SHËNDET

Tetori rozë, Almir Skana: Rëndësia e ekografisë së gjirit për shëndetin e grave

18:00 - 05.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Tetori, në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, mjeku imazherist Almir Skana tregon se mamografia është mjeti ekzaminues për kancerin e gjirit që dihet se përmes zbulimit të hershëm zvogëlon vdekjet për shkak të kancerit të gjirit. Ai shton se për shumicën e grave 35 vjeç dhe më të vjetra, një mamografi do të përdoret së bashku me ekografinë ndërsa për gratë nën moshën 35 vjeç, vetëm ekografia shpesh është e mjaftueshme për të përcaktuar nëse një zonë shqetësuese ka nevojë për një biopsi apo jo.
Çfarë është ekografia e gjirit?
Ekografia e gjirit është një procedurë imazherike që përdor valët ultratinguj për përfitimin e imazheve të strukturave të brendshme të gjirit. Është procedurë e sigurt dhe pa dhimbje. Ajo nuk përdor rrezatimin jonizues. Ajo përdor një sondë të vogël të quajtur dhënës dhe xhel të vendosur direkt në lëkurë. Valët me frekuencë të lartë udhëtojnë nga sonda përmes xhelit në trup. Sonda mbledh tingujt që kthehen mbrapa. Një kompjuter përdor ato valë zanore për të krijuar një imazh. Për shkak se imazhet kapen në kohë reale, ato mund të tregojnë strukturën dhe lëvizjen e strukturave të brendshme të gjirit. Ekografia është një test mjekësor jo invaziv që ndihmon mjekun të diagnostikojë dhe trajtojë noduse apo anomali të tjera që mjeku mund të ketë vënë re në një ekzaminim fizik të gjirit, Mamografi apo MRI gjiri. Gjatë një ekzaminimi ekografik të gjirit, mjeku mund të përdori teknikën Doppler për të vlerësuar rrjedhën e gjakut ose mungesën e rrjedhës në çdo masë të gjirit. Në disa raste, kjo mund të sigurojë informacione shtesë për natyren e masës.
Cilat janë disa përdorime të zakonshme të procedurës?
Disa përdorime të procedurës janë: Përcaktimi i natyrës së një anomaliteti të gjirit; Përdorimi parësor i ekografisë së gjirit është të ndihmojë në diagnostikimin e anomalive të gjirit të zbuluar nga një mjek gjatë një ekzaminimi fizik (siç është nodusi) dhe të karakterizojë anomalitë e mundshme që shihen tek mamografia ose imazhi i rezonancës magnetike të gjirit (MRI); Ekografia mund të ndihmojë për të përcaktuar nëse një nodus është solid (i cili mund të jetë një nodus jo kanceroz ose një tumor kanceroz), i mbushur me lëng (siç është një kist beninj) ose si cistik ashtu edhe solid; Ekografia Doppler përdoret për të vlerësuar furnizimin me gjak në lezione të gjirit; Ekzaminim plotësues i kancerit të gjirit.
Sa ulet rreziku nga vdekjet nëse kanceri i gjirit zbulohet në kohë?
Mamografia është mjeti ekzaminues për kancerin e gjirit që dihet se përmes zbulimit të hershëm zvogëlon vdekjet për shkak të kancerit të gjirit. Edhe mamografia nuk zbulon të gjitha kanceret e gjirit. Disa lezione të gjirit dhe anomali nuk janë të dukshme ose janë të vështira për tu interpretuar në mamografi. Gjinjtë që konsiderohen të dendur kanë shumë ind gjëndor dhe fibrotik dhe jo shumë ind dhjamor, dhe kjo e bën kancerin më të vështirë për t’u zbuluar. Shumë studime kanë treguar që ekografia dhe rezonanca magnetike (MRI) mund të ndihmojnë në plotësimin e mamografisë duke zbuluar kancerin e gjirit që mund të mos jenë të dukshme me mamografi. Mjeku mund t’ju ndihmojë të përcaktoni nëse ndonjë prej këtyre testeve është i përshtatshëm për ju. MRI është më e ndjeshme sesa ekografia në përshkrimin e kancerit të gjirit, por MRI mund të mos jetë në dispozicion për të gjitha gratë. Nëse kryhet MRI, atëherë ekografia nuk është e nevojshme, megjithëse ajo mund të përdoret për të kryer biopsinë e masës që shihet në MRI. Ekografia mund të ofrohet si një mjet depistimi për gratë qe janë në rrezik të lartë për kancerin e gjirit. Kur një ekzaminim ekografik zbulon një anomali të dyshimtë të gjirit, një mjek mund të zgjedhë të kryejë një biopsi të drejtuar nen ekografi. Për shkak se ekografitë sigurojnë imazhe në kohë reale, shpesh përdoret për të udhëhequr procedurat e biopsisë. Ekografia zakonisht duhet të kryhet përpara biopsisë në mënyrë që të planifikohet procedura dhe nëse mund të përdoret kjo metodë e biopsisë.
