Kryesore

Sulmet ishemike në tru, mënyrat për të parandaluar një goditje tjetër

18:42 - 05.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një sulm i përkohshëm ishemik (TIA), është një ndërprerje e shkurtër e rrjedhës së gjakut në një pjesë të trurit dhe shkakton simptoma të përkohshme klinike. Roli parësor i trurit është të dërgojë sinjale në të gjithë trupin për funksionimin e tij, si dhe të përgjigjet nëpërmjet sinjaleve të marra përmes shqisave (pamjes, dëgjimit, prekjes, nuhatjes dhe shijes). Truri i përpunon informacionet si përmes funksionit të vetëdijshëm, ashtu edhe nëpërmjet funksionit të pavullnetshëm përmes sistemeve nervore që kontrollojnë funksionet themelore të trupit, si për shembull: rrahjet e zemrës, frymëmarrjen, kontrollin e temperaturës, etj. Truri është i organizuar në mënyrë të tillë që ana e djathtë e tij kontrollon anën e majtë të trupit dhe ana e majtë e trurit kontrollon anën e djathtë të trupit. Furnizimi me gjak i trurit vjen nga dy arteriet e mëdha që ndodhen në të dyja anët e qafës (arteriet karotide) dhe dy arteriet vertebrale të vendosura në anën e pasme të qafës. Këto katër arterie kryesore lidhen në një kryqëzim të enëve të gjakut që ndodhet në bazën e trurit dhe prej andej degëzohen në arterie më të vogla për të furnizuar të gjithë trurin me oksigjen dhe lëndë ushqyese. Pikërisht, kur një pjesë e trurit humbet furnizimin me gjak, ai mund të dëmtohet dhe të ndalojë funksionimin. Kur një pjesë e trurit nuk funksionon, pjesa e trupit që ai kontrollon gjithashtu ndalon së funksionuari. Kjo quhet goditje në tru, ose aksident cerebrovaskular. Nëse truri është në gjendje ta rimarrë furnizimin e tij me gjak shpejt, atëherë edhe simptomat klinike mund të rikuperohen shpejt. Pikërisht kjo njihet si një sulm kalimtar ishemik (TIA). Pra një goditje kalimtare në tru është një goditje, një sulm që zgjidhet vetvetiu.
Shkaktarët
Humbja e furnizimit me gjak të një pjese të trurit mund të ndodhë për shumë arsye. Arsyeja më e shpeshtë është bllokimi i një ene gjaku që mund të shkaktohet nga një mpiksje gjaku (tromboza), ose nga mpiksje dhe mbeturina yndyrore që notojnë në rrjedhën e gjakut (emboli). Bllokimi ndodh edhe nga ngushtimi i arterieve që ushqejnë trurin me gjak, si rezultat i dëmtimit të mureve arteriale nga pllakat yndyrore dhe ngurtësimi i tyre (arteroskleroza). Ndonjëherë mund të ndodhë që tek njerëzit me çrregullime të ritmit të zemrës, si rezultat i rrahjeve të shpejta të formohen mpiksje të vogla të gjakut që udhëtojnë përmes qarkullimit të gjakut për të shkaktuar bllokimin në tru. Përveç bllokimit të enëve të gjakut, ndërprerja e furnizimit me gjak të trurit mund të ndodhë edhe për shkak të rrjedhjes së gjakut në tru nga një enë gjaku që çahet (hemorragjia e trurit). Hemorragjia e trurit ose gjakderdhja në tru mund të vijë për shkak të një aneurizme (zgjerimi), një vendi të dobët të një ene gjaku që këputet dhe derdh gjakun në indin e trurit, ose mund të ndodhë edhe për shkak të një gjakderdhjeje spontane të shkaktuar nga presioni i lartë i gjakut i pakontrolluar (hipertensioni arterial i pakontrolluar). Një goditje e tillë, më shpesh rezulton në një dëmtim të parikthyeshëm, pra dhe nuk mund të klasifikohet si një goditje kalimtare, pra që zgjidhet vetvetiu shpejt. Faktorët e rrezikut për TIA ose goditjen në tru janë të njëjta me ato të sëmundjeve të tjera vaskulare (të enëve të gjakut). Ndër to mund të përmendim, Historia familjare, pirja e duhanit, tensioni i lartë i gjakut, niveli i lartë i kolesterolit në gjak (yndyrat), diabeti, çrregullimet e ritmit të zemrës, si dhe sëmundjet e muskulit të zemrës. Sa më shumë që të mbahen nën kontroll këta faktorë risku, aq më pak të rrezikuar do të jemi jo vetëm nga goditjet kalimtare ishemike, por edhe nga ato goditje që mund të kenë pasoja më të rënda.
