Kryesore

Martin Camaj mes të vetëve dhe të tjerëve…

10:30 - 21.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prof.Ymer Çiraku – Tek libri “Kohë barbare”, që përmbledh dhjetë biseda të realizuara përmes një intervistimi të I. Kadaresë me një gazetar të huaj, diku, ai shpreh pikëpamjen se një shkrimtar, me veprën e tij, është më tepër se një parti, ai është një atdhe më vete… Dikur më herët, në një nga studimet e tij, E. Koliqi, po në këtë trajektore vlerësimi, theksonte se kemi të bëjmë me një rast, kur mund të pohojmë pa mëdyshje se Shqipërinë e bëri letërsia. Pra, e bënë Buzuku, Bogdani, Variboba, De Rada, Naimi, Fishta, Konica, Lasgushi, e të tjerë etër e misionarë të këtij formacioni/aksioni shpirtëror. Që do të thotë se ishte para së gjithash Shqipëria e ëndërrt në veprën e tyre, ajo që do të kthehej përmes kalvare përpjekjesh  – në Shqipërinë reale.




Këtu gjej rastin të postoj një shkrimin tim për Martin Camajn, shkrimtarin që nuk e humbi besimin dhe betejën se dikur do t`i takonte patjetër të vetët, të cilëve edhe iu përkushtua me veprën e tij letrare , sepse: …unë jam i jueji e ju jeni të mijt.

Receptimi i veprës së Camajt, për arsyet e njohura tashmë, është i vonshëm. Për disa dekada vitesh, ajo mbeti një vepër e ndaluar dhe ishte e ndaluar jo për shkaqe letrare. Njohja e lexuesit me të, u realizua kryesisht pas viteve `90. Dhe ishte një njohje që vinte me goditje, sidomos poezia e tij, e cila, shfaqej si një ligjërim i munguar, por tashmë edhe si vlerë e shtuar për letërsinë shqipe. Pra, vjen si një teksturë poetike moderne, me shkallë të lartë abstraksioni, ku lexuesi implikohet (i bëhet ftesë) që të bëhet njëherazi edhe interpretues i brendshëm/aktiv i saj e për pasojë, ai merr kështu autoritetin e një lloj bashkëkrijuesi të tyre. Sigurisht, këto janë cilësi të poezisë mirëfilli moderniste.

Kësaj duhet t`i shtojmë edhe përcaktimin e bërë nga vet Camaj mbi këtë model krijimtarie, si poezi jo e mikrofonit, pra, jo e angazhimeve imediate, por e vetmjaftueshme – brenda funksionit të kanoneve të veta të pastra estetike.

Pa praninë e ndikimit të autoritetit personal (kujtojmë se Camaj ndahet nga jeta më 1992), vepra e tij arrin pa vonesë që ta gjejë veten denjësisht në kornizat reale të historisë së letërsisë shqipe, madje, vet një nga të shquarit e kësaj letërsie, I. Kadare, e konsideron atë tashmë të përfshirë në rrethin e ngushtë të poetëve të shquar, që hyri nga dera e madhe në panteonin e letërsisë shqipe.

Shkrime të shumta kritike, studime monografike e teza doktorale mbi këtë krijimtari, referimet në konferenca shkencore, e kanë kapërcyer atë kohë pezull, kur ky autor, ishte i përjashtuar nga komunikimi me lexuesit e vet.

Kujtojmë se bibliografia e shkrimeve mbi veprën e tij, arrin mbi 100 zëra, ku hyjnë shkrime e analiza kritike, studime monografike, të formatit këto akademik apo shkollor. Ai tashmë është nga autorët kryesorë të programeve e teksteve mësimore, qofshin të nivelit parauniversitar, apo universitar. Vërehet se janë jo të pakët studentët, që e kanë M. Camajn ndër autorët e preferuar për ta bërë objekt temash të studimeve të tyre diplomike.

