OPINION

Steka e buxhetit dhe leku

12:01 - 12.11.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

COVID-19 na shembi në borxhe këtë vit, njëlloj si të gjitha vendet e tjera përreth nesh dhe në të gjithë botën. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar(https://www.imf.org/external/pubs/ft/fandd/2020/06/COVID19-and-debt-in-developing-economies-kose.htm ), borxhi publik në 45 vende në zhvillim të botës është rritur për nëntëmujorin janar-shtator 2020 me një mesatare 7.2 për qind, krahasuar me nëntëmujorin janar-shtator 2019. Te ne, Buxheti i Shtetit i vitit të ardhshëm 2021 synon uljen e borxhit publik të vendit, pas ngritjes vërtik të tij këtë vit(përllogaritjet vjetore flasin për 1 miliard e 74 milionë euro borxh të ri, ose 8 për qind e prodhimit kombëtar), për shkak të pandemisë dhe kostos së rindërtimit. Banka jonë qendrore e vlerëson objektivin e qeverisë një parashikim të arsyeshëm. Ndërkohë, ajo kërkon krijimin e një fondi kontingjence(sigurie) për përballimin e rreziqeve nga luhatjet në kurset e këmbimit dhe në normat e interesit që ndikojnë nivelin e borxhit. Nuk duhet të harrojmë se borxhi ynë publik këtë vit kap 10.2 miliardë euro. Më shumë se gjysma e tij është në valutë të huaj. Kjo na nxjerr të pambrojtur nga ndryshimet e kursit të këmbimit të euros dhe dollarit amerikan në tregjet valutore. Banka e Shqipërisë, duke përshëndetur projektbuxhetin e qeverisë për vitin 2021 si një akt që zbaton kërkesat e Ligjit Organik të Buxhetit, këshillon të tregohet kujdes me nivelin e mbledhjes së të ardhurave buxhetore vitin e ardhshëm (https://www.bankofalbania.org/Shtypi/Fjalime_intervista_artikuj/Fjalae_Zevendesguvernatores_se_Pare_Minxhozi_ne_seancen_degjimore_te_Komisionit_Parlamentar_te_Ekonomise_dhe_Financave_mbi_projektbuxhetin_2021.html). Po pse? Sepse nëse nuk vilen mjaftueshëm të ardhura për vitin e ardhshëm, të harrojmë që mund të bëjmë mjaftueshëm shpenzime për të rritur konsumin në vend, gjë që na shpëton nga qëndrimi në vendnumëro dhe na bën të rritemi ekonomikisht. Dhe te vjelja e mirë e të ardhurave, miradministrimi tatimor, sjellja e tatimorëve tanë luan një rol parësor. Vetëm për dhjetëmujorin janar-tetor 2020, Buxhetit të Shtetit i munguan 320 milionë euro të ardhura, për shkak të pandemisë. Kufizimet e pjesshme që nisën sot do të tkurrin disi aktivitetin prodhues dhe tregtar të vendit. Shpresojmë që këto kufizime të zgjasin deri në fillim të dhjetorit 2020. Qeveria ka planifikuar për vitin e ardhshëm një nivel të ardhurash 11 për qind më të lartë se çfarë pritet të marrë në këta 12 muaj. Një stekë shumë e lartë në të ardhura që shpreson të vjelë dhe, kuptohet, edhe në shpenzime, që justifikohen nga këto të ardhura. Banka qendrore vlerëson pozicionimin e qeverisë me investime kapitale të rritura(viti 2021 paraqitet me investimet publike më të lartat e dhjetë viteve të fundit) për të ndihmuar konsumin. Po ashtu edhe faktin që investimet janë më të larta se deficiti buxhetor për vitin e ardhshëm. Por ama tërheq vëmendjen që realizimi i shpenzimeve të programuara të jetë i kujdesshëm dhe të ndjekë në ritëm e në kohë nivelin e realizimit të të ardhurave. Ndryshe pirgu i 67 miliardë lekëve(540 milionë euro) i detyrimeve të grumbulluara ndaj biznesit privat do të bëhet mal edhe më i lartë. Banka e Shqipërisë vlerëson objektivin e qeverisë që financimin e deficitit buxhetor të vitit 2021 ta bëjë kryesisht në tregun e brendshëm financiar. Pra, duke u marrë hua më shumë bankave tregtare të vendit në formën e bonove të thesarit dhe obligacioneve. Nga ana tjetër, duke kërkuar më pak para nga jashtë, borxhi në monedhën kombëtare, lekun, ka vetinë që nuk ndikohet nga raporti i këmbimit të euros apo dollarit në tregjet ndërkombëtare. Banka jonë qendrore gjykon se tregjet e brendshme financiare paraqiten relativisht mikpritëse ndaj një huamarrjeje të rritur të qeverisë. Megjithatë, ajo tërheq vëmendjen se bankat e nivelit të dytë, tregu financiar i vendit mbetet i ndjeshëm ndaj shpërndarjeve jo të njëtrajtshme të huamarrjes së qeverisë gjatë vitit. Qeveria synon gjithnjë të rrisë borxhin që kërkon në tregun e brendshëm në dy-tre muajt e fundvitit. Ndërkohë, banka të veçanta tregtare vijojnë të kenë politika kufizuese për sa i përket ekspozimit ndaj borxhit shtetëror, gjë që mund të sjellë një interes më të ulët për të investuar në titujt(bonot dhe obligacionet) e qeverisë. Në këto rrethana, Banka e Shqipërisë sugjeron monitorimin e vazhdueshëm të tregjeve financiare, si dhe vazhdimin e dialogut dhe bashkëpunimit midis Qeverisë dhe bankës qendrore. Objektivat e Buxhetit 2021 dhe qëndrueshmëria e lekut shkojnë që të dyja në një drejtim, në përmirësimin e performancës ekonomike të vendit.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.