OPINION

Kriza e pandemisë si stimul për zgjedhje të reja në arsim

08:25 - 02.11.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

KRIZA SI FATKEQËSI
Tronditja që solli kriza COVID-19 në sektorin e arsimit, kudo në botë, është e pashembullt. Sipas OKB (2020), “pandemia COVID-19 ka krijuar pështjellimin më të madh të sistemeve arsimore në histori, duke prekur gati 1.6 miliardë nxënës, në më shumë se 190 vende dhe të gjitha kontinentet. Mbylljet e shkollave dhe hapësirave të tjera të nxënies kanë ndikuar nga 94% të popullsisë studentore të botës, deri në 99% në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të ulëta”. Kudo në botë kriza po përkeqëson aksesin në arsimim. Ajo po zvogëlon ndjeshëm mundësitë për t’u shkolluar për shumë fëmijë, të rinj dhe të rritur. Humbjet kërcënojnë të shtrihen përtej këtij brezi dhe mund të fshijnë dekada përparimi. Parashikohet që rreth 23.8 milionë fëmijë dhe të rinj shtesë (nga kopshti tek arsimi i mesëm) mund të braktisin shkollën ose të mos kenë qasje në shkollë këtë vit, vetëm për shkak të ndikimit ekonomik të pandemisë. Kriza po mbyll institucione arsimore, po pengon sigurimin e shërbimeve thelbësore për fëmijët dhe komunitetet, po ndikon aftësitë e shumë prindërve për të punuar etj. Kudo ka përpjekje për ndërprerjen e transmetimit të virusit dhe hapjen e shkollave; për mbrojtjen e financimit të arsimit dhe koordinimin e ndihmave, e deri te ndërtimi i sistemeve elastike arsimore për një zhvillim të qëndrueshëm. Kriza ka ekspozuar shumë pamjaftueshmëri dhe pabarazi në sistemet arsimore, që nga qasja në bandën e gjerë dhe kompjuterët e nevojshëm për arsimimin në internet; mjediset e nevojshme për t’u përqendruar në mësime, deri te shpërpjesëtimet mes burimeve dhe nevojave. Një gjendje vërtet shqetësuese, kudo e për këdo.
KRIZA SI BEKIM
Nga ana tjetër, nuk kam gjetur përshkrim më shprehës për krizat shoqërore dhe më inkurajues nga ai që na ka ofruar Alber Ajnshtajni: “Kriza është bekimi më i madh për njerëzit dhe për kombet, sepse kriza sjell progres… Është në kohëra krize që shfaqet më e mira e të gjithëve, sepse, pa një krizë, të gjitha erërat janë thjesht puhiza… Pikërisht, në kohë krize bëhen shpikje, zbulime dhe strategji të mëdha. Kush e kapërcen krizën, kapërcen vetveten, pa u lënë pas nga të tjerët”.
Është bekim, sepse ka mjaft burime të pashfrytëzuara ose pak të përdorura, përmes të cilëve mund të restaurojmë jo vetëm shërbimet thelbësore arsimore, por edhe aspiratat e tij që edukojnë, nxitin dhe argëtojnë. Thjesht, t’u qëndrojnë besnikë parimeve dhe të stimulojmë risitë që, jo vetëm fëmijët dhe të rinjtë të rimarrin të ardhmen e tyre të premtuar, por të gjithë aktorët të lozin rolet e tyre në arritjen e saj. Sepse, kriza është laborator për risi. Ajo po nxit dhe po konfirmon me forcë risi edhe brenda sektorit të arsimit. Po marrin jetë qasje novatore në mbështetje të edukimit dhe vazhdimësisë së trajnimeve: nga radioja dhe televizioni, te platformat digjitale dhe aplikacionet mobile për të nxënë nga shtëpitë. Zgjedhjet për të mësuar në distancë po zhvillohen, në sajë të përgjigjeve të shpejta nga qeveritë dhe partnerët që mbështetin vijimin e arsimimit, në të gjithë botën. Një ilustrim konkret të zgjedhjeve të bëra në të gjithë globin, për mësimin gjatë mbylljes së shkollave, ofron grafiku i marrë nga studimi “Përmbledhja e politikave: Edukimi gjatë COVID-19 dhe më gjerë”, OKB (2020). U shtohen këtyre zgjedhjeve roli thelbësor që kanë luajtur dhe lozin mësuesit, ndihma e qeverive dhe e partnerëve të tjerë kryesorë për kujdesin ndaj personelit mësimor. Në këtë linjë, disa vende po zbatojnë modele “hibride” ose të përziera arsimimi (në shkollë dhe online); vende të tjera po zvogëlojnë ndjeshëm madhësitë e klasave ose ofrojnë mësime në mjedise jashtë shkollës; ka dhe vende ku institucionet kërkojnë që të gjithë studentët dhe mësuesit e tyre të mbajnë maska.
Është bekim pasi ofron mundësi për të reflektuar mbi sfidat e përjetuara gjatë pandemisë, sfida të tilla si mungesa e angazhimit dhe mungesa e ndjenjës së lidhjes me nxënësit. Si mundet që zbatimi i duhur i teknologjisë t’i bëjë përvojat e të mësuarit online të plota, nga perspektiva e mësuesit dhe e studentit?




