KULTURË

Aleanca Sorec-ës e Yuri Kim: 6 kallëzime për teatrin, ç’u bë me to?

12:19 - 17.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, dy muaj pas shembjes së godinës në orën 4 të mëngjesit të 17 majit, ka bërë një deklaratë-kërkesë para SPAK, ku ka kërkuar të dijë se çfarë është bërë me 6 kallëzimet e saj, pranë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kërkesa e tyre për drejtuesin e kësaj strukture, z. Arben Kraja i është dërguar edhe ambasadores së SHBA-së Yuri Kim dhe atij të BE, Luigi Soreca. Pyetjet që bëjnë ata publikisht janë disa: Kush nga të kallëzuarit prej nesh është thirrur për të dhënë shpjegime? Me çfarë cilësie janë thirrur këta shtetas (nëse janë thirrur)? A janë marrë veprime konkrete nga ana e organit të akuzës në lidhje me sekuestrimin e tabulateve telefonike? A janë marrë veprime konkrete nga ana e organit të akuzës në lidhje me sekuestrimin provave materiale që i shërbejnë zbardhjes së ngjarjes kriminale të datës 17.05.2020? Çfarë veprimesh ka ndërmarrë SPAK në lidhje me kërkesat tona të vazhdueshme për sekuestrimin e truallit?”. Më poshtë, kërkesa e plotë.
KËRKESË




DREJTUAR: Prokurorisë së Posaçme pjesë e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me inicialet SPAK.

PËR DIJENI: Z. Arben Kraja drejtues i SPAK;

NË VËMËNDJE: Znj. Yuri Kim ambasadore e SHBA-së në Republikën e Shqipërisë;
Z. Luigi Soreca, ambasador i BE në Republikën e Shqipërisë.

Duke pasur besimin dhe konsideratën tonë se struktura e SPAK do të bënte një hetim të plotë dhe të paanshëm dhe do të dërgonte përpara Gjykatës Speciale shkelësit e ligjit, ne kërkuesit, si pjesë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit (Teatrit Kombëtar dhe Eksperimental), i cili është një organizim artistësh dhe qytetarësh mbështetës në frymë, të cilët për një periudhë prej mbi 2 vitesh e 3 muajsh kanë ushtruar të drejtën e protestës duke kundërshtuar projektin e Teatrit të Ri Kombëtar, si projekt korruptiv, që del kundër interesave të artit, kulturës dhe trashëgimisë së Tiranës dhe Shqipërisë.
Në këtë kuadër, në lexim të akteve ligjore në fuqi të detyrueshme për zbatim, referuar veprave kriminale të konsumuara nga të kallëzuarit prej nesh para dhe pas ngjarjes së datës 17.05.2020, në mënyrë të vazhdueshme jo vetëm e kemi denoncuar në media, por kemi bërë edhe kallëzime në SPAK të cilat paraqesin këtë kronologji:
Me date 31.12.2019:
I KALLËZUAR
: Erion Veliaj me cilësinë si Kryetar i Bashkisë Tiranë.
OBJEKTI: Fillimin e ndjekjes penale ndaj shtetasit Erion Veliaj me funksion Kryetar i Bashkisë Tiranë për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, të parashikuar nga neni 248, të Kodit Penal.

Me date 06.05.2020:
TË KALLËZUAR: – Erion Veliaj me cilësinë e kryetarit të Bashkisë Tiranë.
Arbjan Mazniku me cilësinë e Nën Kryetarit të Bashkisë Tiranë.
OBJEKTI: 1- Fillimin e ndjekjes penale ndaj shtetasit Erion Veliaj me funksion kryetar i Bashkisë Tiranë për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Korrupsion pasiv i personave që kryejnë funksione publike” kryer në bashkëpunim;
2- Fillimin e ndjekjes penale ndaj shtetasit Arbjan Mazniku me funksion nënkryetar i Bashkisë Tiranë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim.

