OPINION

Negocimi teknik jo më peng i negativitetit politik!

09:01 - 26.06.20 Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dy javët e fundit u shpalosën  dy tablo  të ndryshme lidhur me çeljen e mundshme të negociatave të anëtarësimit në BE. Në Tiranë, Kryeministri Rama prezantoi ekipin negociator dhe shefin e tij, Zef Mazi, ambasador i njohur me përvojë të gjatë; diçka që të krijon  një ndjenjë të këndshme, të duket se negociatat i kemi te porta.




Mirëpo kjo ndjesi kthehet disi në iluzion sapo ndeshesh me realitetin tjetër po në Tiranë, ku politika vazhdon të përpëlitet e përçarë dhe pa gjetur ende rrugëdalje. Dhe më e zymtë bëhet kjo tablo kur sheh zhvillimet në Bruksel, sidomos pas Rezolutës së votuar me shumicë nga Parlamenti Europian më 18 qershor. Vërtet që ajo konfirmoi mbështetjen për çeljen e negociatave, por « the breaking news» ishte konfirmimi prej tij i 15 kushteve  paraprake.  Tani, për të qetësuar «shpirtrat e trazuar» këto kushte mund t’i quash dhe «bishta, kërkesa, kritere dhe standarde; megjithatë,  ngado ta rrotullosh gjuhën, ato janë për ne  « vrapim me pengesa»  për NE dhe TANI, përpara se të  fillojë «futbolli politik». Sa për  sqarim, konkluzionet e Këshillit Europian më 26 mars përmendin direkt 5 kushte; por, sipas traditës së tij në formulime të zbutura, Këshilli përmend në vijim dhe 5 prioritete kryesore, ku secili ama përfshin nga dy kushte; ja, pra ku u bënë 5+10 = 15 kushte, që Parlamenti Europian i ka përmendur «açik» me këtë emër çik. Ndaj, të mos përpiqemi të «mbulojmë diellin me shoshë», por ta pranojmë vërtetën, siç është, dhe ta ndryshojmë atë për mirë, sa ka ende kohë me punë e përpjekje.

Ky proces fillon me zbatimin e Opinioneve më të fundit të Komisionit të Venecias; në fakt, ai na e ka lehtësuar goxha zbatimin e 2 – 3 kushteve të para, por sërish kërkohet vullnet dhe përkushtim politik për «përkthimin»  e tyre ligjor dhe zbatimin në terrenin shqiptar.

Në këto rrethana, lajmi mbi krijimin e ekipit negociator teknik nuk «të ngroh aq sa do të dëshironim »; sepse askush nuk  e di se kur  do të « futet në lojë » ky ekip, ose sa do të qëndrojë ende «në stolin e rezervave». Ka dhe një shpresë tjetër ngushëlluese, siç është Korniza e Negociatave që pritet të publikohet këto ditë dhe veçanërisht Raport Progresi i Komisionit Europian në vjeshtë; por, dhe në qoftë disi më lehtësues, të dyja këto dokumente përcaktuese do të kalojë detyrimisht në «lupën» dhe filtrin » e vendeve anëtare dhe të Europarlamentit, ku 15 kushtet e rënda vështirë të na ndahen, as tani dhe as më vonë.

Në fakt, në rastin tonë aspektet teknike të negocimit, me gjithë sfidat dhe problematikat e veta janë më të lehta se procesi shoqërues politik. Kjo më tepër se pas viteve 90, falë ndihmës dhe mbështetjes së BE-së/vendeve anëtare është përgatitur  një trupë e madhe ekspertësh, ekselentë dhe me eksperiencë në fushat tejet specifike të BE-së. Krahas diplomimit të shumë të tjerëve në universitete elitare,  një numër i madh  janë trajnuar në dhjetëra kurse në Tiranë, Bruksel, Berlin, Paris, Romë dhe gjetkë; ky trajnim është shoqëruar me përvojë të pasur pune në diplomaci, ekonomi, marrëdhënie ndërkombëtare, drejtimin e sektorëve përkatës, etj. Madje, ne sot kemi zyrtarë dhe në Komisionin, Këshillin, Parlamentin Europian dhe gjetkë në BE.

