KULTURË

ARBEN BAJO/ Nderohet si “Mjeshtër i Madh” Rodini shqiptar, Gaz Leka e Timo Flloko: Rekuiem për një mik

11:27 - 03.03.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Skulptori i njohur Arben Bajo, i cili humbi jetën disa muaj më parë për shkak të Covid 19 është nderuar nga presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i madh”, pas vdekjes.
Humbja e tij e parakohshme, preku shumë miq e të njohur, që ruanin prej tij, kujtimin e një urtësie të veçantë dhe të një talenti në kulmin e vet.
Një prej rrëfimeve më prekëse për të, do ta jepte aktori Timo Flloko, i cili në një rekuiem për një mik, do të shprej në një intervistë se “Covid-19 më lidh dhe me një moment tragjik, me humbjen e një miku dhe skulptori të madh, Arben Bajo, i cili pesë ditë para se të vdiste punonte në studio portretin tim, portret të cilin pas vdekjes e mora nga studioja dhe e derdha në bronz si një kujtim të paharrueshëm”. Flloko dhe Arben Bajon qenë njohur herët. Bajo, ishte pedagog në Akademinë e Arteve dhe boshi që la me ikjen e parakohshme ishte tronditës. “Nuk jam shprehur kurrë për të pas vdekjes së tij. Vdekja e tij ishte tragjike dhe më ra plumb e rëndë. Iku për më pak se dy javë… ishte e paimagjinueshme. Nje artist i madh. Një Roden shqiptar për nga finesa, fuqia e shprehjes, karakteret që ai ka realizuar në artin e tij. Jetoi shumë pak, 52 vjeç”, shprehej Flloko për ExLibrin. Për të, nëse Bajo do të kishte jetuar më gjatë, do të ishte në lartësinë e skulptorëve më të mëdhenj shqiptarë, që nga Paskali, Paço e deri te Thoma Thomai. “Me aq sa e kuptoj unë artin figurativ mund të ishte skulptori më i madh shqiptar i të gjitha kohërave. Humba një mik të vërtetë. Kishte njohje më të madhe se unë për kinemanë. Më befasonte me emrat e aktorëve, me librat që lexonte. Një figurë poliedrike, djalë i rrallë dhe një shpirt i butë e i pakrahasueshëm. ‘Mjerë kush ia shpërfill fuqinë të pambrojturit…’ është në sensin se njerëzimi është më i fortë se çdo virus, pra është si një protestë, përballje. Poezia mbetet një homazh për të gjithë të ikurit dhe për vullnetin e njeriut që bëhet fli në emër të jetës”, thoshte Flloko, duke kujtuar burrin që iku në heshtje, burrin që jetoi në heshtje, por duke lënë pas një pasuri të madhe në art, ndonëse ikja e tij, e tkurr pasurinë që ai mund t’i kishte dhënë jetë. Me rastin e nderimit të Bajos, me titullin “Mjeshtër i madh”, GSH sjell këtë vlerësim të Fllokos, dhe fjalën që mbajti në presidencë, profesor Gazmend Leka. Dy miq që nderojnë mikun e humbur!




Nga prof.Gazmend Leka*

Ju falenderoj nga zemra, që na keni ftuar të jemi dëshmitarë, në një ngjarje të rëndësishme për artin shqiptar!
Sot, ju po vlerësoni e po nderoni, skulptorin Arben Bajo, njërin prej artistëve më të mëdhenj, i cili ka lënë një gjurmë të pashlyer në memorjen e kombit tonë. Familja e tij, sikurse ne, miqtë e kolegët, ndjehemi të plotësuar tek shohim, që shteti shqiptar, përfaqësuar nga ju, e shenjon artistin, si pasuri të patundëshme për vendin, në nivelin e një aseti kombëtar!
I tillë ishte dhe do të mbetet Arben Bajo!
Do ta thërras Beni, sikurse e kam thirrur tërë jetën, që nga koha, kur e veçova mes studentësh, e deri në ditët e tij të fundit mes nesh. Kur i thërras Beni, më duket sikur e kam pranë, e ku asgjë nuk ka ndryshuar.
Nëse dikush do të më pyeste, se cila do të ishte dëshira ime më e thellë, sot e kurdoherë, do t’i përgjigjesha pa hezitim…” Do dëshiroja që Beni të kthehej! ”. Të ishte sot mes nesh, e ta gëzonte vlerësimin që po i bëhet, nga pragu më i lartë i shtetit!
U largua shpejt dhe pati kohë të shkurter në gjallje, por do ta ketë të pafundme në ringjallje. Do të ringjallet në memorjen tonë, në memorjen e gjithësejcilit!

Portret i skulptorit Arben Bajo, fotografi nga Edvin Celo Arben Bajo dhe Timo Flloko (3) Arben Bajo dhe Timo Flloko (2) Arben Bajo dhe Timo Flloko (1)
<
>

