KULTURË

Ardian Ndreca:Mbi Fjalorin e madh, Enciklopedinë dhe Akademinë e Shkencave pas reformës

10:16 - 09.03.21 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Intervista e Akademikut tëJashtëm: S’mund të hartohet nji fjalor pa spastrue barbarizmat  dhe pa vjelë pa kompleks të folmet dhe dialektet

 




Fatmira Nikolli

Nji fjalor i tillë nuk mund të jetë fryt i nji aksioni të përqëndruem por vetëm i nji projekti afatgjatë, rezultatet e përkohshme të t’cilit, duhet të diskutohen publikisht mes specialistave të çdo hapsine tematike vit për vit”.

Një vit pas pranimit si anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave, kur institucioni është pas reformës së shumëdiskutuar, Ardian Ndreca, vjen në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ku ndalet në projektet e shpallura nga ASH, nga Fjalori i madh, Enciklopedia Shqiptare e deri te një Kuvend Albanologjik. Të tria, duket të jenë nisma madhore për një Akademi ende të brishtë, pas viteve të zvarritjes së saj dhe reformave qëkanë shoqëruar ndërrimin e pushteteve.

Ndreca ofron këndvështrimet e tij mbi qasjet që duhet të ketë një akademi për nisma të mëdha dhe për ata që duhen përfshirë në to. “Nëqoftë se sot do të hartohej nji fjalor i tillë me materiale që janë mbledhë e përpunue para dy-tri dekadash, ai s’do të ishte as fjalor i sotëm i shqipes dhe as gjithëpërfshirës”, thotë ai mbi Fjalorin e madh, ndërsa sa i takon Enciklopedisë, pyet se “Sa thellë mtojnë me i hy dijes ata që e kanë konceptue atë punë?”.

Duke shpresuar që “Akademia të rindërtojë vetveten, problemi i nji akademie si kjo e jona nuk asht buxheti i kufizuem por mendësia”, Ardian Ndreca, profesor dhe drejtues i katedrës së Historisë së Filozofisë Moderne  në Universitetin Urbaniana në Romë, vëren se “kuvende në formë kongresesh partiake, shkencë me primje plebishitare kur ftohen të gjithë të flasin për gjithçka, nuk besoj se ka ma në ditët e sotme dhe albanologjia nuk ban përjashtim”.

Ndreca ndalet te nevojat që ka Akademia, duke mirëkuptuar edhe  rrethanat kohore ashtu sikundër pohon se edhe ASH, si çdo organizëm i gjallë, “kur i bjerrë aftësitë e veta nuk i rifiton ato mbrenda nji dite, duhet durim dhe punë”.
-Prej pothuaj një viti jeni pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kohë që përkon me postreformën e saj. Gjatë këtij viti, janë dhënë çmime, janë shtuar anëtarë, janë bërë konferenca e përkujtimore, deri edhe një komitet që u mor me pandeminë, por që mbeti kryesisht në hije. Si anëtar i jashtëm por si pjesë e Akademisë, a mendon se reforma ka dhënë ose po jep fryte?  

Ka plot 12 muej që jeta jonë karakterizohen prej mbylljes për shkak të pandemisë dhe pothuejse gjithçka asht zhvendosë në rrjet dhe bilancet janë të gjitha të prekuna prej këtij kushtëzimi të detyruem. Për komisionin e pandemisë nuk e kam të qartë se çfarë detyre ka pasë, mbasi Akademia nuk mund të përdoret ad hoc për emergjenca, madje në raste të tilla asht mirë që Shteti të flasin me nji za të vetëm operativ, mundësisht pa mëdyshje, për aq sa mund të flitet në nji situatë të tillë.

Detyrimet statutare të Akademisë janë të qarta, organizimi i saj gjithashtu, prandaj pritshmëria asht e lidhun ngusht vetëm me këto dyja. Si drejtues i “Shejzave” dhe antar i jashtëm i Akademisë, kishim organizue në detaje nji konferencë shkencore në kujtim të veprës dhe figurës së Át Zef Valentinit, ku do të merrnin pjesë edhe disa studiues të huej, mjerisht konferenca u shtye, pse në prani nuk mund të mbahej dhe jam i mendimit se jo çdo lloj aktiviteti mund të organizohet në platformat e rrjetit virtual.

