OPINION

I vetmi parim i marrëveshjes-“të merremi vesh!”

08:53 - 17.06.20 Sokol Hazizaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Përfundimisht Komisioni Politik jo kushtetues, jo ligjor, i padrejtë dhe i padobishëm për të ardhmen e votës konkludoi në marrëveshje për “t’u marrë vesh” mbi ristrukturimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, identifikimin biometrik të votuesve, pandryshueshmërinë e administratës zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe vendore. Nëpunësit publikë do të mund të jenë pjesë e administratës zgjedhore në zgjedhjet (parlamentare dhe vendore) duke nisur nga zgjedhjet e vitit 2025“.




Pa përsëritur historikun e zgjedhjeve në Shqipëri dhe rekomandimet e misioneve të vëzhgimit pranë proceseve zgjedhore në vendin tonë, por vetëm duke përmendur analizën e përmbledhur të misionit të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit, konstatohet lehtë se marrëveshja midis tre njerëzve me pseudonimet që njëri tjetrit i kanë vendosur, midis “kufomë politike të pakallur”, “pinokut” dhe “fallxhores’ do ketë të njëjtin rezultat, polemikën e së ardhmes mbi mënyrën e manipulimit të votës. Si në 30 qershor, sot e kësaj dite dhe më pas, nuk do të jetë i rëndësishëm votimi, por numërimi. Asgjë nuk është marrë përsipër të ndryshojë në marrëveshjen tri dimensionale, dhe padyshim asgjë nuk do të ndryshojë, siç parimi i hershëm latin ex nihilo nihil fit.(nga asgjëja del asgjëja)

Konstatimet e përhershme të misioneve vëzhguese kanë vlerësuar se në vendin tonë, Shqipëri, në mënyrë të qartë vihet re se zgjedhjet mbahen jashtë konsideratave dhe interesit të elektoratit, ekziston klimë ngërçi dhe polarizimi politik, si dhe zbatimi akteve ligjore kërkon vullnet politik nga aktorët zgjedhorë. Rekomandimet e ODIHR-it dhe OSBE-s mbeten gjithmonë të paadresuara, duke përfshirë edhe depolitizimin e komisioneve zgjedhore, transparencën e financimit të fushatës dhe eficiencën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve zgjedhore.

Vështruar në optikën e sipërcituar, mjafton të trajtosh në mënyrë analitike, të thjeshtë, se cila është risia pozitive e marrëveshjes së datës 05.06.2020, konkludon se marrëveshja përbën vetëm një rreth bosh, kur në asnjë prej rreshtave të saj nuk citohet vota e qytetarit, si atij që në mënyrë të sakrifikuar jeton në këtë vend dhe atij që ende quhet emigrant.

Por, çfarë përbën marrëveshja, atëherë? del pyetja.

Marrëveshja në thelb është antireformë, është antivotë, është një gjë, e cila nuk ka as formë, as përmbajtje, por duket sikur ka kohë dhe hapësirë, pra ajo është thjesht një datë, një vend, një shkelje syri, dhe secili nga palët rivendoset në vendin e vet, pra thjesht, por e thjesht fare marrëveshja është takim për tu marrë vesh, kaq.

Ajo nga njëra anë është një gënjeshtër që shitet si e madhe, por nga ana tjetër është një letër e bardhë pa përmbajtje, pa frymë, e vdekur pa lindur. Është totalisht e kuptueshme sepse nuk ka kuptim, servile ndaj përfaqësimit të ri ndërkombëtar, ku këtij të fundit i mundësohet të deklamojë ndaj shefave të vet, duke dërguar mesazhin përfaqësuesve të vendit të vet nëpërmjet fjalisë se ‘faktori vendas është i mirëkuptueshëm”. Në këtë kuptim, del se të gjithë janë të kënaqur, përveç aspiratës për t’u përfaqësuar, votës, e cila ngelet jetim.

Duke u ndalur në termat e marrëveshjes, uroj të lexoni, do kuptoni se ‘ajo’ nuk ka lidhje me reformën zgjedhore, objektin e saj, votën dhe procesin e votimit. Pa u nxituar, pa arritur në një konkluzion absolut, por citoj se mbi këtë marrëveshje dhe të duash të formatosh ndonjë akt ligjor në vështrimin teknik, nuk ka ekspert ta bëjë përveçse dispozitave ekzistuese apo neneve të Kodit Zgjedhur aktual t’i ndryshojë numrat. Marrëveshja nuk ka lidhje me praktikat e mira të Komisionit të Venecias për çështjet zgjedhore, as me transparencën, paanshmërinë dhe pavarësinë nga manipulimet e motivuara politikisht, të cilat garantojnë administrimin e duhur të procesit zgjedhor, që nga periudha parazgjedhore e deri në fund të nxjerrjes së rezultateve.

Marrëveshja sa kohë nuk mundi të identifikojë gabimet, fajësinë e zgjedhjeve të fundit vendore, nuk vendosi mbi kotësinë dhe përgjegjësitë e tyre, nuk mund dhe nuk ka sesi të jetë dhe në përputhje me aspiratën për kurorëzimin e reformës në drejtësi. Marrëveshja është thjesht një hap mbrapa në reformën për drejtësi që me vështirësi po aplikohet. Marrëveshja nuk është gjë tjetër saqë dhe duke shpresuar për rastin më të mirë për të, të lë të kuptosh se ky vend është bërë për shtetasit e vet si panairi kotësirave, ku shiten mallra apo artikuj të përdorur, të palarë, por të hekurosur bukur.

Rënia në dakordësi për ndryshimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që prej vitit 2008 nuk është më organ kushtetues, shkak për të cilin politikëbërja e rikonstrukton sipas dëshirës së shfrenuar të saj, sepse ky organ nuk ka lidhje fare me fatin e votës dhe administrimin e saj.

Sipas marrëveshjes mes palëve, Kolegji Zgjedhor do të përbëhet nga gjykatës që kanë kaluar procesin e vetingut. Kjo është një moment tjetër qesharak i saj, sepse dihet se cila është gjendja e gjykatave të apelit sot, kur pjesa dërmuese e gjyqtarëve të saj kanë ngelur në veting dhe ato janë thuajse përgjysmuar. Ata, gjyqtarët që kanë kaluar vetimin janë pjesë e Gjykatës së Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Angazhimi tyre në procesin zgjedhor, ndonëse i pamundur ligjërisht dhe praktikisht, sërish vjen në kundërshtim me reformën në drejtësi, sa i përket objektit, përmbajtjes dhe vështrimit procedural të saj.

Në këto kuptime dhe të tjera, për të cilat nuk dua të lodh lexuesin, marrëveshja e datës 05.06.2020 është sa e pavlerë, por dhe qesharake, ndaj duhet pranuar që e vetmja gjë, e cila ka rëndësi në kushtet kur ligji elektoral ekzistues i përmbush të gjitha detyrimet formale, përmbajtësore të respektit ndaj votës, kërkohet vetëm një moment fare i thjeshtë, kompromisin, I cili sot mungon, por nuk do të thotë që nuk vjen, kur do të sundojë idealizmi, ndershmëria, dekriminalizimi.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.