Zgjedhjet për mësimin gjatë mbylljes së shkollave (në %)
Tashmë, pranohet nga të gjithë se qasjet e reja pedagogjike synojnë nxitjen e aktivitetit të subjektit i cili, përmes veprimtarisë së tij dhe i ndihmuar nga edukatori, të mund të ndërtojë dhe zbatojë gjithë sa mëson në institucionet arsimore apo jashtë tyre. Këto qasje mbështetin hap pas hapi kapacitetin që personi ndërton dhe i mundëson atij të përdorë teknologjinë në shtëpi, shkollë ose punë, për të gjetur, prodhuar, krijuar, prezantuar, shkëmbyer informacion dhe bashkëpunuar në internet. Studime të ndryshme empirike theksojnë se në kushtet e reja, teknologjia arsimore e drejtuar nga inteligjenca artificiale mund të sigurojë mbështetje jetike për mësuesit dhe studentët. Kështu, sipas një sondazhi të realizuar në mars 2020 nga ministria jonë e Arsimit dhe agjencitë e saj vartëse, rreth 77% e prindërve pohojnë se fëmijët e tyre po zhvillojnë kompetencën digjitale, duke aplikuar mësimin online.
Si qenie biologjike, njohëse, ne nuk kemi ndryshuar shumë. Por teknologjia po ndryshon çdo aspekt të jetës sonë dhe kjo ndodh tani edhe në arsim, ku mësuesit po japin mësime edhe përmes teknologjisë. Tani që mësuesve u është dashur të japin mësim përmes aplikacioneve mobile apo internetit, nuk mund të injorohet nxënia online apo arsimimi virtual. E thënë ndryshe, mësimi ku mësuesi dhe nxënësit janë të ndarë nga koha dhe/ose hapësira dhe mësuesi e shtjellon përmbajtjen e mësimit përmes metodave të bazuara në TIK të tilla si interneti, burimet multimediale dhe video-konferencat. Sikundër, nuk mund të injorohet as pyetja se cilat mjete mund të përdoren për të përmirësuar cilësinë e të mësuarit në mjedise online?
Sondazhet kanë treguar se pandemia rriti ndjeshëm numrin e drejtuesve dhe të mësuesve tanë, të cilët provuan dhe kuptuan që mjetet apo burimet digjitale aktivizojnë të mësuarit, duke i përfshirë më plotësisht nxënësit. Njëherazi, ata, përmes vlerësimeve dhe të dhënave nga interneti, patën rastin të identifikojnë se si po ecin nxënësit, ndërsa mësonin (ose jo). Përvoja profesionale këto që mundësuan të vendoset se çfarë të mësohet dhe si mund të mësohet më mirë, nga sa më shumë nxënës.
Shumë institucione arsimore filluan të përdorin platforma të mësimit online në kushtet e shtëpisë. Të tilla janë platformat “Albania Education” dhe “School Me”. Ato janë dizenjuar tërësisht në gjuhën shqipe dhe shtjellojnë kurrikulën për arsimin parauniversitar. Krahas tyre, interes të posaçëm paraqesin edhe platforma “Microsoft”, “Google Classroom”, “Google Hangouts Meet” apo “PowerSchool”. Këto përfshijnë paketa shërbimesh online që shkollat, pedagogët, mësuesit dhe prindërit mund t’i përdorin për të organizuar klasat virtuale. Kështu, p.sh., platforma digjitale “Google Classroom” mundëson organizimin e klasave në internet dhe është një nga mjetet që ofron shërbime arsimore për klasat III deri XII, për mësuesit dhe nxënësit. Me ndihmën e saj, mësuesit mund të krijojnë dhe shkëmbejnë me nxënësit përmbajtje mësimore dhe dokumente, përveç krijimit, lundrimit në internet dhe komentimit të detyrave.
Me vlerë çmohen platformat “Google Docs”, “Google Sheets”, “Google Slides”, “Google Forms” dhe “Google Drive”. Përmes tyre, të interesuarit mund të shkruajnë, modifikojnë, shkëmbejnë dokumente nga një apo më shumë përdorues; të zhvillojnë sondazhe online dhe të tjera të ngjashme, si dhe të shkëmbejnë dokumente online etj.
Zgjedhje si këto kanë hapur dyert për mënyra të reja e novatore në procesin mësimor, për të nxënit dhe vlerësimin e arritjeve. Ato krijojnë mundësi që subjektet që nxënë të punojnë dhe krijojnë të pavarur, në kushtet e shtëpisë. Sot, kur nxënësit rriten me teknologji, burime të tilla janë lehtësisht të përdorshme prej tyre.
Në anën tjetër, edhe pse burimet digjitale janë mjete të fuqishme që i ndihmojnë edukatorët të japin mësim dhe nxënësit ta ndjekin atë, ato mbartin rrezikun që të dhënat personale të përdoren në mënyra të papërshtatshme. Studimi kombëtar i UNICEF Shqipëri, p.sh., në vitin 2019, “Një klikim larg”, nxori në pah hendekun në njohuritë dhe aftësitë digjitale midis fëmijëve dhe prindërve. Këta të fundit kanë njohuri, aftësi dhe mjete të kufizuara për të ndihmuar në procesin e nxënies online dhe për të mundësuar që siguria dhe privatësia të ruhet, çdo herë që interneti përdoret për qëllime mësimore.
Kujtoj këtu se, ideja që teknologjia mund të bëjë gjithçka, është edhe kurth. I tillë do të ishte, p.sh., mbivlerësimi i arsimimit virtual. Sigurisht, nxënësit duhet të mësojnë dije akademike, por, së pari e mbi të gjitha, duhet të mësojnë të jenë njerëz. Ata duhet të mësojnë dhembshurinë, bujarinë, punën e përbashkët, ndarjen e përgjegjësive, ndërtimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve etj. Pra, të bëhen qytetarë të mirë, që kontribuojnë për çka shoqëria vlerëson. Nuk do të ketë teknologji digjitale, sado atraktive dhe e personalizuar qoftë ajo, që mund t’ua mësojë këtë. Prandaj na duhen shkollat, prandaj i çmojmë mësuesit.
*Tiranë, më 31.10.2020


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.