SHËNDET

Albana Duni: Si ta kuptoni që jeni të prekur nga refluksi gastro-ezofageal

11:22 - 17.08.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Refluksi gastro-ezofageal është një që ndër sëmundjet më të shpeshta të ezofagut që lidhet me rikthimin e sekrecioneve të stomakut në ezofag. Mostrajtimi në kohë i kësaj patologjie mund të shkaktojë dëmtim të mukozës së ezofagut në trajtën e erozioneve apo ulcerave dhe më rrallë me shfaqjen e kancerit kardio-ezofageal. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjekja gastro-hepatologe, Albana Duni, tregon të gjitha simptomat kryesore të refluksit gastro-ezofageal si dhe mënyrat e trajtimit të tij.
Çfarë është refluksi gastro-ezofageal dhe pse shkaktohet kjo sëmundje?
Sëmundja e refluksit gastro-ezofageal është më e shpeshtë e ezofagut dhe ka të bëjë me rikthimin e sekrecioneve të stomakut në ezofag. Ky rikthim ndodh si pasojë e humbjes së tonusit të sfinkterit të poshtëm gastro-ezofageal, që ndodhet në vendbashkimin e ezofagut me stomakun. Ky sfinkter ka rolin e një valvule funksionale, e cila hapet sa herë ne ushqehemi ose pimë. Në rastin e humbjes së tonusit të kësaj “valvule”, kjo do të ngelet hapur për një kohë të gjatë dhe lëngjet gastrike do të rikthehen mbrapsht në ezofag. Edema e kordave vokale të vërteta mund të ndryshojë nga e lehtë deri në të rëndë, edema e rëndë ka paraqitjen e një pjese polipoide. Edema e kordave vokale në këtë shkallë mund të rezultojë me një ngjirje zëri të rëndë, stridor ose kompromentim të rrugëve të frymëmarrjes. Edema zhvillohet në shtresën superficiale te lamina propria të kordave vokale të vërteta e quajtur gjithashtu si hapësira Reinke. Kështu, shpesh referohet si edema Reinke. Prezenca e edemës në kordat vokale të vërteta është një sugjerues i lartë i refluksit laringo-faringeal.
Cilat janë disa prej simptomave kryesore që shfaqin pacientët?
Prezantimi më tipik i kësaj sëmundjeje është djegia e kraharorit dhe rikthimi acid në ezofag. Rreth 20-60% e pacientëve me refluks kanë ankesa në grykë pa pasur ndonjë ankesë si “djegie gjoksi” të dukshme. Simptoma atipike më e shpeshtë që jep refluksi gastro-ezofageal është ngecja e një diçkaje në fyt, që ne e quajmë “globus faringeal”, shenjë kjo që mund të ngatërrojë mjekun dhe mund të ndryshojë drejtimin e ndjekjes së problemit, duke harruar kështu shkaktarin, stomakun. Simptoma të tjera përfshijnë kruajtjen konstante të zërit (shkaktuar nga rritja e sekrecioneve dhe ngacmimi i mukozës laringeale), ngjirja e zërit, dhimbje kronike gryke, kollë, vështirësi në gëlltitje, erë e keqe nga goja, djegie goje, dhimbje veshi, fërkim i ushqimit në fyt, ngushtim i fytit, ndjesi mbytje, gëlltitje ajri, si dhe ujë në gojë.
Si mund të bëhet diagnostikimi i sëmundjes?
Laringoskopia mund të konfirmojë diagnozën e refluksit aringo-faringeal dhe gastroskopia mund të konfirmojë refluksin gastro-ezofageal. Gjatë këtij ekzaminimi kemi parë skuqje të laringsit posterior dhe trashje të kordave vokale.
Cilat janë mënyrat e trajtimit të refluksit gastro-ezofageal?
Trajtimi duhet filluar me frenues të acidit gastrik si dhe me ndryshimin e stilit të jetesës. Sfinkteri i sipërm ezofageal shërben si barriera kryesore për parandalimin e refluksit laringo-faringeal. Barriera primare e refluksit gastro-ezofageal është sfinkteri i poshtëm ezofageal. Nëse historia dhe ekzaminimi fizik dështon në zbulimin e patologjive serioze, pacientët me refluks gastro-ezofageal të dyshuar mund të fillojnë një terapi empirike, që kryesisht konsiston në modifikimet e stilit të jetës dhe të terapisë medikamentoze. Vlerësimi kërkohet nëse pacientët nuk i përgjigjen terapisë empirike ose kur ato shfaqen me refluks të përsëritur. Ndërhyrja kirurgjikale mund të kërkohet në këta pacientë.
Cilat janë pasojat e mostrajtimit të sëmundjes?
Pasojë e sëmundjes së zgjatur dhe të patrajtuar të refkluksit gastro-ezofageal është dëmtimi i mukozës së ezofagut në trajtën e erozioneve apo ulcerave dhe më rrallë me shfaqjen e kancerit kardio-ezofageal. Nëse refluksi gastro-ezofageal ngelet i patrajtuar përveç dëmtimit të mukozës së ezofagut mund të çojë edhe në laringit kronik, ndryshime të zërit, kollë kronike, kruajtje e zërit, granulome e kordave të zërit dhe probleme të tjera.




Simptomat e grykës te pacientët me refluks gastro-ezofageal:
Aerofagi
Djegie goje
Dhimbje cervikale
Ndjesi e mbytjes
Kollë kronike
Pastrimin e vazhdueshëm të fytit (kruajtje e zërit)
Disfagi
Fërkim i ushqimit në fyt
Ndjenja e ngecjes së një diçkaje në fyt
Erë e keqe nga goja
Ngjirje zëri (disfonia)
Dhimbje veshi
Ngushtësi e faringut
Dhimbje fyti
Ujë në gojë

Ndryshimet e stilit të jetës që mund të përmirësojnë refluksin:
Shmangni ushqimet me yndyrë, kafeinën (kola, kafe, çaj, çokollatë, mente, ushqime të skuqura, ushqime me bazë domate, hudhra dhe qepë).
Ndaloni duhanin.
Ndaloni ose ulni përdorimin e alkoolit.
Humbni peshën nëse jeni mbipeshë.
Ngrini kokën e krevatit 10-20 cm
Hani vakte të vogla.
Shmangni veshjet e ngushta.
Shmangni ngrëniet e vona, të paktën 4 orë para gjumit.
Shmangi shtrirjen të paktën 3 orë pas ngrënies.
Shmangni medikamentet që ulin presionin në sfinkterin e poshtëm ezofageal.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.