Kryesore

Meta vlerëson me titullin “Mjeshtër i Madh” gazetarin Engjëll Ndocaj: U rrit dhe u formua në këtë armatë

18:15 - 05.02.21 Gazeta Shqiptare

 Gazetari televiziv dhe skenaristi i mirënjohur Engjëll Ndocaj është dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë, me Titullin “Mjeshtër i Madh”.



Motivacioni i këtij titulli ishte; “Në vlerësim të veprës, punës unike dhe përkushtimit të lartë profesional si gazetar dhe skenarist televiziv, të shpalosura me një mjeshtri të spikatur gjatë katër dekadave në një sërë dokumentarësh të paharrueshëm. Me mirënjohje për kontributin e çmuar në dokumentimin, vlerësimin dhe lartësimin e figurave dhe ngjarjeve historike të kombit shqiptar në botë”.

Gjatë fjalës së tij, kreu i shtetit renditi disa nga kontributet ndër vite të Ndocajt. “Të nderuar miq, është kënaqësi të jemi sot së bashku për të vlerësuar një nga gazetarët më të shquar, por edhe më jetëgjatë të Televizioni Shqiptar, zotin Engjëll Ndocaj.
Vlerësimi për të është njëkohësisht respekt e vlerësim për TVSH-në, median e parë elektronike në vendin tonë, një institucion që për 60 vjet, ka formuar një armatë gazetarësh, krijuesish, realizuesish, por dhe specialistësh të teknikës moderne televizive.

Një prej tyre, që u rrit dhe u formua në këtë armatë, është edhe gazetari i shquar Engjëll Ndocaj, ndër më të njohurit dhe më të dashurit për publikun.
40 vjet më parë zoti Ndocaj u emërua në TVSH redaktor i Emisioneve për Rininë, ku shpejt ra në sy prirja dhe talenti i tij në fushën e gazetarisë.
Për 17 vite së bashku me kolegët e tjerë, solli në ekran brezin më të ri të Shqipërisë. Me emisionet e tij ishte i pranishëm në çdo kënd të vendit, duke i bërë të rinjtë të ndiheshin edhe më të lirë e të shikonin të ardhmen mundësisht, jashtë kornizave të ideologjisë sunduese të kohës.

I pranishëm në Lëvizjen Studentore, me kronika dhe reportazhe, që në ditët e para të 1990-ës, pjesëmarrës në Takimin Historik të Studentëve në Pallatin e Brigadave, e më pas, dëshmitar dhe pasqyrues i gjithë proceseve demokratike, z.Engjëll Ndocaj u bë edhe më i afërt dhe i dashur për publikun.
Në çdo kohë serioz, korrekt, kërkues ndaj vetes dhe kolegëve, komunikues me të gjithë, një profesionist i vërtetë në gazetarinë televizive.
Eksperienca e marrë ndër vite bëri që zoti Ndocaj të mendonte më larg, duke u bërë ideator e skenarist i disa emisioneve.

Megjithatë, fusha e tij më e preferuar u bë dokumentari, që e nisi më 1983. Ai provoi më sukses të realizojë në këtë gjini, duke qenë vetë operator dhe gazetar, në Algjeri dhe në Francë.
Ndërkohë që, në Festivalin Botëror të Filmit në Gjermani, 3 dokumentarë ku ai është skenarist u vlerësuan me çmime. Në jetën e tij ka edhe një ngjarje të veçantë. Gjatë vitit të mbrapshtë 1997, kryen detyrën e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Gruas në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar. Pas kësaj eksperience, rikthehet në TVSH, tashmë jo vetëm gazetar, por edhe drejtor i Departamentit të Kulturës, por pa u larguar nga krijimtaria edhe si regjisor. Kështu, në vitin 2005 kishte arkivuar 100 dokumentarë, që dallohen për tematikën e gjerë dhe nivelin artistik. Në të gjitha detyrat e kryera ndër vite, zoti Engjëll Ndocaj është dalluar për aftësitë e tij organizative, si në krijimtari ashtu edhe në prodhim, duke përballuar çdo situatë, nga veprimtaritë politike e deri tek ato sportive.

Po ashtu, zoti Ndocaj ka dhënë një kontribut të madh në afrimin dhe bashkëpunimin mes televizioneve të rajonit, si dhe për promovimin e diasporës sonë, nëpërmjet realizimit të filmave dokumentarë.
40 vite në TVSH nuk janë pak, por mbi të gjitha ato kanë sjellë shumë vlera. Vitin e kaluar, zoti Ndocaj doli në pension, por vazhdon të mbetet skenarist dhe regjisor aktiv i ekranit.
Vijon të prodhojë dhe nuk është për t’u habitur që këto ditë, po xhiron edhe dokumentarin e tij të 181-të, duke u bërë modeli i krijuesit, jo vetëm në sasi, por mbi të gjitha në përmbajtje dhe cilësi artistike. Urojmë që zotin Ndocaj ta kemi në ekran sa më gjatë dhe me vepra të tjera të reja!
Në vlerësim të punës së tij të jashtëzakonshme, si gazetar dhe skenarist televiziv dhe në mirënjohje të kontributit të çmuar, në realizimin e një sërë dokumentarësh, kam kënaqësinë të vlerësoj sot në praninë tuaj, z.Engjëll Ndocaj me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’.”, tha Meta.

Ndërkohë, që ai postoi edhe një mesazh në rrjetet sociale ku shkruante se; “Engjëll Ndocaj është një nga gazetarët më të shquar të Televizionit Publik Shqiptar. Falë kontributit të pareshtur të dhënë në katër dekada, për informimin dhe modernizimin cilësor të gazetarisë televizive, ai vlerësohet nga të gjithë, veçanërisht për krijimin e qindra dokumentarëve, të dalluara për tematikën e gjerë dhe nivelin e lartë artistik. I pranishëm në Lëvizjen Studentore, me kronika dhe reportazhe, pjesëmarrës në Takimin Historik të Studentëve në Pallatin e Brigadave, e më pas, dëshmitar dhe pasqyrues i proceseve demokratike, Engjëll Ndocaj u bë më i afërt dhe i dashur për publikun. Në vlerësim të punës dhe kontributit të tij të jashtëzakonshëm, si gazetar e skenarist i mirënjohur televiziv, pata sot kënaqësinë t’i akordoja Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’. Vlerësimi për të është njëkohësisht shprehje e vlerësimit për TVSH-në, median e parë elektronike në vendin tonë, një institucion që për 60 vjet, ka formuar një armatë gazetarësh, krijuesish, realizuesish, por dhe specialistësh të teknikës moderne televizive, për të cilët krenohemi dhe gëzojmë respektin më të madh. ”.

 

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.