DOSSIER

Inxhinier Egon Gjadri, gjeneratori gjigant i energjisë shqiptare

10:00 - 10.11.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Arben Braçe* – Këto ditë bëhen 5 vjet që inxhinieri i shquar Egon Gjadri nuk ndodhet midis nesh, por ka lënë pas një pafundësi veprash energjetike dhe konstruktive të standardit bashkëkohor, që akoma nuk kanë ndodhur në Shqipëri dhe ndoshta do të duhet një kohë e gjatë për t’i arrirë. Ai hyri shumë i ri në këtë profesion, pikërisht në fund të viteve ‘50, kohë në të cilën totalitarët komunistë kërkonin të sfidonin modernitetin perëndimor, nëpërmjet zhvillimit të ekonomisë, të teknologjisë shkencore dhe të kulturës masive, një ëndërr e vjetër kjo sa vetë bota, për krijimin e njeriut universal, si një mendim plebejas i aspiratës së Rilindjes Europiane.




Ai hyri në këtë profesion në një kohë të vështirë, kur shteti i ri totalitar po bëhej nismëtar i zhvillimit industrial, dhe gjithçka që do të binte ndesh me këtë utopi, sikurse familja, feja, klasa dhe kultura e lartë, ishin të destinuara të shkatërroheshin dhe gjithçka do të shpërbëhej në anonimatin e kolektivit. Rastësia qëlloi që të punonte në një kohë kur komunistët pa eksperiencë donin të krijonin një makinë industriale, me qëllim që të pushtonin parajsën.

Pikërisht në këtë kohë të pazgjedhur prej tij, qëlloi që inxhinieri i ri Egon Gjadri të nxirrte në pah vlerat dhe kapacitetin e veçantë intelektual. Ai është përfaqësues i elitave të para tërësisht indigjene, të përgatitura në universitetin e sapokrijuar shqiptar, të cilat u zunë vendin elitave të vjetra mbretërore dhe kozmopolite. Por, në ndryshim nga kolegët e tjerë, ai hynte në këtë profesion si Gjadri junior, kur mbi shpatulla kishte emrin e gjeniut të inxhinierisë së racës shqiptare, të atin e tij, Gjovalin Gjadri. Një përgjegjësi e madhe për t’u ballafaquar, dhe nga ana tjetër edhe një sfidë e skajshme për t’u arrirë. Aq i madh sa ç’ishte emri i të atit, i cili konsiderohej “njeriu-urë”, që kishte ndërtuar në karrierën e tij me shumë sukses 75 objekte ndërtimi më të rëndësishmet në Shqipëri dhe shumë objekte të tjera, si dhe mbante të regjistruar në Austri, ku kishte studiuar, patentën e “Formulës Gjadri” si një shpikje mjeshtërore e tij, po aq e madhe dhe vetëmohuese duhej të ishte puna dhe vullneti i tij, në fushën e pafund të inxhinierisë.

Qysh shumë i ri, ai shfaqi talent të spikatur edhe në fushën e sportit të volejbollit dhe atë të shahut. Brenda një kohe të shkurtër, arriti të përfshihet si pjesëtar i ekipit të kombëtares shqiptare, duke luajtur në krah të emrave të njohur të volejbollit tonë, sikurse Petrit Murzaku, Fatmir Meka, Qemal Gjinali, Vangjel Koja etj. Ishte ky ekip, që në vitin 1955, befasoi Europën dhe ku Kombëtarja e Shqipërisë, e panjohur deri atëherë, u rendit në 10 shtetet më të mira të Kampionatit Europian të Bukureshtit për meshkuj. Sidoqoftë, në kulmin e rinisë dhe të vrullit djaloshar, ai ndoqi rekomandimin e të atit dhe me vetëdije, zgjodhi rrugën e vështirë dhe të bukur të inxhinierisë, duke lënë në plan të dytë pasionet e rinisë.

