OPINION

250 ditët e COVID-19

08:59 - 16.11.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Që nga 9 marsi, e hënë, ditë kur që në mëngjes, papritur, rrufe në qiell të pastër, u mbyllën me urgjencë shkollat, e deri dje, janë mbushur plot 250 ditë nën efektin COVID-19.
Ndërsa më 2 mars Kryerilindësi tallej me ‘atë farë koronavirusi dhe njerëzit që kërkonin maska’, pak ditë më pas zbatoi izolimin më të sertë, me masa të rrepta, një pjesë e nevojshme, por disa absurde deri në grotesk, si dalja e ushtrisë në rrugë me autoblinda e mitraloza.
Gjithsesi, në fazën e parë, mbyllja në kohë e kufijve dhe kufizimi i disa aktiviteteve ekonomike e shoqërore me rrezik të lartë shmangën goditjen e vendit tonë nga vala e parë e COVID-19 – ndryshe nga disa vende europiane që u goditën rëndë për fare pak vonesë në reagim – duke na vendosur kështu në grupin e vendeve të kontinentit tonë me përhapje më të vogël të sëmundjes e dëme njerëzore më të pakta prej saj, por edhe me kosto më të lartë ekonomike gjithashtu.
Me ardhjen e verës, vendet e kontinentit europian zbutën gradualisht kufizimet, deri në hapje të plotë. Edhe Shqipëria. Por, ndërsa shumica e vendeve përmirësoi treguesit COVID-19 – rënie e rasteve të reja dhe vdekjeve – Shqipëria shkoi në drejtimin e kundërt. Gjatë tre muajve verorë e deri në fund të shtatorit u radhitëm tek 7-8 vendet e kontinentit me shkallën më të lartë të përkeqësimit për këtë periudhë.
Kështu, më 16 qershor, në ditën e 100-të të COVID-19, për 1 milion banorë kishim 580 të prekur, 13 të vdekur, 197 të sëmurë aktivë, 370 të shëruar, ndërsa më 24 shtator, në ditën e 200-të të COVID-19, për 1 milion banorë kishim 4,486 të prekur, 128 të vdekur, 1,844 aktivë, 2,514 të shëruar. Rreth 7-fishim i të prekurve, 10-fishim i të vdekurve, mbi 5-fishim i të sëmurëve aktivë.
Sa për krahasim ilustrues, të njëjtit tregues në 16 qershor, Greqia i kishte 302 të prekur, 18 të vdekur, 153 aktivë, 131 të shëruar, ndërsa Gjermania 2,247 të prekur, 106 të vdekur, 76 aktivë, 2,065 të shëruar. Më 24 shtator, këta tregues Greqia i kishte: 1,597 të prekur, 35 të vdekur, 602 aktivë, 960 të shëruar, ndërsa Gjermania i kishte: 3,355 të prekur, 114 të vdekur, 266 aktivë, 2,975 të shëruar.
Siç shihet, në raport me Greqinë, të dyja vendet nuk u sëmurën në pranverë; Shqipëria u sëmur në verë, Greqia shumë më pak, ndonëse njësoj u hapën, Greqia mjaft më shumë edhe për shkak të turizmit. Në raport me Gjermaninë, ndërsa ajo u sëmur në pranverë e Shqipëria jo, në verë ajo u shërua e Shqipëria u sëmur. E, ndërsa pa filluar vera Shqipëria ishte tek 5-6 vendet e kontinentit me numrin më të ulët të vdekjeve për 1 milion banorë, në fund të shtatorit Shqipërinë e lënë prapa 27 vende të kontinentit, me tregues më të ulët të vdekjeve për 1 milion banorë.
Siç ishte parashikuar se do të ndodhte, tashmë në vjeshtë pjesa më e madhe e vendeve të kontinentit europian është përfshirë nga një valë e dytë dhe e fortë e COVID-19. Treguesit e përhapjes së sëmundjes dhe të vdekjeve prej saj u rritën me shpejtësi, e në disa vende duken po aq të larta, në mos më të larta, se ato të shkurt-mars-prillit.
