Politike

Vullneti, vlonjati model deputeti

18:33 - 12.04.21 Gazeta Shqiptare

Jetë me tre medalje: Ushtarak i zoti, biznesmen i suksesshëm dhe deputet shembullor

Nga Ago NEZHA 



FËMIJËRI AMBICIOZE

Jeta njerëzore është një arenë cirku që kalon mes baticave dhe zbaticave ku vijnë rrotull fenomene ngjarje episode që e shoqërojnë njeriun gjatë gjithë veprimtarisë së tij në rrugëtimin e gjatë jetësor. Vullnet Sinaj deputet i Qarkut të Vlorës, i ka ngjitur shkallët e suksesit duke shkelur përmes  shumë sfidave që e kanë kalitur, formuar dhe plotësuar me virtyte e cilësi që rrezatojnë personalitetin e tij familjar, shoqëror dhe politik. Asgjë nuk lind në një terren bosh. Vullneti u lind në një familje në Armen të Vlorës me tradita të lashta patriotike dhe arsimdashëse.

Ai, fëmijërinë e kaloi në fshatin e lindjes ku kreu dhe shkollën 8 vjeçare. Aftësia, zgjuarsia, shkathtësia dhe ambicia për të qenë në krye të shokëve, ka spikatur që kur ka qenë pionier në Armen. Bashkëfshatari dhe shoku i tij i klasës Artur Brahimi, që kanë ndjekur rrugën e përbashkët nga shkolla 8 vjeçare në fshat deri sa u diplomuan për oficer,tregon se në të gjitha stacionet e jetës, Vullneti ka shkëlqyer jo vetëm në mësime por dhe në veprimtaritë shoqërore. Ai, ka qenë tepër aktiv, me ego të theksuar, për të qenë nxënës shembullor, veprimtar shoqëror dhe  kuadër virtuoz. Qysh në fëmijëri ka spikatur fryma miqësore dhe të qenët lider në forumet e organizatave shoqërore nga ajo e pionierit e deri te e rKnisë, duke u zgjedhur në organet drejtuese të tyre. Pasi kreu 8 vjeçaren, nisi shkollën e mesme Industriale në Vlorë, të cilën e mbaroi në vitin 1984, ku shkëlqeu për rezultatet në mësime dhe në veprimtaritë kulturore-sportive.

USHTARAK I ZOTI

Studimet e larta i kreu në Shkollën e Oficerëve në Tiranë , që u diplomua me rezultate shumë të mira në vitin 1988. Kolegët e tij që kanë qenë bashkëkohës student, si, Artur Brahimi, Ilir Saliaj dhe Vladimir Lleshi, duke folur për cilësitë e tija dalluese thonë se ishte tepër korrekt, skrupuloz dhe ambicioz për të arritur majat e suksesit, me një sqimë, intuitë dhe vullnet të veçantë. Pas mbarimit të shkollës së lartë, u emërua oficer pranë Komandës së Divizionit të Qytetit të Kukësit. Aty, shërbeu për dy vjet, ku u shqua për aftësi drejtuese e organizuese si oficer i ri. Karrierën, në hierarkinë ushtarake e ngjiti shpejtë, falë aftësive individuale dhe përgatitjes superiore që kishte treguar si student. Në vitin 1991, transferohet dhe fillon punë në Komandën e Bunavisë në Vlorë, në detyrën e Komandantit të batalionit, ku shërbeu deri në vitin 1993.

NJË KTHESË NË RRUGËN E JETËS

Me iniciativën e tij, u shkëput nga detyra e ushtarakut dhe emigroi jashtë vendit, në Itali. Punoi për katër vjet në Itali. Me vizionin dhe vullnetin që e karakterizon, u kthye në Shqipëri dhe nisi një aktivitet privat në fushën e tregtisë, duke hapur supermarketin e parë të emërtuar “Bashkimi”. Këtë ide nismëtare, pasi e konceptoi dhe e projektoi në mendjen e vet, gjeti dhe përkrahjen e aprovimin e një grupi shokësh e miqsh për ta materializuar. Me këtë vizion, u orientua dhe ndërmori veprimin për të bashkuar tregun e vogël në një kompani, që më vonë do kthehej në një gjigand të fuqishëm kombëtar.Gjatë qëndrimit në emigracion, bëri që të fitoj eksperiencë për ekonominë e tregut dhe krijoi standarde të tjera në mënyrën e të menduarit racionalisht, të gjykuarit  objektivisht dhe të vepruarit me iniciativë në mënyrë të pavarur.

