POLITIKË

Batutat e Ramës? Spahiu: Kurth për të sfumuar bilancin zero. Lista e Fierit duket si dora e Fatos Nanos

15:23 - 15.03.21 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kreu i PS-së, Edi Rama i cili kërkon një mandat të tretë qeverisës, e nisi me përplasje figurash dhe fytyrash “betejën” si një “one man show” për 25 prillin. Çfarë tregon kjo rrugë që ka zgjedhur Rama? Për kreun e LSI-së së Tiranës, njëherësh edhe kandidat i kësaj force politike, Përparim Spahiu, thotë se problemi i Edi Ramës është bilanci i punës së qeverisë, ndaj dhe për të ka ngritur këtë kurth. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ku shpalos rrugën që ka zgjedhur LSI-ja për të prezantuar programin e saj, ai thotë se bilanci i Ramës është afër zeros. “Për të tërhequr vëmendjen nga kërkimi i llogarisë për mungesën e rezultateve, prodhon spektakle të kota me batuta e fyerje. Unë refuzoj të bie në grackën banale të këtij akrobati politik”. Spahiu thotë edhe se fushata elektorale e LSI-së do të përqëndrohet tek alternativat zhvilluese të vendit. Ku ndryshojnë listat e LSI-së nga ato të PS-së? Kandidati për deputet, thotë se Rilindja pretendon se po reformon e rinovon partinë, por mjafton të shohim sipas tij listën e kandidatëve në Fier. “Atë listë duket sikur e ka bërë Fatos Nano. Lista e kandidatëve për deputetë të LSI është miratuar në kryesinë e partisë pas një procesi të qartë dialogu e bashkëbisedimi kolektiv për të mirën e përgjithshme”.




Këtë betejë të cilën kërkon ta përfaqësojë si të ishte një “one man show”, kryeministri Edi Rama e ka kthyer në një përplasje figurash dhe fytyrash. Rama vuri përballë një e nga një ofertën e PS përballë asaj të PD-së dhe LSI-së, duke mos i kursyer batutat dhe sarkazmën, por kur u ndal tek JU, fryma iu ndal dhe heshti. Çfarë epiteti i vini dhunës verbale dhe linçimit publik?

Kur shterojnë idetë, vizioni dhe projektet, vijnë natyrshëm batutat dhe gallata si të vetmet rrugëzgjidhje për të nxjerrë fytyrën para njerëzve në prag zgjedhjesh. Dhuna verbale, tallja, racizmi, misogjinia, seksizmi janë të gjitha elementë të papranueshëm për një politikë normale. Megjithatë, komentet e papërshtatshme për kundërshtarët nuk janë sot problemi kryesor i shqiptarëve. Ndoshta do të mësoheshim ta gëlltisnim këtë spektakël anormal, nëse nga ana tjetër do kishim të bënim me një qeverisje efektive, që siguron jetën, rrit punësimin dhe rrogat, perfeksionon arsimin e shëndetësinë, e kështu me rradhë. Shqetësimi kryesor i Shqipërisë së sotme është keqqeverisja. Krimi i organizuar dhe korrupsioni politiko-financiar janë bërë bashkë për të kapur shtetin, si asnjëherë më parë në këto 30 vite. Problemi i Edi Ramës është bilanci i punës së qeverisë. Ky bilanc është afër zeros. Ai për të tërhequr vëmendjen nga kërkimi i llogarisë për mungesën e rezultateve, prodhon spektakle të kota me batuta e fyerje. Unë refuzoj të bie në grackën banale të këtij akrobati politik. Ky është një kurth propagande për të hequr vëmendjen nga problemet e vërteta. Ai le të ndjekë rrugën e llumit verbal. Ajo që do ndëshkohet më 25 prill janë keqqeverisja dhe shteti i falimentuar. Pasi të nisë ndryshimi i madh që do ta prekin shqiptarët, do ta shihni se batutat do të harrohen me kohën.

Duket sikur kjo do të jetë fushata e kreut të PS-së, sulmi ndaj opozitës. Nga ana tjetër, si duhet që të jetë fushata e LSI-së për JU, në të njëjtën gjuhë? Apo fushata Juaj do të fokusohet në kërkimin e llogarisë tek të gjithë sektorët e qeverisjes?

