OPINION

Gjoba “Becchetti” e shkaktuar nga Edi Rama është sa 10 vjet buxhet shtetëror për gjithë kulturën

13:50 - 13.04.21 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shumë njerëz mund të pyesin se ç’ lidhje ka midis masës së gjobës që gjykata ndërkombëtare i vuri shtetit shqiptar për marrëzitë e Kryeministrit Rama  dhe buxhetit shtetëror për kulturën. Lidhja është se në një vend që harxhon kaq pak për kulturën, do të ketë patjetër pushtetarë abuzues që sjellin dëme të tilla me veprimet e tyre. Nëse buxheti vjetor për kulturën do të kishte qenë 120 milionë euro, sa ç’ është masa e gjobës “Becchetti” dhe kjo gjë do të kishte qenë e mundur nëse me taksat e shqiptarëve dhe ndihmat e huaja nuk do të abuzohej sic bëhet, atëherë sot nuk do të kishim pushtetarë që do të bënin shkelje të tilla, sepse nuk do të kishin shans për të qenë në pushtet. Politika e mirë dhe drejtësia i kanë themelet në kulturë. Dhe zhvillimi kulturor do një program si parakusht.




Një nga kritikat e shumta që i bënë qeverisjes të shkurtër në vitin 1924 të kryeministrit më të kulturuar shqiptar të të gjitha kohërave, politikanit me diplomë të Universitetit të Harvardit Fan Noli ishte se përse  çuditërisht nuk kishte dhënë sadopak para për zhvillimin e kulturës në vend. Por Fan Noli e dinte se Shqipëria në vitin 1924 akoma nuk kishte një program të elaboruar për zhvillimin kulturor dhe pa u bërë një i tillë, këto do të ishin para të hedhura kot.Programin për zhvillimin kulturor duhet ta bënin intelektualët më të mençur të kombit. Rilindasit, me kontributin edhe të Fan Nolit, kishin skicuar në linja të përgjithshme një program të tillë por ai nuk ishte bërë akoma.

Kur pas Fan Nolit erdhi Ahmet Zogu, edhe ai, sado që nuk kishte erudicionin e Nolit e kuptonte pak a shumë një gjë të tillë. Prandaj Zogu financoi ata që po punonin për një program të tillë. Këtë gjë na e thotë në kujtimet e tij Petro Marko, i cili ishte armik i Zogut, por megjithatë na tregon sesi është ndodhur në zyrat qeveritare të kohës bashkë me Branko Merxhanin, ku iu është dhënë financim shtetëror për revistën kulturore. Kështu ndodhte edhe me të tjerë. Kështu, qeveritë e Zogut, sado që ishin shumë më pak të iluminuara se qeveria e Nolit bënë atë që duhej të bënin duke financuar përgatitjen e programit të kulturës kombëtare. Këtë gjë në vitet ’20-’30 e bënë kryesisht kolosë të tillë të mendimit shqiptar si Branko Merxhani sidomos por edhe Vangjel Koça, At Anton Harapi etj.

Sigurisht që nuk u hartua një master-plan i kulturës shqiptar, por formulat e Neo-Shqiptarizmës të Merxhanit, që si të thuash përbëjnë boshtin e këtij programi, ato të Vangjel Koçës, një numër shkrimesh të At Anton Harapit, At Zef Valentinit, Mehdi Frashërit, Krist Malokit, Tajar Zavalanit etj., të marra në tërësi formojnë një master-plan të kulturës.

Kur Branko Merxhani iku nga Shqipëria pas pushtimit të vendit në 1939, ai la pas pikërisht boshtin e një programi kulturor të gatshëm të vlefshëm për brezat që do të vinin më pas. Për arsye që kuptohen si qeveritë fashiste ashtu edhe ato komuniste deri në 1991 nuk do ta zbatonin këtë program.Si qeveritë fashiste ashtu edhe ato komuniste zbatuan programe të kulturës së ideologjizuar me ideologjitë përkatëse. Programi kulturor i hartuar nga kolosët e mendimit shqiptar në vitet ’20-’30 mbeti në arkiva, ku zuri pluhur në faqet e periodikëve të asaj kohe. Por megjithatë duhet thënë se edhe në kohën e regjimit komunist në Shqipëri ka pasur disa shkrimtarë të cilit ishin njohës të mendimit shqiptar të viteve ’20-’30, si   Dhimitër Shuteriqi, Jakov Xoxa dhe Dritëro Agolli, njerëz shumë të kulturuar, të cilët pavarësisht se ishin të detyruar që të bënin letërsi të realizmit socialist, e gjetën mënyrën që të futnin në librat e tyre ide të mendimit shqiptar të viteve ’20-’30, qoftë edhe duke i vënë ato në gojën e personazheve. Madje Dritëro Agolli te “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” duke bërë satirën e programit kulturor të ideologjizuar të shtetit komunist, nxjerr indirekt në pah vlerat e programit kulturor të viteve ’20-’30.

Sidoqoftë, me gjithë këto përpjekje, Branko Merxhani dhe kolosët e tjerë të mendimit shqiptar të viteve ’20-’30 mbetën të panjohur për disa breza dhe nuk mund të ishte ndryshe. Për regjimin komunist ishte e rëndësishme që kjo periudhë e mendimit shqiptar të mbetej e panjohur, e zhytur në harresë, e varrosur në sarkofagun e censurës shtetërore dhe partiake.Shumë-shumë, kolosët e mendimit shqiptar të viteve ’20-’30 përmendeshin sa për t’ u sharë. Nëse kërkoje leje për t’ i lexuar periodikët e kësaj periudhe në bibliotekë, i kishe vënë vetes damkën e armikut të regjimit. Vetëm aty-këtu kishte disa njerëz të cilët kishin fatin që të kishin nëpër bibliotekat familjare botime të periodikëve të viteve ’20-’30, ose ndonjë që mund t’ i siguronte nga njerëz të besuar, të cilët mund të njiheshin me mendimin shqiptar të kësaj periudhe dhe vecanërisht me programin kulturor që përmenda më lart.