Pra, brenda afër tre dekada vitesh, nga autor i ndaluar, apo i panjohur, Camaj bëhet ndër personalitetet më të spikatur të letërsisë shqipe. Kjo sigurisht që dëshmon cilësitë e një arti konsistent në vlerat e veta

Kujtojmë disa shkrime të Koliqit, i cili, e vlerëson aq lart kur shprehet se Camaj do të mbetet nga ata krijues, që e nisi parabolën e vet krijuese, atje ku të tjerët dëshirojnë me e sosë. Vlerëson kulturën e pasur, të fituar me punë të madhe dhe njëkohësisht, të kombinuar e të harmonizuar me kulturën mitologjiko-primitive të vendlindjes. Dhe këtu, gjen rastin të sjellë në vëmendje metaforën e kontrastit harmonik mes malit e fushës, ku malet hedhin hijen, por edhe hiret e tyre mbi fushë…

Sipas A. Pipës, vepra “Dranja”, për nga poetika e universalitetit që mbart, mund të krahasohet me Këngë të Milosaos. Në trajektoren e ecjes/rrugëtimit të personazhit të kësaj poeme, identifikohet mbartja e qenësisë identitare. Por këtu, kryqëzohen në sens polifonik – edhe mjaft kumte domethëniesh të tjera. Gjarpri mbi zhguall të breshkës, projekton harmoninë mes qiellit e tokës, por edhe shenjën e erosit universal, që garanton pjellorinë dhe vazhdimësinë e jetës. Vet modeli i personazhit breshkë, një kafshë e ndërmjetme dhe atavike, është domethënie e tërë atyre të pakryerave dot në rrugën e fateve historike të etnosit.

Camaj është poeti që priret nga pasqyrimi më shumë pankronik (tërëkohësh) se sa historik dhe kësaj i vjen për shtat edhe prirja e dukshme universale e kësaj poezie (A. Guxeta). Sigurisht, ai lexues që është mësuar me poezinë rrafsh, të drejtpërdrejtë, nuk mund ta shijojë aq lehtë këtë poezi. Poeti është si një i Urtë, që flet me enigma, poezitë e tij ngjajnë si rebuse imazhesh dhe kur arrin të ambientohesh me to dhe t`i shijosh, atëherë kupton se nuk mund të ndahesh dot lehtë prej tyre (A. Klosi).

Përmes pranisë së dendur të parabolave, poeti përcjell tek lexuesi gjendje mjaft shprehëse. P.sh. në një poezi (Mospërfillje) qëllimshëm mjegullohen sekuencat kohore e logjike formale, për të dëshmuar moskryerjen dot të misionit, si dhe mundimin sizifian të njeriut, projektuar/konceptuar si dështim prej destinit fatal. Poeti i largohet kohës reale sociale, madje edhe homo sapiensit, duke e transferuar përsiatjen në botën e shpendëve (Sqepi i qokthit plasi në gur e vajti dëm ai tingull ) dhe prej këtej gjen rastin për të rrëfyer katastrofën me përmasa kozmike – kur rrëzohen edhe krijesat e lartësive, pra, kur bëhen plojë elitat, në ato muzgje sociale, ku edhe dëbora nuk zbardh… Këtë larghedhje parabolike, e ndjek edhe tek poezia tjetër, kur kujtohen ato ngjarje katastrofike, që vijnë prej dhunës së tiranive, sikundë në rastin: kur nji zog lëngon e vdes … pse preku kufijtë e ndaluem mes qiellit e tokës…

Camaj e ka evidente në poezinë e tij një aristokratizëm le ta themi konceptual, që duket se buron prej asaj fisnikërie shqiptare, qysh kryeherit. Pra, është njeriu i paqtë me veten, që nuk synon të përçojë kurrfarë urrejtje përmes artit të tij, megjithëse kishte mjaft llogari të hapura me sistemin e kohës. E konfirmon këtë qëndrim arti apolitik qysh herët, në fillimet e krijimtarisë së tij letrare, madje edhe të shpallur haprazi në parathënien e veprës Diella (botuar në Itali më 1958). Këtu parashtron në trajtë kredoje e premtimi të prerë dhe të mbajtur prej tij se: nga palca e urrejtjes dua të dal, sikur bima nga fara e saj në pranverë…

Vepra letrare e Camajt, qoftë proza, drama, por sidomos poezia, nuk mund të klasifikohen dot lehtazi nga pikëpamja zhanrore. Dhe kjo vlerësohet si cilësi e veprave të shquara e novatore, të cilat, i kapërcejnë mes tyre (sigurisht me tendencë estetike) kornizat e zhanreve, duke i funksionalizuar ato në atë mënyrë, me qëllimin për t`i tretur mes tyre e për t`i fuqizuar me epërsitë e seicilit zhanër. Po prej A. Pipës, një vepër mjaft e njohur si Dranja, është përcaktuar për nga poetika zhanrore: prozë e mbarsur me poezi.

