OPINION

Ndërmjet Agron Tufës dhe Spartak Brahos

13:12 - 03.11.20 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Maksim Vinçani *




Historianët dhe analistët kanë konkluduar tashmë që lufta partizane u manipulua me paramendim nga E. Hoxha me ndihmën e jugosllavëve për të siguruar pushtetin e mbas luftës. Kjo, duke shfrytëzuar dhe shpërdoruar  motivin e vërtetë të pjesëmarrjes masive të popullit patriot si: rezistenca ndaj pushtimit të huaj por edhe për një jetë mirë.

Lufta vëllavrasëse, e pa motivuar dhe e dëmëshme, ishte përgjegjësi historike që i përket krerëve të dy palëve e jo popullit të thjeshë, që si në njërin rast edhe në tjetrin kanë qënë viktima të këtyre krerëve. Me vënjen në plan të parë të synimeve ideologjike për mbas ҫlirimit, të dyja forcat politike vepruan shtrembër, sepse në atë kohë përparësi kishte ҫlirimi i vendit e jo konkurenca ideologjike dhe rendi shoqëror pas ҫlirimit. Ka qënë gabim fatal, në rradhë të parë për vetë organizatën e Ballit, e doemos për Shqipërinë, bashkëpunimi me pushtuesit. Ashtu si ka qënë gabim fatal për Partinë Komuniste, varësia e nënshtrimi i plotë i udhëheqjes së saj ndaj Partisë Komuniste të Titos, nënshtrimin e Shqipërisë (e jo vetëm të Kosovës) interesave të Jugosllavisë, gjoja në bazë të internacionalizmit  proletar si dhe fanatizmi ndaj tezës leniniste se “Proletariati dhe Partia e tij nuk e ndajnë pushtetin”; gjë që ndikoi rëndë në marrveshjen e Mukjes e më tej. Në arenën  e këtyre zhvillimeve pati dhe veprime të padëshiruara nga të dy palët.

Por këto nuk e errësojnë në asnjë mënyrë sakrificën dhe kontributin e pjesëmarrësve (përfshi të komunistëve e të udhëheqësve të rezistencës)… Evidentimi i plotë i shkaqeve reale të përplasjeve së palëve kundërshtare politike gjatë L2B në Shqipëri dhe konkludimi në interpretime të bazuara në arsyetime të konsideruara si të mirëqëna, është një mision i vështirë , që në realitet nuk arrihet kurrë plotësisht…  Shkas për këtë prenoncim nga ana ime, u bë tema e qëndrimeve ndaj Luftë N.Ҫl., duke marrë si referim librin e studiuesit Ҫelo Hoxha “Krimet e Komuniszmit”; temë kjo që u inspirua kryesisht nga deputeti Spartak Braho. Gjykimi im është si vijon: Vlerësimi në librin e ISKK, që udhëheqësit kryesorë të formacioneve partizane pa përjashtim, të emërtohen  kriminelë, më duket një trajtim i gabuar. Për më tepër, kjo bëhet thjeshë, duke rrjeshtuar në libër listën e drejtuesve të këtyre formacioneve  me funksione, kryesisht nga batalion e lart, e duke i futur të gjithë në një kallëp; me gjykimin se udhëheqësit e Ushtrisë Partizane (paralel me luftën kundër pushtuesit),” kontribuan për të ardhur në pushtet një regjim diktatorial që rezultoi fatal për Shqipërinë”; pra duke bërë aluzion se gjithë këta udhëheqës pa përjashtim, janë bashkëfajtorë dhe po aq përgjegjës sa E.Hoxha me stafin e tij. Po të ishte ky, prezantim i një studimi personal, mund ta kuptoja; por ky trajtim i njëanshëm nga një institut (supozohet apolitik), pa theksuar qartë dhe prerë  ndarjen e motiveve të sinqerta patriotike të partizanëve nga paramendimet e kamufluara të udhëheqjes komuniste, është i pavend.

Cilësimin si kriminelë, në grup e pa përjashtim, i udhëheqësve patriotë të forcave partizane dhe duke mos vlerësuar realisht rezistencën patriotike të gjithë atij populli shqiptar që mori pjesë në atë luftë është i padrejtë. Sipas pikëpamjes s’ime, në studimet e “Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit” është bërë një punë e lavdërueshme për seleksionimin dhe paraqitjen e dokumentave historike dhe jo vetëm. Por hartimi dhe bashkëngjitja e listës së “zezë” në librin ‘Krimet e Komunizmit’, për periudhën gjatë luftës, është gabim (ky mund të ishte objekt i një gjykate përkatëse, që nuk u krijua kurrë). Kjo i tejkalon atributet e misionit që i është ngarkuar institutit (ndoshta dhe vetë objekti i këtij instituti është gabim e do të ishte më e udhës të kishim një institucion me objekt: evidentimi i krimeve të luftës nga të gjithë aktorët e saj, vendas apo pushtues; tjetër punë është periudha mbas 1944). Rreth temës në fjalë,  janë prenoncuar nga të dy krahët, shumica duke shprehur ato që mendojnë realisht. Por një pjesë nisen nga qëllime të tjera.

