OPINION

Kombi sytë nga deti, Perëndimi dhe perëndia

08:31 - 03.11.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pa asnjë mëdyshje, Shqipëria është e bekuar me mbi 400 km kufij detarë si dhe pozicion mjaft të favorizuar në Mesdhe dhe rajon. Hapësirat detare (det i brendshëm dhe territorial) të RSH-së janë rreth 11 mijë km2 ose më shumë se 1/3 e sipërfaqes tokësore (28 mijë km2).
Për rrjedhojë, hapësira detare e RSH zotëron burime ekonomike me peshë strategjike për mirëqenien e qytetarëve dhe interesa të larta gjeopolitike në Mesdhe për mbarë kombin.
Historikisht, përqasja dhe marrëdhëniet e shqiptarëve me detin kanë qenë jo shumë “miqësore”.
Kjo pasi deti është parë si drejtimi nga vinin kërcënimet, fatkeqësitë, gjëmat, dhe shumë pak, ose aspak është parë si një hapësirë me mundësi të jashtëzakonshme për prosperitetin ekonomik, si dhe për mirëqenien e qytetarëve.
Regjimi komunist i Enver Hoxhës e shihte detin si hapësirë nga do na sulmonin armiqtë ose koalicion armiqsh dhe shpenzoi deri gati 10% të GDP-së së vendit (nga gjithsej deri 25% për mbrojtjen), për të ndërtuar infrastruktura, kapacitete mbrojtëse, si dhe një flotë modeste peshkimi dhe tregtare për interesat ekonomike.
Mbas viteve 1990, deti na shërbeu si orientim dhe urë e shqiptarëve drejt Perëndimit, por gjithsesi mbeti “në klasë” si “burim i trafiqeve, kontrabandës dhe kërcënimeve”, ndërsa Flota Detare tregtare dhe ajo e peshkimit pothuaj u shpërbënë plotësisht.
Me gjithë përpjekjet e “çintegruara”, infrastrukturat dhe portet detare (Durrës, Vlorë, Shëngjin dhe Sarandë) janë pothuaj të rrënuara dhe operojnë me kosto të lartë ekonomike.
Po ashtu, me gjithë përpjekjet për modernizimin e sistemit të vëzhgimit të hapësirës detare (me Lockedmartin) si dhe të disa anijeve patrulluese, Forcat Detare (ushtarake) ato dhe Roje Bregdetare, FD nuk zotërojnë kapacitete të mjaftueshme operacionale të afta për ushtrimin e autoritetit detar, ndërsa mjetet e Policisë Kufitare mbeten pothuaj inekzistente.
Mbas viteve 1992, pothuaj të gjitha qeverive u ka munguar vizioni dhe programet për ta ndryshuar përqasjen dhe fokusuar te interesat e larta dhe afatgjata ekonomike që mbart hapësira detare.
Konkretisht në dokumentin “Inventar në letër” të qeverisë “Rama”: “STRATEGJIA KOMBËTARE PËR ZHVILLIM DHE INTEGRIM 2015 – 2020”, sektori detar përmblidhet në vetëm një paragraf me objektiva të pamatshëm, si dhe programe dhe përgjegjësi të paqarta.
Kështu, fatkeqësisht RSH nuk ka ende një strategji, infrastruktura dhe kapacitete të integruara për të menaxhuar dhe ushtruar autoritetin (sovranitetin) shtetëror në hapësirën detare.
Dhe pavarësisht disa ndryshimeve (të rrëmujshme) ligjore (2002- 2013) si miratimi i Ligjit për Rojën Bregdetare, krijimi i Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD) dhe përpjekjeve për modernizimin e sistemit të vëzhgimit, FD nuk zotërojnë kapacitete dhe aftësi operacionale për të ushtruar autoritetin shtetëror në hapësirën detare të RSH. Kështu RSH është e bekuar dhe e begatë, por e vjedhur dhe dëshpëruar!