Sapo u diplomua në vitin 1958, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ai nisi menjëherë punën si pjesëtar i grupit të projektimit të HEC-it të Shkopetit dhe HEC-ve Bistrica I dhe II, të cilët ishin ndër të parët hidrocentrale për ushqimin me energji të vendit. Për dikë që e shikon këtë punë në sipërfaqe, kurrë nuk mund të imagjinojë, se çfarë përkushtimi dhe sakrifice është dashur për realizimin e një vepre të tillë.

Sistemi totalitar, megjithëse e urrente kapitalizmin, ishte i detyruar që me anë të teknikës moderne dhe shkencës bashkëkohore, t’u përgjigjej kushteve të modernitetit. Puna e specialistëve dhe shkencëtarëve drejtues nuk matej me orë apo me shpërblim, por përcaktohej njëzëshëm nga sundimtarët, të cilët nuk mbanin në konsideratë mundësitë dhe kapacitetet njerëzore të specialistëve dhe shkencëtarëve. Regjimi kishte një moralitet shtrëngues, që kërkonte sakrifica dhe altruizëm për hir të interesit të përgjithshëm. Por nga ana tjetër, megjithëse politika qëndronte mbi krye, besimi krenar faustian i specialistëve në shkencën gjithëpërfshirëse, ishte shtysa dhe besimi se vetëm zhvillimi industrial ishte rrugëdalja e mundshme nga varfëria. Kjo ishte bindja që e ndoqi gjatë tërë karrierës së tij dhe që me shumë inteligjencë e mbrojti nga goditjet e mundshme politike dhe intrigat e karrierës së sistemit.

Më shumë përkushtim, inxhinier Egon Gjadri iu përvesh punës shkencore, duke u ballafaquar me ekspertë europianë dhe botërorë të fushës duke marrë dhe duke dhënë eksperiencë. Janë të shumta angazhimet e tij ndërkombëtare dhe teknologjitë e adoptuara në vendin tonë që kanë marrë admirimin e shumë ekspertëve ndërkombëtarë. Ai ndoqi punën si zv/drejtor i Institutit të Projektimeve Numër 3 prej viteve 1972-1982, duke mos ndalur asnjëherë studimin dhe kërkimin shkencor bashkëkohor. Në vitin 1972 mbi bërthamën e këtij grupi u krijua Instituti i Studimeve dhe Projektimeve të Hidrocentraleve, të linjave të tensionit të Lartë e Nënstacioneve dhe të Porteve në varësi të Ministrisë së Ndërtimit. Gjatë punës vetëmohuese, në krah pati emra të mëdhenj të sistemit energjetik, sikurse Profesor Petrit Radovicka, pa drejtimin skrupuloz të të cilit, punën vizionare të Rahman Hankut, mbështetjen e mjeshtrit të madh të projektimit të digave, Profesor Farudin Hoxhës, dhe zbatuesve gjenialë të projekteve, inxhinierëve të talentuar dhe shumë të përkushtuar dhe me fantazi bashkëkohore, Profesor Emin Mysliu, Profesor Ismail Ahmeti e shumë të tjerëve, nuk do të ishin arritur kurrë të realizoheshin këto vepra të mëdha. Natyrisht që elitat priren ta përkthejnë meritën intelektuale në gjuhën e shpërblimit të madh. Ato janë të prirura t’i homogjenizojnë vlerat kulturore, ta thithin, ta gëlltisin njëra-tjetrën dhe të krijojnë një hapësirë forcërisht të integruar, por ndoshta si në një rast unikal, grupi i specialistëve shqiptarë në këtë fushë, mbeti grupi më i harmonizuar dhe i konsoliduar dhe me arritjet më të mëdha që kishin ndodhur në Shqipërinë e atyre viteve. Natyrisht që, një meritë e veçantë i përket personalisht karakterit human dhe paqësor të inxhinier Gjadrit, por edhe nivelit të lartë intelektual të drejtuesve të talentuar, shkencëtarëve dhe specialistëve të integruar në fushën energjetike.

