KULTURË

Filmi Austriak i 1984 për Hoxhën/ Lendvai: Aleks Buda i sofistikuar, Lubonja: Buda duhet kritikuar jo nderuar

12:09 - 25.02.21 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Fatmira Nikolli

Si fëmijë, ai kishte parë mbretin Zog me mbretëreshën Geraldinë në Budapest. Që prej asaj kohe, në mendjen e tij, ishte krijuar një imazh i vagullt mbi Shqipërinë.  Prej kur ishte fëmijë ishte bërë kurioz ndaj si i rritur dhe si profesor, gjeti një mënyrë për të ardhur në vendin e izoluar nga bota. Në Tiranën e vitit 1984 mbërrin nga Austria profesor Paul Lendvai. Me premtimin se do të bënte një dokumentar ku do ta krahasonte Enver Hoxhën me Skënderbeun, atij i jepet leja që të xhirojë kudo në Shqipëri për 21 ditë. Më shumë se tri dekada më vonë filmi u shfaq gjatë “Ditëve të Kujtesës” organizuar nga IDMC, ndërsa përkthyesi Sokol Mici, që e shoqëroi, kujton:

“Lendvai ju kishte thënë autoriteteve që do bëj një film të çmenden serbët. Ata i dhanë leje dhe ai ishte shumë më i lirë se gazetarët e tjerë për të xhiruar”- thotë Mici.

Sipas tij, partia komuniste donte ta shfaqte dokumentarin kudo nëpër Shqipëri.

Në të kundërt Paul Lendvai udhëtoi kudo në Shqipëri për të treguar radhën e qytetarëve për të blerë ushqime, dyqanin e mishit të mbyllur, vendin të mbushur me statutja të Leninit, Stalinit e Enver Hoxhës duke denoncuar hapur propagandën dhe ngritjen e Hoxhës në pushtet.

“Kur përktheva filmin për udhëheqjen, dhe panë që filmi nuk ishte ashtu siç Lendvai e kishte premtuar, u zunë. Debati u bë kush ia kishte dhënë lejen e lirinë atij për të parë e xhiruar kaq shumë”, thotë Mici.  Ai tregon një rast, kur profesori që njihte mirë sistemet e Europës Lindore arriti të dilte jashtë skenarit të autoriteteve komuniste.

“Për të gjitha vizitat e kësaj natyre kishte një program që ndiqej. Lendvai nuk e ndoqi. Një rast e kishim lënë që do xhirohej një dyqan mishi. Ai shkoi te dyqani i mishit pa shoqërues dhe pa që shitësja nuk e kishte nisur shitjen pa shkuar grupi i xhirimit. Njerëzit ishin në radhë e po ankoheshin. Ai kuptoi çdo gjë, që shteti nuk arrinte të furnizonte me ushqim qytetarët e vet, që socializmi kishte dështuar”, tregon Mici.

Filmi i Paul Lendvai hedh dritë mbi qasjen që shteti komunist kishte me të huajt dhe propagandën me të cilën ushqente qytetarët e vet, në mungesë të mallrave ushqimore, duke bërë thirrje për ndërgjegjësim mbi aftësitë e pushtetit për të manipuluar në çdo kohë.

ANALIZA

Jonila Godole, drejtuese e IDMC e sheh dokumentarin si një prej materialeve që dëshmon fundin e regjimit komunist dhe dokumenton propagandën që falë ngulmimit të Paul Lendvai arrin të zbërthehet duke qenë se ai e njihte mirë Lindjen dhe sistemet komuniste.

Ambasadori Austriak Christian Steiner tha se në Austri u deshën 5 dekada për të themeluar kulturën e kujtesës pas asaj që ndodhi deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. “Na u desh shumë kohë për të kuptuar çfarë kishte ndodhur. Vetëm më 1991 u kuptua dhimbja që kishte kaluar. Në emër të Republikës, më 1993 u kërkua falje viktimave që ju shkaktua dhimbje nga austriakët. Që atëherë është punuar për kthimin e pronës”, tha ai.  Sipas Ambasadorit, në Shqipëri sapo u shënua 30-vjetori i rënies së shtatores së Enver Hoxhës në sheshin Skënderbej. “Komunizmi këtu është një epokë që ende nuk ka pasur vëmendjen e duhur të studiuesve në universitete e institucione,  siç tha Oliver Schmitt në fjalën hapëse. Jam i kënaqur që kam takuar Paul Lendvain dhe jam i lutur që po shfaqet dokumentari i tij”, shtoi ai.