Vullneti, e ka nisur rrugën e biznesit në një terren të pashkelur, që me zgjuarsinë, intuitën, karakterin e fortë e të qëndrueshëm dhe vizionin e tij për të ardhmen, ka bërë të mundur që të çajë në shtigje të vështira, por jo të pamundur dhe sot ka dalë në breg i suksesshëm. Vështirësitë ekonomike e sociale që i kanë dalë përpara në një moment kritik për jetën, e kanë bërë që të përballet me shumë sfida që ka ditur t’i përballojë me mençuri, guxim dhe besim tek vetvetja. Është kurajos dhe shikon gjithmonë përpara. I pamposhtur ndaj vështirësive, i patrembur ndaj kërcënimeve që ju provokuan në vitet e terrorit të egër të 1997-1998, triumfator ndaj çdo pengese. Kjo tregon se formimi si ushtarak, ka ndikuar në karakterin e tij dhe stilin e ritmin e punës që ka ditur ta aplikojë dhe në biznes. E gjithë odiseja e vështirësive të fillimit të startit të biznesit, sintetizohen në tre thëniet e tija  kuptimplote. Kur e kam pyetur, se a ke pasur vështirësi për t’u ngjitur në majat e biznesit, ai më është përgjigjur në mënyrë të koncentruar, me këto shprehje filozofike që flasin shumë: “ kam ecur në pres të briskut dhe s’jam prerë, kam ecur në majë të gjilpërave dhe s’jam çpuar”, kam ecur në fijen e një teli dhe s’jam rrëzuar, kam dalë në breg i pa cenuar. Në mënyrë metaforike, do thonim se ky është cirku tregtar i Vullnet Sinës. Këto situata tepër të vështira, nëpër të cilat ka kaluar në vitet e biznesit, e kanë bërë më të fortë, të pa gjunjëzuar para çdo vështirësie e agresioni të mediokërve të pushtetit. Me djersën dhe mundin e tij, pa pasur asnjë përkrahje nga nomenklaturat në të dy kohërat, ai u bë i ditur,  i mençur e modest. Në tërë veprimtarinë  e tij, Vullneti ka qëndruar në lartësinë e dinjitetit që e fisnikëron dhe e lartëson figurën e tij intelektuale dhe morale. Ka vlera të spikatura shpirtërore, që pëlqehen nga të gjithë njerëzit që e rrethojnë. Në çdo nismë që ka ndërmarrë, ka shkelur në gjurmët e dijes dhe vullnetit të vet, të pamposhtur. Karakteri i tij i fortë, qartësia në veprime,guximi dhe këmbëngulja për t’i çuar gjërat deri në fund,janë cilësi dalluese që i japin Vullnetit epërsi që dalin mbi bashkëpunëtorët e tij të afërt. Karakterizohet nga optimizmi dhe besimi, në çdo nismë të re që ndërmerr. Vizioni dhe optimizmi, burojnë te mençuria e kultivuar, largpamësia dhe vullneti për t’u shkuar gjërave deri në fund. Me virtytet e tija, ai ndriçon rrugën jo vetëm vetes, por edhe miqve dhe shokëve bashkëpunëtor. Të gjithë bashkëpunëtorët e tij, flasin me të njëjtën gjuhë si të jenë në sinkron: “se te Vullneti gjen njeriun e ndershëm dhe dashamirës për të ofruar ndihmë pa interes, mikun e çiltër,të dashur, e të sinqertë, që të inkurajon të ecësh përpara”. Është ky motivi, që ai gëzon respektin dhe dashurinë jo vetëm të bashkëpunëtorëve, por të gjithë punonjësve të kompanisë. Në grupin e biznesit si President, ka cilësi të veçanta drejtuese dhe komunikuese. Di të harmonizojë mirë