Kryesore

Pandemia/ Punonjësit e vijës së parë të “frontit”, si e përballojnë mjekët, infermierët, mësuesit dhe psikologët luftën me “armikun e padukshëm”

19:39 - 24.02.21 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në hyrje të çdo shkolle në Tiranë, nxënësit presin në rradhë para se të hyjnë brenda në klasa. Një person mat temperaturën e secilit dhe nëse ka diçka shqetësuese ai sinjalizon mësuesin përkatës i cili kontakton prindërit e fëmijës.




Këto masa specifike janë kthyer në rutinë tashmë, jo vetëm në kryeqytetin e Shqipërisë, por edhe në qytete të tjera. Pandemia e COVID-19 që “trokiti” në vend në mars të 2020 diktoi kushte të reja të mësimit të fëmijëve.

Një pjesë e tyre e ndjek mësimin “on-line” nga shtëpia, ndërsa të tjerët janë ndarë me turne dhe rrinë në shkolla me kohë të kufizuar 2 deri në 3 orë.

Kushtet e reja të sigurisë që dikton protokolli anti-COVID kanë sjellë një realitet të ri për nxënësit. Shqetësimit për prekjen nga virusi i shtohet ai për cilësinë e nxënies së fëmijëve në këto kushte jo normale.

Drejtoresha e shkollës 9-vjeçare “4 Dëshmorët” në Tiranë, Mamica Çano Kaçi thotë se trajnimet paraprake për mësimin on-line, i kanë ndihmuar profesionistët e sistemit arsimor për t’iu përshtatur kushteve të reja.

Ndarja e klasave në turne, ka sjellë orë të zgjatura pune për mësuesit. Gjithashtu, vështirësitë që sjell mungesa e komunikimit të drejtpërdrejtë, bën që të rritet nevoja për përqëndrimin e nevojshëm si nga mësuesit, ashtu edhe nga nxënësit.

“Fëmijëve të familjeve me pamundësi ekonomike iu dhuruan ‘smartphone’ që të kishin mundësi komunikimi me mësuesit dhe fëmijët e tjerë.

Në fillim, mësuesit e nisën mësimin on-line në mënyrë të thjeshtë duke xhiruar veten e tyre. Më pas, u instalua platforma ‘Google Clasroom’ dhe secila klasë komunikonte nëpërmjet kësaj platforme. Kishte vështirësi, kjo është e kuptueshme”, thotë drejtoresha e shkollës “4 Dëshmorët” në Tiranë, Mamica Çano Kaçi.

Më 20 shkurt, rastet e konfirmuara pozitive të të prekurve me COVID-19 kaluan shifrën 100 mijë.

Në Shqipëri vaksinimi anti-COVID filloi në muajin shkurt. Personeli shëndetësor ishte i pari që e mori vaksinën “Pfizer-BioNTech”. Që nga nisja e pandemisë, 30 mjekë dhe anëtarë të tjerë të personelit shëndetësor kanë humbur jetën nga COVID-19.

Për shkak të karaterit të punës, “bluzat e bardha” janë më të rrezikuarit nga kjo situatë.

Mjeku infeksionist Gentian Stroni thotë për “Gazetën Shqiptare” se si shumë kolegë të tjerë, ai nuk mendonte se shpërndarja e pandemisë do të ishte aq e shpejtë nga Kina në Europë.

“Fillimi ishte i vështirë. Kemi qenë me ankthin që në çdo moment mund të shkoje në familje dhe të çoje një problematikë që mund të të vriste në ndërgjegje. Shumë kolegë e patën këtë fat të keq. Por, kjo gjithashtu na shërben për të qenë të ndërgjegjësuar për rrezikun e kësaj situate”, thotë Stroni.

Ai parashikon se së paku infeksionistët dhe pneumologët do ta vazhdojnë “luftën” me virusin për një kohë të gjatë.

“COVID-i nuk do ikë shumë shpejt. Ajo është një sëmundje që do të bashkëjetojë me në. Por, vaksinimi do bëjë punën e vet dhe terapia gjithashtu do të përmirësohet. COVID-i do jetë sikurse është grupi i zakonshëm. Do kemi situata të përvitshme ndoshta”, shpjegon mjeku.

Shqipëria, njësoj si vende të tjera të Ballkanit, po përballet kohët e fundit me problemin e emigrimit të profesionistëve të shëndetësisë për në perëndim të Europës.

Ndaj, kontributi i secilit është i domosdoshëm në kohë pandemie.

Megjithatë, këto probleme nuk e penguan një pjesë të stafit shëndetësor të ndërmarrë në mars një akt të vërtetë solidariteti.

Në fund të muajit mars 30 mjekë dhe infermierë nga Shqipëria fluturuan në Itali për të ndihmuar kolegët e tyre përtej Adriatikut. Asokohe Italia gjendej nën shok, për shkak të numrit të lartë të viktimave dhe personave të infektuar.

Infermieri Korab Gjana ishte njëri prej këtyre 30 profesionistëve të shëndetësisë të cilët qëndruan mbi një muaj në Itali.

“Ka qenë realisht një frikë shumë e madhe sepse ishte një realitet ndryshe dhe ishte një sëmundje që nuk ishte hasur më parë”, rrëfen Korab Gjana.

Ai tregon se gjatë punës së tij ka hasur në situata të jashtëzakonshme.

“Këto 8 muaj kanë qenë të vështira, shumë pak kam fjetur gjumë duke menduar për veten, familjen dhe gjithë të tjerët. Jam përpjekur të tregohem sa më i kujdesshëm në distancë, për të mos rrezikuar familjarët dhe këdo tjetër”, tregon Gjana.

Ndryshimet drastike në mënyrën e jetës si pasojë e COVID-19, tek shumë njerëz po tregojnë gjithnjë e më shpesh me çrregullime të shëndetit mendor.

Psikologia Lorena Garuli tregon për “Gazetën Shqiptare” vështirësitë në përballimin e situatës së re.

“Gjatë punës sonë jemi përpjekur të respektojmë kushtet dhe protokollet që dikton pandemia. Në rastin tonë, pra të psikologëve është më e vështirë mbajtja e maskës sepse duke qenë se trajtimi dhe biseda bazohet në komunikim, është pak joterapeutike të flasim me maskë. Por, jemi përpjekur të ruajmë distancat ose shumë raste janë ndjekur on-line”, tregon Garuli.

Ajo pranon se kohët e fundit është shtuar kërkesa për psikologë.

“Teleterapia ose terapia on-line është efektive, por në fillim mund të duhet pak më shumë kohë për të ndërtuar aleancën terapeutike, sepse në ekran ti sheh fytyrën e individit, por nuk sheh gjestet etj”, shpjegon ajo.

Përgatiti: Voltiza Duro, E.M.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.