Duke mos u ndalur për as edhe një moment të vetëm, inxhinier Gjadri drejtoi me shumë përkushtim prej viteve 1983-1993 Institutin e Projektimeve Numër 3, të cilin e shndërroi përpos në një qendër të hulumtimit shkencor që prodhon energji, por edhe një mega-shkollë për trajnimin dhe edukimin shkencor të dhjetëra specialistëve të rinj. Egon Gjadri formoi një bërthamë kërkuesish dhe projektuesish të talentuar, pa të cilët Shqipëria nuk do të kishte arritur të transformohej nga pikëpamja teknike.

2455 wwwqwqwq
<
>

Në këtë institut janë projektuar shumë vepra të rëndësishme të ekonomisë dhe projektet u kthyen në vepra, në sajë të punës plot sakrifica dhe nivel të lartë teknik të ndërtuesve të vendit. Këto vepra u ndërtuan nga shumë ndërmarrje të specializuara të Ministrisë së Ndërtimit, sikurse Ndërmarrja për Ndërtimin e Hidrocentraleve, për Ndërtimin e Linjave të Tensionit të Lartë, të hekurudhave të porteve, montimeve e shumë të tjera. Inxhinier Gjadri është projektuesi kryesor i tuneleve të devijimit, shkarkimit dhe të prurjes së ujit në Hidrocentralet e Shkopetit, Bistricës, Vaut të Dejës, Fierzës, Komanit dhe Banjës, të nyjës hidroteknike të Bovillës, të projektimit të hidrocentralit të Bushatit si dhe të skicë-idesë së Skavicës, një punë kjo, e zhvilluar përafërsisht që prej viti 1963 deri në vitin 1985. Po kështu, inxhinier Gjadri është bashkautor i skemës së shfrytëzimit hidroenergjetik të kaskadës së lumit Drin si dhe bashkautor i bashkëvendosjes së hidrocentraleve të Vaut të Dejës, Fierzës, Komanit etj. Edhe tunelet e turbinave dhe tunelet e shkarkimit në Fierzë janë pjesë e kontributit të tij madhor.

Përpos veprimtarisë së rëndësishme në fushën energjetike, inxhinieri i shquar është dhe projektuesi kryesor i tuneleve të hekurudhës sonë. Të 14 tunelet e linjës hekurudhore Elbasan-Prenjas, si dhe tunelit më të madh në atë kohë, prej 3000 metrash të Qafë-Thanës, tunelin e Koshovicës dhe atë të Tarazhit, mbajnë vulën e punës dhe të përkushtimit të tij, duke u personifikuar si “njeriu-tunel”. Natyrisht që, një punë e tillë pati shumë vështirësi shkencore në zbatim, por edhe në teknologji. Rrjedhja e ujërave e tunelit të Qafë-Thanës, që vinte si shkak i studimeve të paplota gjeologjike nga grupi përkatës, ishte shkak që kryeministri i kohës Mehmet Shehu të telefononte shpesh në mes të natës. Niveli i lartë intelektual, ndoshta për herë të parë, nuk i lejoi politikës që të vendoste mbi domenin që i takonte shkencës, se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. Net pa gjumë dhe punë të zgjatura me orë të tëra, si dhe ndjekje e punimeve në kantier, duke i dhënë përparësi, dijes shkencore, bënë atë që inxhinier Gjadri dhe kolegët e tij të gjenin zgjidhjen e duhur, duke devijuar drejtimin e ujërave dhe duke i dhënë rrugë mega-projektit udhëhequr prej tij.

