Piktori Buron Kaceli u vlerësua me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.
Presidenti i akordoi këtë titull Buron Kacelit “Për kontributin e pamohueshëm në jetën artistike dhe kulturore të vendit, si një ndër artistët e rëndësishëm me një krijimtari të bollshme të nivelit mjaft të lartë e me ndikim të rëndësishëm në zhvillimet e artit tonë bashkëkohor”.
Në ceremoni, Presidenti vlerësoi Kacelin si një ndër artistët me kontribute jo vetëm si piktor.
“Zoti Buron Kaceli, i biri i piktorit të njohur Sadik Kaceli, është aktualisht një ndër artistët e rëndësishëm të vendit tonë, me kontribute jo vetëm si piktor, por mbi të gjitha edhe në organizimin e jetës artistike dhe kulturore të vendit.
Zoti Kaceli, si piktor i njohur dhe i vlerësuar brenda dhe jashtë vendit ka krijuar individualitetin tij artistik, duke bërë që punët e tij të jenë në shumë galeri shtetërore dhe private në vend dhe në botë.” – u shpreh Ilir Meta.
Me të njëjtin titull u vlerësuan edhe Mustafa Arapi (pas vdekjes) dhe Qamil Prizreni.