Me date 30.05.2020:
TË KALLËZUAR: – Sandër Lleshaj me funksion Ministër i Brendshëm;
– Ardi Veliu me funksion Drejtor i Policisë së Shtetit;
– Erion Veliaj me funksion Kryetari i Bashkisë Tiranë.
OBJEKTI: 1- Marrjen e masës së “sekuestro preventive” për truallin (pronën) ku ka qenë Teatri Kombëtar si dhe pezullimi i të gjithë punimeve në vazhdim deri në zbardhjen e çështjes, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale;
2- Arrestimi dhe fillimi i ndjekjes penale dhe dënimi sipas ligjit i shtetasit Sandër Lleshaj me funksion ministër i Brendshëm për veprat penale “Vrasje” e mbetur në tentativë kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorim i detyrës”;
3- Arrestimi dhe fillimi i ndjekjes penale dhe dënimi sipas ligjit i shtetasit Ardi Veliu me funksion drejtor i Policisë së Shtetit për veprat penale “Vrasje” e mbetur ne tentativë kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorim i detyrës”;
4- Arrestimi dhe fillimin i ndjekjes penale dhe dënimi sipas ligjit ndaj shtetasit Erion Veliaj me funksion Kryetar i Bashkisë Tiranë për veprat penale “Vrasje” e mbetur ne tentative kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorim i detyrës”.

ME DATE 12.06.2020:
TË KALLËZUAR: – Edi Rama me cilësinë e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë;
-Erion Veliaj me cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë;
-Sandër Lleshaj me funksion Ministër i Brendshëm;
-Ardi Veliu me funksion Drejtor i Policisë së Shtetit;
-Arbjan Mazniku me cilësinë e Nën Kryetarit të Bashkisë Tiranë.
-Toni Gogu me cilësinë e Kryetarit të Këshillit Bashkiak Tiranë.
-Alban Dokushi, Taulant Tusha, Erindi Bejko, Jonida Halili, Julinda Dhame, Ditjon Baboçi, Dhimitraq Furxhi, Frida Pashako, Berta Piro, Laura Deliu, Elena Jaupaj, Jetmir Hasa, me cilësinë e nëpunësve civilë pranë Bashkisë Tiranë dhe inisiatorë e propozues për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental;
-Dallëndyshe Bici, Kryeinspektor i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit;
-Të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak që kanë votuar dhe firmosur për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental;
-Ing. Agron Hysenlliu, Ing. Afrim Cenga, Ing. Artur Hasantare, Ing. Olsi Nunaj, Ing. Elbarina Nunaj, në cilësinë e funksionarëve të Institutit të Ndërtimit.
Çdo person i paidentifikuar më sipër, që me veprimet apo mosveprimet e veta, rezulton pas hetimit Tuaj që ka përgjegjësi penale në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar dhe Eksperimental.

OBJEKTI: 1- Fillimin e ndjekjes penale për personat e kallëzuar prej nesh për kryerjen e veprave penale të “Shkatërrimi i pronës” parashikuar nga neni 150 i K.Penal, “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera” parashikuar nga neni 154 i K.Penal, “Shkatërrimi i veprave kulturore” parashikuar nga neni 160 i Kodit Penal, “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, “Shkelja e barazisë se pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i K.Penal, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendore”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, “Organizata kriminale” parashikuar nga neni 333 i K.Penal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal ne bashkëpunim parashikuar nga neni 25 i Kodit Penal;
2- Urdhërimin e vendosjes së sekuestros preventive për truallin e transferuar në favor të Bashkisë Tiranë me anë të VKM-së Nr.377 datë 8.5.2020 “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë Nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë” në mënyrë që të pezullohet çdo procedurë ligjore për dhënien e ndonjë leje ndërtimi mbi këtë truall, parashikuar nga neni Nr.174 i Kodit të Procedurës Penale.

ME DATE 03.07.2020:
TË KALLËZUAR
: – Edi Rama me cilësinë e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë;
Erion Veliaj me funksion Kryetar i Bashkisë Tiranë;
Elva Margariti me funksion Ministre e Kulturës;
Mirela Kumbaro me funksion ish Ministre e Kulturës;
Arta Dollani me funksion Drejtoreshë e Institutit të Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri”;
Artan Lame me funksion Drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