Vepra e rilindasve, ndonëse aty-këtu e cunguar, megjithatë vazhdoi të popullarizohej edhe në kohën e regjimit komunist, dhe të bëhej e njohur për brezat përmes botimeve dhe teksteve shkollore. Kjo për arsye sepse regjimi komunist e shikonte periudhën e Rilindjes sipas teorisë marksiste-leniniste të etapave të zhvillimit, si periudhën e lëvizjes për çlirim kombëtar, pas së cilës vinte lëvizja fshatare (e caktuar në 1914), revolucioni demokratiko-borgjez (i caktuar në 1924) dhe më pas revolucioni komunist. Sipas kësaj formule ideologjike, mendimi shqiptar i viteve ’20-’30 dilte i tepërt dhe quhej “reaksionar” me përjashtim të asaj pjese të tij që shihej si pararendëse e lëvizjes komuniste.

Nëse Rilindja Kombëtare ishte larg në kohë për t’ iu prishur punë komunistëve që e krijuan partinë në 1941, programi i kolosëve të mendimit shqiptar, i hartuar kryesisht në vitet ’30 ishte fare afër në kohë me rritjen e lëvizjes komuniste dhe ardhjen e komunizmit në pushtet, në 1944. Udhëheqësit e regjimit komunist mund ta shpallnin veten si vazhdues të veprës së rilindasve pasi vëllezërit Frashëri kishin vdekur disa dekada para ardhjes së tyre në pushtet. Hasan Tahsini, Jani Vreto, Naum Veqilharxhi, Pashko Vasa kishin vdekur më parë se vëllezërit Frashëri. Ndërsa Branko Merxhani do të ishte gjallë deri në mes të viteve shtatëdhjetë dhe regjimi komunist nuk mund ta shpallte veprën e tij si përparimtare sepse duhet ta ftonte Merxhanin në Shqipëri. Njëlloj si ai, jezuiti Zef Valentini ishte gjallë deri në 1980. Regjimi komunist kishte shpallur si përparimtarë priftërinjtë katolikë Ndre Mjeda dhe Shtjefën Gjeçovi, sepse ata kishin vdekur me kohë, por nuk mund të bënte të njëjtën gjë me Valentinin. Tajar Zavalani ishte gjallë deri në fund të viteve gjashtëdhjetë dhe fliste te Radio Londra kundër regjimit komunist shqiptar, Mehdi Frashëri ishte gjallëderi afër mesit të viteve gjashtëdhjetë, Krist Maloki deri në vitet shtatëdhjetë.At Anton Harapi ishte pushkatuar nga regjimi komunist, prandaj vepra e tij duhej të varrosej.

Duhej menduar që shteti shqiptar pas rënies së komunizmit do të plotësonte detyrimin që kishte për të zhvarrosur trashëgiminë intelektuale të mendimit shqiptar të viteve ’20-’30, me programin kulturor si thelbin e tij. Investimi i vërtetë i shtetit shqiptar për kulturën nuk mund të niste veçse pas vitit 1990, me rënien e komunizmit. Tani ishte e nevojshme që së pari të bëhej i njohur mendimi shqiptar i viteve ’20-’30, me programin kulturor si “gurin” më tëçmuar të tij. Edhe këtu shteti bëri shumë pak. Shteti paskomunist shqiptar, si pushteti qendror ashtu edhe ai vendor harxhonte dhe harxhon akoma edhe sot para për spektakle e koncerte mediokre, por në krahasim me to, e shumta harxhoi veç disa qindarka  për të nxjerrë nga pluhuri i harresës veprën e kolosëve të mendimit shqiptar të viteve ’20-’30.Ndërsa pushteti Edi Ramës si kryeministër gjatë  mandatit 8 vjeçar në qeverisje i thau  fare edhe ato qindarka duke e parë me armqësi këtë lloj kulture.

Pas vitit 1990 disa intelektualë, një ndër të cilët jam edhe unë, i vunë vetes si mision që të nxjerrin nga pluhuri i arkivave programin kulturor të hartuar nga kolosët e mendimit shqiptar të viteve ’20-’30. Shumë nga ata që e nisën këtë përpjekje u tërhoqën, shumë kanë bërë pak dhe me hope, megjithëse nuk i fajësoj sepse secili bën sa të mundë. Unë nuk u tërhoqa dhe i vazhdova përpjekjet si botues dhe si studiues. Shumë njerëz më përgëzojnë se kam bërë shumë, por mua më duket se më ka mbetur edhe shumë për të bërë akoma.

Por kur dëgjoj se shteti shqiptar merr një gjobë 120 milion euro për kapriço të kryeministrit Rama nga gjykata ndërkombëtare e arbitrazhit për gabime të pushtetarëve (Çështja “Becchetti”) dhe me një llogari të thjeshtë më del se kjo shumë përbën buxhetin e kulturës të qeverisë shqiptare për rreth 10   vjetët e ardhshëm, bëhem shumë pesimist.Eshtë tragjike dhe e vajtueshme sa do vuaj kultura ,trashëgimia historike shqiptare dhe libri shqip në vitet e ardhshëm nga pushtetarë të tillë masakrues  . Dhe kjo bëhet më tragjike kur zotnia  e tij kryeminstër  nuk lë gurë pa lëvizur për të marrë dhe mandatin  tretë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.