OPINION

Vajta n’Elbason

08:00 - 13.06.20 Edison Ypi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pse këngën e famshme disa e këndojnë “Vajta n’Elbason për me ble fuston” dhe disa të tjerë “Vajta n’Elbason për me ble boston” ?




Ja bëra këtë pyetje Buçe Qenit që m’zuni rrugën te çeliku kurvit. Pasi e la në tokë kockën që po lëpinte për me liru gojën për me fol, Buçja tha se ata që vijnë n’Elbason për me ble fuston, janë demokrata të ndritur, ndërsa të tjerët që n’Elbason zbresin për me ble boston janë komunista të qelbët. Kaq tha Buçe Qeni, e kapi përsëri me dhëmbë kockën me dy gunga, dhe iku duke e lëpirë me llapë.

Afër Urës së Zaranikës më doli para Koqe Kandari. Koqa ishte i mendimit se ata që shkojn n’Elbason për me ble fuston jan xhentelmena të nerum dhe të respektum nga fisi i mafjozave që merren me droga dhe trafiqe, ndërsa ata që n’Elbason shkojn me ble boston jon longaraqa nga xhinsi i dembelave dhe parazitave që rrin kot, e shkojn jetën kot, flejn gjum.

Krejt ndryshe e mendonte fuston-bostonin Surrat Balta që e takova te Hotel Turizmi. Surrati që mahet për liberal progresist tha; Fustoni përfaqëson mirqënien shpirtërore. Bostoni rehatinë materiale. Këngën e famshme e këndojnë “me fuston” materialistat mashtruesa, ndërsa “me boston” e këndojn idealistat hipokrita. Besoj se isha i qartë. Mos më vono mo me fustona dhe bostona. Ika se kam takim me një demokrat për pun të një dallaveri të përbashkët, tha, dhe u zhduk Surrat Balta.

Hile Skilja u shpreh kështu; Nga qëndrimi i gjatë në opozitë demokratat jan bo me fol me vete. Në shtëpi, në rrugë, në kafene, demokratat flasin me vete. Sdomos nëpër televizora demokratat nuk përballen me komunistat por flasin me njonitjetrin, domethën me vete, llomotisin, revoltohen, shajn mallkojn. Si përfundim, budallejt që flasin me tjetrin këngën e këndojnë “me fuston”. Demokratat që flasin me vete, këngën historike e këndojn “me boston”. S’di tjetër.

Zagar Çorba ishte më i errët se Hile Skilja i t’folmes me vete. Zagari ishte i mendimit se shqiptarët janë të vetmit në botë që mediat i bëjnë vetëm me pare të vjedhme, me pare buxhetore, me pare trafiqesh, me pare droge, kurrë me paret e veta. Ndërsa sa i përket fuston-bostonit, Zagari tha se janë e njëjta gjë, nuk kanë asnjë dallim, me ata të dy boj ça të dush, kap ça të kapësh.

Elaborimi i mjegullt që Zagar Çorba i bëri fustonit dhe bostonit, më zhyti në mendime. Erdha në vete vetëm kur në një kafene afër Teatrit Skampa, pra afër hales propagandistike me furrnalta, spiuna, sabotatora që do Zoti pas pak ta shembin, mu atje takova Mi Skuthin. Ju luta Miut me ma zbërthy që ta kuptoj sa më mirë dilemën me fustona dhe bostona. Atë këngë, ja nisi Mi Skuthi, e këndojnë “me fuston” ata që janë të bindur se zgjedhjet në Shqipëri i bëjnë pronarët e mediave, dhe “me boston” ata që kujtojnë se zgjedhjet tona komandohen nga ambasadorët perëndimorë. Po deshe me dit mo tepër se kaq, përfundoi Mi Skuthi, ja ku po vje Pis Pisi. Pyte Pisin. Ta kallxo Pisi fustonin, bostonin, po deshe ene kungullin me trongullin.

Mos më çaj kaptinën me fustona dhe bostona, ja krisi Pis Pisi. Jom bo me vra veten. Me më ther pik gjaku s’më del. Në Dumre, në Darsi’, në Shpat, Parti Demokratike nuk ka, Partia Demokratike nuk ekziston, Partia Demokratike është bërë kashtë e koqe e tëra, dhe ti më ça dërrasa me fustona dhe bostona, ma mylli gojën Pisi.

Ik e ik afër stadiumit nga trotuari tjetër më përshëndeti Çok Çakmaku. Ja thash Çokut si e kisha hallin me këngën, fustonat, bostonat. Çoku ja futi si ketri ariut. Si është e mundur, tha Çok Çakmaku, që Edi Rama edhe të gjitha televizionet i ka ble, edhe të gjitha televizionet e shajn e kusur s’i lejn. Këtë me ma përplas kokën pas muri sarrij ta kuptoj, përfundoi Çok Çakmaku, dhe iku.

Pak më tutje stadiumit afër Kodër Krastës sikur doli nga dheu Llum Garuzhdja. Llumi foli seriozisht. Për Llum Garuzhden atë këngë “me fuston” e këndojnë buxhetorët e papërgjegjshëm që bëjnë propagandë kundër qeverisë, pra diçka të ndaluar rreptësisht nga Ligji. “Me boston” e këndojnë budallenjtë e pushtetit të cilet këtë hile, meqënse nuk e kuptojnë, e tolerojnë.

Te një restorant i vogël ku nuk vajta me ble fuston e as boston, por me ngrën një pjat grosh, takova Vorr Pilafin t’u hongër mish. Vorri foli qartë dhe prerë. Sipas Vorrit, këngën e famshme e këndojnë “me fuston” ata që kanë bindjen se konservatorët e brezit të vjetër ishin më kafshë se konservatorët e sotëm, ndërsa “me boston” e këndojnë ata sipas të cilëve konservatorët e sotëm janë ca barkderra një mijë herë më budallenj se konservatorët e vjetër që prisnin kotmëkot anglo-amerikan, dhe aq shtazarakë e aq qesharakë sa mburren se luftojnë komunistat me 30 lajka në Fejsbuk dhe nëpër kafenera ku korrin fitore donkishoteske duke ngritur tallaze luftrash të përgjakëshme nëpër gota uji.

Hu Gardhi, Katran Zifti, Mortje Ngordhja, Iriq Bolja, Pleh Pocaqia, Hije Ligu, Era Dheu, Qurre Spiçka, Fyll Brima, Zgjyrë Këllira, thanë pakashumë të njëjtat gjëra.

Këmbët më çuan te unaza e Elbasonit atje ku hekurudha kryqëzohet me rrugën e vorrezave. Ate vend, në kujtim të një numuri viktimash të pafajshme të funeraleve që në përpjekje mbinjerëzore për të kaluar hekurudhën me në sup xhnozen në qivur janë shqyer nga rrotat e trenave, me plot të drejtë Ismail Bej Çala, alias Ismail Bej Sulova, e ka pagëzuar me emrin mbresëlënës Anna Karenina. M’u te Anna Karenina ja behu Tas Plonci. Me një qetësi dhe gjakftohtësi mahnitëse, Tas Plonci që duket si gru me barrë, tha se këngën monumentale “me fuston” e knojn komunistat katunarë që n’Elbason vijnë me ble noi femër. “Me boston” e knojn demokratat që n’Elbason zbresin me ble noi dylber.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.