marrëdhëniet me kolegët dhe vartësit, nuk përdor kurrë autoritetin, por ka prirjen e një lideri tolerant, i drejt për drejtë me këdo. Korrektësinë, e ka medaljon në karakterin e tij. Megjithëse shtegu i virtytit në këto 30 vjet është ngushtuar shumë, ai ka ditur të gjejë rrugë për të kaluar. Ai, nuk mburret kurrë me virtytet e tij. Forca e virtytit të tij qëndron te thjeshtësia. Atij, i mungojnë veset se di t’i dallojë e t’i luftojë pa u bërë pronë e tij. Hipokrizinë, zilinë dhe gënjeshtrën, i ka parë si haraçin që vesi i paguan virtytit, te njerëzit me karakter të dobët. Nuk i pëlqejnë elozhet,reklamat,lajkat,lëvdatat, pasi i shikon si armiq të rrezikshëm të suksesit. Kënaqet dhe lumturohet shumë për sukseset e kolegëve të tij dhe zilinë e konsideron helm për zemrën dhe mendjen e njeriut. Megjithëse ka arritur majat e suksesit në bashkimin e tregjeve të vogla në një treg gjigant siç është Big Marketi me rreth 100, njësi tregtare në gjithë Shqipërinë, me pjesëmarrjen e 20 aksionerëve dhe shumë aktorëve të tjerë ekonomik, ai sillet me modesti. Hijen e rëndë të presidentit të BIGALB GROUP, e konsideron si një mburojë të budallait dhe mendjemadhësinë si një karikaturë të krenarisë. Jo vetëm kaq, veprimtaria e Vullnetit, nuk kufizohet te trendi ekonomik, por ai ndihet i qetë shpirtërisht kur kontribuon në zhvillimin arsimor, kulturor dhe artistik të njerëzve që punojnë në kompaninë e vet. Këtë altruizëm, e shprehin fare mirë shembujt e shumtë për sponsorizimet e grupeve polifonike të Labërisë dhe veçanërisht të fshatit të tij të lindjes Armenit, ku grupin e ka pajisur me veshjen karakteristike të zonës, si dhe ka sponsorizuar 10 bursa për nxënës ekselent. Njëkohësisht në çdo fund viti, ai jep shpërblime për punonjësit e tij dhe organizon lotari të fuqishme për blerësit në Big Marketet e kompanisë së vet. Vullnet Sinaj, siç thotë ai, ndihet krenar për një gjë: “ se kam arritur të bashkojë shqiptarët nga Jugu në Veri, në pikën ku njerëzit ndahen, tek Leku”. Vullneti është tepër social dhe mirëqenien e familjes së tij e sheh të lidhur me mirëqenien e gjithë punonjësve prej më shumë se 1500 vetë, që ka në kompani. Ai, bën një jetë sociale, tepër aktive, duke u marrë me aktivitete kulturore, artistike e sportive dhe drejton disa organizata ekonomike e shoqërore dhe është pjesëmarrës në forumet e tyre. Është President i BIGALB GROUP i 100 Marketeve në gjithë Shqipërinë, President i Tirana Cash&Carry-TCC, President i BTSH-së-Bashkimi i Tregtarëve të Shqipërisë, Kryetar i Shoqatës Armeni si dhe anëtar i Kryesisë të Shoqatës Kulturore Atdhetare Labëria, “Nderi i Kombit”. Për arritjet në biznesin e tij që drejton për vitin 2016, ai u rendit ndër njerëzit më të shquar e më të suksesshëm në grupin e iniciuar nga Albanian Excellence. Këto dhe angazhime të tjera shoqërore flasin për jetën aktive dhe të pasur të njeriut që lumturinë e tij e sheh të mëshiruar te lumturia e bashkëpunëtorëve të tij.