Disa, mesa duket, nga që nuk ndihen aq krenarë për qëndrime apo veprime e të parëve të tyre . Por edhe nga pala tjetër, një pjesë që kanë me të vërtetë “kusure” (sidomos në periudhën e më vonëshme), mbajnë qëndrim ‘kondra’, nisur nga motive të tjera: Meqënë se në lisën “e zezë”  ndodhen  gjithë ata shqiptarë, të cilët me të vërtetë kanë nderuar vehten, familjen dhe Atdheun (gjatë luftës e më vonë), të tjerë që nuk mund të mburren për të njëjtën arsye (sidomos për veprimet e tyre kriminale gjatë diktaturës) synojnë të fshihen pas  tyre, duke u “përzier” me kategorinë e lavdishme e duke vënë shënjën e barazimit, u dalin në “mbrojtje”. Por atyre herojve nuk u nevoitet “mbrojtja” nga kjo kategori, sepse kështu i përdorin për interesat e veta partiake dhe elektorale; ata tashmë i ka vlerësuar historia dhe populli..  Historia e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri duhet të na bëjë krenarë për faktin se Populli Shqiptar tregoi, që kur është fjala për lirinë e vatanit, është në gjëndje të bëjë EPOPE, duke iu dhënë kështu brezave një mesazh të qartë krenarije për sakrificat dhe arritjet e  Ushtrisë Partizane, që nëse e do përsëri situata, populli patriot do ta përsërisë sa herë të jetë nevoja; por kurrë më si instrument për vendosjen e një rendi në shërbim të instalimit të ndonjë ideologjie, apo për objektiva politike; por vetëm për mbrojtjen e vendit nga pushtues të huaj… Por le të flasim tani për ligjin që u miratua në Kuvendin Popullor me të cilin i ndalohet ISKK të trajtojë periudhën e luftës. E ndamë më në fund periudhën para 1945 me atë të mbas 1944 nga objekti i studimit të ISKK. Pavarësisht nga motivet e vërteta të nismëtarëve, mirë u bë; sepse ajo periudhë meriton studim kompleks, të veҫantë dhe objektiv nga të tjera organizma. Por sidoqoftë, të mos harrojmë se ajo periudhë ekziston dhe Zoti S.Braho, si njohës i mirë i doktrinës ML dhe Materializmit Dialektik, e di mjaft mirë se fenomenet (ngjarjet) e një periudhe historike (në rastin tonë ’45-’90), studiohen “të ndërlidhura, të ndërvarura dhe të kondicionuara”; si dhe bazuar mbi “kushtet që i paraprinë, rrethanat kur u zhvilluan, si dhe pasojat që rrodhën nga ato zhvillime”. Por le t’i lemë edhe këto, dhe për analizat politike ekonomike e shoqërore të asaj periudhe, me arritjet apo dështimet, le të merren studiuesit e paindoktrinuar..  Ndërkohë sulmi i ulët që z. Braho i bën studiuesit  Agron Tufa dhe përkrahësve të tij, duke i krahësuar me udhëheqësit e ‘Agimit të Artë’ dhe duke kërkuar për ata dënime të ngjashme, është i papranueshëm dhe antidemokratik. Ky qëndrim na kujton shëmtinë e periudhës së errët të ish diktaturës, që shoqëria shqiptare e ka hedhur në koshin e mbeturinave të historisë dhe disa, me në krye Brahon, po tentojnë me përpëlitje të dëshpëruara ta riciklojnë.

Nostalgjikët e diktaturës dhe luftës së klasave, ta harrojnë një herë e mirë rikthimin prapa.  Si nisiator, si protagonist dhe si prototip i rrymës që nuk i pranon , nuk i dënon, por i mbron krimet e komunizmit; pra nga Zotit Spartak Braho, simbolikisht do kërkoja këto përgjigje! •A janë kryer krime politike ndaj njerëzimit në kohë paqeje nga diktatura komuniste në kuadrin e luftës së klasave? •A i keni denoncuar ndonjëherë juve ato? A ju keni kërkuar falje viktimave dhe familiarëve? •A keni qënë ju personalisht pjesëtar i strukturave per realizimin e ndonkjë krimi të sistemit? •A keni kërcënuar dhe shantazhuar studiuesit dhe denoncuesit e këtyre krimeve, nga pozita e sotme juaj politike? •Duke mos kërkuar falje (sepse i quani normale ato krime), a përbëni rrezik potencial për funksionimin e demokracisë, duke qënë dhe ligjvënës në Parlament?    Mos u vështirësoni për përgjigjet zoti Braho, opinioni i ka të qarta!    Prandaj: larg duart nga Agron Tufa dhe nga të gjithë ata që denoncojnë krimet e diktaturës!  Misioni i tyre është i pazëvendësueshëm, sepse duke evidentuar masakrën makabre të segmenteve të errëta të diktaturës komuniste  ndaj kundërshtarëve politikë, informojnë  brezin e ri që të konceptojë realisht regresivitetin e asaj ideologjie e që të mos përsëritet më kurrë. Ju, nostalgjikët e diktaturës  ta harroni njëherë e mirë rikthimin në atë periudhë, populli nuk do tju ndjekë dhe nuk do tju lejojë kurrë të përmbysni Demokracinë në Shqipëri… Sidoqoftë paradoksalisht, me qëndrimet tuaja ju dhatë një “kontribut të ҫmuar” në demaskimin e diktaturës, sepse: Mënyra se si përdorni pushtetin dhe silleni sot me ata që i konsideroni armiq ideologjikë, duke i kërkuar “dhe në vrimë të miut”, është një sintezë brilante për të kuptuar nga goja juaj, se si u ushtrua lufta e pamëshirëshme klasore  ndaj viktimave të komunizmit gjatë diktaturës staliniste!

P.S. Ky shkrim mund të jetë pak i vështirë për tu perceptuar nga ata që udhëhiqen nga sllogani stalinist “O me ne, o kondra nesh….!”

* Autori është n/kryetar i OBVL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.