Kronikë

“Nëse vret Domart Konjarin do marrësh 300 000 €”/ I penduari rrëfen planin që dështoi kur një nga minat nuk shpërtheu

18:25 - 17.04.21 gsh

Klodiana Lala



“Nëse e vret Domart Konjarin, do të paguajmë 300 mijë euro”. Kjo ishte shuma që grupi kriminal i Blendi Dedës e Paris Prengës, i premtoi të penduarit të drejtësisë, Enver Jamaku, falë rrëfimit ë të cilit, në Tiranë janë zbuluar të paktën 19 baza armatimi, dhe kanë rënë në pranga të paktën 10 persona. Enver Jamaku rrëfen se Deda e Prenga do ta vrisnin Konjarin për motive hakmarrje, pasi dyshonin se ai kishte vrarë mikun e tyre të ngushtë, Dëfrim Kasmin.

“U takova me ta në një kafe dhe më thanë të vendosja lëndë eksplozive një automjeti Mercedez Benz, me targa Gjermane, që mund ta përdorte Domart Konjari. Më premtuan se nëse ai person vdiste, do të më jepnin 300 mijë euro. Do të bëhesh me shtëpi, më thanë.

Me treguan se me atë makinë Konjari vinte tek lokal Bermont në Kinostudio, ndërsa shtëpinë e kishte te rruga ‘Siri Kodra’ në afërsi të ish frigoriferit, në një pallat në ri. Ma treguan. Ishte një person rreth 45-50 vjec i mbushur në trup dhe mbante kapele me strehë”, rrëfen Jamaku. I penduari tregon se e ka ndjekur rreth dy muaj Domart Konjarin, që të gjente mundësinë për të montuar dy minat, që iu dorëzuan nga kundërshtarët e tij.

“Minat mesa di i kishin siguruar në Shkodër. Më dhanë dhe një makinë me qëllim që të ndiqja Domartin, si dhe një telefon Enkro për të komunikuar me ta. Me informuan se makina ndodhej e parkuar te ‘Siri Kodra’. Telefonova kushëririn tim Ermondin, i cili kundrejt pagesës kishte pranuar të vinte minat tek automjeti. Ai i montoi”, shpjegon i penduari.

Enver Jamaku thotë se kushëriri i tij e priti personin që të hynte në makinë dhe me pult komandoi minat ne distancë, por njëra prej tyre nuk shpërtheu. Në fakt, shënjestra e tyre, Domart Konjari, as që ishte prekur, sepse në makinë hyri kunati i tij Artajn Bylyku, i cili gjithashtu për fat, nuk pësoi dëmtime.

“Jam takuar më pas me personat që më porositën dhe ishin të nevrikosur. Me kanë sharë e ofenduar. Me thanë se perse nuk e kishim pritur personin të hynte ne makinë para të bënim shpërthimin dhe më kërkuan llogari se përse nuk u aktivizua mina tjetër. Debatova ashpër me ta se nuk donin te me paguanin.

Me shumë vështirësi më dhanë 3 mijë euro. njëri prej djemve një moment më hodhi në fytyrë ujin e gotës dhe duke me sharë më tha, na prishe shumë pune”, e përmbyll Jamaku rrëfimin e tij. I penduari ka rrëfyer edhe për krime të tjera të rënda, të cilat janë duke u hetuar nga prokuroria dhe gjasat janë të firmosen të tjera urdhër arreste për urdhëruesit e tyre.

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.