Po të mendoja se frytet e reformës janë vetëm këto që janë pa deri tashti, do të thoja pa asnji mëdyshje se asht tepër pak, por ky vit asht nji “rrethanë lehtësuese” për të gjithë, reforma sapo ka nisë dhe nuk do të thotë se mbrenda saj nuk do të ketë nji reformë tjetër. Qëllimi i parë kur bahen reforma asht kthimi i besimit tek institucioni përkatës, serioziteti dhe puna janë mjetet që e realizojnë këtë objektiv, njerëzit e aftë dhe të ndershëm jana ata që e çojnë përpara reformën. Duhet të kemi ende durim, edhe nji organizëm i gjallë kur i bjerrë aftësitë e veta nuk i rifiton ato mbrenda nji dite, duhet durim dhe punë.

–  Së fundmi, janë shpallurtri nisma, por do të doja së pari, të ndaleshim te “Fjalori i madh i shqipes”. Çfarë duhet mbajtur pararysh, kur bëhet fjalë për një Fjalor të madh, në kohë lirie?

S’mund të hartohet kurrë nji fjalor gjithëpërfshirës i shqipes prej 100 mijë fjalësh pa spastrue ma parë barbarizmat e panevojshme dhe pa vjelë pa asnji kompleks të folmet dhe dialektet e gjuhës sonë, këtej e andej kufijve politikë, pa harrue arbëreshët, arvanitasit, çamët etj.

Për nji punë të tillë nuk mjaftojnë të hollat por duhet nji mobilizim i përgjithshëm: shkrimtarë, mësues, kultivues të landëve humanistike e shkencore, specialista të vjeljes dhe përpunimit teknologjik të njësive, botues, ente shtetnore, institute studimesh kudo nëpër botë.

Në qoftë se sot do të hartohej nji fjalor i tillë me materiale që janë mbledhë e përpunue para dy-tri dekadash, ai s’do të ishte as fjalor i sotëm i shqipes dhe as gjithëpërfshirës.

Nga ana tjetër nji fjalor i tillë nuk mund të jetë fryt i nji aksioni të përqëndruem por vetëm i nji projekti afatgjatë, rezultatet e përkohshme të t’cilit, duhet të diskutohen publikisht mes specialistave të çdo hapsine tematike vit për vit, tue qenë se kandvështrimi i ngushtë leksikografik duhet të gërshetohet në mënyrë dinamike me atë nocional.

Gjithçka duhet të bahet me transparencë dhe me kompetencë, cilësina këto të nji botëkuptimi shkencor që nuk i pranon kompromiset e mendësisë së mëditësve.

– Një tjetër nismëështë “Enciklopedia Shqiptare”, projekt për të cilin dihet ende pak. Në vazhdën e idesë mbi Fjalorin, si e gjykoni këtë nismë?

Çështja e enciklopedisë asht edhe ma e ndërlikueme. Ma së pari do të duhej të baheshin publike objektivat dhe kriteret e saj. Sa thellë mtojnë me i hy dijes ata që e kanë konceptue atë punë? Kjo nisë tek zonat tematike të saj dhe tek metodologjia bazë.Tue qenë se kemi të bajmë me shkenca që nuk kanë nji metodë të vetme, atëherë kriteret për hartimin e saj do të duheshin përshtatë në bazë të statutit epistemologjik të secilës shkencë. Këtë gja nuk mund ta bajnë nji ose dy persona, pse ka ikë koha e Wilhelm von Humboldt-it.

Nga ana tjetër duhet të përcaktohen qartë parametrat formal, nji listë emnore bashkëpuntorësh kontribues dhe këshilltarësh për çdo tematikë, vendas dhe të huej.

– Ka pasur jo pak kritika sa i takon Fjalorit Enciklopedik që shpesh ka bartur zëra me përshkrime të diskutueshme, për disa opinione, siç kanë qenë nëkohën e komunizmit ose ngjyresa të njëjta. A mendoni se jemi gati të shkëputemi nga ideologjitë për të bërë një enciklopedi, bashkëkohore, të denjë dhe me kritere të qarta shkencore?      

