OPINION

Ekonomia po ringrihet

19:02 - 19.04.21 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të premten datë 15 prill 2021, Ministria e Financave bëri të ditur të dhënat e të ardhurave dhe shpenzimeve të Buxhetit te Shtetit për tremujorin e parë të këtij viti janar-mars 2021 (https://www.financa.gov.al/permbledhje-e-performances-paraprake-3-mujore-te-te-ardhurave-dhe-shpenzimeve/).  Ekonomia e vendit po i rikuperon më shpejt nga sa mendonim, humbjet që i shkaktoi pandemia e COVID-19. Të ardhurat në buxhetin e të gjithëve u rritën me 36 milionë euro, në krahasim me periudhën janar-mars të vitit 2020. Këtë gjendje e solli konsumi i rritur, aktiviteti i shtuar i investimeve publike dhe i sipërmarrësve privatë, si dhe përmirësimi i punësimit, me mbi 11 mijë të punësuar të rikthyer ne vendet e tyre të punës, ose të punësuar të rinj. Treguesi kryesor në financat publike që mat konsumin është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar(TVSH). Në rast se të ardhurat prej tij shtohen, atëhere edhe konsumi është shtuar. Për periudhën janar-mars 2021, TVSH është rritur me 9.6 përqind. Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi i besimit në ekonomi (https://www.bankofalbania.org/Politika_Monetare/Vrojtimet/Vrojtimi_i_bizneseve_dhe_i_konsumatoreve/ ), një vrojtim çdo tre muaj i bankës sonë qendrore që nga viti 2002, vijoi përmirësimin edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Treguesi i Ndjesisë Ekonomike u rrit me 10.3 përqind, në krahasim me tremujorin tetor-dhjetor 2020. Këtë tremujor përmirësimi erdhi nga rritja e njëkohshme e besimit si për bizneset, ashtu edhe për konsumatorët. Treguesi i besimit në sektorin e industrisë shënoi rritje të fortë gjatë tremujorit të parë 2021. Shtimi ishte 9.5 përqind, duke u zhvendosur mbi mesataren historike për herë të parë, që pas goditjes negative të vitit 2020. Është rritur prodhimi dhe janë shtuar kontratat-porosi për mallra dhe shërbime. Ecuri të përmirësuar shfaqën edhe balancat e tjera, si gjendja financiare e sipërmarrjeve, kontratat porositëse nga eksportet, pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm, si edhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese. Treguesi i besimit i Bankës së Shqipërisë u rrit jo vetëm në prodhim. Ai u shtua me 9.5 përqind edhe në shërbime. U përmirësuan të dhënat e ecurisë së biznesit (me 13.1 përqind) dhe rritja e kërkesës (6 përqind). Treguesi i besimit në tregti u rrit me 5.4 pikë përqind gjatë tremujorit të parë 2021 dhe rezulton aktualisht mbi mesataren historike. Shtim shënuan edhe balancat e tjera të vrojtimit të BSH për shërbimet dhe tregtinë, si gjendja financiare, punësimi dhe pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm. U rrit edhe treguesi i besimit konsumator, duke i përmirësuar të tre balancat e tij përbërëse: blerjet e mëdha (me 3.9 përqind), situatën financiare të qytetarëve (me 1.3 përqind) dhe situatën e përgjithshme ekonomike (me 0.8 përqind). Të ardhurat nga doganat tona po ashtu janë shtuar me 28.5 milionë euro për periudhën janar-mars 2021. Shenjë se kemi rritur tregtinë e jashtme, sidomos importet. Kemi konsumuar më shumë karburant(me 23 përqind), por rritje ka pësuar edhe importi i metaleve me 5 përqind. Shteti u ka rimbursuar sipërmarrjeve 29 milionë euro më shumë TVSH në tremujorin e parë. Treguesit në përmirësim të buxhetit të shtetit kanë të bëjnë edhe me shpenzimet kapitale, në rradhë të parë investimet publike. 24 milionë euro janë përdorur nga Buxheti për rindërtimin, ndërkohë që pritet të përdoren edhe 204 milionë euro të tjera në nëndë muajt në vijim. Ekonomia e vaksinave po shtohet përditë, dhe bashkë me të edhe gjasat për rritje ekonomike vjetore mbi 5.5 përqind (ky është parashikimi qeveritar). Sezoni turistik veror do të shohë turistë të huaj nga vende të dala nga shtrëngesat e masave anti-Covid dhe nisja e vaksinimit të operatorëve tanë turistikë me mbi 90 mijë vaksinat Astra-Zeneca që erdhën tre ditë më parë, është shenjë se mund të kemi një sezon më të mirë se viti i kaluar. Investimet në infrastrukturë dhe rindërtimi do të shtojnë konsumin, me investimet e huaja tashmë të nisura (kompania franceze Voltalia me parkun e energjisë diellore në Karavasta), apo në pritje të përfundimit të kontratës, si ndërtimi i Aeroportit të Vlorës. Investime të tilla, të dyja në nivel të 100 milionë eurove seicila, rrisin optimizmin në ekonomi. E vetmja gjë e pasigurtë është sjellja e partive tona politike pas datës 25 prill. A do ta pranojnë ato rezultatin e zgjedhjeve? E kaluara e hidhur ka treguar se trazirat politike dhe protestat masive pas zgjedhjeve e kanë dëmtuar shumë rëndë ekonominë. Kjo nuk duhet kurrsesi të ndodhë, duke filluar nga data 26 prill 2021.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.