Për ta argumentuar sjellim si shembull se: “Në raportet e inteligjencës ndërkombëtare rreth viteve 2000, konstatonin se deri 80 milionë euro në vit ‘grabiteshin’ nga ZEE e RSH, pa përfshirë imazhin nga ndotjet, trafiqet, kriminaliteti etj.”.
Në shtesë, nënvizoj se në thelb të mosmarrëveshjeve detare qëndrojnë ndarja e hapësirave, pasurive dhe akseseve në rrugëkalimet detare. P.sh.: konfliktet detare Greqi – Turqi për Mesdheun Lindor; SHBA – Danimarkë për Grenlandën; SHBA – Kinë mbi Detin Jugor Kinez etj., kanë në themel mosmarrëveshjet mbi ambiciet, burimet dhe interesat ekonomike, rrugëkalimet dhe peshën gjeopolitike.
Po ashtu, siç dihet RSH, ndërsa ka zgjidhur me Italinë çështjen e shelfit kontinental, ka ende mosmarrëveshje të pazgjidhura për ndarjen e ZEE me Greqinë dhe Malin e Zi. Ndërsa duhet shtuar se Sulltanatqeverisja “Rama”, pasi e keqpërdori si kauzë patriotiko-nacionaliste para marrjes së pushtetit në 2013, për 8 vjet rresht ka keqdështuar përfundimisht për të gjetur zgjidhje, për më tepër duke krijuar dhe rrethana të disfavorshme për RSH, si rasti i njohjes verbale të zgjerimit të ujërave territoriale greke në 12 milje!
Së fundmi është rikthyer te adresimi në Gjykatën Ndërkombëtare, adresimi tek e cila në çdo rrethanë do jetë përgjegjësi e qeverisjes së pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021.
Disa vende, si Norvegjia, Malta dhe Danimarka (të përafërta me RSH në kontekstin e madhësisë), mbeten modeli i mirëmenaxhimit të pasurive dhe interesave detare.
Parë kështu, përbën arsye të qartë shtesë që ekspertiza dhe bashkëpunimi me një nga këto vende të konsiderohet si partner afatgjatë për zhvillimin e master-planit kombëtar për detin. Shënim: Bazuar në praktikat botërore, vendet me të cilat ndajmë kufijtë detarë nuk rekomandohen si partnerë strategjikë.
Kështu, interesat ekonomike në hapësirën detare, mbeten si një mundësi kombëtare e pashfrytëzuar.
Prandaj, e çmoj si domosdoshmëri: hartimin e një strategjie afatgjatë detare (2050) e cila jo vetëm tejkalon ‘trashëgiminë e sjelljes armiqësore ndaj detit’, por nëpërmjet një master plani kombëtar (me studio ndërkombëtare, p.sh.: norvegjeze) për të realizuar një vlerësimin strategjik (të paketës ligjore, infrastrukturave, burimeve, kapaciteteve, aftësive dhe mundësive të zhvillimit të transportit, peshkimit dhe turizmit detar), si dhe një matricë afatgjatë masash dhe përgjegjësish shtetërore të integruara për menaxhimin e hapësirës dhe interesave detare, duke e integruar edhe me një nënprojekt për menaxhimin e burimeve ujore (lumenjtë, liqenet, rezervuarët) të RSH-së.
Kjo strategji duhet të përfshijë zhvillimin e interesave kombëtare nëpërmjet:
– Krijimit të një pakete të vetme ligjore për menaxhimin dhe shfrytëzimin ekonomik të hapësirës detare të RSH. Këtu do të përfshihen menaxhimi i burimeve të tabanit të detit (shelfit kontinental), të hapësirës detare (ZEE, TW), industrisë së peshkimit, transportit detar e atij turistik, duke krijuar lehtësira procedurale për flamurin dhe regjistrin detar të RSH- së, duke rritur sigurinë portuale dhe nxjerrë portet detare nga lista e zezë dhe gri.