Sot enciklopedia asht nji ndërmarrje madhore që s’mund të bahet pa nji kod etik. Ka shumë koncepte që s’janë të përcaktueme në mënyrë univoke, prandaj pasqyrimi i tyne nuk mund të marrin ngjyrime definitive në nji kohë që, bjen fjala, argumentimet përkatëse mbështeten në hipoteza ende të paprovueme. Në kohët tona të hartosh nji enciklopedi domethanë së pari me shmangë qëndrimet politike dhe ideologjike, besoj ju e dini se përveç cektësisë konceptuale, tentativat e maparshme kanë vuejt edhe prej kësaj të metë.Nuk mund të shprehen gjykime vlerësuese, të pranohen tone absolutizuese, pse gjithsesi në rastin e shkencave shoqnore bahet fjalë për nji seri procesesh të pambylluna që janë subjekt ndryshimesh të vazhdueshme, pra nuk kemi të bajmë me dogma. Kjo gja vlen, mutatis mutandisedhe për shkencat ekzakte, të cilat, siç na ka tregue Karl Popper, janë subjekte të parimit të falsifikabilitetit, domethanë, të vërtetat e tyne të sotme, shërbejnë si pikënisje për disa të tjera që do të zbulohen nesër. Për shembull, modeli atomik i Niels Bohr në momentin që asht zbulue ka qenë nji e vërtetë relative që ma vonë ia ka lëshue vendin vizioneve tjera ma të plota, mbrenda të cilave qëndron edhe modeli Bohr, por qëndron si diçka e tejkalueme në kuptimin e nji të vërtete asertive.

Ka shumëçështje që janë në diskutim, jo vetëm historike, por edhe koncepte e qasje mbi pushtime, sundime a zhvillime të caktuara në kohë të ndryshme. Gjithnjë e më shumë, kërkohet një lloj unifikimi i trajtimit të historisë mes kombeve, qoftë edhe për të zhbërë gjykimet e denigrimet e popujve.Mbi ç’parime duhet bazuar një enciklopedi në ditët tona?

Enciklopedia siç e mendoj un do të duhej të ishte ma pak nocionale dhe ma shumë konceptuale. Pra, nuk na shërben nji wikipedia e shtypun në nji ose disa vëllime. Na lypet nji burim orientues dijet.Enciklopedia nuk asht fjalor enciklopedik, as nji pranëvendosje datash, veprash, apo nji përmbledhje mendimesh me pak bibliografi në fund.Pjesa e saj konceptuale duhet të shpalosin nji vizion të qartë e të përcaktuem rreth nji çështjeje. Ajo duhet të jetë encikopedia shqiptare jo pse asht në gjuhën shqipe dhe kur e lexon kupton se aty mbahet ana e shqiptarëve, por pse shprehë disa të vërteta për të cilat kemi fakte të lexueshme në dritën e arsyes dhe rreth të cilave mund të japim disa interpretime po me anën e arsyes.

Nëse për nji fakt ka ma shumë se nji interpretim që mbështetet tek arsyeja, asnji prej tyne nuk duhet të heshtet vetëm pse nuk na pëlqen ne apo dikujt tjetër. Për shembull, reformat osmane, të ashtuquejtunat “tanzimat” që nisën në vitin 1839.Kur flitet për kryengritjet shqiptare që morën shkas prej tyne, kryengritje që në thelb ishin të drejta dhe ndikuen pozitivisht në rrugën që çoi drejt Lidhjes së Prizrenit, nuk duhet të heshtet që tanzimati si lëvizje ishte nji tentativë me modernizue dhe me europianizue Perandorinë osmane dhe mtonte me transformue nji feudalizëm primitiv në diçka ma të pranueshme dhe efikase. Pamvarsisht se vetëdija e shumë prej atyne që iu kundërvunë tek ne nuk ishte pasqyrë e nji platforme të qartë shqiptariste, veprimi i tyne politik dhe ushtarak – për arsye të nji heterogjeneze qëllimesh historike – qe tepër pozitiv.

Nuk duhet të harrojmë se as evolucioni në natyrë nuk asht linear, pra mos t’ia kërkojmë këtë tipar historisë apo fushave tjera ku elementi njerzor ka fjalën e fundit!

Një kuvend studimesh albanologjikeështë paraparë të mbahet këtë vit, që sipas një koncepti paraprak të ASH-së, në kushtet e globalizmit është i nevojshëm, por edhe sepse institucionet shkencore, kanë përgjegjësinë e njohjes së gjendjes së albanologjisë, në kohën kur sipas këtij koncepti, mungesa e kritikës shkencore ka qenë shkak që në mjaft raste debatet të rrëshqasin prej regjistrit shkencor në atë të atdhetarizmit retorik. Çfarë mund të sjellë një kuvend albanologjik?