Si duket pajisja?
Aparati ekografik përbëhen nga një kompjuter, ekrani me shfaqje video dhe një sonde (dhënës bashkangjitur). Sonda është një pajisje e vogël dore që i ngjan një mikrofoni. Për organe të veçanta ka sonde të ndryshme. Mjeku imazherist aplikon një sasi të vogël xheli në zonën e gjirit që do ekzaminohet dhe vendos sondën atje. Xheli lejon që valët e ultratingullut të përçohen midis sondës dhe zonës që ekzaminohet. Imazhi i përfituar shfaqet në monitor. Kompjuteri e krijon imazhin bazuar ne amplituden, frekuencën dhe kohën që duhet që sinjali i ultratingullit të kthehet në sonde. Ai, gjithashtu, merr parasysh edhe strukturën e organit që ekzaminohet. Parimet janë të ngjashme me sonarin e përdorur nga anije dhe nëndetëset. Kur një valë godet një objekt, ajo kthehet mbrapa ose reflektohet. Duke matur këto valë reflektore është e mundur të përcaktohet se sa larg është objekti, si dhe madhësia, forma dhe konsistenca e objektit. Kjo përfshin nëse objekti është i fortë ose i mbushur me lëng. Ekografia përdoret për të zbuluar ndryshimet në pamjen e strukturave të gjirit dhe enëve dhe për të zbuluar anomali ne faza sa me te hershme. Në një ekzaminim ekografik, një dhënës dërgon valët e zërit dhe regjistron valët e reflektuara. Kur dhënësi shtypet kundër lëkurës, ai dërgon impulse të vogla të valëve të tingullit të padëgjueshme, me frekuencë të lartë në trup. Ndërsa valët e zërit reflektohen nga organet e brendshme, lëngjet dhe indet, marrësi i ndjeshëm në dhënës regjistron ndryshime të vogla në lartësinë dhe drejtimin e tingullit. Këto valë maten menjëherë dhe shfaqen ne kompjuter, i cili nga ana tjetër krijon një pamje në kohë reale në monitor. Mund të ruhen edhe videot e shkurtra të imazheve. Ekografia Doppler, mat drejtimin dhe shpejtësinë e qelizave të gjakut ndërsa lëvizin nëpër enët e gjakut. Lëvizja e qelizave të gjakut shkakton një ndryshim në lartësinë e valëve të tingullit të reflektuar (i quajtur efekti Doppler). Një kompjuter mbledh dhe përpunon tingujt dhe krijon fotografi me ngjyra që përfaqësojnë rrjedhën e gjakut nëpër enët e gjakut.
Si kryhet procedura?
Për kryerjen e kësaj procedure pacienti shtrihet në një shtrat të posaçëm, i cili do lejojë mjekun për të kryer ekzaminimin. Duke ngritur krahun mbi kokë pacientit mund t’i duhet të kthehet në pozicione të ndryshme në varësi çfarë do i këshillojë mjeku që të përftohen imazhe më të qarta të strukturës që do ekzaminohet. Pasi të pozicionoheni në tryezën e ekzaminimit, mjeku imazherist (një mjek i trajnuar posaçërisht për të kryer dhe interpretuar ekzaminimet imazherike) do të aplikojë një xhel në zonën e trupit që po studiohet. Xheli do të ndihmojë sondën të bëjë kontakt të sigurt me trupin dhe të eliminojë ajrin midis saj dhe lëkurës që mund të bllokojë kalimin e valëve në trupin tuaj. Sonda vendoset në trup dhe lëviz në pozicione të ndryshme mbi zonën që po ekzaminohet derisa të kapen imazhet e dëshiruara. Në raste të veçanta mund të ndieni presion ose dhimbje të vogël nga vendosja e sondës. Sapo të përfundojë ekzaminimi ju mund ta fshini xhelin me lehtësi nga trupi juaji. Xheli nuk ka asnjë efekt të dëmshëm në trupin tuaj
Çfarë do të përjetojë pacientja gjatë dhe pas procedurës?
