OPINION

Cinizmi dhe diversioni s’mund të jenë strategji afatgjata

08:00 - 13.11.20 Skënder Minxhozi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ideologjitë janë një rudiment i shekullit të 20-të. Këtë refren e dëgjon shpesh pas rrëzimit të Murit të Berlinit dhe rënies së “perandorisë” komuniste në fundin e viteve ‘80. Për vetë partinë ish-komuniste kjo devizë ka tingëlluar veçanërisht mikluese, aq sa klasa politike që ka marrë pushtetin pas “dinozaurëve” të socializmit, e ka pasur këtë kriter si një busull të vërtetë në ushtrimin e pushtetit.
Kemi pasur dhe kemi një parti “të djathtë” e cila shante 23 vjet komunizmin, duke pasur kryetar një anëtar të thekur të Partisë së Punës. Kemi pasur një Parti Socialiste (ish-komuniste) që ka zbatuar pikë për pikë politikat monetariste të FMN e Bankës Botërore, apo që ndërtoi gjatë qeverisjes së saj ngrehina të memories si Shtëpinë e Gjetheve apo aplikoi variante të ligjeve të lustracionit. Dy partitë mëdha, e më pas edhe LSI, kanë trafikuar mes tyre në këto 30 vite figura politike të të gjitha peshave e bindjeve politike, të cilët përfshihen në skema e kalkulime të momentit, duke tejkaluar teserat, qëndrimet publike dhe rreshtimet ideologjike.
Këto orë Edi Rama ka rekrutuar në qeveri një ish-sekretar të sipërmarrjes në Partinë Demokratike. Jo të PD-së së Berishës, nga ata që sot po krijojnë parti të reja brenda së djathtës, por një sekretar të PD-së së Lulzim Bashës dhe ndër këshilltarët e tij më të afërt.
Me këtë lëvizje të papritur, Rama ka mundësinë të qeshë me vete në një cep të skenës, teksa sheh habinë, surprizën dhe kaosin që shkakton ky akt në dy anët e gardhit politik të Tiranës. Ashtu siç ka mundësinë të japë një sinjal të kriptuar në drejtim të popullarizimit edhe më të madh të thashethemit kombëtar të qeverisë PS-PD pas 25 prillit. Një pëshpërimë acaruese që ka çuar në kulm inatet e Ilir Metës, por ka sjellë edhe pështjellim brenda vetë PD-së e militantëve të opozitës, të cilët parandiejnë një kompromis të ngjashëm me atë të Çadrës së vitit 2017. Prej nga, siç dihet, PD-ja doli si rruar qethur.
Edhe nëse shihet kështu, kjo lëvizje e Ramës mbetet e pashpjegueshme dhe e panevojshme në sytë e të dyja palëve. Të socialistëve, të cilët shohin të topitur lehtësinë me të cilën një zyrtar i lartë i opozitës ulet në poltronat e qeverisë. Por edhe të demokratëve, të cilët kuptojnë se nëse je me PD-në, por del e bën një sherr televiziv me kryetaren e LSI-së, bëhesh papritur i pranueshëm për qeverinë e kundërshtarit.
Ky ngatërrim valësh sjell amulli në vend të stabilitetit. Kjo është diçka e parashikueshme lehtësisht që tani, pasi për të pasur paqe politike e sociale afatgjatë, në vend të desantimit të demokratëve si zv.ministra në qeverinë socialiste, do të ishte më mirë një marrëveshje e hapur Rama-Basha, ku këta të fundit të ishin qoftë edhe ministra, por me tagrin dhe mandatin e partisë së tyre.
Besart Kadia është një opozitar i ri që preferoi të mos bëhet i vjetër në rrugën e nisur. Ndoshta ishte më i dobishëm dhe me influencë si opozitar ose si analist ekonomik në mediat e Tiranës, sesa si zv.ministri i një qeverie së cilës i kanë mbetur edhe katër muaj jetë, por kjo është zgjedhja e tij. Aq më tepër, kur mundësitë janë të mëdha që ky emërim i tij të ketë qenë jo fillesa e një karriere të re politike, por thjesht një diversiv nga ata që Edi Rama ka mësuar t’i luajë me mjeshtëri 20 vitet e fundit.
Cilado qoftë arsyeja, mbetet në gojë shija e hidhur e rrëzimit artificial të çdo barriere normale që duhet të ekzistojë mes dy partive më të mëdha të vendit, si bartëse të dy koncepteve parimisht të ndryshme për organizimin dhe drejtimin e punëve në këtë vend. Cinizmi dhe diversioni nuk mund të jenë strategji të vetme dhe afatgjata. Jo çdo lëvizje bëhet për hir të efektit surprizë që krijon. Përndryshe do ia vlente më mirë një numër cirku, sesa një emërim zv.ministri./ “Javanews.al”




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.