Për arsye të kuptueshme klime e që si rregull, sa më në veri a thellësi të kontinentit, aq më të lartë shfaqen treguesit dhe përkeqësimi, sa më në jug e sa më pranë Mesdheut, aq më pak përkeqësimi. Këto ditë është njoftuar për një mutacion të koronavirusit, me origjinë Spanjën, që mund të jetë një tjetër faktor shtesë i rritjes së treguesve në disa nga vendet e kontinentit me më shumë qarkullim njerëzisht me këtë vend. Mundet që edhe lodhja nga izolimi e kufizimet apo nevoja për të mbajtur në lëvizje ekonominë kanë bërë të vetën. Belgjika, Anglia, Spanja, Italia, Franca e disa vende të tjera po shfaqin rritje e përhapje shumë të lartë dhe po detyrohen të rizbatojnë masa izoluese.
Pak nga pak, në këtë valë të dytë po përfshihen të gjitha vendet e kontinentit. Ende të prekura lehtë kanë mbetur shumë pak vende, si p.sh. Gjermania, Finlanda, Norvegjia, Irlanda, Islanda, Estonia, Letonia, Malta e ndonjë tjetër. A do goditen më rëndë edhe këto nga kjo valë e dytë apo do rezistojnë, kjo mbetet për t’u parë.
Shqipëria vijon përkeqësimin e nisur që në verë, jo me ritme aq të larta sa vendet e grupit të parë, por shumë më keq se vendet e grupit të dytë, ndonëse jemi vend mesdhetar e me klimë të butë si dhe/ose relativisht më të izoluar edhe gjatë vjeshtës nga flukset turistike, të punës e biznesit.
Më 14 nëntor, pas 250 ditëve COVID-19, treguesit e Shqipërisë për 1 milion banorë janë: 9,467 të prekur, 213 të vdekur, 4,816 aktivë, 4,438 të shëruar. Pas 50 ditësh nga dita e 200-të, gjithnjë sipas treguesve qeveritarë, përhapja e sëmundjes është mbi 2-fishuar, të vdekurit janë thuajse dyfishuar, të sëmurët aktivë janë thuajse 3-fishuar e janë tashmë më të shumtë se të shëruarit, duke rritur çdo ditë diferencën me këto të fundit, e që premton përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.
Sa për krahasim, Greqia këta tregues për 1 milion banorë i ka: 6,969 të prekur, 99 të vdekur, 5910 aktivë, 960 të shëruar. Gjermania këta tregues i ka: 9,323 të prekur, 150 të vdekur, 3,293 aktivë dhe 5,879 të shëruar. Pra, Greqia ka më pak të prekur e shumë më pak të vdekur se Shqipëria; Gjermania thuajse po aq të prekur sa Shqipëria, por goxha më pak të vdekur.
Treguesit e vërtetë të Shqipërisë me gjasa janë mjaft më keq se ç’tregojnë shifrat e Qeverisë. Për definicion, të sëmurët ndahen në të konfirmuar e të dyshuar me COVID-19. Të dyshuar janë ata që, ndonëse duket qartë se janë prekur nga COVID-19, përfshirë të shtruarit në spitalet COVID, për shkak se testi fillestar u ka dalë negativ nuk numërohen si me COVID as edhe kur vdesin për këtë shkak në spitalet COVID. Gjatë gushtit, të dyshuarit me COVID janë përmendur në raportet e Ministrisë se Shëndetësisë pa dhënë asnjë shifër, ndërsa ka ca kohë që nuk përmenden asfare.
Gjithashtu, vijimi me kokëfortësi i politikës së kryerjes së numrit minimal të testeve pakëson artificialisht numrin e të prekurve, të të sëmurëve aktivë dhe vdekjeve që mund të kenë ardhur nga COVID-19, duke dhënë një pamje të deformuar të situatës, duke penguar edhe vetëreagimin e përshtatshëm të individëve, edhe mirëmenaxhimin e situatës, qoftë nga strukturat shtetërore, qoftë nga strukturat shoqërore dhe ekonomike./ “SYRI.net”





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.