SHËNDET

Klevis Thomai: Çfarë janë “trupat e huaj” në rrugët ajro-ushqimore

19:03 - 20.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro –Shumë pacientë nuk e kanë dëgjuar asnjëherë termin “trup i huaj” deri në momentin që ballafaqohen me një situatë të tillë shëndetsore.Trupat e huaj në rrugët e tretjes, dhe sidomos ata në rruget ajrore, janë nga urgjencat më të rëndësishme dhe jetëkërcëuese për fëmijët, por dhe mjaft shqetësuese për prindërit dhe vetë personelin mjekësor. Në një intervistë ekskluzive për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare” mjeku otorinolog pranë QSUT-së, Klevis Thomai, tregon hapat kryesorë që duhen të ndjekin prindërit në raste urgjencash madhore në të tilla situata si dhe shenjat e para që paralajmërojnë se fëmijët mund të kenë gëlltitur “trupa të huaj”. Mjeku më tej paralajmëron se kujdesi që duhet të tregohet për fëmijët në këto raste duhet të jetë maksimal, pasi degradimi I situatës mund të jetë fatal për vogëlushët.
Cfarë janë trupat e huaj?
Trupat e huaj mund të jenë lodra ose pjesë lodrash të ndryshme, bateri të vogla, monedha, bizhuteri, paramanda, dhëmbët e vetë fëmijëve, dhe ushqime si kikirikë, stika, arra, fasule, bizele, etj.
Ku mund të mbeten këta trupa në momentin që gëlltitet nga fëmija?
Këta trupa të huaj mund të ngecin në hundë, fyt, laring, brenda mushkërisë, dhe ezofag. Dëmet prej tyre mund të jenë të pariparueshme dhe ndonjëhere fatale.
Cfarë shenjash jep një trup i huaj në rrugët aerodigjestive?
Një trup i huaj në ezofag jep dhimbje kraharori, shtim të sekrecioneve të pështymës (jargë nga goja), të vjella ose ndjenjën e të vjellave, pamundësinë e kalimit të ushqimeve në stomak, ndonjëherë dhe vështirësi në frymëmarrje.
A paraqitet e lartë shkalla e vështirësisë në këto situata për mjekët?
Trupat e huaj në rrugët e frymëmarrjes jane situata mjaft të vështira për pacientët dhe vetë personelin shëndetsor. Ato karakterizohen me vështirësi në frymëmarrje, e cila mund të jetë e lehtë deri në bllokim të plotë të frymëmarrjes, me nxirje të buzëve, axhitim të theksuar ose humbje të vetëdijes; situatë kjo që quhet ‘dramë laringeale”. Shoqërohet me kollë, marrje fryme, zhurma jo normale gjatë frymëmarrjes (fërshëllima), dhe në disa raste bllokime të here pashershme të frymëmarrjes. Me kalimin e ditëve mund të shfaqen shenjat tipike të një ftohje të rëndë.
C’mund të bëhet në shtëpi në raste urgjencash madhore?
Hapi i parë eshte kontrolli i gojës për ndonje trup të huaj i cili bllokon hyrjen e fytit. Më pas duhet aplikuar manovra Heimlich e cila ka për qëllim nxjerrjen e trupit të huaj nëpërmjet presionit të ajrit që ndodhet brenda mushkërive. Kjo realizohet duke shtypur fort krahërorin e fëmijës, për vogëlushët nën dhe mbi 2 vjec.Ndonjëherë mund të nevojitet dhe frymëmarrja gojë më gojë për të fituar kohë deri në dërgimin e femijës në spital.
Si realizohet heqja e trupave të huaj?
Heqja kirurgjikale (endoskopike) kryhet vetëm pranë Qendrës Spitalore Universitare Tiranë, në Shërbimin ORL.Të githë fëmijët të cilët kanë problem me frymëmarrjen dhe tek të cilët dyshohet se mund të ketë ngelur trup i huaj duhet t’i drejtohen me urgjencë shërbimit Pediatrik dhe ORL të QSUT.
Cilat janë disa nga rekomandimet tuaja për prindërit për evitimin e rasteve të tilla?
Duke parë rrezikshmërinë e këtyre situatave, shihet me vend, në këtë rast më shumë se cdo tjetër, parandalimi i tyre nëpermjet mbajtjes nën vëzhgim të vazhdueshem të fëmijëve kur ata kanë në dorë objekte me rrezikshmëri të shtuar. Gjithashtu duhet treguar kujdes në respektimin e kufirit të moshës në etiketat e lodrave si dhe në hedhjen e lodrave të thyera.Prindërit nuk duhet ti japin monedha në dorë fëmijëve nën 7 vjeç si dhe për të gjithë vogëlushët që ende nuk u kanë dalë dhëmballët, duhet të mos I ushqejnë me kikirike, arra, stika farëra.




Këshilla për prindërit:
-Mbajtja nën vëzhgim të vazhdueshem të fëmijëve kur ata kanë në dorë objekte me rrezikshmëri të shtuar
-Respektimi i kufirit të moshës në etiketat e lodrave
-Hedhja e lodrave të thyera
-Mosdhënia e monedhave në dorë të fëmijevënën 7 vjec
-Mosushqyerja e fëmijëve të cilëve nuk u kanë dalë dhëmballët me kikirike, arra, stika farëra.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.