KULTURË

KONKURSI I KARANTINËS Shkrimtari i ri ua kushton çmimin poetëve të pushkatuar

11:14 - 18.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Një riosh që nuk jep për më se 25 vjeç i afrohet mikrofonit me drojë. Është një shkrimtar i ri, i panjohur, që merr një nga tri çmimet e konkursit të karantinës, çelur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Quhet Ervin Nezha dhe është nga Librazhdi. Nis të flasë dhe thotë se vjen nga një qytet pa ndonjë traditë letrare. Krejt në pavetëdije kujtoj se atë mëngjes, kur sapo qeshë zgjuar, sytë më zunë postimet që përkujtonin dy shkrimtarë të ekzekutuar nga komunzimi, krejt të ri. Qenë nga Librazhdi, edhe ata. Nezha është ende në fund të fjalisë, ku thotë se çmimet janë krejt subjektive, por se mandej shton “jo se kam ndonjë meritë, por sot është një festë për letërsinë. 44 vite më parë nuk ishte festë, 44 vite më parë u vranë dy poetë nga qyteti im, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Unë ua kushtoj atyre çmimin tim”. I riu ka befasuar jo se në sallë nuk dihej se ç’përvjetor ishte, por se rioshi që papritur merr çmim, po aq papritur, kujton zanafillën e pasioneve letrare, diku larg në qytetin e pjerrët, mbase edhe rrëfenjat e fëmijërisë, ku mund t’i kenë thënë se “këtu poetët vriten”. Më herët, vetë ministrja ka pasur një qasje të ngjashme, që teksa kujtoi ekspozitën për librat e ndaluar e çelur dy herë këtë vit, kujtoi për kohë ndalimesh. “Edhe pandemia ka qenë një lloj diktature, por ne e dimë se diktaturat nuk munden ta ndalojnë letërsisë”, tha Elva Margariti, që në pak kohë ka qenë në 3-4 aktivitete mbi librin.




Për “Tregime të zgjedhura” nga Ervin Nezha, juria tha se dallojnë për stilin befasues dhe mjeshtërinë e ndërtimit të karaktereve. Tregimet e tij shërbejnë si një vazhdimësi e një tradite në gjininë e tregimit shqip.

ÇMIMET

Lum Gashi nga Kosova, shkrimtarja e njohur Vera Bekteshi dhe Ervin Nezha, një i ri nga Librazhdi, janë tre fituesit e Konkursit Libri i Karantinës, nismë e Qendrës Kombëtare të Librit. Mes 82 dorëshkrimeve të dorëzuara, në një garë që nisi me paragjykime, por solli risi, një nga fituesit ua kushtoi çmimin dy poetëve simbol të disidencës. Sipas jurisë, e cila ka bërë vlerësimin pa qenë në dijeni të emrave të autorëve, prurjet kanë qenë të shumta dhe befasuese.

Shkrimtarja Rita Petro shpreh se ajo që i ka befasuar si juri ishte serioziteti i pjesëmarrësve, pasi secili prej tyre ishte munduar të paraqiste një material të punuar përgjithësisht mirë. “Ka pasur romane e tregime. Ka në to tema që përfshijnë drama politike, familjare e personale. Ka ndjeshmëri dhe përcillet mirë mënyra se si njeriu ndryshon”, tha ajo. Ndërkaq, Fatmira Aliaj, shkrimtare, anëtare jurie vërejti se pos emrave të shumtë të rinj, ajo ka vënë re që “ka shumë gra shkrimtare me stil të arrirë”, ndonëse siç tha ajo, nuk do ta ndajë letërsinë në letërsi burrash a grash. Dhe një prej tyre u vlerësua në treshen më të mirë.

Vera Bekteshi, shkrimtare fituese, tha se për të, “Letërsia ka qenë shpëtim në internim e në kohën e vështirë të tranzicionit”. Në fund dha një përgjigje për të gjithë kritikët, që në krye të herës kur konkursi u hap, e panë me mëdyshje letërsinë me afate.

