EKONOMI

Vrojtimi: Bankat në Shqipëri, më pak fitimprurëse se në rajon

14:30 - 08.09.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Një vrojtim i Bankës Europiane të Investimeve (EIB), i bërë në pranverë të këtij viti në bankat e rajonit të Europës Qendrore dhe Lindore, ku bën pjesë edhe Shqipëria, gjeti se bankat mëmë pohojnë se Shqipëria gjeneron nivele më të ulëta fitimi në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Rezultatet e vrojtimit tregojnë se, dy të tretat e bankave mëmë konsiderojnë që tregu shqiptar ka një potencial mesatar të tregut. Të dhënat që i përkasin fundit të marsit 2020 tregojnë se, kërkesa për kredi për familjet mbeti e pandryshuar në gjashtë muajt e fundit, ndërsa u rrit kërkesa për kredi nga ndërmarrjet e mëdha dhe ato të vogla dhe të mesme. Kushtet e dhënies së huave ishin të ngjashme me ato të rajonit, por me një tendencë shtrëngimi për bizneset e mëdha, teksa u vu re një lehtësim në kushtet e huave për blerjen e shtëpive. Në tremujorin e parë 2020, është vënë re një normë më e lartë e miratimit të kërkesave për kredi për të gjitha segmentet e huasë. Aksesi në financim në Shqipëri u përmirësua më tej, ndërsa raportet e NPL-ve janë përmirësuar ndjeshëm, si për segmentet e korporatave, ashtu edhe për ato familjare në gjashtë muajt e fundit (shtator-mars 2020). Niveli i lartë i NPL-ve dhe aktiviteti i ngadaltë i huadhënies kanë peshuar negativisht mbi përfitimin e bankave, duke e pozicionuar Shqipërinë në nivelin më të dobët të vendeve të Europës Qendrore dhe Juglindore (CESEE). Një shumicë e madhe e grupeve bankare ndërkombëtare raportuan një kthim më të ulët të kapitalit dhe të aktiveve për operacionet në Shqipëri sesa për operacionet e përgjithshme të grupeve. Megjithatë, shumica e bankave mëmë konsiderojnë se tregu shqiptar ka një potencial mesatar dhe pozicionim të kënaqshëm ose optimal të tregut dhe vetëm rreth një e treta e bankave mëmë e konsiderojnë potencialin e tyre të tregut të ulët.




Kërkesa për kredi në Shqipëri ishte nën pritjet e bankave, duke u ngadalësuar më tej në gjashtë muajt e fundit. Kërkesa u kthye në neutrale pas më shumë se dy vjet trend pozitiv. Kreditë e papaguara filluan të rriteshin që nga mesi i vitit 2019, si për familjet, ashtu edhe për firmat, pas një viti tkurrjeje dhe ngecjeje afatgjatë të portofolit (që nga viti 2013). Ndërsa efekti i plotë i pandemisë COVID-19 është ende i pasigurt, kreditë për familjet mund të ndikohen negativisht nga konsumi në rënie, teksa pritet një kërkesë më e lartë për kredi për nevojat emergjente të likuiditetit të kompanive që pushuan aktivitetin nga masat bllokuese. Në kundërshtim me trendet rajonale, të dhënat e sondazhit treguan një preferencë ndaj huamarrjes në valutë në gjashtë muajt e fundit në Shqipëri. Cilësia e perceptuar e aplikimeve për kredi është përmirësuar ndjeshëm në gjashtë muajt e fundit në të gjithë segmentet, përveç korporatave të mëdha. Përmirësimi më i fortë është regjistruar për kreditë hipotekore dhe NVM-të. Standardet e kredisë mbetën neutrale për të tretin tremujor radhazi, në përputhje me mesataren e CESEE. Shkalla e miratimit u rrit në gjashtë muajt e fundit për të gjitha segmentet, më shumë sesa në CESEE. Rritja më e lartë në normën e miratimit është regjistruar për kreditë hipotekore.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.