OPINION

Bombola me oksigjen

10:02 - 12.06.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Borxhi që një vend evropian merr nga tregjet ndërkombëtare financiare quhet eurobond. Është një praktikë e zakonshme mes shteteve të Evropës për të financuar shpenzimet e tyre. Për herë të parë për ne është marrë nga qeveria dhjetë vite të shkuara, në nëntor të vitit 2010. Kërkuam dhe morëm 300 milionë euro për 5 vjet, me një interes 7.5 për qind. Si dalje e parë në tregjet e kapitalit (nuk na njihte kush), u konsiderua me të drejtë sukses. Në vitin 2015 kemi shënuar daljen e dytë në tregjet financiare (bursat) ndërkombëtare me 450 milionë euro, me afat maturimi po 5-vjeçar dhe me një normë interesi 5.75 për qind. Ky borxh duhet shlyer (fjala teknike është “maturohet”) në nëntor të vitit 2020. Eurobondi i fundit u emetua në tetor të vitit 2018, përmes të cilit qeveria jonë mori 500 milionë euro borxh me një normë interesi prej 3.5 për qind. Po të kishim dalë për këtë eurobond që morëm pardje, në fund të janarit të këtij viti, përqindja mund të kishte qenë edhe më pak se 3 për qind, por askush nuk mund të parashikonte pandeminë. Ajo ra. Tregjet e kapitalit u tkurrën fort fillimisht. Tani askush nuk dëshiron me nxitim të investojë. Investuesve u kanë ngelur paratë në duar. Qeveritë që duan të përballojnë hallet nga pandemia me para investuesish të mëdhenj nëpër bursa kanë mbytur tregun me kërkesa.




Edhe ne kërkuam dhe më 9 qershor, dy ditë më parë, morëm borxh nga tregjet e kapitalit 650 milionë euro për shtatë vjet me interes 3.625 për qind. Ishin 190 investues të interesuar, që ofruan 3.1 miliardë euro. Katër herë më shumë nga sa kërkuam ne. Ky ishte eurobondi ynë i katërt. A na duhej ky borxh? Po! Shumë. Përbën një bombol të mirëfilltë oksigjeni për ne. Serbia mori borxh (eurobond) një muaj më parë, më 11 maj 2020. Kullufiti 2 miliardë euro, me 3.125 për qind dhe po për shtatë vjet. Kishte 300 investues të interesuar. Borxhi publik serb është 52 për qind (gjysma) e prodhimit kombëtar të këtij vendi. I yni po arrin 70 për qind (dy të tretat) e prodhimit tonë kombëtar. E megjithatë, përqindja (kosto) e borxhit të ri që morëm është e përmbajtur. Përbën realisht lajm të mirë. Çfarë shenje është? Që lojtarët e mëdhenj në tregjet e kapitalit na besojnë? Mendoj se është më shumë dëshira e momentit për të vënë në përdorim miliarda eurot që u kanë ngelur në duar, ngaqë shanset e investimit janë pakësuar dhe ende nuk po rriten vërtik, me shumë vende që kanë akoma probleme me pandeminë. Sidoqoftë, kryesorja, siguruam para që na duhen fort. Po pse? Sepse deri në fund të këtij viti, buxhetit të shtetit tonë mund t’i mungojnë mbi 800 milionë euro të ardhura nga bllokimi i ekonomisë për dy muaj mars-prill, si dhe nga ulja e ndjeshme e konsumit në muajt maj-dhjetor 2020, pa llogaritur një rikthim të mundshëm (mos e dhëntë Zoti!) të koronavirusit në vjeshtë. Dhe të gjithë këto 800 milionë euro duhen për të mbajtur shtetin në këmbë dhe për të kryer investime publike. Deri tani kemi shpenzuar rreth 60 milionë euro duke financuar pagat e luftës. Mund të na duhen edhe 100 milionë euro fonde të tjera për këto paga. Dhe për harxhet e dy fondeve të garancisë sovrane me bankat e nivelit të dytë dhe me shpenzimet e tjera për përballimin e pandemisë duhen dhjetëra milionë euro të tjerë. Shkurt, bëhen 1 miliard euro, nevojat tona të ngutshme si qeveri dhe shtet për këtë vit. Prandaj dhe na duhen me urgjencë para. 100 milionë euro qeveria i mori nga tregu i brendshëm, duke nxjerrë tituj qeveritarë (obligacione, bono thesari). 174 milionë euro do t’ia japë Fondi Monetar Ndërkombëtar me 4 për qind interes. Ngelen mbi 700 milionë euro që mungojnë në apel. Prandaj dhe përbën lajm të mirë që morëm 650 milionë euro borxh. Nga ky, një çerek miliardë euro na duhen të paguajmë gjysmën e papaguar të eurobondit të dytë, të marrë në nëntor 2015 prej 500 milionë euro. Pra, në nëntor 2020 do të fluturojnë menjëherë nga stoku i parave që morëm nga eurobondi një çerek miliardë euro. Ngelen për t’u përdorur 400 milionë euro. Këto qeveria jonë duhet t’i vërë në veprim me shumë nikoqirllëk, duke na treguar me imtësi ku do t’i çojë. Po a do të sillet kështu? Të shohim.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.