KULTURË

Lindja e ndërgjegjes kombëtare, “Nën hijen e Kodrës së gjelave”

11:18 - 17.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Faji. E mbaj mend mirë sa naiv isha para se të njihja armikun tim. Sa kohë kishte që rrinte e më priste, ngjeshur fort si një sustë, që dikur do të më kërcente mbi shpinë e do të kapej fort pas meje?”,  “Nën hijen e Kodrës së gjelave” është një roman historik i Osvalds Zebris, botuar nga “Pegi” me përkthimin e Anxhela Cikopanos, rrëfen lindjen e ndërgjegjes kombëtare të kombit leton, në kohën kur vendi ishte ende pjesë e Perandorisë Ruse. Jemi në Rigë, në vitin 1905: pushteti i carit rus në perandorinë e tij të madhe po kërcënohet dhe qyteti baltik po tronditet nga revoltat punëtore, dhuna dhe pogromet. Revolucioni do të vërë kundër njëri-tjetrit edhe dy shokë fëmijërie dhe kodra ku janë rritur shndërrohet në skenën e një tragjedie. Një vit më pas, rrëmbimi i tre fëmijëve e shtyn policinë sekrete të carit të hetojë në rrethet revolucionare. Kush e ka kryer krimin? Për çfarë arsyeje? Përgjigjja do të presë në mes jetën e dy familjeve në një revolucion, ku të gjitha palët shndërrohen në viktima. Në roman, ndodhitë e protagonistëve gërshetohen me historinë e vendit, Letonisë, në kërkim të lirisë, në sfondin e revolucionit rus të 1905-s. Ngjarjet e asaj periudhe marrin një rëndësi të madhe në formimin e kombit leton, duke hedhur kështu bazat për formimin e shtetit të ardhshëm leton. Me aftësi të madhe, autori trajton tema të ndryshme: luftën dhe sakrificën e të rinjve letonë, të cilëve iu desh të rriten me ngut dhe që e paguan me gjak refuzimin e sundimit të huaj në tokën e tyre; dhunën e verbër dhe  irracionale të masave fshatare që, në luftën kundër zotërinjve, më shumë se drejtësinë, kërkonin hakmarrjen; antisemitizmi i tmerrshëm që zotëronte kudo te njerëzit, të pasur a të varfër qofshin, edhe mes atyre që kishin një rol institucional dhe duhej të përdornin më shumë logjikën; fati i hidhur i brezit të parë të mësuesve letonë, të shtypur gjatë regjimit racist, që në atë mënyrë kërkonte jo vetëm të kthente rendin në provincat e robëruara, por edhe të godiste identitetin gjuhësor e kulturor të popullit leton, duke eliminuar fizikisht inteligjencën, intelektualët e vendit, ajo që kishte në mësimin e gjuhës mëmë një element thelbësor për ngritjen e shpirtit kombëtar. “Nën hijen e Kodrës së gjelave” është fitues i Çmimit Europian për Letërsinë, në vitin 2017. Osvalds Zebris (1975) është shkrimtar dhe gazetar leton, ka një master në ekonomi, është marrë me çështje të komunikimit dhe të marrëdhënieve me publikun, si dhe ka qenë redaktor në gazeta e revista të ndryshme. Në vitin 2010, me librin e tij të parë, një përmbledhje tregimesh me titull Brīvība tīklos (“Liria në rrjete”) fitoi Çmimin e Letërsisë Letone për debutimin më të mirë. “Nën hijen e Kodrës së gjelave” u shkrua dhe u botua për serinë “Ne. Letonia, shekulli XX”. Ai është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve Letonë.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.