Mirëpo, përvoja e vendeve që janë anëtarësuar dhe e  Serbisë /Malit të Zi, të cilat i kanë çelur  vite më parë këto negociata, por u janë ndërprerë për arsye politike, dëshmon se është gabim të mbivlerësosh ose fetishizosh rolin e negociatorëve dhe vetë procesin teknik. Sepse, dhe kur të çelen  negociatat, vazhdimi dhe sidomos përfundimi i tyre  pa ndërprerje  do të përcaktohet mbi të gjitha nga aktorët/faktorët politikë. Sa për ekipin negociator, ai kryesisht do të pasqyrojë dhe përcjellë te  BE-ja  punën dhe problematikat; pra do të «  paketojë dhe  shesë produktet tona në Bruksel. Natyrisht që kjo lyp  fantazi, krijimtari,  operativitet dhe aftësi komunikuese, që ata të jenë sa më bindës. Por nuk mund të shkojnë më larg, mbasi «i hyjnë në hise» politikës që «nuk të fal».

Dhe tani, le ta ilustrojmë primatin e politikës mbi teknikën me disa shembuj pikantë nga përvoja e 20 viteve të fundit; të cilën e njoh mirë, mbasi i kam mbuluar këto dosje pikërisht gjatë kësaj periudhe si diplomat në Berlin, Tiranë dhe dy herë në Bruksel. Qysh më 1992, eksponentë politikë të atëhershëm na befasuan kur thanë se  më 1994/1995 Shqipëria do të nënshkruante Marrëveshje Asociimi me BE-në. Kjo sipas tyre falë arritjeve ekonomike dhe teknike, meqenëse sipas tyre, politikisht nuk kishte probleme; sepse ishte përmbysur komunizmi dhe kishim përqafuar demokracinë. Madje, në vitin 1995, ish Komisioneri Van den Broeck pohoi në Tiranë se ajo Marrëveshje do të nënshkruhej më 1996 si një model dhe për vendet e tjera. Tejet e çuditshme kur te ne ishin shfaqur plot mangësi serioze demokratike, kur lideri i opozitës Fatos Nano ishte i burgosur politik, etj. Gjithsesi, farsa dhe  masakra zgjedhore më 26/28 maj 1996 dhe kriza e piramidave në mars 1997 i hodhi në erë  ato iluzione.

Në vitin 2005 ishte bërë gati për nënshkrim Marrëveshja e Stabilizim – Asociimit. Ishte vërtet një «vepër arti» e kopsitur nga ekspertët më të mirë Mirëpo, BE-ja në atë kohë «nuk e hëngri atë kokërr ulliri», për shkak të korrupsionit galopant dhe krimit që «po bënin namin» në Shqipëri. Në mungesë të besueshmërisë politike, ajo u nënshkrua vetëm në qershor 2006 në Luksemburg, pas fitores së PD-së  në zgjedhjet e vitit 2005.

E njëjta histori por në kahje të kundërt ndodhi më 2012/2013 kur teknikisht nuk kishte kurrfarë problemi të na jepej statusi kandidat. Madje në vitin 2010 BE-ka kishte liberalizuar dhe vizat me vendin tonë. Dihet tashmë se si dështuan të gjitha demarshet, edhe pse Komisioni Europian e kishte dhënë viston e tij teknike. Por, si mund të na jepej politikisht statusi kandidat, kur veç krizave të tjera, më 21 janar 2011 në Tiranë u vranë katër qytetarë të pafajshëm dhe kur shumica dhe opozita ishin tepër larg gjetjes së  gjuhës së përbashkët të paktën për integrimin?  Sërish, në mungesë të besimit politik ndaj shumicës qeverisëse të asaj kohe, ai status na u dha vetëm kur erdhi në pushtet Rilindja më 2014, kur dhamë disa prova për luftën ndaj drogës, sidomos me aksionin e bujshëm në Lazarat. E megjithatë, na lanë sërish pezull për çeljen e  negociatave, duke na kërkuar kushte dhe hapa të tjera. Deri në vitin 2018/2019 kur ndonëse teknikisht ishte dhënë sa herë, PO-ja politike  u shty tre herë dhe na u dha vetëm më 24 Mars 2020, gjithsesi  e «  koracuar » me 15 kushte, njeri më sfidues se tjetri, që kur i lexon të vjen ndërmend thënia «  hiç, hiç, por Abili vdiq ».