Personaliteti, integriteti dhe veprimtaria e tij e suksesshme, bëri që të thirret nga Partia Socialiste për të kandiduar për deputet në zgjedhjet elektorale të Qershorit të vitit 2017. Për vet profilin e tij shoqëror, për angazhimin, komunikimin dhe kontributin që ka dhënë për katër vjet të qënit deputet me elektoratin e zonës, ka ngritur një “kështjellë” besimi dhe respekti që gëzon jo vetëm te të majtët por edhe te të djathtët që ja rrit kreditet si kandidat për deputet për një mandat të dytë. E gjithë kjo panoramë flet qartë për personalitetin e tij njerëzor, mental, moral, shpirtëror, karakterial dhe intelektual, që me fuqinë e tij krijuese dhe menazhuese ka ditur të ngrihet nga hiçi, në lartësi vezulluese.

DEPUTETI MODEL

Vullneti pasi arriti majat e suksesit në fushën e biznesit,pranoi thirrjen e Partisë Socialiste katër vjet më parë për të vënë kandidaturën për deputet. Ai, e pranoi këtë ofertë jo si shumë kandidatë të tjerë që futen në politikë për të përfituar e pasuruar nga pjesmarrja në politikë, por për të plotësuar një ëndërr të tij, për t’i shërbyer vëndlindjes, për të ndihmuar shtresat në nevojë, për të cilën ka një nostalgji dhe dashuri të ngjizur nga tradita familjare dhe kujtimet e fëmijërisë.  Koha është gjykatësi më i mirë. Falë trashëgimisë së tij familjare me një emër e kontribut të vyer të babait Ruzhdi Sinaj në disa pozicione drejtuese si Kryetar Lokaliteti në Selenicë dhe si kryetar  Kooperative në Armen e më gjërë, si dhe figurës së tij të pastër arriti që të fitojë garën për deputet bindshëm. Gjatë kësaj legjislature si deputet me punën, investimin dhe përkushtimin e tij shëmbullor ka kryer një aktivitet në shërbim të elektoratit që formëzon një model që nuk ka arritur ta krijoj asnjë deputet këtë kapital politik gjatë karrierës katërvjeçare. Në një aktivitet të Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit”, dega Vlorë, ku isha i pranishëm ( para një viti ) kam dëgjuar disa banorë të krahut të djathtë të Lumit të Vlorës, që i janë drejtuar me superlativa dhe kanë deklaruar se ne votën do ta japim ty në zgjedhjet e ardhshme, se na ke mbështetur dhe na ke qëndruar pranë si askush tjetër në këto 30 vjet të quajtura demokraci.

Por natyrshëm lind pyetja, çfarë ka bërë deputeti Vullnet Sinaj që e dallon nga të tjerët?

