KULTURË

Londo: Do e hapim teatrin me ‘drejtimin e duhur’

12:51 - 10.09.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Mbyllja disamujore e teatrove vazhdon, por këtë të enjte, Jul Çezari i Shekspir, me regji të Ivica Buljan, rikthehet për publikun. Si një rrekje për të zgjuar skenën teatrore, si një nevojë pas thatësirës kulturore dhe si domosdoshmëri për të ngacmuar ndërgjegjet, Bruti, Çezari dhe Mark Antoni do të rivënë në dyshim rënien e republikës dhe Romën e kudogjendshme.
“”Jul Cezar”” do të vihet në skenë e teatrit veror të Akademisë së Arteve. Përveç këtu shfaqja do të shkojë në rrethe të ndryshme, nga Kukësi, në Rrëshen, Pukë, Gjirokastër e Sarandë, gjithashtu, në ambiente të hapura si edhe në festivale si ai i Dibrës së Madhe si edhe në Prishtinë”, thotë Londo. Jul Çezar nuk do të jetë e vetmja, Londo kërkon të shfaqë në rrethe edhe Antigonën. Por gjithsesi, ai që i duket si tur i teatrit në rrethe, ku ka e nuk ka godinë teatri,për kohën kur ndodh, është një sforco e diktuar nga masat anticovid dhe mbyllja e teatrove.
“Po, jam dakord me ju, është një sforco, por ne, Teatri Eksperimental, kemi lëvizur gjithnjë nëpër rrethe. Megjithatë, unë mendoj se shumë shpejt do jemi në sallën e teatrit, duke respektuar disa masa e rregulla, me matje temperature e me distancë, por do jemi”- thotë Londo.
Shtete si Italia dhe Greqia kanë nisur tashmë jetën kulturore duke respektuar rregullat. Në muajin e shtatë të djerrinës kulturore, pyetja është nëse Saharaja mund të jetë dyvjeçare sa parashikohet pandemia.
Drejtori i Eksperimentalit, regjisori Kiço Londo vëren se nuk do të shkojë dy vjet. “Ne do t’i nisim shfaqjet me kujdes për distancën. Sigurisht e di që situata është e paqartë, por Teatri Eksperimental është i qartë. Ne do të mundemi të gjejmë drejtimin e duhur”.
Jul Cezar është shfaqja e fundit që u vu në skenë e teatrit që u shemb më 17 maj.





SHFAQJA
Në pastë këtu në këtë mbledhje ndonjë mik me zemër të Cezarit, atij i thoni që Bruti e desh Çezarin jo më pak se ai. Dhe në më pyettë ai mik përse Bruti u ngrit kundër Çezarit, përgjigjja ime është kjo; Jo se e desha Çezarin më pak, po se e desha Romën më tepër…
Qaj për Cezarin, se më donte; gëzohem se qe dorëmbarë; e nderoj, se qe trim; po e vrava, se qe ambicioz. I dhashë lot për dashurinë e tij, gaz për mbarësinë e tij, nder për trimërinë e tij dhe vdekje për ambicien e tij”.(“Jul Cezar”, përkthim i Fan Nolit). Kiço Londo e rinxjerr tragjedinë ‘antidiktator’ nga skena e teatrit në shesh. Një mesazh i fortë në një kohë trazirash. Jul Cezari” nga William Shakespeare vjen premierë më 13 korrik e vitit të kaluar nën drejtimin e regjisorit i njohur, Ivica Buljan i konsideruar si një nga regjisorët më të mëdhenj në botë, sipas New York Times. Me aktorët Romir Zalla, Alfred Trebicka, Vin Bejleri, Amos Muji Zaharia, Gentian Zenelaj, Ermira Hysaj, Ilirda Bejleri, Adriana Tolka, Klejdi Metaj, Mateo Dervishaj, Endri Çela, Engjëll Hoxha, Enea Nika, Paolo Kadillari, Anxhelo Shkreli.
Kostumografe e shfaqjes është Sofi Kara, skenograf Beqo Nanaj, kompozitor Gerti Druga, regji ndriçimi Sonda Trinajst, as/regjisor Mateo Dervishaj. Tragjedia e Jul Cezarit është një tragjedi historike nga Uilliam Shekspir, e cila besohet të jetë shkruar në vitin 1599. Është njëra prej disa veprave dramatike të Shekspirit, që bazohen në ngjarje të vërteta nga historia romake dhe që përfshijnë edhe Koriolanus dhe Antoni dhe Kleopatra. Edhe pse vepra titullohet Jul Cezar, Bruti flet në më shumë se katër herë po aq rreshta sa karakteri kryesor dhe drama psikologjike qendrore e pjesës fokusohet mbi betejën e Brutit mes kërkesave konfliktuale të nderit, patriotizmit dhe miqësisë. Në këndvështrim të sfondit historik, pjesa reflekton ankthin e përgjithshëm të Anglisë elizabetiane mbi vazhdimësinë e lidershipit. Në kohën kur u krijua dhe u vu në skenë për herë të parë, Mbretëresha Elizabet, një sovrane e fortë, ishte e moshuar dhe refuzonte të emëronte një pasues, duke u hapur udhë shqetësimeve, se pas vdekjes së saj mund të shpërthente një luftë civile, e ngjashme me atë të Romës. Regjisori Ivica Buljan ka studiuar shkenca politike në Zagreb dhe fillimisht ka punuar si shkrimtar dhe kritik i rregullt i teatrit për “Slobodna Dalmacija”, një gazetë e përditshme e botuar në Split, Kroaci. Buljan me shkrimet e tij profesionale ka bashkëpunuar edhe me revistat teatrore ndërkombëtare “Primer Acto” (Madrid), “Ubu” (Paris, Londër), “Mask” (Ljubljana). Fillimisht nisi të punojë me skenën teatrore si drejtues teatri dhe i disa festivaleve ndërkombëtare teatrore. Shfaqjet e tij kanë qenë pjesë marrë se në më shumë se 30 vende të ndryshme. Duke u mbështetur në filozofinë krijuese të Antonin Artaud, teatri i tij fokusohet në protagonizmin e aktorit dhe ruan linjat klasike të teatrit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.