Memorja jonë, do të jetë e aftë ta ringjallë Benin, sapo të shohë fotot që ruajmë si trashëgimi, foto, të cilat, ndoshta janë bërë pa kujdes, foto indiferente, foto kalimtare të një dite të zakonëshme, por që sot bëhen të çmuara në arkivin tonë. Aty, memorja jone do ta rinjohë Benin, kurdoherë të dashur e miqsor që rrezatonte dritë diellore,! Do ta rinjohë Benin si kryefjalë në ekspozitat e tij e të miqve, ku nuk mungonte kurrë. Do të rinjohë takimet në studion e tij e tonat, ku ishte gjithmonë i mirëpritur, sapo e kërkoje, kur kishim nevojë për fjalët e tij që të frymëzonin magjishëm. Fotot me të, do të na përcjellin frymën e dashur e miqesore, që sot pak kush ta jep me tepri. Ato do ta na ligështojnë herë – here, e do na sjellin në mendje, se ajo që ndodhi, ishte e padrejtë, apo shumë kohë, do t’i mbushim mendjen vehtes, se ka shkuar diku e do të kthehet, hipur mbi biçikletën e tij.
Memorja jone, do ta ringjallë Benin sapo të ndeshet me bisedat e pafundme të lëna përgjysëm. Beni ishte kurdoherë polemist. Polemist i pandreqshëm, në të gjitha bisedat e në të gjitha problematikat, që një shoqëri si jona, ngre pa të kursyer. Polemizonte për problemet e artit, për profilin kombëtar, për globalizmin, për formatin e një shkolle shqiptare me energji të jashtëzakonëshme, që u krye brenda një kohe fare të shkurtër, për programet e deri në ato më të thellat e më të vështirat për Shqipërinë që e donte deri në fund. Për Shqipërinë, ai fliste me fjalë dashurie si vetë Noli dhe me pickime dashurie, si vetë Konica. Në thelb, nuk ishte më poshtë se ata. E adhuronte Rilindjen Kombëtare, që formëzoi shpirtin e shqiptarisë dhe nderonte figurat e mëdha të kombit tonë, e midis tyre çmonte deri në fund Odise Paskalin dhe Janaq Paçon, që me veprën e tyre kishin ringjallur mjeshtërisht të mëdhenjtë e Shqipërisë. Fliste kthjellet e shtruar për ta, si nxënësi për mjeshtrin, si i barabarti mes të barabartëve, pasi Beni e dinte mire vendin që i takonte.
Donte pa fund Gjirokastrën puritane, e të pa përzjerë! Rrëfente shpesh për nëntokën e pasur tonën dhe sekretet e saj, njohuri që ja la si trashëgimi i ati gjeolog. Rrëfente për ekspeditat ku merrte pjesë qysh i vogël, ku dëgjonte bisedat misterioze të gjeologëve tanë alkimistë, që e çmonin si ar nëntokën shqiptare. Rrëfente për thellësitë e detrave tanë, që i njihte fare mirë sepse zhytej shpesh në zemër të tyre. Njihte doket, kodet zakonore, kostumet tona elokuente dhe e folura e tij tingëllonte plot ngjyrë. Fliste dhe të ofronte pa bujë njohuritë e tij të thella, vezhgimet e tij të mprehta pa pengesë. Bisedat shfaqnin një Ben të kulturuar.
Memorja jone, do të jetë e aftë ta ringjallë Benin, sapo të ndeshet me vështrimin e studentëve të Universitetit të Arteve, studentet, që u tronditën kur dëgjuan lajmin për largimin e tij. Atyre, ju duk sikur i tradhëtoi, sikur i braktisi pa i lajmëruar. Nuk u tha se do ikte e nuk do kthehej të fjaloste më me ta. Memorja jonë, do ta ketë të vështirë kur të ndeshet me etjen e tyre për profesorin e madh e të thjeshtë njëkohësisht. Studentet do t’i marrë malli për prezencën e tij, për fjalët e tij prej Mentori. Ata e kishin Benin mësues, mik, shok dhe e quanin të familjes, sepse edhe ai, të familjes i konsideronte. I mbate afër në studio dhe u falte magjinë e profesionit, thjeshtë e pa bujë.
Memorja jonë do të jetë e aftë ta ringjallë Benin përmbi të gjitha, kur të ndeshet me veprën e tij të madhe, të pafundme e të mrekullueshme. Ajo do të na sjellë ndër mend Benin, si studentin e shkëlqyer, që të entuziazmonte me skulpturën e tij, Benin që me kthimin në Shqipteri, ngriti njera pas tjetres, në një kohë të ngjeshur, shumë ekspozita personale, njëra më e vyer se tjetra. Kur memorja jonë të bredhë në sheshet e Shqipërise, do të përballet me Vaçe Zelën në Lushnje, Lef Nosin në Elbasan, Asim Zenelin në Gjirokastër, At Zef Pëllumbin në Shengjin, figura, që ai u dha jetë, i ringjalli ne bronx. Ajo do të ridimansionohet në studion e Benit, populluar me vepra të mbaruara e vepra të lëna në mes, me personazhe të mbrekullueshëm, me portrete, figura e kompozime, ku plot magji, miti dhe realiteti si dy paralele, priten në një pike!
Aty ne do të rinjohim kopështin e mbjellë me dashuri kopështari. Koleksionistët e veprës së Benit dhe galeristët, do ta ndihmojnë memorjen tonë, që herë – herë, të na dhurojnë me koleksionet e tyre, afshin krijues të shpirtit të Benit.
Nuk do të jetë më Beni i gjallë mes nesh, por do të jete Beni, i Ringjalluri!
Në këtë mënyrë, memorja jonë, do ta formësoje ringjalljen e Benit! Ai do jetë i ndryshëm dhe Beni i njerit prej nesh nuk do të jetë i njejtë me Benin e tjetrit. Çdokush, do të ringjallë Benin e tij dhe ne do te kemi ringjallje të ndryshme, sikurse ungjijtë, edhe pse do të tregojmë jetën e të njejtit person. Por, sado të ndryshëm ta kemi figurën e tij, një gjë do jetë e përbashkët në memorjen e gjithësejcilit prej nesh, që:
… Beni, është pa dyshim, njëri prej skulptorëve më të mëdhej shqiptarë, të të gjitha kohërave!
*Fjala e mbajtur ne Presidencë, gjatë nderimit të Arben Bajos.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.