Vullnet Sinaj, ndryshe nga të tjerët ka hyrë në politikë për t’u shërbyer njerëzve me pasurinë e tij dhe jo për t’u pasuruar me të qënurit deputet. Mjafton të njihesh me investimet që ka bërë në zonën e tij elektorale dhe metodën e punës që ka përdorur, të kuptosh sekretin e suksesit të tij.  Sa nisi karrierën si deputet krijoi zyrën e punës duke punësuar dhe paguar nga fondi i biznesit të tij gjashtë jurist të rinj që grumbullojnë ankesat dhe kërkesat e elektoratit sipas fshatrave. Këto informacione ja përcjellin Vullnetit çdo ditë, që ai i grumbullon dhe klasifikon sipas shkallës së rëndësisë dhe emergjencës që kanë. Vullneti ka “braktisur” familjen në kuptimin e mirë të fjalës. Atë e gjen katër pesë ditë në javë pranë banorëve nëpër fshatra, duke i dëgjuar, ndërhyrë e zgjidhur hallet e tyre që janë të mundshme. Ai është njohës dhe eksplorues i gjithë zonës,  duke depërtuar në çdo qelizë të jetës së banorëve. Aktiviteti i tij si deputet është i matshëm. Mjafton të sjellim disa shifra e fakte për të kuptuar humanizmin dhe kontributin e tij katër vjeçar. Ka zgjidhur rreth 500 probleme individuale banorëve të Lumit të Vlorës , dhe në shkallë qyteti e qarku. Problemet kanë qënë të natyrave të ndryshme, duke filluar nga ato pronësore, shëndetësore, punësimi si dhe në marrëdhënie me OSHE. Një numër të madh problemesh të tjera i ka të evidentuara dhe i ndjek hap pas hapi duke ju dhënë zgjidhje juridike dhe shtetare. Me iniciativën dhe ndihmën e deputetit është realizuar procesi i matjeve mbi 900 objekteve informale në Bashkinë e Selenicës, me synim legalizimin e tyre. Nga ky numër i madh 300 prej tyre janë legalizuar dhe pjesa tjetër është në proces. Blegtorët e zonës së malsisë së Vlorës prej vitesh nuk kishin përfituar subvencione nga shteti për mungesë informacioni dhe për mënyrën e funksionimit të ligjit që “kush aplikon i pari fiton i pari”. Duke qënë se distanca nga qyteti ishte e largët, ata nuk arrinin të aplikonin të parët dhe për rrjedhojë mbeteshin në fund të listës, ku s’perfitonin grande. Puna nisi me një metodikë dinamike duke vizituar stanet e blegtorëve në gjithë zonën që rrok bashkia, nga Selenica në Kuç. Është ndjekur një procedurë e veçantë, duke fotografuar dhe marrë të dhënat e nevojshme për 350 blegtorë, që përmbushin kriterin e numrit të krerëve. Vetëm vitin e kaluar, me ndihmën e zyrës së deputetit është realizuar procesi i aplikimit për subvencione për mbi 220 blegtorë të zonës, që përfundimisht dolën fitues. Vetëm nga ky realizim, është bërë e mundur që të përfitohen në zonë rreth 50 miljon lekë të reja. Duke ndjekur këtë shembull të suksesshëm, për këtë vit është realizuar procesi i aplikimit për subvencione për rreth 550 fermerë të zonës,që pritet të dalin fitues.Në rrjedhën e veprimtarisë së deputetit ka qënë dhe përgatitja e dosjeve, buletineve, prospekteve dhe  materiale të tjera, që evidentojnë ankesat dhe kërkesat e banorëve të Lumit të Vlorës dhe janë adresuar në vazhdimësi  për zgjidhje në institucionet e linjës vendore dhe qendrore. Janë përgatitur dosje të shumta me materiale konkrete, të ilustruara me foto, tabela e grafik, për probleme që kanë të bëjnë me energjinë elektrike, kanalet vaditëse, rrugët e fshatrave, shkollat e amortizuara, familje që janë në vështirësi ekonomike, si dhe për qendra shëndetësore të amortizuara dhe me mungesa të personelit shëndetësor, etj.

Një ndihmë e drejtë për drejtë me fondet e deputetit ka qënë ngritja e tre shtëpive në Bashkinë e Selenicës, për banorë me pamundësi ekonomike si dhe me ndihma ushqimore janë përfshirë mbi 150 familje për gjatë katër viteve. Të gjitha këto dhe shumë ndihma të tjera tregojnë se deputeti Vullnet Sinaj, ka pranuar të jetë deputet jo për të përfituar, por për të ndihmuar, për të zgjidhur problemet dhe sakrifikuar nga biznesi i tij me mjete financiare personale.

Shqipërisë, në kohën e varfërisë e pandemisë, i duhen deputet të modelit Vullnet Sinaj,  që të mund ta kaloj këtë siklet. I duhen deputet që të ndihmojnë, apelojnë, kundërshtojnë liderët e partive. Ata që karakterizohen nga shkathtësia, energjia, ndershmëria, gojtaria dhe nga mosnënështrimi ndaj liderit, janë ata që kanë pavarësi ekonomike, të modelit të Vullnetit.

Kjo rracë deputetësh, janë në minoritet në parlament. Urojmë që në këtë parlament diçka  do të ndryshojë.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.