OPINION

Për Komisionin e Ekspertëve

14:11 - 11.11.20 Andon Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Tani, teksa zien “kazani” i idesë së një mbylljeje të dytë (shumë vende në Evropë e kanë bërë tashmë) për shkak të kësaj flame COVID-19 dhe ku duket se ‘patatja e nxehtë’ do jetë shkolla dhe rinia shkollore, m’u kujtua një ndodhi e kahershme, kur në një fshat që vuante për ujë, kryefamiljarët ishin mbledhur të diskutonin se nga do ta merrnin ujin e pijshëm. Folën të gjithë dhe kryeplaku vetëm dëgjonte. Çobani i fshatit, që i dinte më mirë se kushdo burimet e ujit dhe kodrat e udhishtat nga mund të kalonte tubacioni, kërkoi të flasë.
Dhe foli.
– Ta marrim te burimi i Ahut, ta zbresim te korija e Fierit…
– Ç’bëre more qafir, – iu hakërrua kryeplaku, – e le fshatin pa ujë.
Mbajti frymën gjindja.
– Ajo është zgjidhja, por duhej ta kisha thënë unë, jo ti. Nuk miratohet!
E rrëfeva këtë të ndodhur, se ka gjasa që të mos pyetet më askush edhe për këtë fushatë mbylljeje, qoftë të pjesshme (u përfshikan edhe shkollat) siç përflitet, dhe ai Këshilli i Ekspertëve aty Lart ta bëjë në kokën e tij pa ditur se si e qysh, dhe më e keqja pa dëgjuar fare, po fare, zërin e ca njerëzve që merren çdo ditë me shkollën dhe nxënësit.
Tollovia, edhe në këto momente që flasim është e madhe. Mësues e nxënës, prindër dhe gjyshër e gjyshe, që janë edhe ndër më të rriskuarit, mendojnë ndryshe idesë së mbylljes.
Që në fillim të vitit shkollor, u hartuan nga shkollat, me të drejtë, disa modele se si mund të zhvillohej mësimi në këto kushte pandemie, që u quajtën skenarë; me mësim me një turn, dy, tri e kështu me radhë. Klasat, deri në 40 nxënës u ndanë në dysh (e vetmja gjë e pëlqyer prej të gjithëve) dhe mësimi po zhvillohet me turne. Ora e mësimit sipas skenarëve është 25 ose 30 minuta. Tjetër dava kjo, pasi mësuesve iu kërkohet që të bëjnë nga dy orë mësimore me dy grupe të klasës dhe iu shtua në pagë një 5 ose 15 minutësh! Nëse në njërin grup klase do kontrollonte detyrat dhe dijet e nxënësve, në grupin e dytë të shpjegonte lëndën e re dhe të bënte përforcimin e dijeve, hallall do t’ia bënin minutat shtesë sipas rastit, Ministrisë dhe atyre që i ideuan këto minuta shtesë. Por nuk ndodh kështu. Mësuesit bëjnë dy orë mësimi për çdo klasë, dhe madje të shtrënguar që ta realizojnë atë gati si dikur në një minimum kohëzgjatjeje. Dhe me një llogari të thjeshtë, një mësuesi i bie që të zhvillojë tetë deri në dymbëdhjetë orë mësimi në ditë.
Por të duruar, siç kanë qenë gjithmonë, edhe nën stresin e riskut dhe me vështirësinë e komunikimit përmes maskave, joshur nga një shtesë page që për ngarkesën dhe lodhjen është qesharake, kanë ulur kokën dhe thonë…
– Vetëm të mos na kalojnë online, se mjerë nxënësit!
Dhe frika e online-s po qarkullon këto ditë kur vetë mësues dhe specialistë të arsimit ngrenë zërin për mundësi reale dhe efektive për mosmbylljen.
Një prej tyre, për të cilën ekspertët e arsimit, si në rastin e çobanit, duhet t’i bindin ata atje Lart, Të Kryepleqësisë, është mënyra e bërjes së mësimit me dy grupe në tri ditë të javës.
Konkretisht, ideja është e thjeshtë dhe praktike.
Meqë klasat janë të ndara me grupe, ditën e hënë të bëjë mësim me orë 45-minutëshe njëri cikël i shkollës (p.sh. AF me të dy grupet e klasës) dhe ditën e martë bën mësim cikli tjetër i shkollës (AMU me të dy grupet e klasës). Dita e “pushimit” e nxënësve dhe mësuesve sipas cikleve të përdoret online kryesisht për zbatime ose përsëritje njohurish. Duke u shtuar e shtuna, e gjithë shkolla do ishte në efiçencë të plotë pune, dhe ata atje Lart, do kursenin edhe mbylljen e transportit publik dhe pagesën e orëve suplementare mësuesve etj., pasi ky transport do funksionojë me gjysmën e kapacitetit ditor të mësuesve dhe nxënësve dhe do ketë veç të mira.
Kjo është vetëm një ide modeste (mësues e specialistë, nëse pyeten, dinë të argumentojnë me detaje), por duke marrë mendjen e një grupi të madh, mësuesish dhe ideatorësh, do gjendej një modul fantastik dhe dobiprurës.
Por a janë të gatshëm ata Lart të dëgjojnë sugjerimet e zanatçinjve? Me modelin e mbylljes së universiteteve (ende nuk ka filluar asnjë universitet), duket se jo.
Por pesha dhe angazhimi ministror i arsimit, këtu duhet të duket dhe jo t’u bëjnë fresk ideve dhe vendimeve të atyre Kryepleqve – me të drejtë, atje Lart, pa pasur pikën e përgjegjësisë për të pyetur këta këtu poshtë, që jashtë pezhorativitetit, janë çobani që i dhemb më shumë dhe e njeh më mirë se kushdo se nga do vijë “uji” që të pinë rinia e sotme shkollore.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.