që kërkojnë njerëzit e thjeshtë. (Homo Albanicus)

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. …Homo Albanicus-Njerezia Shqiptare e Kosoves po perballet,pervec me corona virusin-vdekje ,por edhe me animals politicuset-laskuriq,te cilet pretendojne se gjersa kushtetuta e kosoves-ahtisarit nuk e parasheh covid-19,atehere njerezia-kope e tyre me te drejta te pa cenueshme njerzore mund te shkojne shehitelere.Sipas pacavures te gjykates kushtetuese te kosoves me sejmenet:thaqi,mustafa,veseli,haradinaj,limaj,selmanaj etj kerkohet me cdo kusht hapjen e kraharorit-mushkerive,per te ushqyer virusin corona.Bibla dhe Kurani nuk e kishin parapare corona virusin,por predikuesit e tyre zbatojne masat shendetesore.Papa i vetem ne Ceromonine e Pashkeve.Kurti si Papa e,Vjosa si SHen Nena Tereza me stafin e tyre mantel bardhe e faqebardhe ne Kosoven martire.ju prifte e mbara motra e vellezer te NENES SHQIPERI-ETNICUM.

    Përgjigju ↓