Ish studenti dhe dishepulli i tij, Hans J. Lankch, e ka përcaktuar profilin e Camajt si shtegtari mes gjinive, si udhëtari mes dy botëve: mes letërsisë e shkencës së letërsisë, mes poezisë e prozës. Por me gjithë kërcimin mes gjinive, gjykon se ai mbetet në fund të fundit poet i lindur.

Duke qenë një poet me identitetin e vet të spikatur, ai ka ndërkaq edhe të ngjajshmit e vet, sidomos për sa i përket punës aq të kujdesur/të ngulët me gjuhën, të kumbimit të melodive të brendshme ritimike, të lojës me valencat e dendura abstraktive. Këta të ngjashëm të tij, janë sidomos: De Rada, N. Mjeda e L. Poradeci.

Klasifikimet në fushë të letërsisë, sigurisht janë konvencionale, si shenja marrëveshjeje mes studiuesish. Por përcaktimi i Camajt si shkrimtari i diasporës, sikundër artikulohet nëpër media, pajtohemi me mendimin e hedhur se nuk është i gjeturi. Ai mbetet shkrimtari që tashmë ka mbërritur në qendër të letërsisë. Ekzili politik, endja nëpër Evropë larg atdheut, larg lexuesit, është një rrethanë e njohur e jetës së tij, por ai pati aftësinë që në mënyrë substanciale, me tërë aktivitetin që realizoi, ta kapërcejë këtë rrethanë – aspak të zgjedhur, por të imponuar. Sigurisht, e arriti këtë falë talentit të tij të madh, falë punës së madhe. Ndonëse përjetuar virtualisht, por Camaj arrinte të jetonte shpirtërisht në vendin e tij, sado larg e i ndarë prej tij – duke i funksionalizuar tërë shenjat e atij vendi, e sidomos raportet/marrëdhëniet me gjuhën amtare, të cilën, e studioi dhe e sublimoi si ai. “Jam zhytë në gjuhë si prifti n` zanat të vet”, i shkruante dikur një mikut të vet dhe përmes këtij imazhi, merret me mend gjithë ai përkushtim prej oshënari të përbetuar – mbi të shenjtat e fisit të vet. Prandaj edhe letërsia e tij, ka aq shumë gjuhë, aq shumë stilizime e ojna me pasuritë e kësaj gjuhe.

Duhet mbajtur parasysh se Camaj, zuri vend dhe pikërisht vendin e tij në letërsinë shqipe, që i ishte mohuar prej afër gjysmë shekulli. Por duhet theksuar se ai, nuk zuri kurrsesi vendin e dikujt tjetër, veçse vendin e tij të merituar. Ndonjë autor tjetër, i cili u sfumua prej historisë së letërsisë shqipe, kjo ndodhi jo prej faktit se në qarkun letrar shqiptar hynë autorë të tjerë si p.sh. Camaj e ndonjë tjetër. Ai u ndëshkua veçse estetikisht, pikërisht prej veprës së tij – që nuk arriti të komunikojë dot më me lexuesin e pritshëm, të atij lexuesi tashmë të pamanipuluar/orientuar ideologjikisht në shijet e tij për lexim.

Vepra letrare e Camajt shfaqet polifonike: në zhanret, në stilet dhe në modelet ligjërimore që aplikoi. Ai shkroi e botoi disa libra me poezi, poema, romane, novela, drama. Pjesë e veprës së tij, janë edhe kontributet e vyera në gjuhësi, filologji, kritikë letrare, kulturologji. Prej mjaft vitesh, drejtoi katedrën e Mynihut për gjuhë shqipe, ku përgatiteshin specialistë që rrezatonin dije albanologjike. Me Mesharin e Gjon Buzukut, mbrojti me sukses tezën për doktoraturë në La Sapienca të Italisë. Mori pjesë aktivisht në shumë konferenca shkencore ndërkombëtare, ku dha kontribut të pakursyer në fushë të albanologjisë. Paraqitej atje me dinjitet shkencor, si një zë i shtuar, pa ia penguar dot punën dhe pa ia helmuar shpirtin mëria e mënjanimit prej vendit të vet.