Dje gjatë dorëzimit të çmimeve Besnik Mustafaj duke i dorëzuar çmimin Ervin Nezhës
<
>

Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës se Librit tha: “Pati diskutime në fillim, por erdhën 82 dorëshkrime”. Në tërësi, bisedat e 5 grave për karantinën kryesojnë mes 82 veprave, në çmime u përfshi edhe Kosova, siç edhe letërsia e periferive dhe tradita. Konkursi letrar  për shumëkënd u kthye në një ngjarje gjatë muajve të karantinës. “82 vepra u bënë pjesë e kësaj gare, e cila kishte për qëllim të motivonte nxitjen e shkrimit shqip”, tha Alda Bardhyli, drejtore e QKLL-së. Sipas saj, libri shqip dhe autori shqiptar do të jenë në fokus të punës së QKLL-së. Ylli Demneri, anëtar juri, vuri në dukje se çmimet nuk kanë qenë as politike, as patriotike, sepse do iu zbehej rëndësia. Juria e përbërë nga Rita Petro, Fatmira Aliaj, Ylli Demneri, Durim Abdullahu kanë vlerësuar tri vepra si më të mirat e këtij konkursi: “Iliri” me autor Lum Gashin, “Tregime të zgjedhura” nga Ervin Nezha dhe “Grupi ‘Bella Ciao’” nga Vera Bekteshi. Ervin Nezha, Lum Gashi dhe Vera Bekteshi u shpallën autorët më të mirë. Sipas tyre, tre autorët e përzgjedhur përfaqësojnë nivele të ndryshme të letërsisë shqipe nga Kosova te letërsia e “periferive” dhe ajo e traditës. Gratë e karantinës në librin e Bekteshit. Libri me tregime “Bella Ciao” përbëhet nga pesë tregime me tema krejt të ndryshme nga njëra-tjetra, por që i bashkon një fill, personazhet kryesore janë përgjithësisht gra. Tregimi i parë, ai që i jep dhe titullin librit, përshkruan periudhën e karantinës për shkak të pandemisë së virusit të COVID-19, që është dhe ngjarja, një ngjarje aq e madhe, saqë ka përfshirë të gjithë planetin Tokë. Në tregim flitet se si një virus i kohëve moderne, kërkon që edhe mjetet e komunikimit midis personazheve të jenë po të kësaj kohe, mbasi të pesta shoqet lidhen midis tyre përmes “chat”-it në “WhatsApp”. Ato mësohen kaq shumë me këtë mënyrë virtuale komunikimi, saqë shpesh e kanë të vështirë të kujtohen se ka dhe mënyra më të shpejta siç është ajo e telefonit ku lidhesh përmes zërit, pa pasur nevojë të shkruash, por sjelljet e njerëzve, pa e kuptuar kanë ndryshuar kaq shumë, saqë edhe zëri është i tepërt, sjell bezdi. Si në formën e një ditari, ato lidhen me njëra-tjetrën ku ndajnë hallet e jetës së përditshme, por edhe mendimet lidhur me këtë gjëmë që po kërcënon mbarë botën, sepse janë të gjitha gra të shkolluara, që nuk tremben të japin mendim, ani pse edhe duke e kundërshtuar njëra-tjetrën, megjithëse ndodhen në një kuvend virtual. Por është edhe pjesa e njerëzve të thjeshtë, që të prek me gatishmërinë e tyre për të ndihmuar, pa përfillur rrezikun nga infektimi. Tregimi lihet i hapur për të gjitha transformimet që pëson apo mund të pësojë ky virus kaq inteligjent, plotësisht i denjë për kohën e ndërlikuar që jetojmë. “Portokajtë e kuq të Sicilisë” është një tregim, për brengat dhe pasiguritë e dashurisë. “ILIRI” nga Lum Gashi, një roman me temën e ditës si personazh kryesor është i riu që mbijeton përmes punëve të rëndomta, ku fati i tij është në dorë të pronarit të kompanisë dhe zgjidhja mbetet vetëm ikja në perëndim; rrëfimi është i natyrshëm dhe pa sforcime. Dialogu me të folmen e gjuhës së përditshme të gegnishtes së Kosovës i jep mjaft natyrshmëri rrëfimit, që është konciz, pa stërhollime sentimentale apo romantike edhe kur flitet për marrëdhëniet.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.