AKTUALITET

Ekspertja Arsejda Gjyli: Të rinjtë në Shqipëri votojnë për vende pune, shumica s’kanë formim politik

12:32 - 13.04.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Të rinjtë shqiptarë, jo rrallëherë zgjedhin të bëhen pjesë e forumeve apo partive politike për përfitime personale, ku më së shumti u premtohet një vend pune. Por sa e pengon ky mentalitet një proces të zgjedhjeve të lira dhe të drejta? Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Arsejda Gjyli, eksperte në shkencat politike, njëkohësisht pedagoge në universitetin “Luarasi” tregon se të rinjtë shqiptarë janë gjithmonë e më shumë pjesë aktive e politikës, por në më të shumtën e rasteve nuk janë njohës të mirë të politikës. Ajo shton se votimi në përgjithësi i shqiptarëve, përfshirë këtu edhe targetin e të rinjve, nuk mbështetet në programet elektorale, por në retorikën e përditshme politike.
Sa të informuar janë të rinjtë shqiptar mbi politikën dhe mbi fushatën elektorale?
Sipas sondazheve të fundit të rinjtë shqiptar janë gjithmonë e më shumë pjesë aktive e politikës, por në më të shumtën e rasteve nuk janë njohës të mirë të politikës, vendimmarrjes, proceseve demokratike si dhe vetë fushatës elektorale. Kjo për faktin se aktiviteti i tyre nuk mbështetet në pritshmëri afatgjata, por në disa përfitime direkte e të shpejta. Të rinjtë nuk janë pjesë e politikës si një target grup i bazuar tek aktivizmi dhe kriticizmi, e thënë kjo jo në një formë gjithëpërfshirëse, duke qenë se ka edhe përjashtime.
A mendoni se ata arrijnë të studiojnë programet elektorale për të zgjedhur apo nisen nga militantizmi?
E kam theksuar gjithmonë se votimi në përgjithësi i shqiptarëve, përfshirë këtu edhe targetin e të rinjve, nuk mbështetet në programet elektorale, por në retorikën e përditshme politike që prezantohet më së shumti nga liderët e partive kryesore në media. Ka disa arsye përse ndodh kjo gjë: Së pari lidhet me faktin se partitë kryesore nuk kanë një ndarje të vijës ideologjike mes tyre dhe programet elektorale janë po të njëjtat në pothuajse çdo vit elektoral. Së dyti, lidhet me faktin se shumica e shqiptarëve votojnë me baza familjare dhe fisnore, kjo sepse nuk gëzohet kultura e duhur e të kuptuarit të politikës përmes realizimit të premtimeve elektorale nga partitë dhe rritjes së cilësisë së jetës për qytetarët. Së treti, korrupsioni aktiv mbetet goxha i lartë dhe nuk lë shumë vend për analiza të përmasave sociale apo politike.
Sot shumë të rinj bëhen pjesë e forumeve rinore politike, jo pak prej tyre pa pasur të drejtën e votës për shkak të moshës. Si ndikon kjo në formimin politik të tyre?
Nga prononcimet e të rinjve kam kuptuar se edhe vetë anëtarësimi në parti politike bëhet sipas bindjeve familjare dhe predispozitës për punësim dhe përfitime të caktuara nga partitë. Në këtë kontekst të rinjtë që bëhen pjesë e politikës pa arritur moshën e votimit, indoktrinohen me bindje të caktuara politike për të cilat ato nuk kanë hulumtuar dhe as studiuar për të formësuar këto bindje. Në thelb ato nuk gëzojnë një formim politik të mirëfilltë, por shndërrohen në mbështetës gati me sy mbyllur të retorikës dhe qasjes së partisë përkatëse ku bëjnë pjesë.
Si votojnë shqiptarët në përgjithësi dhe a ka një ndarje mes grupeve të votuesve?
Në një qasje të shkencave politike votuesit në Shqipëri janë të ndarë në tre grupime kryesore, e para janë grupmoshat e brezit të tretë dhe të dytë, ku përfshihen gjyshërit dhe prindërit tanë të cilët votën e orientojnë në bazë të së shkuarës komuniste dhe cilësisë së jetës në atë kohë. Vota e tyre është më ë ngurtë dhe e vështirë për t’u tjetërsuar. Të rinjtë janë targeti tjetër, të cilët votën e tyre e mbështesin tek retorika politike e jo në programet politike, vota e tyre është e mbështetur në tradicionalizëm por edhe në koncepte më të ndryshueshme. Së fundmi dallojmë edhe elektoratin gri i cili mbështetet në bindje më intelektuale të të votuarit, ky elektorat është më skeptik ndaj qeverisjes dhe politikbërjes e po ashtu mbështetet tek vota e lirë dhe e pavarur si dhe alternativa më e mirë.