– Krijimi i infrastrukturës moderne përpunuese në portet e vendit, duke u fokusuar në ato të prioritetit strategjik për ekonominë. Gjithashtu krijimi i një studimi me zyrë ndërkombëtare për mundësitë e shfrytëzimit të bregdetit për qëllime turizmi, larg interesave te oligarkikëve!
– Përmirësimi i paketës ligjore për zbatimin e autoritetit shtetëror në hapësirën detare e cila do përfshijë të gjitha institucionet ligjzbatuese në det, si dhe ndërtimi i infrastrukturës kritike për këto institucione, duke shmangur ‘dorovitjet/abuzimet’, si në rastin e bazës detare të Sarandës.
– Krijimi i Institutit të Studimeve Detare pranë Akademisë së Shkencave (apo dhe e Universitetit të Durrësit/Vlorës), i cili në vijimësi do të identifikojë vlerat, përfitimet dhe alternativat e zhvillimit të hapësirës detare.
Modernizimi i Forcës Detare (Roje Bregdetare) me programe, mjete, pajisje vëzhgimi dhe infrastruktura të afta për të ushtruar autoritetin zyrtar, si dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe të interesave kombëtare në hapësirën detare të RSH. Infrastrukturat e FD detare të parashikojnë ndërveprimin operacional me “task-grupe të NATO-s në Mesdhe”, të cilat, jo vetëm rrisin peshën e kontributeve tona në NATO, por edhe përforcojnë pozitën gjeostrategjike të RSH në rajon.
Ndërtimin e Portit të Ballkanit (në Jug/Vlorë, ku ka hapësira dhe thellësi adekuate) me infrastrukturë moderne të përpunimit, lidhje me rrjetin rrugor dhe hekurudhor, të integruar me zhvillimin e Korridorit VIII, si dhe me Autostradën e Paqes Beograd-Prishtinë.
Në këtë master-projekt të konsiderohet edhe rivitalizimi, ndërtimi i një kantieri ndërkombëtar në Pashaliman, me synim prodhimin dhe riparimin e anijeve të vogla (jahteve) në funksion të zhvillimit të turizmit elitar, por edhe të riparimit të mjeteve detare të peshkimit (të cilat fatkeqësisht i kryejnë riparimet në vendet fqinje).
Ndërtimin e portit rajonal (pjesë e Strategjisë Detare 2050) e çmoj si njërën ndër veprat më madhore kombëtare, krahasuar edhe me TAP, Udhën e Kombit etj…
Për më tepër, ky port që do shërbejë si porta hyrëse e Perëndimit, mbart interesa të larta ekonomike, me peshë kritike për mirëqenien, jo vetëm të qytetarëve të qarkut të Vlorës, ultësirës perëndimore, por të mbarë shqiptarëve, si dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor e më gjerë.
Nga ana tjetër, nënvizoj dhe e përsëris jo pa qëllim se ‘një port në det të thellë në Adriatik’ ishte pjesë e paketës së projekteve të marrëveshjes Kosovë – Serbi, nënshkruar në dhomën ovale nën përkujdesjen dhe mbështetjen e presidentit Trump.
Me fjalë të tjera, një strategji afatgjatë detare për kthimin e hapësirës detare shqiptare e bën rajonin më të sigurt dhe një nyje të kalimit të mallrave në Mesdhe. Pra, ndërtimi i këtij porti (Adriatik/Vlorë), fatmirësisht mbart edhe interesat gjeopolitike të SHBA-ve në Mesdhe.
Thënë këtë, ky port merr kështu një rëndësi edhe më të veçantë, mbas marrjes së portit të Pireut nga Kina dhe përpjekjeve permanente të Rusisë për të rritur influencën në Rajon, Mesdhe, Ballkan dhe Ballkanin Perëndimor etj.




Gjeneral Piro Ahmetaj – *Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD;
Ish-Këshilltar i Presidentit, Zv.SHSHP dhe Përfaqësues i RSH në NATO


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.