Kam ndie edhe un për nji kuvend të studimeve albanologjike që me gjasë organizohet këtë vit nga Akademia jonë dhe ajo e Kosovës, nji si bilanc madhor i gjithë asaj çka ka ndodhë në 50 vitet e fundit, tue nisë prej kuvendit të studimeve ilire të vitit 1972. Të flasësh sot për etnogjenezën e ilirëve, për “iliricitet”, për protoshqipen etj.më duket shumë impenjative në kushtet e nji letargjie institucionale prej dekadash që na ka karakterizue. Nuk kam pasë nji komunikim zyrtar në lidhje me këtë projekt prandaj nuk po zgjatem.

Mendoj se sot tendenca e përgjithshme asht organizimi i kuvendeve me nji optikë të mirëpërcaktueme, pse në rast kuvendesh masiverreziku me mbetë në sipërfaqe të çështjeve asht i madh.

Kuvende në formë kongresesh partiake, shkencë me primje plebishitare kur ftohen të gjithë të flasin për gjithçka nuk besoj se ka ma në ditët e sotme dhe albanologjia nuk ban përjashtim.

Do të ishte e udhës që nji problematikë e vetme të trajtohej në të gjitha kandvështrimet, mundësisht tuemos iu rikthye disa kategorive të konsumueme.

Do të doja të dija se çfarë zbulimesh të reja sensacionale janë ba në këto 50 vite që të justifikojnë nji megabilanc të tillë? Më duket se në gjuhësi sillemi rishtas tek Formula e Pagëzimit dhe Buzuku, bejtenxhinjtë po ata kanë mbetë!Janë deshifrue shkrime të panjohuna ilire, janë zbulue qendra banimi antike që na detyrojnë me rishkrue ndonji kapitull të historisë apo thjeshtë shtojnë ndonji paragraf të ri!?

S’kemi nevojë për qasje triumfaliste por për punë të heshtun dhe serioze e cila mund të nasjellë fryte të vërteta, por jo për festivale, por në qendra të specializueme, me njerëz që kanë tagër dhe dije për me folë me autoritet.

-Është disktutuar gjatë reforma e Akademisë, që nga një ‘kufomë e vetvetes’, duhej të ishte kthyer në një organ këshillimor që do të duhej t’i imponohej me mendimin e saj shkencor, qeverisë.  Ju jeni ndër akademikët më të ‘rinj’, që ju bashkuat vitin e kaluar.Çfarë do të ndihmonte Akademinë drejt kësaj rruge? 

Mendoj se Akademia duhet të afrojë të rinj e të reja shqiptarë, figura të afirmueme në shkencë në të gjithë botë. Nuk mund të jetë pengesë për këtë gja fakti që nji e re apo i ri shqiptar që ka lanë atdheun për me studiue me forcat e veta para 20-30 vitesh, për arsye të kuptueshme integrimi asht detyrue me lanë shtetësinë shqiptare.

Shqiptar nuk të ban veç nji dokument, këtë gja ua kujtojmë atyne “tregtarve të flamujve” që kanë dhanë shtetësinë shqiptare pa asnji kriter e tue thye ligjin në gjithë këto vite.

Nuk mund ta konceptoja për shembull Akademinë tonë pa antarë të sajin shkencëtarë si Laura Mersinin apo Dorian Kçirën. Mendoni pak, Laura Mersini ka dhanë leksione në Lucasian Chair, katedra e Newton-it, ka formulue nji teori të sajën të universit, asht nji personalitet shkencor i rangut botnor dhe s’mund të injorohet prej nji vendi të vogël dhe të vorfën si ai i yni që mjerisht nuk ka aftësi për kërkime shkencore që t’i përgjegjen bashkëkohësisë!

Thjesht, nëse nji doktorand shqiptar i përzgjedhun do të mund të kishte nji udhëheqës të këtij kalibri në punën e vet shkencore, ky kontribut madhor do ta justifikonte mosmarrjen pjesë të nji personaliteti si ajo në nji mbledhje ku diskutohet buxheti i Akademisë!

-Megjithatë, buxhetet janë të domosdoshme për projekte të mëdha si Enciklopedia apo Fjalori?

Shpresoj që Akademia të rindërtojë vetveten, problemi i nji akademie si kjo e jona nuk asht buxheti i kufizuem por mendësia. Kemi nevojë për nji mendësi të re, shkenca duhet të fluturojë nalt, sa ma nalt, larg interesave të vogla, tarafeve, vogëlsinave. Nuk them se nuk janë ba hapa përpara, por ende asht ba tepër pak dhe rrezikojmë gjithnji me e humbë drejtimin.

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.