Duke qenë se votimi jo rrallëherë orientohet sipas premtimeve për punësim apo benefite të tjera, si ndikon kjo në zgjedhjet përfundimtare për ata që do na qeverisin në katër vjet?
E theksoj se është shumë e dëmshme kjo mendësi e të votuarit, akoma më shumë sesa dhënia e votës sipas tradicionalizmit dhe bazave familjare në të votuar. Kjo sepse vota në një farë mënyre shndërrohet në klientelizëm dhe procesi zgjedhor redukohet në një “agora” të madhe ofertash të cilat nuk lejojnë zgjedhjet e lira e të ndershme bazuar në demokraci dhe lirinë e zgjedhjes. Po ashtu partitë politike nuk mbështeten më tek program më i mirë politik dhe nuk kanë një presion të jashtëm mbi mënyrën sesi do qeverisin në katër vite.
A duhet të ndryshojë ky mentalitet në Shqipëri, pra se të votohet një x kandidat apo një x parti për të mirën e përgjithshme?
Sa i takon pyetjes, kultura dhe mentaliteti politik është edhe aspekti më i vështirë për t’u ndryshuar, kjo sepse kemi të bëjmë me një analizë zinxhir komponentësh që ndikojnë tek realiteti. Ndër to shumë i rëndësishëm është niveli ekonomik, edukimi dhe arsimimi, kultura e përgjithshme dhe më së shumti sesa të varur jemi ne nga politika në vetvete. Me rritjen ekonomike dhe moscënueshmërinë e punës dhe të ardhurave, nga politika edhe vetë individi largohet nga militantizmi dhe nuk ndikohet më nga faktorë të jashtëm për mënyrën sesi do të votojë.
Sa kohë do të na duhet ne shqiptarëve që të mendojmë për të zgjedhur kandidatët e duhur për mirëqenien e vendit?
Në analizat politike të vendeve të cilat dalin nga sisteme politike diktatoriale, theksohet se për të kaluar tranzicionin duhen përafërsisht po aq vite sa vendi ka kaluar në diktaturë, kjo në rastet e vendeve ku predispozita për të kultivuar korrupsionin dhe zgjatimin e degëzimeve komuniste, është e lartë. Pas këtyre viteve fillon faza e konsolidimit politik të demokracisë dhe institucionalizmit. Në këtë logjikë me një llogari të thjeshtë matematikore, na duhen akoma edhe shumë vite të dalim nga tranzicioni, pa menduar për konsolidimin e demokracisë i cili shihet me dritë vite larg. Në këtë kontekst ajo që shihet si një shpresë për ndryshimin rrënjësorë qoftë politik, social, ekonomik apo edhe mentalitar për vendin tonë është procesi i anëtarësimit në BE. Hapja me Bashkimin Evropian dhe politikat e implementuara në këtë qasje, mund të ndihmojnë në zhvillimin e vendit por edhe në mënyrën sesi shqiptarët do shohin votën dhe shumë instrumente të tjerë qytetar.
Si i vlerësoni kandidaturat e të rinjve për të qenë pjesë e parlamentit shqiptar?
Në Suedi dhe në Britaninë e madhe, kadidaturat e të rinjve për në parlament, që janë edhe raste shumë të rralla, përbëhen nga individë, të cilët kanë dhënë një kontribut aktiv me impakt real në shoqëri, sa i takon fushës sociale dhe aktivizimit për kauza të ndryshme shoqërore, politike, ekonomike etj. Në këtë këndvështrim, një kandidaturë pavarësish moshës është e mirëpritur nga shoqëria dhe vlerë e shtuar në qeverisje. Në rastin e vendit tonë, në këto zgjedhje vëmë re kandidatura masive të të rinjve, pa një formim të mirëfilltë, pa shkollimin e duhur të përfunduar, pa një impakt apo kontribut real në jetën shoqërore. Këto të rinj përfaqësojnë trofetë apo larjet e hesapeve që shpesh partitë kanë ndaj familjeve të tyre të cilat kanë votuar tradicionlisht atë parti. Në shumë raste të tjera këto të rinj nuk përfaqësojnë një vizion apo kauza të caktuara qytetare, por e shohin kandidimin si një komponent për rritjen dhe katapultimin personal në karrierë.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.