Kryesore

Aurel Plasari tregon historinë e 81 viteve të Teatrit Kombëtar: Është ndërtesa ku ka dhënë mësim Edi Rama

16:00 - 22.05.20 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Po të kisha unë emisionin, do t’ia vija titullin: Pse duhet gënjyer?”. Kështu e nisi rrëfimin e tij në “Opinion”, me Blendi Fevziun, studiuesi Aurel Plasari, i ftuar për çështjen e Teatrit Kombëtar




Përtej të gjitha pretendimeve me tallash dhe dopolavoro, Plasari tregoi gjithë kronologjinë e jetës së godinës së Teatrit Kombëtar, nisur që në vitin 1938, mbyllur më 17 maj 2020. Përmes fotografish dhe dokumentesh, ai tregoi se si lindi kjo godinë, fillimisht si Rrethi Kulturor Shqiptaro-Italian “Skanderbeg”, për t’iu dedikuar tërësisht Teatrit Kulturor. Teksa pranon se është i ftohtë dhe nuk e komenton shembjen, Plasari fare mirë e shpreh qëndrimin e tij, kur, që në krye të emisionit, nis ta ndërtojë historinë e tij sikur godinën e ka shembur ushtria turke.

Ndërsa numëron argumentet se pse kjo godinë duhej ruajtur për vlerat historike që ajo kishte, për vlerat arkitektonike, ai thotë se u beson argumenteve dhe vlerësimeve që kanë sjellë specialistët e fushës. Në fund, ai tha se edhe ata që e shembën Teatrin Kombëtar, e dinë se është pikërisht ashtu siç e mendon ai dhe nuk është e nevojshme ta falsifikojnë historinë.TeatriKombetar

Ka shumë paqartësi rreth godinës së Teatrit Kombëtar, si ka lindur ajo?

Në dokumentet zyrtare të shtetit shqiptar flitet për projektin e themelimit të Rrethit Shqiptaro-Italian “Skanderbeg”, si nismë e qeverisë shqiptare, e Mbretit Zog në vitin 1938. Është krijuar një komision e një statut dhe po hidheshin përvijimet e projektit. Ndodhen dokumentet edhe në Arkivin Shtetëror dhe në shtypin e kohës. Përurimi është më 31 maj 1939.

Që kur është projektuar, vendimi thotë “për të promovuar bashkëpunimin kulturor, artistik, shkencor, midis dy vendeve”. Me ndryshimin politik-historik në Shqipëri, me pushtimin nga Italia fashiste apo me bashkimin e kurorave, projekti nuk ndryshon dhe puna për ndërtimin e tij vazhdoi. Ky projekt për Rrethin “Skanderbeg” u mbështet edhe nga qeveria edhe financiarisht.

Si ishte konceptuar?

Konceptimi ishte në dy seksione, në dy ndërtesa. Seksioni A, i kushtuar kryesisht kinemasë, teatrit dhe muzikës dhe u quajt Kinoteatër “Savoia”. Më tej e ndërroi emrin në kohën e gjermanëve. Seksioni B ishte seksioni shkencor, në të cilin u vendos Instituti i Studimeve Shqiptare, që përbën themelimin e Studimeve Albanologjike në Shqipëri, i trashëguar në vitin 1946 nga institutet që ngriti regjimi tjetër. Mjafton të përmendim emrat më të shquar të këtij instituti si: Dhimitër Berati, Aleksandër Drenova-Asdreni, Karl Gurakuqi, Anton Harapi, Etëhem Haxhiademi, Kolë Kamsi, Sotir Kolea, Xhevat Korça, Nikollë Lako, Bernardin Palaj, Lasgush Poradeci, Odhise Paskali, Vincenc Prennushi, Ilo-Mitkë Qafëzezi, Namik Resuli, Justin Rrota, Eqrem Vlora, Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej etj. Janë edhe 10-15 emra italianë, disa prej të cilëve kanë kontribute, disa të tjerë janë të lojës politike të asaj kohe.

Është themeli i studimeve albanologjike në kuptimin shtetëror. Të jemi realistë, nuk kemi pse ta idealizojmë këtë institut, pasi mungojnë emra si Lumo Skëndo, që është themelues i albanologjisë, që në Sofje, Fan Noli, Faik Konica, sepse ishin shprehur kundër pushtimit fashist. Kështu funksiononte në regjimet autoritare. Në vitin 1944 iu ndërrua emri në Instituti Shqiptar i Studimeve dhe në krye del At Anton Arapi. Kinoteatër “Savoia” kishte kinema dhe gropën e orkestrës, ku janë dhënë pjesë operash, janë dhënë koncerte nga Tefta Tashko, Marie Kraja dhe personalitete të kohës.

