OPINION

In memoriam/ Moikom Zeqo, mik i veçantë i jetës dhe i letrave!

08:06 - 18.06.20 Sulejman Mato
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Çfarë të tregoj me parë për atë që e pata mik intim të jetës e të letrave? Kemi ndarë së bashku për shumë vite gëzime, hidhërime e intimitete. Edhe pse ai ishte tetë vjet më i vogël se unë, më dukej më i pjekur, më prodhimtar dhe padyshim, me më shumë dije. Këto arritje ai e kishte fituar me punë të palodhur dhe një përkushtim të madh, gradualisht, gjatë gjithë jetës.
Lindi në 3 qershor 1949. Fati e desh të largohej 12 ditë pas 71-vjetorit të lindjes. Njohja jonë e parë ka qenë në Sarandë si notar i skuadrës së Durrësit, kur ai ishte 16 vjeç. Në fillim të viteve shtatëdhjetë, kur kemi punuar së bashku në Lidhjen e Shkrimtarëve miqësia jonë u shtua. Moikomi ishte një njeri entuziast, me kulturë qytetare, me një pasion dhe energji të madhe për dije në fusha të ndryshme të artit dhe shkencës.
Ishte kjo cilësi e tij që e vendosi në qendër të vëmendjes së kulturës sonë kombëtare…
Korpusi i shumëllojshmërisë së veprave të tij kapërcen çdo autor shqiptar dhe është jashtë çdo lloj konceptualiteti. ‘Ishte një krijues pasionant për gjithçka, me një fantazi që shpesh herë ngatërrohej me realitetin në të cilin jetonim…Mik i veçantë i Ismailit dhe Dritëroit, i Dhimitrit dhe Petro Markos. Bëri shumë vite mësues në Rrogozhinë, një kohë e humbur në krijimtarinë e tij të cilën e kujtonte shpesh.
Vitet tetëdhjetë ishin vite të ethshme krijimtarie për të kapur kohën e humbur. Martohet, bëhet me fëmijë, mbron doktoraturën në arkeologji, lexon, studion, shkruan dhe boton për çdo vit nga një libër…
Qysh pas vitit 2005 me Moikomin nisëm të takoheshim çdo ditë e të shkëmbenim libra, medime dhe intimitete shoqërore dhe familjare. Na lidhi fati të takoheshim çdo mëngjes te kafe-restorant “Çajupi” ku vinin e na takonin dhe poetë të tjerë.
Në qershor të vitit 2013, pas kthimit nga Anglia iu shfaqën simptomat e para të sëmundjes së pashërueshme. Qysh prej atij çasti jeta e tij ndryshoi. I dukej shumë e afërt ikja, ndërkohë që idetë dhe krijimtaria e tij e librave studimorë dhe letrarë, tepër voluminozë, shtoheshin çdo ditë.
Jeta e tij ishte një jetë titani, personalitet multidimensional, poet i një krijimtarie futuriste, studiues i nivelit të lartë, arkeolog, politikan, piktor, eseist, publicist..
Gazeta “Dita” dilte çdo ditë me shkrimet e tij ku demonstrohej dije, kulturë dhe profesionalizëm.
Rrallë herë ka ndodhur në letërsinë shqipe që një shkrimtar i vetëm të jap një kontribut kaq të madh në fushat e letërsisë, artit, shkencës, kulturës, publicistikës, dhe lashtësisë.
Gjithë këtë vërshim në media dhe në shtypin e ditës unë do ta quaja “Fenomeni Zeqo”
Pas sëmundjes ai u ligështua, por nuk u mposht, u bë më i fuqishëm, më ambicioz, më tendencioz, më i ditur, më i vëmendshëm dhe më i drejtpërdrejt ndaj fenomeneve të kohës.
Shatë vitet e fundit jetonte midis kohës së shkurtër dhe planeve të mëdha krijuese.. E mundonin idetë e librave të ardhshëm të kushtëzuar nga fundi i paralajmëruar. Shpesh në mëngjeset tona rituale do të më thoshte: ”Ja ti…do të jetosh gjatë”. Vitet e fundit ishin vite të një prodhimtarie cilësore, sidomos në fushën studimore. Janë studimet voluminoze për krijimtarinë e J.De Radës, Migjenit, Poradecit, etj.
Kur iku Dritëroi u pezmatua shumë ”Ja,-më tha mua,-njeriu pas tri ditëve harrohet” E shqetësonte harrimi, siç na shqetëson të gjithë.
Njeriu pas tre ditëve harrohet, por jo njeriu i letrave Moikom Zeqo. Nuk harrohet poezia e tij, studimet, librat monogarfikë, tregimet, studimet e tij në fushën e arkeologjisë, nuk harrohet as publicistika dhe arti i tij pikturor. Nuk harrohet as Moikomi. Ai djali i çiltër e pasionant, i dashur me të gjithë. Nuk harrohet njeriu i ditur, i cili ngjante me një bibliotekë lëvizëse. Ai, siç e kam përmendur dhe në një shkrim , ishte si një avion i ngarkuar me dije të gjithanshme, i cili nuk gjente aerodrom ku të ulej.
Po a, vjen një ditë që dhe këtë lloj aeroplani e tërheq toka e vet. Aerodromi i tij ishte e gjithë toka shqiptare, e cila e lindi, e rriti, e bëri atë që u bë e më pas e thirri të zbresë butësisht në shtratin e tij të përjetësisë.
Personalitete të tillë i Moikom Zeqo vijnë rrallë herë në jetë dhe kur ikin koha i vendos në panteonin e vet të lavdisë dhe të kujtesës kombëtare.
Iku dhe Moikomi. Mori me vete një pjesë të kujtesës sime. Gjatë këtyre viteve kemi përcjellë shumë njerëz të dashur, midis të cilëve dhe Fatos Arapin, Koçi Petritin, Dritero Agollin, Kiço Blushin, Rikard Larjen…figura që i kanë dhënë shumë letërsisë dhe artit tonë. Moikomi e priste me qetësi vdekjen si diçka natyrale, Një ditë i thashë, jo pa shaka, “Kur të vdes unë t’i do e mbash fjalën mbi varr”. Më pa me habi. Më pas tha: Mos u çudit. Mund të ndodhë që ta mbash t’i fjalën e lamtumirës mbi varrin tim. ”Sëmundja e tij ishte tepër e rëndë, por ai vendosi ta mposhtë me punë. Me një punë të rrallë dhe vetmohuese…Shkruante çdo ditë. Krijimtaria e tij më e pasur dhe më cilësore ka qenë ajo e këtyre viteve të fundit. Nuk mund t’i përmend se janë shumë…mbi dyzet libra poetikë, mbi dhjetë libra volumiozë në prozë. Libra monografikë për autorë të ndryshëm libra studimorë të të gjitha fushave..
I botonte dhe i falte…Në Shqipëri ,në Greqi, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni. Ikja e tij na la një boshllëk në zemër dhe në jetën tonë mendimtare e letrare. Por ai i la letërsisë shqipe një pasuri të madhe. Kjo është ngushëlluese për ne, dhe krenari për familjen e tij që e donte aq shumë.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.