OPINION

Pse nuk qëndron teoria konspirative e Metës

08:28 - 03.11.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Andi Bushati – Jo, Edi Rama nuk po e pengon integrimin në BE sepse ka një axhendë okulte në shërbim të dikujt tjetër; ai po e bën sepse kjo i lejon zgjerimin e pushtetit autokratik dhe i mundëson qëndrimin në krye duke qenë pakicë.
Në galopin e një beteje të pandalshme me kryeministrin, Ilir Meta po skicon një profil të ri të kundërshtarit të tij të vjetër, atë të një armiku të Shqipërisë, që mbahet peng, duke u mbështetur njëkohësisht të qëndrojë në pushtet, nga qarqe që nuk e duan të mirën e vendit.
Ai herë përmend lobe okulte, herë “Sorosin” dhe herë vëllazëri konspirative me diplomatë perëndimorë, që çojnë të gjitha tek i njëjti konkluzion: Edi Rama është pilotuar për të ndarë Shqipërinë nga BE-ja.
Në fakt, e parë në mënyrë sipërfaqësore, teza që pompon presidenti, duket sikur ka bazë. Po ta fusësh në këndvështrimin që servir ai, Edi Rama të lë të besosh se ka një axhendë të qartë për të penguar integrimin. Në kohën e qeverisjes së demokratëve, Shqipëria, e cila liberalizoi vizat, qe më pranë BE-së sesa Serbia dhe Mali i Zi.
Kur ishte në opozitë, Rama e mbajti peng rrugën drejt BE-së me tri ligjet e famshme. Ndonëse premtoi, pas ardhjes në pushtet, se Tirana do mbërrinte në destinacion më parë se Beogradi, ndonëse premtoi që negociatat do hapeshin që vitin e parë të mandatit të Rilindjes, ai bëri vetëm hapa pas.
Kur Holanda kërkonte luftë serioze ndaj krimit, shefi i qeverisë thoshte se pretendimet e saj ishin pretekste që i duheshin për betejën e brendshme elektorale. Kur Bundestagu sillte që në vitin 2016, eurodeputetin Krichbaun me një sërë kushtesh për t’u realizuar nëse donim të bënim përpara, ai thoshte se këto qenë thjesht gënjeshtrat e Lulzimit të përkthyera në gjermanisht.
Pra e gjithë saga përmblidhet në një fjali: europianët shtronin presionin mbi qeverinë e Tiranës, ndërsa ajo shumëfishonte mashtrimet për ta fshehur atë në sytë e shqiptarëve.
Por, në sjelljen skandaloze në rrugën e integrimit ka edhe më; aty mund të rreshtohen pafundësisht fakte për gënjeshtrën se kemi një datë, për mashtrimin se po na mban peng Makroni për hir të halleve që ka me reformimin e BE-së, për alibinë se po na pengon opozita e rrugës.
Dhe kështu kemi arritur në pikën që jo vetëm Serbia e Mali i Zi na kanë lënë shumë mbrapa, por pas disa përpjekjesh të BE-së për të mos na njollosur përfundimisht, ajo po na ndan edhe nga Maqedonia. Ashtu sikurse theksoi së fundi Holanda, ky ndëshkim i mbramë vjen pasi në ethet për të grabitur zgjedhjet, Edi Rama i ndryshoi i vetëm dhe pa konsensus rregullat e lojës për to.
Pra, nëse bëhet një bilanc afatgjatë, nuk ka asnjë diskutim se përgjegjësi ekskluziv i shkatërrimit të ëndrrës europiane të Shqipërisë është një njeri i vetëm.
Por, nëse këtë konkluzion nuk e kundërshton asnjë njeri normal, përpos atyre që ushqehen me paratë e pista të Rilindjes, pyetja që shtrohet është: a vërteton ky dështim pretendimin e Ilir Metës se kjo është pjesë e një axhende për ta mbajtur Shqipërinë larg BE-së?
Pra, a përbën kjo, provën automatike se Edi Rama është kryqtari i një Shqipërie antiperëndimore, se ai u shërben planeve për zbrazjen e saj dhe zëvendësimin e popullsisë me emigrantë, se ai është anëtar i ndonjë vëllazërie okulte apo i ndonjë lozhe të fshehtë, që mëton të na kthejë në mish për topat e atyre që duan një Shqipëri aq të dobët sa të mos jetë në gjendje të ndihmojë as Kosovën?
Nuk ka diskutim se ky është një këndvështrim, në rastin më të mirë i ekzagjeruar dhe në atë më të keq, një ftesë për të përvetësuar elektoratin e prekur nga paranoja. Ka disa fakte dhe argumente që hedhin poshtë këtë teori konspirative të Ilir Metës.
Fjala vjen, të gjithë e dinë se Edi Rama nuk do të vinte kurrë në pushtet, nëse LSI-ja dhe vetë presidenti aktual nuk do të bënin koalicion me të në 2013-ën. Pra ata së pari duhet të pyesin veten, kush i çoi drejt Ramës? Mos qe “Sorosi”, lobistët serbë të Vuçiçit, apo ndonjë organizatë që vepron në hije?
Ja pra që gjërat janë shumë më të thjeshta dhe pas tyre mund të mos fshihet detyrimisht një dorë e padukshme.
E njëjta pyetje vlen edhe për opozitën e PD-së dhe LSI-së. Pse e ndërprenë rrugën radikale? Pse vendosën t’i shuajnë molotovët dhe të ulen në tryezën e marrëveshjeve me Ramën, apo mos qenë gjë pengje të këtyre qarqeve okulte që donin t’i siguronin paqe një kryeministri që ishte duke realizuar axhendën e tyre?
Pak e vështirë të besohet, apo jo?
Pra, në këtë kuptim, nuk ka nevojë të thirren në ndihmë fantazi të çartura, apo psikoza paranojake për të shpjeguar se përse Rama qëndron në pushtet dhe se përse ai e përdor atë në mënyrën më keqbërëse të mundshme.
Jo, Edi Rama nuk është një vegël në duart e armiqve të Shqipërisë, ai është thjesht një politikan që po i bën shumë dëm asaj.
Jo, Edi Rama nuk po e pengon integrimin në BE sepse ka një axhendë okulte në shërbim të dikujt tjetër; ai po e bën sepse kjo i lejon zgjerimin e pushtetit autokratik dhe i mundëson qëndrimin në krye duke qenë pakicë.
Jo, Edi Rama nuk është peng i qarqeve të fshehta dhe të padukshme që kanë axhenda të komplikuara, ai është thjesht ortak i oligarkëve dhe banditëve lokalë, me të cilët ndan paratë dhe frikëson ata që nuk binden.
Kaq e thjeshtë dhe banale është historia e tij. Prandaj, sofistikimi konspirativ që i bën Ilir Meta nuk i duhet kurrkujt. Ai mund të jetë i dobishëm për të bërë për vete mendjen e sëmurë të ndonjë zgjedhësi paranojak, por nuk ka të bëjë me të vërtetën dhe nuk i shërben asaj. Pasi nuk ka nevojë të bymehësh me fantazi mëkatet e Ramës, ndërkohë që nuk mjaftojnë, as koha dhe as hapësira, për të përmendur krimet e tij reale në pushtet.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.