 

A ishte i njohur arkitekti Giulio Berte?

Po, ishte shumë i njohur dhe arkitektët shqiptarë e vlerësojnë për prirjen e tij ndaj arkitekturës futuriste.

Po nga ana arkitektonike, a ka pasur vlera?

Për anën arkitektonike u besoj prononcimeve të bëra nga shoqatat e arkitektëve, nga arkitektë italianë, nga Fakulteti i Arkitekturës së Firences dhe “Europa Nostra” dhe kërkoj falje se e nisa mbrapsht: U besoj vlerësimeve të Maks Velos, arkitektit Artan Raça, kritikut të artit Rubens Shima, të specialistit të monumenteve dhe akademikut Emin Riza dhe lista është shumë e gjatë e atyre që thonë se kjo godinë ka vlerë për t’u ruajtur.

Të kthehemi tek organizimi i Seksionit “A”…

Pjesa e parë ishte organizuar si një Kinoklub, ku jepeshin filma, teatër edhe koncerte, është luajtur Bethoven dhe nuk duhet të çuditemi që në 1944 është luajtur edhe Vagneri. Kinoklubi nuk kishte ndonjë inovacion për kohën, sepse Tirana kishte disa kinema shumë të mira. Kinema “17 nëntori”, në krye të herës “Nacional”, se “Rex” e quajtën italianët, ishte e projektuar nga inxhinier Luarasi, edhe më mirë dhe enkas për kinema, kombinuar me verore dhe dimërore, që komunikonin me njëra-tjetrën. Kishte një kat të nëndheshëm me central elektrik dhe kur energjia shkëputej në qytet, filmi vazhdonte. Dhe për të përfituar nga puna e centralit elektrik, aty prodhohej akull për shumë nga lokalet dhe pastiçeritë e Tiranës. Tirana kishte edhe “Glorian”, që ishte një lloj brilanti, por edhe shumë të tjera, por kompleksi “Skanderbeg” ndërthurte disa funksione, si e quajnë sot, si qendër “multikulturore”.teatri-1-768×528

Po pjesa tjetër?

Pjesa tjetër, konceptuar me ambientet çlodhëse, që janë trashëguar edhe më vonë nga Klubi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, sepse rezidenca në rrugën “Musa Juka” nuk kishte Klub, kur mori ndërtesën tjetër, kishte Klubin e vet. Ka edhe një zonë ku lexohen gazetat. Por edhe Klubi ëhstë përdorur për koncerte nga Lola Gjoka, etj. Pjesa e dytë ishte “Pro Cultura”. Në fund të dy ndërtesave ishte një palestër bashkëkohore. Është e përshkruar në dokumente dhe e realizuar. Pishina duhet të jetë realizuar më vonë.

Fasada me kolonadë nuk u realizua kurrë?

Nuk e kujtoj. Dikush thoshte që ajo godinë s’kishte gardërobë. Kjo nuk e ndikon prishësin, sepse prindërit e tij, e dinë që ka pasur gardërobë në krahun e djathtë, ndërsa në krahun e majtë pije freskuese dhe pasta. Dhe unë si fëmijë mbaj mend këtë anë. Dyshemeja ka qenë me pllaka mermeri të kuqe dhe të zeza. Ka pasur edhe një kat sipër, që quhej galeria, që I kishte biletat më të lira, ku shkonin studentët. Unë kur isha fëmijë kam shkuar, nëna ime ishte shkëputur nga teatri dhe kishte kaluar te teatri për fëmijë, pas një martese me biografi të keqe, por unë si fëmijë e mbaj mend, pasi shpesh aktorët çonin fëmijët.Shembja e Teatrit-dhuna

Kur nisi funksionin ky rreth kulturor?

Vënia në punë ka qenë në 8 gusht 1939. Por duhet të sqarojmë se Rrethi “Skanderbeg” kishte për qëllim “të promovojë marrëdhëniet kulturore, artistike dhe shkencore italo-shqiptare. Ky është dekreti “Albania”, nr 114, data 8 prill. Dhe shndërrohet në Fondacion me Dekretin “Albania” me nr 142. Vendimi është marrë nga ministri i Jashtëm, Ciano, për të vijuar me të tjera dekrete, si ai i 30 tetorit 1940 për ndryshimin e emrit të Institutit të Studimeve Shqiptare në Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare. E gjithë kjo kronologji është e regjistruar në dokumente zyrtare juridike. Nëse dikur ushtria turke do të gjykohej për shembjen e tij, këto janë dokumente që do të përdoreshin në aktakuzë.