Goditja ishemike kalimtare
Intensiteti dhe vendndodhja e kufizimit të gjakut në tru do të përcaktojnë edhe simptomat klinike që do të ndodhin. Shumica e njerëzve pësojnë një dobësi të përgjithshme, konfuzion dhe përgjumje.
Nëse humbja e furnizimit me gjak ndodh në një zonë të furnizuar nga arteria cerebrale e mesme, një shenjë klasike mund të përfshijë dobësi, ose paralizë dhe mpirje të njërës anë të trupit. Kur goditja prek qendrën e të folurit, pacienti ndjen vështirësi në të folur, ose në të kuptuarit e fjalëve. Po ashtu mund të ketë edhe humbje të pjesshme të shikimit. Mund të ketë gjithashtu vizion të dyfishtë, çrregullime të nuhatjes, vështirësi në ekuilibër, marrje mendsh, ndryshim të menjëhershëm të nivelit të vetëdijes ose të konfuzionit.
Goditjet që përfshijnë arteriet vertebrale ulin furnizimin me gjak në bazën e trurit dhe mund të shkaktojnë një sulm me rënie, rrëzim të papritur gjatë ecjes, ose në këmbë dhe më pas vjen një rikuperim i shpejtë. Mund të ndodhë një kolaps i papritur, një mosbindje ose një vështirësi në ecje. E rëndësishme për vënien e diagnozës së TIA (goditja ishemike kalimtare) është zgjidhja e shpejtë e simptomave klinike. Sipas përkufizimit, simptomat duhet të zgjidhen plotësisht. Zakonisht zgjidhja ndodh brenda minutave të para pas shfaqjes së simptomave, por koha mund të shkojë deri në 24 orë për të pasur një kthim të plotë në funksionin normal. Një lloj i veçantë i prezantimit klinik është verbërimi kalimtar në njërin sy. Kjo ndodh pasi mbeturinat e dëmtimit të arterieve të ngushtuara të qafës (arteriet karotide) qarkullojnë nëpërmjet gjakut dhe bllokojnë arteriet që furnizojnë retinën e syrit. Meqenëse simptomat klinike më shpesh janë zgjidhur, trajtimi ka për qëllim parandalimin e një goditjeje të dytë. Së pari është i rëndësishëm kontrolli neurologjik i pacientit për të vlerësuar gjendjen në të cilën ndodhet pacienti. Nëse vendoset diagnoza e goditjes ishemike kalimtare, zakonisht rekomandohen testime të mëtejshme urgjente, duke përfshirë: Elektrokardiogramë për të vlerësuar ritmin e zemrës, skanimi (CT) i trurit për të vlerësuar gjakderdhjen, Eko e karotideve për të vlerësuar ngushtimin e enëve të mëdha të gjakut në qafë, testet rutinore të gjakut për të vlerësuar aneminë, testet e hollimit të gjakut. Meqenëse nuk ka asnjë mënyrë për të përcaktuar ashpërsinë e episodeve të ardhshme, dhe asnjë garanci se simptomat do të zgjidhen, parandalimi ngelet thelbësor. E rëndësishme është që pacienti të marrë aspirinë, ose medikamente të tjera që mjeku specialist përshkruan me qëllim parandalimin e formimit të trombeve.
Po ashtu edhe terapia e kontrollit të tensionit është e rëndësishme. Edhe nëse pacienti nuk ka tension të lartë, mund të ketë përfitim në marrjen e medikamenteve antihipertensive. Qëllimi është të mbajmë presionin normal të gjakut 120/80. Rekomandohen edhe medikamentet e grupit të statinave që kontrollojnë nivelin e yndyrave, por që mbrojnë edhe muret e enëve të gjakut. Alkooli, duhani, mbipesha dhe mungesa e aktivitetit fizik konsiderohen rreziqe për goditje në të ardhmen. Ndaj këta faktorë rreziku duhet të shmangen sa më shumë që të jetë e mundur.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.