Në një fushatë elektorale, është e pamundur të mos merresh me kundërshtarin politik. Pasi e kundërta është anormale. Problemi me qeverisjen aktuale është se nuk kërkon të bëjë ballafaqimin mbi teza politike, por mbi fotografi në plazh të njërit apo tjetrit kandidat. Kryeministri do të ndjekë rrugën e tij, por ne do të shohim punën tonë. Askush s’mund të na tërheqë në llum, këto metoda banale kanë dalë jashtë mode. Fushata elektorale e LSI-së do të përqëndrohet tek alternativat zhvilluese të vendit. Ne kemi një program të qartë zhvillimi, që shkon që nga përmirësimi i cilësisë së arsimit, tek solidariteti social me nënat e reja. Që nga punësimi i mirëpaguar, deri tek vëmendja e shtuar për shtresën e pensionistëve. Alternativa jonë zhvilluese është qartazi larg projekteve 3D që paraqet kryeministri në rrjetet sociale. Plani ynë është që me zbatimin e këtij programi, Shqipëria të bëhet vërtet, shtëpia jonë e përbashkët.

Pak muaj më parë u emëruat si kreu i LSI-së për qarkun Tiranë dhe tani drejtues politik në Kamëz, ku në zgjedhjet e 2017 në këtë bastion të djathtë, LSI-ja mori mbi 5 mijë vota. Si i keni parë situatën nga afër? Cili është objektivi juaj personal për 25 prillin?

Çdo ditë të punës sime, mendoj pak ose aspak për objektivin personal. Nuk dua t’i largohem fokusit kryesor që është largimi i kësaj qeverisjeje të korruptuar dhe ardhja në krye të vendit e një kabineti qeveritar që mendon për problemet dhe shqetësimet e çdo shqiptari nga veriu në jug. Në kontaktet e mia me njerëzit ndjej nevojën për ndryshim, por dhe etjen e shumëkujt për ta realizuar këtë ndryshim sa më shpejt. Ndaj 25 prilli do të jetë vërtet një referendum popullor jo thjesht në Kamëz e Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë. Përsa i përket Kamzës, mjafton të shohim disa detaje të vogla për të kuptuar ndryshimin e modelit qeverisës. Në 2 vitet e fundit që kur bashkinë e rrëmbeu “Rilindja”, rrugët e Kamzës kanë nisur të prishen, problemet me ndriçimin janë të shtuara dhe mungesa e vëmendjes së bashkisë është evidente. Dikur, nuk ka qenë kështu. Mjafton të shohësh degradimin infrastrukturor të Kamzës për të kuptuar ndryshimin e modelit që ofron “Rilindja” në krahasim me opozitën e bashkuar.

Nëse do të ndalemi tek listat, PS është treguar disi më guximtare pasi emrat e “vjetër” nuk i kanë vënë në pocizionet e sigurta të marrjes së mandatit. Në listën e LSI-së për qarkun Tiranë ju jeni pozicionuar në vendin e pestë, aq mandate sa mori LSI-ja në 2017. Lidhet kjo me një përqasje të LSI-së që emrat më aktivë të jenë në vendet para?

Rilindja pretendon se po reformon e rinovon partinë, por mjafton të shihni listën e kandidatëve të tyre në Fier për të kuptuar se po ndodh e kundërta. Atë listë duket sikur e ka bërë Fatos Nano. Lista e kandidatëve për deputetë të LSI-së është miratuar në kryesinë e partisë pas një procesi të qartë dialogu e bashkëbisedimi kolektiv për të mirën e përgjithshme. Askush nga ne nuk ka luksin e egoizmit në këto momente të vështira për vendin. Gjithkush nga ne ka vetëdijen se interesi i përgjithshëm duhet të prevalojë ndaj çdo ambicjeje politike personale. Pozicionimi im në vendin e pestë, ndonëse në një zonë të sigurt, nuk më nxit për të fjetur mbi dafina. Ai është një motiv më shumë për të luftuar politikisht që alternativa jonë jo thjesht të fitojë zgjedhjet, por të bindë masivisht shqiptarët për t’iu drejtuar kutive më 25 prill.

15 kushtet e BE-së, kanabisi dhe dosjet 339 dhe 184 sipas opozitës do të “fundosin” Rilindjen e Ramës më 25 prill. Përtej këtyre, një qytetar i thjeshtë që nuk preket nga këto akuza politike, pse duhet të votojë LSI-së?

Përballë skandaleve të njëpasnjëshme të qeverisë, LSI ka një program të qartë për ta ndryshuar në mënyrë pozitive jetën e shqiptarëve. Fokusi ynë është tek 5 prioritetet tona, tek arsimi, tek punësimi i mirëpaguar për të rinjtë tanë, krijimi i profesionistëve të rinj. Ajo që ndihmon edhe fuqizimin ekonomik të familjeve tona, rimbursimi i shpenzimeve në 5 % të faturave të tyre tatimore dhe pastaj edhe programi ynë “Nga bebja në bebe” për të ndaluar shpopullimin me ritme të shpejta që është nxitur nga Edi Rama./Koha Jonw


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.