Çfarë funksioni ka pasur në vitet 1940-1944?

Në vitet ’44 ka vijuar si Kinoteatër, ku janë shfaqur filmat e parë amerikanë, pasi gjatë dy viteve të Luftës librat dhe filmat amerikanë kanë qenë të ndaluar, filluan të shfaqen edhe filma jufosllavë dhe sovjetikë dhe grupi teatror i Tiranës ka filluar të japë shfaqjet e para. Mbi këtë grup u ndërtua Teatri i Shtetit, më vonë teatri Popullor e pastaj Kombëtar. Grupi kishte një traditë të viteve ’30, kryesisht në Kinoteatër “Gloria”, me aktorë të njohur si Mihal Popi, Xhevat Serezi, etj., por u shtuan edhe elementë nga grupet teatrore partizane. Pra, ishin një përzierje elementesh, që nisën të jepnin shfaqjet e para.

Aty janë zhvilluar gjatë luftës edhe takime të rëndësishme, si ai i Abaz Ermenjit, i Mustafa Krujës, që kanë mbajtur fjalime, ndërsa në dhjetor të 1944 aty shfaqet Enver Hoxha…

Po aty kanë mbajtur fjalime Mustafa Kruja në statusin e senatorit, ka mbajtur dy fjalime historike At Anton Arapi në periudhën e pushtimit gjerman dhe pas ’44-ës janë zhvilluar një ose dy seanca të rëndësishme të “Gjyqit special”, ku në ndonjë ka marrë pjesë edhe vetë Enver Hoxha në lozhë.

Ka marrë pjesë vetë Enver Hoxha në “Gjyqin special”?

Po, sepse ka dëshmi të një prej shoqëruesve të tij, që donte t’i transmetonte një ndërhyrje që i çonte Aneja. Ai nuk ka marrë pjesë në të gjitha seancat po në një ose dy.

Një incident që përmendet për godinën e shembur është një përplasje mes Enver Hoxhës dhe Misionit Britanik për praninë e Sarah Blloshmit në sallë…

Po, është një akuzë, që si tragjikomedi i është bërë tim eti se ishte përgjegjës për atë aktivitet, që “pse i çuat ftesë”. Dhe në procesverbal, i ka thënë që “ne ftesat ia kemi çuar Misionit Britanik dhe jo personave”.

Më pas, aty u vendos Teatri Shtetëror?

Në atë kohë, drejtor i Drejtorisë së Kulturës ka qenë Xhemal Broja. Në vitet e “ndërtimit të socializmit” iu la në përdorim, në funksionim vetëm teatrit, pasi Tirana nuk kishte nevojë për të tjera kinema dhe në godinë, pa dyshim herë pas here janë bërë ndërtime për t’u përshtatur me teatrin, ndërsa në godinën e dytë u trashëguan thuajse po ato struktura, sepse në vitin 1946 aty u vendos Instituti i Shkencave. Instituti i Studimeve Shqiptare kishte bibliotekë, arkiva dhe salla konferencash.

 

Në vitin 1940, aty është mbajtur Kuvendi i Parë i Studimeve Shqiptare, i botuar edhe në shqip edhe në italisht, ku hidhen idetë e drejtimeve që duhet të marrin studimet albanologjike në gjuhësi, arkeologji, folklor etj. Instituti i Shkencave trashëgoi bibliotekën, arkivin dhe një pjesë të mirë të projekteve të lëna përgjysmë. Që aty lindën Instituti i Letërsisë, i Gjuhësisë, Akademia e shkencave.

Pra, nuk është dopolavoro?

Po është dopolavoro, ta prishim?! Hajt ta prishim. Është ndërtesa ku ka dhënë mësim Edi Rama. Ajo tjera është shtëpia e Fashos, ajo duhet shembur, rektorati dhe Instituti ku punoj unë ka qenë “Gioventu dell Littorio”. Godinë “fashiste”, godinë “komuniste”, nuk janë koncepte estetike. Ne edhe letërsinë, edhe artet e asaj periudhe, i quajmë sipas metodës së “realizmit socialist”, sepse po t’i marrësh kështu, po monumentin e Skënderbeut, si do ta quajmë?

Fashist?

