Sociale

8 Marsi ndryshe në qytetin e Durrësit, shkallët e galerisë mbushen me këpucë të kuqe në përkujtim të grave që kanë humbur jetën nga dhuna

12:50 - 08.03.21 gsh

Sot, më datë 8 mars, ditën ndërkombëtare të gruas, teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës vjen me një nismë të re, me një tribut ndaj të gjithë atyre nënave, motrave, vajzave e grave, që humbën jetën nga dhuna e burrave.



Shkallët e galerisë “Nikolet Vasia” ishin mbushur sot me këpucë të kuqe, që janë mbledhur jo vetëm nga gratë e qytetit, por edhe më gjerë. Ato janë simbol i humbjes së jetës së grave si pasojë e dhunës barbare të ushtruar mbi to.

Me dhjetëra palë këpucë shërbyen sot për të rikthyer edhe njëherë vëmendjen ndaj grave dhe vajzave, që janë simbol i jetës, simbol i vazhdimësisë së njerëzimit. Duke u ndalur tek fakti që qarku i Durrësit, sipas të dhënave të INSTAT ka numrin më të lartë të grave të dhunuara, regjisorja e teatrit Driada Dervishi theksoi gjatë fjalës së saj se simbolika e aktivitetit të sotëm është pikërisht ndërgjegjësimi i të gjithëve për këto fakte tronditëse.

Ndërsa aktorja Adelina Muça u bëri apel të gjitha grave dhe vajzave të ngrenë zërin e tyre, të denoncojnë rastet e dhunës sepse nuk do të jenë asnjëherë vetëm. Ngritja e zërit mund të parandalojë raste të tjera dhune, mund të frenojë vrasjen e një tjetër gruaje. Këtë 8 Mars, nisma “Këpucët e kuqe” vjen për herë të parë në Durrës.

Që prej vitit 2009, këpucët e kuqe të Elina Chauvet, artistes meksikane që humbi motrën si pasojë e dhunës në familje kanë shëtitur botën. Prej më shumë se një dekade “Këpucët e kuqe” vijnë si simbol i humbjes së grave nga dhuna. Në orën 19:00 vijnë premierë në faqen në Facebook të teatrit “Aleksandër Moisiu” historitë e vërteta të 8 grave që kanë pësuar ose kanë humbur jetën si pasojë e dhunës në familje. Aktore të njohura si Anisa Markanian. Monika Lubonja, Suela Bako, Andia Xhunga, Adelina Muça etj sjellin këto histori dhimbjeje.

Klodjana Haxhiaj

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.