Ekzaminimi ekografik është një procedurë pa dhimbje, e shpejtë dhe lehtë e tolerueshme. Ekografia zakonisht përfundon brenda 30 minutave.
Pas një ekzaminimi ekografik, jeni në gjendje të rifilloni aktivitetet tuaja normale menjëherë pa asnjë kufizim.
Kush interpreton rezultatet dhe si mund të merren marr ato?
Ekografia është një ekzaminim që kryhet nga mjeku specialist imazherist i kualifikuar për kryerjen dhe interpretimin e imazheve që përftohen gjatë ekzaminimit. Mjeku imazherist lëshon një raport të detajuar ku bën vlerësimin e gjithë ndryshimeve që ai sheh në strukturat e gjirit duke i lidhur këto ndryshime dhe me shenjat klnikë që pacienti shfaq. Kjo ndihmon për vënien e një diagnoze sa më të saktë dhe një trajtim adekuat të pacientit duke parandaluar në kohë avancimin e semundjes. Shpesh kërkohet që ky vlerësim imazherik të përsëritet pas një kohe të caktuar, për të parë nëse ka ndryshim, dhe trajtimi ka funksionuar apo jo. Në raste të caktuara mjeku imazherist mund t’ju kërkojë edhe teste të tjera specifike imazherike apo laboratorike për vlerësim sa me të qartë të situatës suaj klinike.
Cilat janë përfitimet kundrejt rreziqeve?
Ekografia është teknike joinvazive dhe jo e dhimbshme(pa gjilpëra ose injeksione). Ekografia është gjerësisht e disponueshme, e lehtë për t’u përdorur dhe më pak e kushtueshme se shumica e metodave të tjera.
Ekografia është jashtëzakonisht e sigurt dhe nuk përdor rrezatim.
Ekografia jep një pamje të qartë të indeve të buta që nuk shfaqen mirë në imazhet me rreze x. Ekografia siguron një imazh në kohë reale, duke e bërë atë një mjet të mirë për të udhëhequr procedurat minimale invazive, siç janë biopsitë dhe aspirimin e lëngjeve. Ekografia mund të ndihmojë në zbulimin e lezioneve në gratë me gjinj të dendur. Ekografia mund të ndihmojë në zbulimin dhe klasifikimin e një lezioni të gjirit që nuk mund të interpretohet në mënyrë adekuate vetëm përmes mamografisë. Duke përdorur ekografinë, mjekët janë në gjendje të përcaktojnë se shumë zona të shqetësimit klinik janë për shkak të indeve normale (siç janë lobulat yndyrë) ose cistat beninje. Për shumicën e grave 35 vjeç dhe më të vjetra, një mamografi do të përdoret së bashku me ekografinë. Për gratë nën moshën 35 vjeç, vetëm ekografia shpesh është e mjaftueshme për të përcaktuar nëse një zonë shqetësuese ka nevojë për një biopsi apo jo.
A ka rreziqe kjo ekografi?
Ekografia standarde diagnostikues nuk ka efekte të njohura të dëmshme te njerëzit. Shpesh në varësi të ndryshimeve që vihen re mund të kërkohet nga mjeku imazherist kryerja e biopsisë aspirative për vënien e diagnozës më të saktë. Kjo procedure mund të krijojë pak shqetësim, discomfort tek pacientja.
Cilat janë kufizimet e ekografisë të gjirit?
Ekografia është një nga mjetet kryesore të përdorura në ekzaminimin e gjirit, por nuk zëvendëson mamografinë vjetore. Shumë kancere nuk janë të dukshme në ekografi. Shumë kalcifikime që shihen në mamografi nuk mund të shihen në eko. Disa kancere të hershme të gjirit shfaqen vetëm si kalcifikime në mamografi. Gjetjet e MRI që janë për shkak të kancerit nuk shihen gjithmonë me eko.
Biopsia mund të rekomandohet për të përcaktuar nëse një anomali e dyshimtë është kancer apo jo. Gjetjet më të dyshimta në ultratinguj që kërkojnë biopsi nuk janë kancere. Eshtë e rëndësishme të zgjidhni një mjek imazherist i trajnuar dhe i kualifikuar për kryerjen e ekografisë së gjirit për të marrë një diagnosë sa më të saktë dhe profesionale.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.