OPINION

Matura dhe fatura

08:46 - 16.06.20 Irsa Ruçi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Liria e një të riu është guri i themelit mbi të cilin kombet formësojnë ndërgjegjen historike; memorien që krijohet jo veç si trashëgimi, por një investim i pandalshëm për t’i kultivuar brezave përgjegjësinë për veten dhe në raportin me shoqërinë. Vetëm të ndjerit të lirë mund t’u japë të rinjve krahë për të besuar që dëshira e tyre, kur vishet me vullnet, kthehet në mision; duke marrë trajtën e qëllimeve të mirë menduara me të cilat shoqërojnë rrugëtimin e jetës.




E testova fillimisht këtë koncept tek vetja, dymbëdhjetë vite kaluar, kur edhe pse u diplomova si ekselente në gjimnazin që ishte renditur i pari në Shqipëri atë vit për cilësi, jo vetëm që nuk arrita të fitoja degën të cilën kisha aq shumë kohë që e ëndërroja me zellin adoleshent, por dita e parë si studente më gjeti sy mbushur me lot, duke përfytyruar një investim së paku 5-vjeçar, aty ku rastësia më kish’ degdisur; ose thënë shumë troç “ku më pat rënë lapsi”. Kur shkela pragun e fakultetit, i bëra vetes një betim, që e kam mbrojtur me mish e shpirt gjer më sot: “nuk do lejoja më askënd të më diktonte rrugën e jetës, veç vullnetit tim dhe të vërtetës.”

Ishte fati ndoshta që më shkroi një udhëtim, ku jo vetëm zbulova potencialet e mia, kuptova se isha në vendin e duhur dhe kisha talentin për ta çuar sërish si ekselente deri në fund  misionin si studente e gazetarisë; por rilinda në gjetjen e vetes dhe e dashurova atë degë, u emocionova dhe investova në idenë se unë do lija një gjurmë në lëmin e vështirë plot dritëhije që shoqërojnë fushën e komunikimit në përgjithësi, në Shqipëri. Shpesh herë jam ndalur me veten, duke përfytyruar si mund të ishte e ardhmja ime nëse do ndiqja studimet në profilin ku kisha synimin dhe pata orientuar fokusin e studimeve më thelluar. Nuk dita asnjëherë t’i jap përgjigje, gjithnjë e vishja atë pyetje retorike me mister; duke e gjetur fajin herë tek sistemi i rekrutimit të studentëve, herë tek bashkëmoshatarët e ardhur prej rretheve, që në vetëdijen time të asaj periudhe na kishin penalizuar ne të rinjve të Tiranës; dhe herë tek kuotat që i shikoja shumë “tolerante” dhe këmbëngulja se duhej patjetër të vihej kufiri i mesatares.

E nisa punën si pedagoge 23 vjeç, qysh prej diplomimit; dhe kam shtatë vite që i ndjek të rinjtë në auditorë, në përpjekjen për të gjetur tek secili prej tyre idealin, forcën dhe besimin se ata munden të jenë shpresa e këtij vendi. I mbruj gjithmonë me idenë që të mos kërkojnë notën, por frymëzimin, të luftojnë për të ardhmen; të rebelohen nëse nuk marrin dijen dhe të mos e shpërdorojnë kohën e tyre; e ta nisin këtë rebelim prej lëndës që unë lektoj nëse nuk e shohin të frytshme. Por shoh vakësi, lodhje, një dritë që dalëngadalë fiket sapo kapërcejnë vitet shkollore, e kjo më dhemb. Shoh të rinj që luten për të marrë një notë kaluese me dëshirën të kenë në duar atë karton, që duket se hap dyert e një pune të rehatshme në vazhdim.

Dhe gjithë këtë panoramë me ndjesi personale, mbushur me kontradikta dhe dilema që hap pas hapi kam pasur, i parashtrova jo pa qëllim. Por nisur nga kjo përvojë, do propozoja një ndryshim që kërkon jo pak guxim; dhe jashtëzakonisht energji e vizion për të pasur sukses: Të hiqet Matura Shtetërore, të hiqet çdo lloj penaliteti që i kufizon apo cenon të drejtën e lirisë për të zgjedhur një të riu; të hiqet çdo përpjekje për t’ia matur bagazhin e arritjeve, sepse nuk ka asnjë vlerë dhe asnjë lidhje me rrugëtimin që e pret. Nuk janë ato provime për një adoleshent “e ardhmja, fati që do i ndjekë përjetësisht”. Jo, sa ujëra do rrjedhin në lumin e gjatë të jetës së tyre dhe sa testime do kalojnë çdo ditë të jetës, sa mësime do marrin dhe do kenë kohën e mjaftueshme për të reflektuar.

Cila është e keqja më e madhe që mund të ndodhë nëse sistemi çlirohet nga burokracia?

Në pamje të parë duket se përgjigjja është e lehtë: do ketë një dyndje masive në degët që janë trend dhe shumë pak në degë të caktuara që duket sikur nuk ka hapësira pune. Por, besoj shumë fort që jo vetëm nuk ka për të ndodhur kjo, por do ketë një riformatim të gjithë sistemit të lartë arsimor, që do vijë si rezultat i kësaj “hapjeje” drejt dyerve të universiteteve. Në çdo rast, kur oferta jepet e kufizuar, kërkesa është edhe më e fortë; e paarritshmja të josh, instinkti njerëzor është i tillë që kërkon të luftojë për ta arritur, molla e ndaluar është gjithnjë mollë sherri.

