OPINION

Do mbajë ekonomia?

18:34 - 09.11.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pandemia i ka dhënë një goditje të fortë negative ekonomisë sonë. Sipas të dhënave të INSTAT, prodhimi ynë kombëtar ra me 10.2 për qind në periudhën prill-qershor 2020. Është rënia më e fortë tremujore e njëzet e tre viteve të fundit, që nga periudha mars-maj 1997. Tregu ynë i punës humbi 50 mijë vende pune, 17 mijë prej të cilave u rimorën në tre muajt e tjerë korrik-shtator 2020. Në një përpjekje për të ndihmuar sipërmarrjet të rifusin në punë të larguarit, qeveria ndërtoi një skemë subvencionimi për çdo punonjës të rimarrë me katër, tetë dhe dymbëdhjetë muaj pagesë minimale dhe të sigurimeve shoqërore nga Buxheti i Shtetit, e cila funksionoi. Treguesit e aktivitetit ekonomik dhe tregut të punës sinjalizojnë një rikuperim gradual gjatë tremujorit të tretë, sidomos muajve gusht-shtator. Kjo rimarrje e vetes u ndihmua dhe nga një sezon turistik i mirë i turizmit të detit dhe rërës, me turistë vendas dhe kosovarë e shqiptarë e maqedonas nga Maqedonia e Veriut përgjatë gushtit. Banka e Shqipërisë ndihmoi me bllokimin (moratoriumin) e pagesave të kësteve të kredive edhe për një tremujor të dytë qershor-gusht 2020, duke u lënë në duar sipërmarrjeve dhe qytetarëve mbi 48 milionë euro, të cilat ndryshe do të kishin shkuar në këstet e 20 mijë kredive aktive të 12 bankave të nivelit të dytë. Kjo i dha frymëmarrje edhe vetë kredimarrjes, që në muajt korrik-shtator u rrit me 6.3 për qind nga tre muajt e vitit të kaluar. Ndërkohë, vala e dytë e infektimeve të forta nga virusi, e cila ka përfshirë të gjithë Evropën, ka bërë që Italia, partnerja jonë kryesore në tregti dhe investime, të mbyllet nga e premtja 6 nëntor, në një shtetrrethim mbarëkombëtar midis orës 10:00 të darkës dhe 5 të mëngjesit. Edhe qendrat tregtare në shtetin fqinj janë të mbyllura gjatë fundjavave, transporti publik funksionon me kapacitet 50 për qind dhe muzetë dhe galeritë janë mbyllur gjithashtu, me shpresë se do të rihapen të gjitha më 3 dhjetor 2020. E shpresojmë edhe ne shqiptarët, pse në Itali dërgojmë 48 për qind të eksporteve tona. Eksportet shqiptare vitin e kaluar ishin 2 miliardë euro. Në takimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të mërkurën, datë 4 nëntor, banka jonë qendrore përcolli mesazhin se skenari i saj bazë(pra situata që beson më shumë se mund të ndodhë) është shmangia e masave ekstreme për kontrollin e përhapjes së një vale të dytë të pandemisë. Pra, institucioni i specializuar i parashikimeve për rritjen tonë ekonomike, gjendjen monetare dhe gjendjen e financave publike e private, parashikon që mund të mos mbyllemi tërësisht, por mund të kemi mbyllje të pjesshme për disa aktivitete me rrezik më të lartë infektimi. Edhe pse sigurisht që në fund të këtij viti do të biem fort ekonomikisht, Banka e Shqipërisë thotë se do rinisim të rritemi me ritme relativisht të shpejta dhe të qëndrueshme në muajt e parë të vitit të ardhshëm. Pse e besoj këtë institucion? Sepse kjo bankë qendrore arriti të ndalojë zhvlerësimin e lekut, i cili humbi pikë ndaj euros dhe dollarit vetëm në dy muajt e mbylljes sonë totale, mars-prill 2020. Arriti të sigurojë likuiditet(sasi parash letër) të mjaftueshëm, madje të bollshëm për të gjitha bankat tregtare për cilindo klient, individ apo kompani që kërkoi para të depozitave të veta pranë bankave për t’i tërhequr nga 12 marsi 2020 kur u mbyllëm e deri tani. Dhe kryesorja, mundësoi gjashtë muaj mospagim të kësteve të kredive dhe përqindjeve të interesave për to, duke u mundësuar 8 mijë bizneseve dhe 12 mijë qytetarëve që kishin marrë kredi të mos ua kalonin bankave mbi 90 milionë euro pagesa në principal të kredisë dhe përqindje të interesave. Kjo ishte një bombol e mirëfilltë oksigjeni që ekonomia jonë të mos binte tërësisht në gjunjë në muajt më të vështirë mars-maj 2020. Tani kjo ekonomi ka filluar të marrë gradualisht veten, por do të duhet i gjithë kujdesi jo vetëm i bankës sonë qendrore, por edhe i qeverisë, që gjërat me ekonominë të mos përkeqësohen shumë. Banka e Shqipërisë sërish deklaroi po më 4 nëntor se ishte gati të lehtësonte edhe më tej politikën e saj monetare, në varësi të përshkallëzimit të situatës me COVID-19. Që do të thotë se furnizimi i plotë me likuiditet i bankave tregtare dhe tregjeve financiare, ulja e kostove të kreditimit, si dhe një ndarje sa më e përshtatshme e barrës financiare të krizës midis sektorit bankar dhe bizneseve e familjeve shqiptare jo vetëm do të vijojë, por do të fuqizohet në të ardhmen. Kjo ndihmë reale dhe mbështetje pa rezerva e bankës qendrore, në kohët më të vështira që po kalojmë si familje dhe sipërmarrje në vend, është garanci reale se ekonomia jonë do të mbajë, për të rinisur vrapin vitin e ardhshëm.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.