OPINION

Marrëzia e domosdoshme e një buxheti

09:37 - 17.11.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dje Kuvendi miratoi Buxhetin e Shtetit për vitin 2021. Që ky Buxhet do të ishte i jashtëzakonshëm, për shkak të situatës së pashoqe ku ndodhemi, kjo pritej. Por jo që të guxonte kaq shumë. Ngaqë nuk ka aspak jorgan ku të shtrijë këmbët, për të rritur shpenzimet. Me një borxh publik 10 miliardë euro(nga 350 euro për banor), me 112 milionë euro të domosdoshme për t’u paguar për 37 koncesionet dhe partneritetet publike-private të vjetra dhe të reja, me 226 milionë eurot e rindërtimit, Buxheti i ngjan një dose me 10 cica që duhet të ushqejë 30 gica të vegjël. Kujt t’i japë qumësht-para më parë! Megjithatë, arrin të gjejë mundësinë për t’u dhënë 9.7 milionë euro rimbursim me dhjetëra mijëra qytetarëve që do të shpenzojnë ilaçe pafund për t’u mjekuar në shtëpi nga koronavirusi. Arrin të gjejë 4.7 milionë euro për të paguar 970 naftëtarë dhe naftëtare që të qëndrojnë për një vit në shtëpi, nëse Rafineria e Ballshit nuk ndizet. Arrin të gjejë 20 milionë euro më shumë për të mbështetur njerëzit në nevojë, duke qenë se pandemia e ka rritur ndoshta me shumëfisha varfërinë në vend. Këto janë shtesat e fundit të shpenzimeve për të përballuar këtë situatë, që edhe pa ato ishin të jashtëzakonshme. Me 7 milionë euro çmim i ulur i naftës pa taksa për 87 mijë bujq dhe fermerë, me 33 milionë euro më pak të ardhura nga rritja e pragut të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për sipërmarrësit e vegjël me xhiro nga deri tek 2 milionë lekë të reja në vit në 10 milionë lekë të reja, me 36 milionë euro shtesë pagash për 5 mijë e 660 mjekë dhe 12 mijë infermierë, me 14 milionë euro shtesë pagash për 35 mijë arsimtarë të arsimit parauniversitar. Ky Buxhet po rrit shpenzimet dhe pagat sikur të kishim një vit me reshje në çdo ditë të vitit 2021 dhe me eksport energjie elektrike prej 250 milionë eurosh! Në të vërtetë, duke përjashtuar pak ditë në shtator që ra shi, kemi 8 muaj thatësirë të stërzgjatur për një vend që siguron 90 për qind të energjisë elektrike nga hidrocentralet. Kemi 6 muaj turizëm të rrënuar nga pandemia, për një vend që nga industria turistike dhe aktivitetet e tjera të lidhura me të siguron gati një të katërtën e prodhimit kombëtar. Në këtë gjendje jemi. E megjithatë, qeveria gjen kurajën dhe forcat të planifikojë për vitin tjetër të paguajë të 37 koncesionet dhe PPP-të, të parashikojë investimet publike më të mëdha të dhjetë viteve të fundit, duke dhënë gati një çerek miliardë euro për rindërtimin. Është marrosur kjo qeveri? Ndoshta. Por nyja gordiane që kemi duhet këputur. Dhe këputja, sprova me fatin për t’u rritur ekonomikisht fort vitin e ardhshëm vjen nga rritja e konsumit. Është e vetmja kamerdare shpëtimi, e cila duhet fryrë dhe hedhur në detin plot dallgë vrastare të pandemisë. Me shpresë se në muajt dhjetor 2020-janar 2021, derisa të vijnë vaksinat e para, të mos të jemi të detyruar të mbyllim 100 për qind ekonominë. Që do të ishte një vetëvrasje e pastër. Duket absurde, por qeveria e ka të domosdoshme të “marroset”, të guxojë përtej arsyes, të rrisë pagat dhe shpenzimet e tjera në periudhën e krizës më të errët për ekonominë tonë dhe të të gjithë planetit në këto 98 vitet e fundit. Ja përse Komisioni për Ekonominë i Kuvendit guxon edhe ai të rrisë me 30 milionë euro Buxhetin e Shtetit në shpenzime shëndetësore shtesë, veprim që nuk e ka bërë kurrë në këto 30 vite funksionim të Kuvendit në demokraci. A duhet ta besojmë këtë qeveri të marrosur? Nuk e di. Di vetëm se në situata të pashoqe duhet një guxim i pashoq. Këtë kjo qeveri po e tregon, por nuk dihet si do t’i dalë, pse koronavirusi qëndron përtej derës së Kuvendit me sëpatën e fatit në dorë. Në rast se nuk mbyllemi edhe njëherë tërësisht, edhe mund t’ia dalim. Kjo lojë me fatin edhe mund të funksionojë, po të luajmë të tërë si një ekip i vetëm. Mirëpo nga politika jonë, lojë të ndershme dhe angazhim tërësor përballë cunamit të dytë të COVID-19 nuk mund të presim. Ngelet vetëm përgjegjshmëria me pak dell të marri e qeverisë, në rolin e një kapiteni vapori, të cilit po i fut ujë anija nga të gjitha anët, por që urojmë me shpirt të mos i mbytet në ngushticën e tmerrshme të dimrit të thatë 2020-2021, të mbarsur me virusin më vrasës që ka parë historia e njerëzimit, pas Gripit Spanjoll të vitit 1918.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.