Kryesore

Mjeku imazherist Almir Skana: Kur duhet të kryhet skaneri pasi jeni prekur nga koronavirusi

12:50 - 11.03.21 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Radiografia nuk arrin të përcaktojë dot me saktësi gravitetin e prekjes së pulmonit

Voltiza Duro




Diagnostikimi në kohë i COVID-19 është një faktor tejet i rëndësishëm në ecurinë e mëtejshme të sëmundjes. Frika jonë më e madhe ngelet prekja e mushkërive nga virusi vdekjeprurës çka do të sillte ulje të nivelit të saturimit e si pasojë dhe nevojën për oksigjeno-terapi. Skaneri është pajisja më e mirë diagnostikuese për të parë nëse koronavirusi ka arritur të mbërrijë në mushkëri apo jo. Por kur rekomandohet ekzaminimi me skaner i pulmoneve? Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, mjeku imazherist Almir Skana shpjegon tri momentet e diagnozës së COVID-19 ku vlerësimi imazherik kryhet pas testimeve laboratorike. Ndërkohë ai shton se kryerja e skanerit rekomandohet nga dita e 5 deri në ditën e 13-të e shfaqjes së simptomatologjisë klinike. Nëse realizojmë një skaner nga dita e parë deri në ditën e katër mund të marrin një fals negativitet për arsye të mosprekjes akoma të mushkërive pavarësisht infektimit të tij nga COVID-19. Lidhur me rrezikshmërinë e skanerit, Skana thekson se pavarësisht rrezatimit jonizues, përfitimi nga diagnostikimi nëpërmjet skanerit është më i madh se dëmet që mund të shkaktojë.

Si paraqitet situata e pandemisë aktualisht në Shqipëri?

Pas një viti pandemi botërore, në Shqipëri numri i të infektuarve është 114,840 prej të cilëve numri i rasteve aktive 35,356, ku për fat të keq numri i vdekjeve për 24h është 17 në grupmoshën 22-89 vjeç. Të hospitalizuar momentalisht janë 649 pacientë, prej të cilëve 43 ndodhen në terapi intensive e 15 janë në intubim. Për fat të keq në këtë luftë të vazhdueshme kanë humbur jetën në Shqipëri 1986 pacientë. Për fat të mirë këtë luftë e kanë fituar 77,498 pacientë duke u shëruar. Infeksioni i COVID- 19 tashmë prek çdo moshë duke u konfirmuar në Shqipëri më i riu i infektuar 2 muajsh dhe më i moshuari 94 vjeç.

Si realizohet diagnoza e COVID-19?

Diagnoza e COVID-19 ka tri momente: momenti i parë është kur personi mendon se është infektuar me virusin e COVID-19, moment në të cilin testi më i rëndësishëm është tamponi për konfirmimin e virusit në rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Momenti i dytë është gjatë fazës së zhvillimit të sëmundjes në organizëm ku kemi dy shtylla kryesore: së pari, testet biokimike si: PCR, D-Dimmer, Gjak Formule të cilat janë parametrat e reagimit të organizmit nga infeksioni. Së dyti: Ekzaminimet imazherike të cilat mundësojnë përcaktimin e prekjes së mushkërisë. Momenti i tretë është periudhë mbi trijavore pas kalimit të sëmundjes ku ekzaminimet serologjike konfirmojnë krijimin e antitrupave në gjak.

Sa e rëndësishme është imazheria në diagnostikimin e sëmundjes?

Vlera e imazherisë gjatë zhvillimit të sëmundjes është e padiskutueshme në lidhje me përcaktimin e gravitetit të prekjes së mushkërive që ka lidhje të drejtpërdrejtë me protokollet terapeutike të personalizuara për pacientin.

Cilat janë modalitetet e ekzaminimit imazherik për COVID-19?

Modalitetet e imazherisë për diagnozën e prekjes së mushkërive kanë tre: Tomografia e kompjuterizuar e njohur si Skaneri, Radiografia dhe së treti Ekografia.

Kur e rekomandoni kryerjen e skanerit dhe pse?

Kryerja e skanerit rekomandohet nga dita e 5 deri në ditën e 13-të e shfaqjes së simptomatologjisë klinike. Nëse ne realizojmë një skaner nga dita e parë deri në ditën e katër mund të marrin një fals negativitet për arsye të mosprekjes akoma të mushkërive pavarësisht infektimit të tij nga COVID-19.

Cilat janë simptomat që pacienti shfaq në momentin që covid ka prekur mushkërinë?

Simptomat që një pacient paraqet në rastin e prekjes së mushkërive janë ato të një infeksioni të mushkërive si: temperaturë, ethe, kollë si dhe vështirësi në frymëmarrje.

A mund ta zëvendësojë radiografia ekzaminimin skanerik të mushkërive?

Të dy modalitetet janë të mundura për vlerësimin e prekjeve të mushkërive, por duhet të theksojmë disa disavantazhe të radiografisë kundrejt skanerit. Së pari, në fillimin e prekjeve të mushkërive lezionet nuk mund të vlerësohen në radiografi ndërsa me skaner po. Së dyti, me radiografi nuk është e mundur të përcaktohet graviteti i prekjes së mushkërive në të njëjtën cilësi si në skaner. Së treti skaneri ka avantazh në përcaktimin e ecurisë së lezioneve në mushkëri si: lezione fillestare, piku i sëmundjes apo fillimi i shërimit ndërsa radiografia jo, nuk e ka këtë avantazh. Për sa më sipër diagnoza skanerike ndihmon më tepër në përcaktimin korrekt të mjekimit.

A ka raste abuzimi me kryerjen e skanerit pavarësisht se gjendja e pacientit mund të tregojë se nuk ka nevojë për skaner?

Dua të theksoj që ekzaminimet duhet të rekomandohen nga mjekët specialistë sipas kritereve diagnostike. Çdo ekzaminim i kryer pa këshillim mjekësor mund të quhet apriori abuzues.

Sa i dëmshëm është skaneri dhe a mund të kryejë një pacient me Sars COV2 më shumë se një ekzaminim të tillë?

Ekzaminimi skanerik është ekzaminim me rrezatim jonizues. Përfitimi diagnostik nga ekzaminimi është shumë më i madh se dëmtimet. Nuk ka një dozë fikse se kur rrezatimi jonizues shkakton dëmtime. Nëse është e nevojshme mund të kryen 2 ose më shumë ekzaminime skanerike.

Sa e vështirë ka qenë kjo situatë për ju si mjek imazherist?

Sigurisht që kjo është një sfidë për gjithë sistemin shëndetësor. Gjatë periudhës njëvjeçare kam kryer mbi 3 mijë konsulta imazherike fizike ose online. Ndihem mirë që formimin tim e ndaj me kolegët për një trajtim sa më të saktë të pacientëve.


Shfaq Komentet (1)

Leave a Reply to Astrit Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Pergjigja e pyetjes “Kur duhet të kryhet skaneri pasi jeni prekur nga koronavirusi” eshte: KURRE.
    Cfaredo te thote scanneri, terapia eshte suportive dhe nuk ndryshon, pavaresisht nese eshte prekur 1% apo 99% e mushkerise. Gjithmone pacienti me oksigjen te ulet do te trajtohet me oksigjen, antikoagulante dhe dexamethasone.
    Nese perdor scanner, pacienti nuk perfiton asgje, por pajisja dhe dhoma kontaminohen me virus. Nese pas pacientit me covid do te kete nevoje per scanner nje i moshuar dhe semure rende, praktikisht ky i fundit do te jete i denuar me vdekje.

    Përgjigju ↓