Nuk janë përcaktime këto, për këto thirr këta deputetët se këta e dinë, ose këta që qajnë hallin që kishte gardërobë apo jo. Gardërobë ka pasur dhe Biblioteka Kombëtare dhe Teatri i Operës, poshtë. Prishja e tyre që hiqnin dhe njerëz nga puna ishte kombinuar bukur se nuk kishte më para për ngrohje dhe ç’kuptim kishte gardëroba.

Kishte vlerë godina në vetvete?

Unë më duket se u përgjigja, për godinën të thashë gjithë vargun e specialistëve që janë shprehur për të.

Jo nga ana arkitektonike, por nga vlera historike…

Nga ana historike, ajo ndërtesë, edhe të prishej duhet të kishte pasur disa pllaka historike, që këtu ka ndodhur kjo, ka qenë ky institut, ka qenë kjo qendër, janë bërë këto gjyqe. Ne i kemi të mbushur “këtu banoi ai” te pallatet ordinere dhe nuk kemi ku ka kënduar Tefta Tashko, dhe elita e muzikës. Në atë sallë ka kënduar, edhe në salla të tjera, se ka bërë edhe regjistrimet që dëgjojmë të zonjës së madhe, si do t’i quajmë tani, me etiketë politike.

Shumë debate lidhen me faktin që ishte e degraduar dhe nuk restaurohej…

Për këtë janë shprehur grupe arkitektesh dhe specialistësh të huaj, “Europa Nostra”, janë shprehur ndër arkitektët dhe restauratorët më të mirë shqiptarë, sipas të cilëve është e restaurueshme, diskutojnë edhe çështjen e ringritjes unë nuk kam ndonjë nostalgji se duke u marrë shumë me histori, bëhesh i ftohtë. Nuk ke sentimente, por nëse qytetarët kanë sentimente, ajo është e ringritshme dhe Varshava është ringritur nga themelet, nuk ka ndonjë problem, biseda jonë ishte të rindërtojmë paksa historinë.

Kur filloi degradimi i jetës aty?

Pas ikjes së Klubit të Lidhjes, godina i kaloi e gjitha artit… Transformimet e kohës, që edhe artistët e qytetarët i kanë jetuar, janë të qartë, nuk kanë më vlerë në histori. Të dyja pjesët i kanë kaluar TK. Me sa mbaj mend unë, në ndërtesën e dytë u vendos studioja dramatike, para se të themelohej dega në Akademinë e Arteve.

Po në raport me arkitekturën e qytetit, çfarë klasifikimi mund të kishte si trashëgimi dhe arkitektonike?

Arkitektura zyrtare e Tiranës është kryesisht italiane dhe nuk lidhet me pushtimin, se ka filluar me marrëveshjet e 1925- 1926, lidhet ne dy marrëveshjet që quhen “pakti i Tiranës”, i parë, i dytë dhe i tretë dhe janë mobilizuar në ‘25 ose ’26. Ky angazhim i arkitektëve dhe urbanistëve italianë ka qenë në mobilizim me arterierinë kryesore të Tiranës, materniteti, banka, ministritë, përfshirje e arkitektëve italianë të periudhës politikisht të fashizmit, por të rrymave me emërtesa të ndryshme.

 

Në momentin e marrjes së vendimit për shembjen, cili ka qenë mendimi juaj personal?

 

Ka qenë se duhet të ruhej për të gjitha vlerat historike, pavarësisht nëse do të shërbente më si teatër apo jo. Që Tirana ka pasur nevojë për teatër të ri, unë e kam thënë disa herë, jo për një, por më shumë, siç ka pasur për Bibliotekë Kombëtare, ajo ku ndodhet tani nuk është mjedis për BK, por mjedis për bibliotekën e qytetit. I kemi parë gjithë hallet që nuk përballohen aty dhe është futur përkohësisht deri sa të realizohej projekti që u krye në fund të viteve ’80, por ekonomia dihej dhe dështoi.

 

I vetmi kryeqytet europian që s’ka bibliotekë qyteti. Edhe salla koncertesh, Tirana ka nevojë për më shumë, patjetër, por jemi një vend që edhe një sallë e organizuar mirë, që e quanim të Teatrit të Estradës, iku u zhduk dhe ndërtuan një bincë. Kjo është përgjegjësia në gjithë 30 vitet e fundit e të gjitha forcave, që kanë qeverisur dhe humbur edhe Pallatin e Kulturës, e përmenda unë gardërobën poshtë shumë e organizuar, aty e kanë bërë kafe. Dy kafet e jashtëzakonshme, ku shkonin ata që studionin në bibliotekë, i kanë bërë zyra dhe gardërobën e kanë bërë kafe. Shikoj në diskutime e thonë pse nuk fole. Kam folur. Te “Koha jonë” e kam thënë, ai ministër i PD-së, që ka bërë atë krim, të më dalë në rrugë ta pështyj. Çfarë fuqie kam më tepër unë?