Bashkëpunimi në revistën Shêjzat, mbetet sigurisht një nga kontributet gjithashtu mjaft të rëndësishme të këtij personaliteti. Këtu ai pati rastin të bashkëpunojë me mikun dhe mentorin e tij, E. Koliqi. Kjo është një revistë emërmadhe, e cila, mund të krahasohet për nga misioni me Albania-n e Konicës. Ajo nisi të botohej qysh më 1957, në 18 vjetarë vijues dhe u projektua si një rezistencë kulturore në rrethanat e njohura të sistemit politik në Shqipëri. Pra, atje gjeti vend tërë gjeografia e letërsisë dhe kulturës shqiptare, pa muret ndarës ideologjikë.

Camaj pati rastin të botojë këtu, jo pak nga krijimet e veta, por edhe shkrime  filologjike e kritikë letrare. Mund të thuhet se ky personalitet nuk rreshti së punuari, i endur mes krijimtarisë, filologjisë dhe kritikës letrare.

Ndonëse vet krijues, në kritikat e tij letrare, nuk imponohej me shijet e veta. Ishte vrojtues i vëmendshëm i letërsisë në Shqipëri, në Kosovë dhe diasporë. Në disa shkrime mbi poezinë dhe prozën e pasluftës, spikat vlera në to, por vë theksin edhe tek tonet zbukuruese të saj, kur vëren se mungon vështrimi filozofik, mungojnë hije-drita e jetës, që i sheh të ardhura prej politizimit të saj, i cili, krijon një efekt gërryes e asfiksues  mbi të, në rrafshin estetik e stilistik.

Letërsinë e kësaj kohe, e përcakton nga pikëpamja terminologjike si letërsi të pasluftës, një emërtim ky që do të gjente stabilizimin disa dekada më vonë. Ky emërtim mbetej një përcaktim i drejtë, pasi e ashtuquajtura letërsia e realizmit socialist, sikundër emërtohej gjithë procesi letrar i pas vitit 1945, nuk mund t`i kishte dot kurrsesi potencialet, apo ca më tepër aftësitë dhe të drejtat për ta konceptuar/gjykuar të homogjenizuar tërë procesin letrar – brenda kanoneve të veta estetike. Sepse në këtë pikëvështrim të politizuar, nuk konsiderohej dhe mbetej si e tëhuajtësuar prej sistemit letrar letërsia në Kosovë, ajo arbëreshe dhe e diasporës në tërësi, të cilat, në fakt nuk realizoheshin përmes kanoneve të soc-realizmit.

  1. Camaj tregoi gjithashtu vëmendje të posaçme ndaj autorëve arbëreshë, duke i vlerësuar veprat e tyre, jo në mënyrë selektive prej kriteresh jashtëletrare. Është interesante të kujtohet se qysh në numrat e parë të revistës, përkthen e boton një cikël me poezi të G. Ungaretti-t, çka dëshmon një simpati për këtë poet hermetist italian, që besojmë se në një mënyrë ose tjetër, sigurisht vetiake/origjinale, do ta reflektojë edhe në poetikën e krijimtarisë së vet.

Në vargun e veprës së tij, Camaj ka një përmbledhje poetike të titulluar Njeriu më vete e me tjerë (1978), libër i botuar në Gjermani, shoqëruar me një kopertinë nga piktori i njohur Gjelosh Gjokaj, tek e cila, përthyhet në mënyrë mjaft të qëlluar tharmi mitologjiko-modernist i kësaj poezie. Në një prerje metaforike, tek ky titull, mund të nënkuptohet individualiteti, origjinaliteti, unikumi – përballë të vetëve e përballë të tjerëve. Ose edhe më tej, mund të perceptohet edhe ai i vetmuari (njeriu më vete…), pra i veçuari, prej arsyesh që s`kishin të bënin kurrfarë me letërsinë. Por pas `90-ës, u bë kapërximi dhe atëhere, ai (poeti), gjendet mes të vetëve. Gjithsesi, duhet thënë se gjendet mes atyre jo aq të shumtë të kësaj letërsie, pra, mes më të shquarve. Për të qendruar njëherazi dinjitoz, përballë të tjerëve, poetë të njohur të gjuhëve të tjera.

Këtë situatë tjetër (të re), si drita që vjen në fund të atij tuneli të  kalvareve aq të rënda, të moskomunikimeve e të keqkuptimeve, e shpjegojnë më së miri vet fjalët testamentare prekëse të Poetit – drejtuar bashkatdhetarëve, të artikuluara vetëm pak ditë para shuarjes së tij (7 mars 1992): “Të dashun miq e vllazën Shqiptarë…Gëzohem pa masë se keni vendosë të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron. Batë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt”- Martin Camaj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.