Je përpara një dere që të mbyllet; dhe ti e shkelmon derisa ta hapësh me forcë, duke e deformuar. Nëse ajo portë qëndron e hapur, ke mundësinë të hysh në të, ta shohësh, të kuptosh, të pranosh dhe të vendosësh. Duke qenë të lirë, të rinjtë do jenë shumë më të përgjegjshëm për fatin e tyre, duke mos zgjedhur atë që është modë, vetëm sepse është e ndaluar; dhe si e tillë, kthehet në sfidë për atë që kërkon të sfidojë; por të jenë të ndërgjegjshëm se po zgjedhin të ndjekin një udhë që e dëshirojnë e besojnë se investimi në dije, kohë dhe financa do u japë një perspektivë më të gjerë për të ardhmen, sesa synimi për të gjetur një punë sa për të marrë rrogën.

Do marrin frymë të rinjtë, do marrë frymë sistemi arsimor, do marrë frymë e ardhmja që të rinjtë shohin në horizontin e tyre prej 18 – vjeçari. Kjo nuk ndryshon me një të rënë lapsi, as nuk zgjidhet brenda një apo dy viteve; do duhet të paktën një dekadë derisa të strukturohet në formën e duhur.

Së pari, kërkon një studim të hollësishëm tregu pune, me precizion dhe seriozitet që të depërtojë në formën e “edukimit për karrierën”, por me të dhëna të sakta në çdo gjimnaz, në çdo nxënës, përgjatë çdo viti që ata janë në bankat e shkollës duke projektuar cilin drejtim të ndjekin.

Së dyti, nevojitet një bashkëpunim deri në qelizë me çdo departament, me stafet akademike, për të vendosur bashkërisht një protokoll filtrash të shëndetshëm, që çon ujë në përgatitje të brezave që do synojnë dijen dhe diplomën si vlerë, jo si mall tregu.

Së treti, duhet një “shkundje” në rekrutimin e stafeve akademike, riformatim të sistemit të lartë arsimor, të krasiten kurrikulat ku zhvillohet deri në 12 lëndë për semestër, me nga një apo dy kredite, sa për të mbajtur njerëz në punë; dhe të lihen lëndët e domosdoshme të profilit, duke i dhënë frymëmarrje praktikës, e jo ngarkesës teorike.

Së katërti, është i domosdoshëm testimi i njohurive të pedagogut para marrjes së pozicionit të punës dhe testim të studentëve para marrjes së diplomës. Në këtë fazë po, mund të testohen për dijet, sepse me këto dije do dalin në treg një të nesërme.

Së pesti, është kriter i rëndësishëm infrastruktura fizike për menaxhimin e fluksit të studentëve, pra ndërtimi i një kampusi universitar, ku departamentet të ketë fleksibilitet në shkëmbime të ndërsjellta, sipas nevojave.

Së gjashti, nevojitet një hapje e sistemit arsimor, duke i shtrirë funksionet akademike në përshtatje me tregun, me teknologjinë, me zhvillimet më të fundit të shkencës.

Së shtati, përkthim i kurrikulave në nivel universitar prej autorëve më të mirë ndërkombëtarë dhe integrim në programet mësimore i autorëve seriozë kombëtarë. Është themelor investimi në pasjen e një baze materiale të njohur dhe miratuar për t’ ja ofruar të rinjve.

Së teti, krijimi i bibliotekave dhe laboratorëve praktikë, ku të mund të kryhen kërkime shkencore, në përputhje me nevojat e shkencës dhe në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave.

Nuk është e lehtë të thyesh për herë të parë një mentalitet, i cili për dekada të tëra qëndron stoik dhe i ka rezistuar kohës e besimit; por nuk është as vonë për të bërë shkëputjen nga e kaluara drejt një sistemi europian, që të ofron mundësinë, por je në çdo kohë përgjegjës për ta merituar dhe kalon nëpër shumë hallka derisa të arrish qëllimin përfundimtar: diplomimin.

Maturantët paguajnë një faturë për të cilën, në momentin që bëjnë zgjedhjen, janë plotësisht pa dijeni se cili është çmimi i saj. Të marrim një shembull: një maturant që zgjedh të studiojë për mjekësi të përgjithshme, di vetëm që kultura popullore i ka transmetuar idenë se aty do bëjë lekë në një të ardhme dhe do ketë një emër të respektueshëm; ndërsa shkon për mjekësi veterinare, me shumë mundësi fisi do tallet dhe do besojë që nuk ka qenë nxënës i mirë përderisa “përfundoi” aty. Nëse maturantit nuk i duhet të paguajë faturën e “ekselentit” në sytë e botës, kjo liri do i japë mundësinë të shohë përtej, për të depërtuar tek dëshira  e vet dhe nevoja e tregut.

Fatura e lirisë është zgjidhja që kemi për të kaluar nga sistemi i notës, në sistemin e vlerës; për të kapërcyer mentalitetin e degëve si modë, në degë si shkencë me mundësi zhvillimi. Hapja është fatura që sistemi arsimor e ka ngarkesë mbi kurriz në menaxhim, por për të rinjtë është sprova se universiteti mbetet tempulli i dijes dhe kush dëshiron këtë lloj investimi, do ketë përgjegjësinë e atyre viteve çdo ditë mbi supe.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.