4f627394-78a5-42a3-805f-47832bf32f4c 59ae7809-1b7a-4f04-8c31-9a13c1b198d7 ae7d5b4a-93cc-4673-b27f-6248bf44c182 e49d76d4-4906-4705-8291-d717a85a8b43 edc209cf-0ac1-4230-9e19-53a4fb3f960a
<
>

RRËFIMI I AUTORIT

Vetë Lendvai, tregoi se kishte një marrëveshje mes televizionit austriak ORF dhe RTSH për bashkëpunime. Lendvai erdhi që të xhironte në bazë të kësaj marrëveshjeje.

“Marrëveshja ishte një pretekst që të më lejohej të xhiroja. Na shoqëruan tre veta dhe çdo xhirim ishte kontrolluar, edhe nga një regjisor i RTSH. Një prej tyre na tha që duhej të ndalonim sepse nuk lejohej të xhiroheshin, gjëra të tilla që tregonin që Shqipëria është vend i pazhvilluar, ju thamë që të nesërmen do iknim. Ishim shumë kuriozë për ato që shihnim”, tha Lendvai.

Ai kujtoi se Mehmet Shehu nuk ishte më  dhe se ai më pas u fut në listën e zezë. “Ne mundëm të kapnim rradhën e njerëzve që prisnin për të blerë mish, vetëm se arritëm para grupit shqiptar. Ditën që unë prezantova librin që shkrova mbi vizitën time në Shqipëri, Enver Hoxha vdiq. Ka pasur kritika të mira për librin dhe për filmin sepse nuk kishte informacion për Shqipërinë. Aleks Buda ishte i ditur dhe ishte shumë më i sofistikuar edhe pse duhej të ishte me propagandën”, tha Lendvai.

Si fëmijë tha ai, që kishte parë Ahmet Zogun me gruan e tij hungareze në Budapest dhe nga kjo nisi interesi i tij për Shqipërinë. “Nuk jam lejuar të takoj kundërshtarë të regjimit. Ne ndiqeshim këmba-këmbës, kudo që shkonim, edhe në darkë. Nuk kishte asnjë mundësi që të flisnim me asnjë njeri. Ata që na shoqëronin, ishin po ashtu në vëzhgim. Ishte e pamundur. Ajo që doja të tregoja të dokumentar ishte se Shqipëria ishte si një muze i së shkuarës me statujat për Stalinin”.

Sipas Fatos Lubonjës, një mbresë i lë titulli, sepse një problem i historiografisë është narrrativa mbi heroizmin e popullit ndër shekuj.

“Uniteti i popullit përreth Skënderbeut është  konstruksion komunist për të treguar unitetin e popullit rreth Hoxhës. Problemet që ka krijuar ai sistem nuk janë vetëm burgjet, por edhe kjo trashëgimi që është dominante. Aleks Budën e gjen në Universitet përkrah Eqrem Çabejt. Kjo narrativë ka bërë që shqiptarët të jetojnë mes lavdisë së botës së propagandës dhe  botës reale. Kjo narrativë vijon dhe sot, sepse këta autorë nderohen edhe sot, në vend që të kritikohen. Është e lidhur narrativa me atë që jemi.

“Në dokumentar mungon një detaj. Në ato filmime shfaqen edhe vepra industriale, një pjesë e mirë janë ndërtuar nga të burgosurit politikë. Është një dokumnetar që vlen sepse demonton propagandën”, – tha Lubonja. Në vijim, Godole tha se elitat nuk ndryshuan as qasja ndaj tyre, për çka Lubonja tha se narrativa është e njëjta, sepse Shqipëria është ende e izoluar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.