OBJEKTI: – Fillimin e ndjekjes penale për personat e kallëzuar prej nesh për kryerjen e veprave penale “Shkatërrimi i veprave kulturore” parashikuar nga neni 160 i Kodit Penal, “Falsifikimi i dokumenteve” parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal, “Shpërdorimi i detyrës”,” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, “Shkelja e barazisë në tenderë” parashikuar nga Neni 258 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i K.Penal, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i te zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 25 i Kodit Penal.
BAZA LIGJORE: Ligji Nr.95/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, Nenet 75/a, 280 dhe 283 e vijues të Kodit të Procedurës Penale, nenet 25, 160, 186, 248, 258, 259 dhe 260 të Kodit Penal, Ligjit Nr.9048, datë 07.04.2003 “Për trashëgiminë kulturore” të ndryshuar, Ligji Nr.9780, datë 16.7.2007 “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme” i ndryshuar, VKM Nr.686 datë 22.11.2017 “Për miratimin e rregullores së planifikimit të territorit” dhe Ligji Nr.111/2018 “Për Kadastrën”, Ligji Nr.9643 datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar dhe VKM Nr.914 datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.

Me date 13.07.2020:
TË KALLËZUAR: – Edi Rama me cilësinë e Kryeministrit të Republikës së Shqiperisë;
-Erion Veliaj me funksion Kryetar i Bashkisë Tiranë;

-Subjektit privat “BIG-BJARKE INGELS GROUP” me adresë “BIG CPH”, Kløverbladsgade 56 2500 Valby, Copenhagen, Denmark”;
-Bjarke Ingels shtetas danez me adresë “BIG CPH”, Kløverbladsgade 56 2500 Valby, Copenhagen, Denmark”;

-Subjektit privat “FUSHA” sh.p.k me adresë Rr: “Murat Toptani” Nr.25 dhe NUIS J61922018S;
-Shkëlqim Fusha me cilësinë e administratorit të shoqërisë “Fusha” sh.p.k.

OBJEKTI: – Fillimin e ndjekjes penale për personat e kallëzuar prej nesh për kryerjen e veprave penale
“Korrupsioni pasiv në sektorin privat” parashikuar nga neni 164/b i Kodit Penal, “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm” parashikuar nga neni 199/b i Kodit Penal, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal, “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, “Shkelja e barazisë në tenderë” parashikuar nga Neni 258 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 25 i Kodit Penal.
Marrjen e masës së sekuestros preventive ndaj projektit me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, të realizuar nga studio “BIG-BJARKE INGELS GROUP”, sipas nenit 274 e vijues të Kodit të Procedurës Penale.
Pezullimin e procedurave të tenderit për Studim-Projektim “Ndërtimin i Teatrit Kombëtar” të shpallur nga Bashkia Tiranë pas shembjes se tij.

Si lehtësisht evidentohet më sipër, përreth pothuaj gjashtë muaj, ne i jemi drejtuar strukturës së SPAK me gjashtë kallëzime të ndryshme ku kemi argumentuar veprat penale të konsumuar nga të kallëzuarit prej nesh dhe që në referim te dispozitave ligjore, janë përgjegjësit kryesorë të krimit të shembjes së Teatrit Kombëtar.

Duke qenë se ne si kallëzues nuk ishim thirrur për të dhënë dëshmitë tona me cilësinë e dëshmitarit dhe nuk kishim asnjë informacion në lidhje me hapat proceduralë të marrë nga SPAK dhe veprimet hetimore me qëllim zbardhjen e ngjarjeve penale, me datë 20.05.2020 i jemi drejtuar me një kërkesë strukturave të SPAK.

Sipas shkresës “Kthim përgjigje” nga SPAK me datë 28.05.2020 me Nr.3661/1 Prot., na sqarohet se dy kallëzimet tona të datës 31.12.2019 dhe ai i datës 06.05.2020 janë bashkuar dhe se nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ky procedim penal “është në fazën e hetimeve paraprake dhe nga ana jonë janë duke u kryer veprime hetimore të plota dhe të gjithanshme”.

Ashtu si e kemi paraqitur dhe më sipër, ne edhe pas kësaj date kemi vazhduar me denoncimet tona, në frymën e të drejtave legjitime që na njeh Kushtetuta por, me keqardhje konstatojmë se deri më sot nga ana e SPAK nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret dhe sidomos asnjë veprim imediat si është ai i vendosjes së sekuestros preventive mbi truallin dhe projektin e Bjarke Ingels, me qëllim parandalimin e një dëmi financiar dhe jo vetëm të parikuperueshëm në të ardhmen si dhe parandalimin e thellimit të veprës penale.

