OPINION

Ndihmoni njerëzit që krijojnë punë!

07:41 - 15.06.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Na shpëtoi prodhimi, ndryshe do kishim falimentuar”, u shpreh në një intervistë të ditëve të fundit pronari i një rrjeti restorantesh dhe dyqanesh që prodhon mallra ushqimore dhe ushqime tipike shqiptare. ‘Morëm porosi nga qytetarët dhe Iu shërbyem në shtëpi. Arritëm të mbanim të 75 punonjësit që kemi me paga minimale”, theksoi ky sipërmarrës. Në dy muajt e tmerrshëm të mbylljes mars-prill 2020, e vetmja që qëndroi fort, madje rriti prodhimin dhe eksportet, ishte bujqësia jonë. Ajo e vjetra, me parcela të vogla e të shpërndara tokash, pa makineri, me bujq pak të informuar. Arriti të sillte nëpër qytete e të shiste në dy muaj gati 90 për qind të sasisë që sillte dhe shiste në mars-prill 2019. Prodhimi është aktiviteti që e bën një vend të fortë dhe të qëndrueshëm. Qeveria bën mirë që pas kiametit nga dy-tre  muajt mizorë me frikën dhe mbylljen totale ose të pjesshme (maji) nga COVID-19, mendon zhvillimin e ekonomisë sonë edhe për 10 vitet e ardhshëm. Dhe bën zero tatimin mbi fitimin për biznesin e vogël deri në vitin 2029. Dikush mendon se e bën si hap të parë të programit të saj për t’u marrë votën shqiptarëve pas afro 370 ditëve, në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2021. Nuk ka rëndësi pse po e bën. Vlen nëse ky hap na ndihmon të kalojmë më lehtë këto ditë të vështira me konsum të ulur. Mirëpo qeveria duhet të provojë fort të ndihmojë, në biznesin tonë të vogël, ato sipërmarrje të vogla që prodhojnë. Të tilla, nga mbi 100 mijë syresh të regjistruara, kemi vetëm 8 mijë e 745 të regjistruara ose rreth 9 për qind të të gjitha sipërmarrjeve të vogla. Ndërkohë kur Serbia ka 31 për qind dhe edhe Maqedonia e Veriut, shumë e ngjashme në fuqi blerëse me ne, ka me herë më shumë se ne, 23 për qind të totalit ndërmarrje të vogla prodhuese. Qeveria duhet të shikojë të ndihmojë ata që prodhojnë, jo vetëm kompanitë e mëdha e të mesme. Për këto të fundit po e bën me garancinë sovrane mbi kreditë tregtare që marrin. Ka disa rezultate, edhe pse jo për të gjitha kompanitë e mesme dhe të mëdha. Gjysma e tyre ndodhen në vështirësi serioze nga pandemia dhe vetëm një e njëzeta e tyre ka aplikuar për kredi nën garancinë e qeverisë. Ndërkohë, qeveria duhet të ndihmojë biznesin e vogël prodhues tek ne. Janë mbi 8 mijë ndërmarrje të tilla. Sikur gjysma, nën stimujt qeveritarë, të provonin të shtonin prodhimin, qoftë edhe vetëm duke shtuar një vend të ri pune, do të kishim katër mijë vende të reja të punës. Këtë po bëjnë fqinjët tanë në rajon prej vitesh tashmë. Serbia, për çdo vend të ri pune që sipërmarrjet prodhuese hapin(pa dallim të vogla, të mesme apo të mëdha), subvencionon 2 mijë euro nga buxheti i shtetit. Maqedonia e Veriut një mijë e pesëqind euro. Sikur ne të nxisnim bizneset e vogla prodhuese, duke u dhënë nga një mijë euro për çdo vend të ri pune. Vërtet do të na kushtonte 4 apo 5 milionë euro subvencione në vit, por mendoni dobinë për ekonominë tonë dhe gjithë ne në shpresë të ringjallur, nëse do të kishim 4-5 mijë vende të reja pune të hapura në bujqësi, agro-përpunim, turizëm, artizanat, etj. Kaq e thjeshtë është. Por duhen këllqe dhe vizion i pastër që ta bësh. Më në fund, pas gati tre dekadash duke ruajtur status-kuonë(qëndrimin në vend numëro) me biznesin e madh që kryen i qetë shmangie të përbindshme detyrimesh(në kufij 400-500 milionë euro në vit) ndaj Shtetit, i mbrojtur nga biznesi i vogël, të cilit ia shet mallin e marrë nga importi apo të prodhuar vetë pa faturë, qeveria po shikon mundësinë të nxjerrë zbuluar bizneset e mesme dhe të mëdha(pothuajse të gjitha kryejnë evazion fiskal-shumë syresh kundër vullnetit të tyre, por ndryshe nuk mbijetohet në këtë tregun tonë). Duke përjashtuar nga skema e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar(TVSH) të gjitha bizneset e vogla. Ndoshta, duke ju hapur oreksi, mund të risjellë në praktikën tatimore edhe kryqëzimet e shitje-blerjeve. Këto kryqëzime, të quajtura sistemi i kryqëzimit të faturave për të gjithë Republikën në Sektorin e Evazionit Fiskal në Drejtorinë Rajonale të Tiranës, krahasonin faturat tatimore në blerje dhe shitje dhe nxirrnin në fund të çdo muaji të gjitha mospërputhjet e shitblerjeve, deri në vitin 2007. Mospërputhjet nxirrnin zbuluar bizneset e mëdha që ushtronin evazion fiskal. Ky sistem u hoq mizorisht nga tatimet tona në 1 janar 2008. Duke mos qenë më ai i pranishëm, që nga ajo kohë, biznesi, edhe pse jo formalisht, u la i lirë “de facto” të kryente blerje dhe shitje pa fatura të rregullta, duke dëmtuar konkurrencën e ndershme. Kam dëgjuar të njohur dhe miq që merren me biznes të vogël dhe që thonë shprehimisht: ”Kur agait të shumicës i kemi kërkuar faturë për blerjet tona, ngaqë kanë nisur të na e kërkojnë tatimorët origjinën e mallit, na ka thënë: doni mall pa letra? Mirë. Ndryshe kthehuni nga keni ardhur”.  Kjo qasje e përditshme ka detyruar edhe shumë biznese që do të donin të ishin korrekt me Shtetin, që të manipulojnë dokumentacionin dhe format e tregtisë, për t’iu përshtatur gati gjysmës që kryen me dëshirë e vullnet të plotë evazion. Pra të gjithë kundër Shtetit që duam të ndërtojmë! Ky është realiteti i trishtë i jo vetëm atyre 800 kompanive të mëdha, të përmendura katër vite më parë nga Kryeministri që trukojnë bilancet e tyre.  Tani qeveria duket e ndërgjegjshme të gjurmojë evazionin aty ku ai fshihet më fort dhe dendur, pas “ferrës së vogël” të biznesit të vogël. Si do ta bëjë? Qeveria shpreson shumë se mund t’ia dalë me fiskalizimin e biznesit të madh këtë shtator. Urojmë të mos e ketë vetëm një premtim të pambajtur zgjedhor. Urojmë po ashtu të konsiderojë rikthimin e sistemit të kryqëzimit të faturave, i domosdoshëm për klimën e fortë të shmangies së detyrimeve fiskale që mbretëron tek ne.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.