 

Ndërkohë, shembjen në vetvete si e quani?

 

Nuk komentoj gjëra të tilla. Unë nuk jam njeri i sentimenteve, dalin ca që qajnë që përloten, nuk jam unë.

 

As nuk qan, as përlotesh…

 

Unë jam njeri që për të drejtën mund të vras me qetësi, nuk kam sentimente..

 

Në këta rast, çfarë sentimenti keni?

 

Ore, ca sentimenti kam unë, e shoh nga pikëpamja historike, e prishi turku mbaroi, por të mos e falsifikojmë historinë, të mos gënjejmë, kjo më shqetëson mua, të mos i falsifikojmë! Të thonë: “Kam nevojë, dua ta prish, se më ka zënë halli, për këtë, për atë”, por mos më thotë del një regjisor aty se “nuk kam nevojtore të mjaftueshme”? Në cilin vend të botës prishen ndërtesat për nevojtoret e pamjaftueshme?!

 

Ne kemi humbur stadiumin, Teatrin Kombëtar…

 

Do humbim edhe të tjerat, a kemi qenë bashkë kur jemi përpjekur për të bërë një ndikim në opinionin publik, për të ndërtuar e ruajtur Teatrin e Kukullave, si muze të parlamentalizimit shqiptar. Do prishen edhe këto, kur prishën këtë, Teatri i Kukullave një çap është.

 

Nuk besoj se dikush guxon të prishë godinën më të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, godina ku shteti atribuoi fondet e para publike për të ndërtuar Parlament.

 

Ta mbyllim me të qeshur.

 

Keni frikë se mund të shembet edhe ajo?

 

Nuk kam unë asnjë frikë, jam realist, racional, mund të prishin çdo gjë.

 

Si shpjegohet kjo paaftësi e jona për t’i ruajtur këto godina?

 

Futemi në një fushë tjetër, antropologjia kulturore, si është marrëdhënia jonë me kujtesën historike

 

Si e kemi ne këtë marrëdhënie?

 

Siç e tregove ti me ato pamje, marrëdhënia jonë me kujtesën historike kjo është.

 

Në një intervistë që bëra, fjalët e fundit të Maks Velos ishin: Jemi të paaftë të jetojmë si popuj të civilizuar..

 

Fjalët e Maksit, ato janë artistike, popujt e tjerë, p.sh., kampet e përqendrimit nazist i kanë ruajtur gjurmët, disa i kanë bërë edhe të vizitueshme. Një kamp përqendrimi këtu, që brenda natës janë vrarë 104 djem, i kanë zhdukur gjurmët me buldozer, nuk duan ta kujtojnë, që ka pasur kamp përqendrimi, dhe merren se “Enveri nuk liroi ato dhe këto”, njësoj si të justifikosh Hitlerin se edhe ai tha “më kanë provokuar këta e ata”.

 

Të falënderoj që ishit sot në studio!

 

Edhe unë të falënderoj, edhe pse jam i ndërgjegjshëm se kam folur kot.

 

Si keni folur kot?

 

Nuk duan t’ia dinë, por historia është histori, për ata që i dëgjojnë nuk ka vlerë, edhe ata që e kanë prishur, e dinë që është kështu si them unë.

 

Keni shkëmbyer ndonjë mesazh me Ramën?

 

Pyetje provokuese kjo, por jam i bindur që e dinë, që puna është kështu.

 

Keni pasur shkëmbim me të, se shkrimi që kishit i përgjigjet një deklarate të Ramës…

 

Një njeri që ka ardhur nga fusha e artit, që të paktën ka një minimum profili artisti, profesionisti, pedagogu, nuk mund të thotë pupuliti, me atë çimenton e veçantë, që ka shkëlqyer në Europë në një periudhë të caktuar, nuk mund t’i thotë tallash, se nesër po të mbesë artist, do t’i thonë që nëse e quajmë atë tallash, po pikturën si do ta quajmë? Është shumë e ndërlikuar kjo. Ata nxjerrin ca kalamaj, që thonë që ka qenë kazermë e ushtrisë italiane. Kështu thotë ai krahu i djathtë apo i majtë…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.