E ardhmja e regjimit varej nga teknika, dhe pikërisht për këtë, elektrifikimi dhe realizimi i veprave të tilla shihej nga politika e kohës si kusht i domosdoshëm për mbijetesën e vetë sistemit totalitar. Shkenca energjetike dhe ajo kuantitative, ishte sundimtari, sovrani i degëve të dijes, llojet e tjera të dijes, veçanërisht ato që rrekeshin të kuptonin mungesën e humanitetit të respektimit të të drejtave të njeriut, unicitetin dhe cilësinë, mbikëqyreshin dhe shiheshin me një vëmendje arrogante, si joshkencore dhe që bëheshin shkak për t’u ndëshkuar. Gjithsesi, lufta për mbijetesë e sistemit diktatorial, që i kishte shterur ideologjia, mbështetej vetëm në arritjet teknike, dhe ky ishte shkaku që vendi i nderit i jepej gjithmonë punës, mundit ose aftësive prodhuese. Në këtë frymë dhe duke marrë në konsideratë arritjet, përkushtimin dhe kontributin e çmuar për vendin e tij, inxhinier Gjadri është dekoruar me Urdhrin “Flamur i kuq i punës” i Klasit të Parë, si dhe me “Çmimin e Republikës së Shkallës së Parë”. Paralel me veprimtarinë projektuese, inxhinier Gjadri nuk la për asnjë çast pas edhe veprimtarinë akademike dhe shkencore. Ai është autor dhe bashkautor i librave të ndryshëm si “Ura dhe tunele”, “Llogaritja statike e veshjeve monolite të tuneleve”, “Digat prej betoni me gravitet në bazamente shkëmbore”, “Veprat e devijacionit me presion në hidrocentrale”, “Llogaritja e digave-hark me metodën e ngarkesës-provë”, “Veprat e devijimit dhe të shkarkimit të plotave në disa hidrocentrale të vendit tonë”.

Për të gjithë këtë veprimtari shkencore atij iu akordua titulli “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor” nga Komisioni i Lartë i Atestimit dhe në vitin 1995, në sajë të punës projektuese dhe shkencore iu akordua titulli “Drejtues Kërkimesh Shkencore”. Të dy këta tituj janë tregues të vlerësimit unanim, që ai gëzonte në gjirin e bashkësisë së shkencëtarëve shqiptarë të asaj kohe.

Në projektimin e të gjitha këtyre veprave të rëndësishme, profesor Egon Gjadri ka pasur bashkëpunim me shumë shkencëtarë, specialistë dhe ndërtues, punën dhe veprimtarinë e të cilëve ai e ka përshkruar me shumë skrupulozitet në një album të përgatitur enkas, ku gjithsecili emër i madh në fushën e tij, përshkruhet me një nostalgji dhe një etikë dhe vlerësim intelektual të admirueshëm.

Në vitin 1995 ai u tërhoq nga jeta aktive shkencore, duke mos pranuar asnjë ofertë politike, sikundër bëri në të gjithë karrierën e tij të pashembullt. Sikur dikush në vend të tij, në cilindo vend të Perëndimit, të kishte realizuar qoftë edhe një nga veprat e tij, do të rronte si i pasur, ndërsa inxhinieri që gjeneroi energji për të gjithë vendin dhe me të iluminoi gjenerata të tëra, dhe që projektoi dhe ndërtoi më shumë se 40 vepra hidroteknike dhe 20 tunele hekurudhore dhe automobilistike, përfitoi atë që nuk ka çmim: mirënjohjen e atyre që prekën dobinë e veprës së tij dhe të gjithë gjeneratave që do të vijnë.

Personalisht e kam përherë përpara syve, në shëtitjen e gjatë që bënte përnatë, nën shoqërinë e së dashurës së jetës së tij Ikbalit, balerinës së hijshme të Teatrit të Operës dhe Baletit. Sa për atë që thoshte Hajdegeri, se moderniteti karakterizohet nga imagjinata teknologjike dhe se është kjo e fundit që vret artin dhe kulturën, ai për sfidë kishte zgjedhur të ndërtonte dashurinë e tij pranë artit, atij që simbolizon lirinë.

Përherë më duket sikur do ta shoh sërish në bulevard, nën shoqërinë e hijshme të shoqes së jetës, si një çift-simbol i respektit dhe i dashurisë.

Derisa ndërroi jetë, për asnjë moment nuk lëvizi nga Shqipëria, duke i treguar gjithkujt, që vendi më i bukur në botë për të jetuar është atje ku me mund dhe sakrificë ke krijuar dhe ke sjellë ndryshimin e madh, pa të cilin jeta nuk merr kuptim, dhe se atje, në botën e përtejme ku ka shkuar, akoma është duke punuar të na mbështesë me energji, për të bërë ndryshimin e shumëkërkuar.

*8 nëntor 2020

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.