Po përse ky hendek i madh midis politikës dhe teknikës? Ndodh kështu sepse ekspertiza teknike mësohet dhe përvetësohet me punë dhe pa shumë vështirësi në kurse, shkolla dhe seminare. Ndërsa politika, sidomos ajo shqiptare  bën të kundërtën, edhe pse nuk lë rast pa u përbetuar për integrim në BE! Mirëpo, sloganet integruese shërbejnë më tepër për të vjelë vota në fushata zgjedhore, për të tingëlluar sa më europianë, për të denigruar kundërshtarët politikë apo dhe vetë BE-në!

Ndryshe nuk ka si shpjegohet që politika jonë e zhyt pa mëshirë  vendin në kriza dhe konflikte të egra dhe tani  kur një etapë e re europiane apo negociatat në rastin konkret i kemi më pranë se kurrë.

Pastaj, vërtet që negociatat do të zhvillohen në tryezën e bisedimeve në Tiranë e në Bruksel; por, realiteti i tyre krijohet në terrenin praktik në Shqipëri. Pra, produktin që do të marketojnë negociatorët në tryezë e fabrikon politika shqiptare. Kësisoj, sado të aftë negociatorët, kur nuk ka produkt, kur ai është skarço apo jashtë standardit, nuk ka kryenegociator në botë që të ketë shans për sukses apo qoftë dhe mbijetesë!

Për fatin tonë të keq, gjatë 30 viteve kjo politikë më tepër ka qenë e  prirur të krijojë probleme dhe pastaj të fillojë zgjidhjen e tyre, në shumë raste, për ironi të fatit, sipas  parimit leninist «   Një hap para, dy hapa prapa »

Për pasojë, nëse teknikisht mund të ecim në përputhje me direktivat e BE-së, politikisht kjo vështirësohet së tepërmi për shkak të  mungesave dhe kamat – vonesave kronike. Sepse, në vend të «  Dekalogut » demokratik të BE-së – zgjedhjeve të lira e të ndershme,  dialogut, besimit, mirëkuptimit, tolerancës, lëshimit, kompromisit, konsensusit, medias së lirë dhe shoqërisë civile, politika jonë zbaton më shumë mosbesimin dhe dhunën verbale, përçarjet dhe përçartjet, intolerancën, konflikte dhe kriza, mbyllje në llogore partiake, përplasje dhe përçarje të dhunshme, etj. Rreziku i madh që lind nga këto praktika është se kur e sheh që po dështon, sidomos në prag të fushatave zgjedhore, politika kërkon «  kurban » ; ajo e ka shumë më të lehtë tua hedhë qyrkun e fajit të tjerëve, në fund të fundit dhe vetë negociatorëve, si një objektiv më i lehtë, pasi nuk kanë peshë politike dhe publike ; mjafton një promovim në poste të tjera zyrtare dhe ambasadoriale dhe « u lamë ».

Ja pse në vend të pretendimeve dhe përrallave mediatike është momenti të kuptohet nga Kryeministri e poshtë që të mos i japim mend  BE-së, e as t’i tregojmë asaj gjyqet e montuara të vitit 45, kur ajo kërkon « e bardha në të zezë nxjerrjen përpara drejtësisë të zyrtarëve të lartë të korruptuar ose të përfshirë në afera dhe krime zgjedhore, etj. Natyrisht ata nuk do t’i arrestojë Partia, si atëherë, por drejtësia e re; mirëpo, pikërisht për këtë ka përgjegjësinë kryesore  shumica parlamentare, vetë Kryeministri si shefi i saj  me ligjet dhe praktikat e duhura, sipas frymës dhe standardeve europiane! Sepse le ta ritheksojmë, në BE nuk do të hyjë Partia, qeveria apo diplomacia, por gjithë Shqipëria!

Ja pse është momenti për një Marrëveshje të vërtetë mbipartiake  për realizimin e kushteve dhe përparësive të nevojshme; veç jo më me lojëra fjalësh, me baste dhe batuta, jo me «gurë» por me «bukë», me gjuhën, atmosferën dhe mirëbesimin e duhur, me respekt  më të madh për opozitën, shoqërinë civile, median, grupet e interesit dhe me shtensionimin e situatës. Ndryshe, mund të presim gjatë në «radën«  e negociatave, duke vërtetuar thënien e urtë «peshku në det, tigani në zjarr». Ca më keq akoma, në vend të «kulaçit» do të na kërcasë më fort «kërbaçi» i zgjerimit.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.