Me anë të këtyre kallëzimeve që Ju kemi paraqitur, ne si pjesë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, kemi marrë përsipër të bëhemi përçues të zërit të atyre qytetarëve të ndershëm të këtij vendi të cilët besojnë se vetëm zbatimi i ligjit do ta çojë drejt përsosjes shoqërinë tonë.
Të atyre artistëve dhe qytetarëve të cilët besojnë se ligji është një dhe i barabartë për të gjithë dhe që kundërshtojnë me forcë realizimin e këtij projekti i cili është ngritur i tëri mbi një aferë korruptive dhe mbi bazën e konsumimit të veprave te ndryshme penale që çuan në shembjen e tij për t`i hapur rrugë ndërtimit të kullave me mjete monetare të cilat janë produkt i veprave penale.

Faktet e bëra publike deri më tani, me gjashtë kallëzimet e bëra nga ne, do të mjaftonin që vetë organi i prokurorisë të kishte nisur hetim kryesisht për këtë çështje, duke përmbushur në këtë mënyrë përgjegjësitë e veta kushtetuese dhe ligjore.

Në këto kushte, ne kallëzuesit bazuar në mënyrën e ushtrimit të të drejtave kushtetuese dhe të përgjegjësive tona në mbrojtje të interesit publik, i kërkojmë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar një informacion të plotë duke ruajtur sekretin hetimore për sa i përket:
Ku është situata procedurale me kallëzimet e radhës bërë nga ana jonë pas datës 20.05.2020?
Kush nga të kallëzuarit prej nesh është thirrur për të dhënë shpjegime?
Me çfarë cilësie janë thirrur këta shtetas (nëse janë thirrur)?
A janë marrë veprime konkrete nga ana e organit të akuzës në lidhje me sekuestrimin e tabulateve telefonike?
A janë marrë veprime konkrete nga ana e organit të akuzës në lidhje me sekuestrimin provave materiale që i shërbejnë zbardhjes së ngjarjes kriminale të datës 17.05.2020?
Çfarë veprimesh ka ndërmarrë SPAK në lidhje me kërkesat tona të vazhdueshme për sekuestrimin e truallit?

Duke dashur të besojmë se mos veprimi në kohë nga ana Juaj me veprime konkrete që sanksionon Kodi i Procedurës Penale për ndëshkimin e kësaj afere të lartë korruptive që lidhen direkt me prishjen e Teatrit më datë 17.05.2020, ka ardhur jo për mungesë të vullnetit të organit të prokurorisë (SPAK) për të përmbushur me korrektësi përgjegjësitë e veta apo për të vijuar kulturën e pandëshkueshmërisë për afera korruptive, ne artistë dhe qytetarë si pjesë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, nisur nga fakti i një rreziku eminent që paraqet disponimi i lirë i projektit të hartuar nga arkitekti z. Bjarke Ingels projekt i cili lidhet me veprat penale të kallëzuara prej nesh ne të gjithë kallëzimet dhe mund të rëndojë ose të zgjasë pasojat e tyre apo të lehtësojë kryerjen e veprave penale të tjera, kërkojmë nga prokuroria që të paraqesë në gjykatën kompetente kërkesën për urdhërimin e vendosjes së sekuestros preventive ndaj truallit të Teatrit Kombëtar dhe ndaj këtij projekti.
Kjo kërkesë e bërë nga ana jonë është në përputhje me nenin 274 të Kodit të Procedurës Penale, për shkak se jemi përpara një sendi që ka shërbyer ose është caktuar si mjet për kryerjen e veprës penale.

Vendosja e sekuestros preventive ndaj truallit të Teatrit Kombëtar dhe projektit të Bjarke Ingels si dhe, pezullimi i procedurave të tenderit për ndërtimin e Teatrit të Ri të shpallur nga Bashkia Tiranë do të ishte edhe një masë që parandalon pasojat e parikuperiushme dhe jashtëzakonisht të dëmshme për interesin publik që ka realizimi i atij projekti.
Duke Ju falënderuar, Jemi në pritje të reagimit Tuaj të shpejtë në mbështetje të dispozitave ligjore.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.